fbpx

ShowBizz

MADAME MAPO/ Devis Xherahu: Dhe 30 jetë të kisha, muzikën do të zgjidhja!





               Publikuar në : 09:58 - 19/01/19 |
mapo.al

Personazhi i radhës për këtë të shtunë është Devis Xherahu, këngëtari i mirënjohur nga Korça e bukur. Ëndrra e tij më e madhe ka qenë Amerika, të cilën ia ushqente i ati më së shumti. Megjithatë shprehet që atë ëndërr aq të madhe e ka kompensuar me Shqipërinë, me aktivitetin e tij këtu dhe me pasionin që është kënga. Është gjëja që di të bëjë më mirë, muzika, arti, janë ato që Devisi dashuron së tepërmi. Ka qenë aktiv në skenën e muzikës që në fëmijërinë e tij në shkollë dhe festivalet e fëmijëve e po të bëjmë një retrospektivë bëhen shumë vite, aq sa për ta konsideruar një sukses të vërtetë. Janë bërë plot 26 vite që nga fitimi i çmimit të parë në festivalin e serenatës korçare që zhvillohej në Korçë në ato kohë. Një korçar, një romantik dhe një kavalier si Devisi nuk mund t’i mungonte botimit të radhës të ‘Gazetës Mapo’. Ai u shpreh mbi hapat e tij të parë në muzikë, marrëdhënien me Ertemionën, ëndrrën amerikane dhe këngëtarin e tij të preferuar Elvis Presley.


Bisedoi: Ada Kacmoli



Si u bëtë ju i njohur për estradën shqiptare?


Janë disa faktorë që unë jam ky që jam sot, që jam i njohur për publikun tim shqiptar. E para është që unë e kam të trashëguar këngën nga gjyshi im Vaskë Xherahu, që ishte nga kryesorët e ‘Korit Lira’ në Korçë, e dyta unë studiova 16 vite muzikë klasike, flaut, kitarë dhe piano, e treta ishin dy spektaklet e Vera Grabockës, mikes sime që unë gjej rastin ta falënderoj. Ka qenë viti ‘93 kur unë isha i ftuar në ‘Miss Albania’ dhe viti ‘94 te ‘Fatet për 12 javë’. Pastaj çdo gjë vazhdoi me ikjen time në Greqi, nga ku unë u njoha me shumë këngëtarë të mëdhenj, sidomos së fundmi me mikun tim Lefteris Pantazis, një nga këngëtarët e mëdhenj të Greqisë i cili më ofroi ndihmën dhe mbështetjen e tij me dy duetet që kemi bërë me të, disa spektakle televizive, emisione dhe festivale por mbi të gjitha nëse nuk ekziston talenti që është i lindur, koha dhe djersa që derdh për punën e këngës nëse ke gjithë këto ndihma dhe nuk ke këto të dyja pra talentin që është i lindur, zërin, punën e vazhdueshme asgjë nuk realizohet.

Mund të ndani me ne disa nga momentet më të bukura të fillimit të karrierës suaj?

Për çdo korçar ashtu edhe për mua në rastin konkret skena e parë ka qenë ‘Serenata Korçare’, rrugët e kalldrëmit ku ne bënim serenata për vajzat. Pastaj kam vijuar me pjesëmarrjen time në ‘Estradën profesioniste’ në qytetin e Korçës që ka qenë deri në moshën 16-17 vjeç kur unë këndoja në estradën profesioniste ‘Andon Zako Çajupi’, teatri i Korçës. Dhe më pas ishte fitimi i çmimit të parë të festivalit të serenatës shqiptare që u bë në vitin ‘92.

Në një jetë tjetër do zgjidhnit sërish këtë profesion apo diçka tjetër?

Jam me fat që kam këtë profesion, profesionin e këngës, profesionin e artistit dhe 30 jetë sikur të kisha artin do të zgjidhja.

Cila ka qenë ëndrra juaj më e madhe?

Ëndrra ime më e madhe gjithmonë ka qenë që i vogël, si të thuash ma futi në gjak babai im ‘Ëndrrën amerikane’, sepse duke dëgjuar Tom Jones, Elvis Presley, sidomos Elvisin e dëgjoja shumë kur kam qenë i vogël edhe e imitoja pafund. Ëndërroja Amerikën, Hollywood-in, por kjo ëndërr u bë realitet sërish edhe në Greqi edhe në Shqipëri, por sidomos në Shqipëri në vendin tim ku jam ky që jam sot.

Kush ju ka suportuar gjithnjë në rrugën që ju keni zgjedhur?

Pa diskutim suportimi më i madh ka qenë dhe vazhdon të jetë familja ime, prindërit e mi e sidomos babai, i cili që i vogël më brumosi me këngëtarë shumë të mëdhenj e sidomos me Elvis Presley.

Çfarë të bën të vazhdosh përpara pa patur ndrojtje fare? Pse?

Pa diskutim ajo që më bën të ec përpara është talenti që është i lindur dhe dashuria që kam, për profesionin tim, që është kënga, sepse është gjëja më e bukur në botë që mund të bëj dhe kjo është gjëja që di të bëj më mirë.

Sa e vështirë ka qenë për të arritur suksesin që keni sot? Çfarë të është dashur të sakrifikosh?

Arti dhe mendoj çfarëdolloj profesioni të kesh do përkushtim, lodhje dhe mund të them që shume herë nga fëmijëria nuk mund të luaja me shokët edhe të kisha ëndrrat fëmijërore, sepse merresha me këngën, me flautin me veglat muzikore, kështu që pa diskutim do sakrifikosh shumë shumë dëshira, shumë qejfe të tjera që të jesh prezent.

Jeni lodhur ndonjëherë nga muzika, koncertet e pafundme, orët e vona dhe mungesat në shumë festa familjare apo jeni në çdo hap i pranishëm?

Pa diskutim që lodhja është e pranishme sidomos në profesionin tonë që kemi të bëjmë me natën dhe shumë pak me ditën. Por është sadisfaksion i madh kur lodhesh duke bërë atë që dashuron më tepër.

Po me rrjetet sociale si i keni marrëdhëniet? Mundoheni t’i shmangni vazhdimisht sepse krijojnë lajme të rreme apo nuk ju ka ndodhur shpesh kjo gjë?

Nuk kam patur ndonjëherë lodhje me kolegët që janë gazetarë, që jeni ju të gjithë sepse puna juaj është me ne dhe asnjëherë nuk lodhem së qeni i pranishëm sa herë që ju keni nevojë për ne ashtu siç kemi dhe ne nevojë për ju. Kështu që është një punë e ndërsjellë. Shumë rrallë mund të ketë ndodhur që të ketë patur keqkuptime, por gjëra të vogla që unë si njeri paqësor që jam e gjej gjithmonë zgjidhjen për të mbajtur ekuilibra.

Preferoni më shumë bashkëpunimet apo këngët solo?

Nuk ka recetë për mua që të jem i njëanshëm vetëm me bashkëpunimet apo që të pëlqej vetëm këngët solo. Varet si e sjell momenti. Te të gjitha unë investoj maksimalisht, si të jenë këngët e mia solo apo duete, sepse kudo që të jetë emri im unë kam përgjegjësi maksimale dhe jap maksimalisht gjithçka që di dhe di të bëj në marrëdhëniet e mia artistike, kështu që është njësoj pjesëmarrja ime si në këngët solo dhe në bashkëpunime, janë njësoj për mua.

Po për sa i përket teksteve, jeni besnik ndaj tekstshkruesve, pra keni një të preferuar apo eksploroni?

Padyshim që në 90% të karrierës time dhe këngëve mbajnë emrin e tekstshkruesit të madh Jorgo Papingji, që është një nga mbështetjet e mia, të cilin e falënderoj por kjo nuk do të thotë që unë nuk jam i hapur ndaj tekstshkruesve të tjerë. Nëse gjendet diçka që më pëlqen pse jo? Por deri më sot ai që ka qenë më afër asaj që unë kërkoj ka qenë Jorgo Papingji. E falënderoj për ndihmën dhe atë gjetjen e çelësit të sukseseve në këngët e mia.

Ku e gjeni frymëzimin për tekste të ndryshme?

Frymëzimin në tekstet e këngëve unë përpiqem ta gjej te momentet që kam kaluar, pra përfshij momente të cilat i kam përjetuar. Ky mendoj është çelësi i suksesit tim, sepse jam origjinal dhe jam 100% në këngë dhe i fokusuar te diçka që është e imja, pra tekste që përshkruajnë pjesë, copëza dhe kujtime të jetës time.

Si po shkon marrëdhënia me Ertemionën? Keni menduar ta zgjeroni familjen së shpejti?

Marrëdhënia me Ertemionën është tashmë një marrëdhënie mjaft e konsoliduar. Jemi shumë shumë mirë bashkë dhe e gjejmë veten te njëri-tjetri. Me ndihmën e Zotit, sepse ato janë vërtet punë të Zotit, shpresojmë që në një të ardhme nga dy të bëhemi tre ose katër.


Etiketa: , , , , ,

Pas