MADAME MAPO/ Daniela Koka: Kamera të do sa më reale

Thotë që sfilatat dhe pasioni i saj për modelingun ia hapën dyert e televizionit. E si mund të ndodhte ndryshe për një vajzë aq të bukur sa ajo. Pasioni i saj janë pasarelat, emocioni që përcjell te publiku duke ecur me kokën lart kur përfaqëson denjësisht vendin tënd dhe vlerësohesh maksimalisht. Bëhet fjalë për Daniela Kokën, një nga personazhet më të bukura të ekraneve shqiptare. E bukur si një barbi fillimisht aspiroi në fushën e modelingut, më pas u angazhua me televizionin e sot aktualisht punon në Drejtorinë e Përgjithshme të Punëve Publike, në Sektorin e Monitorimit të Ndërmarrjeve. I pëlqen të shkruajë poezi, merr pjesë në klipet e së motrës Ertila Koka, duke e ndihmuar me idetë e saj për çdo element të videoklipeve, për veshjet skenat etj. Është e vështirë në ditët e sotme të gjesh një individ që ka kaq shumë pasione dhe të jetë kaq e plotësuar. Përballet pa emocione me botën e televizionit, i pëlqen të shkruaj poezi që përcjellin emocione të një dashurie, ka mbaruar studimet për Shkenca Politike nga ana tjetër është marrë me modeling, asiston të motrën sa herë ka nevojë për idenë e stilimit të një veshje e sot e gjejmë të pozicionuar në bashki. Në këtë intervistë të saj për Mapo-n Daniela u shpreh rreth të gjithë rrugëtimit të saj në këtë eksplorim të pafundmë të pasioneve të saj, mbi punën në bashki dhe si ndihet aty, planet e saj për shkrimin e një libri etj.

Bisedoi: Ada Kacmoli

Cila ka qenë dalja juaj e parë në televizion?

Dalja ime e parë në televizion ka qenë në vitin 2012-2013 në Top-Channel në quiz-shown “Tjetri”.

Pse zgjodhët pikërisht televizionin në fillimet tuaja?

Në të vërtetë zgjodha modelingun, dhe jo TV. Ishin sfilatat dhe photoshoot-et që më hapën dyert e TV. Atëherë isha njëkohësisht studente dhe modelingu ishte pasion ama nuk e synoja aq shumë TV, emocioni për mua ishte tek ecja në pasarelë.

Për çfarë i keni mbaruar studimet? Sa lidhje ka formimi juaj profesional me të shkuarën tuaj televizive?

Kam mbaruar studimet për Shkenca Politike dhe në të vërtetë shkolla që bëja nuk kishte aspak lidhje me pasionin tim, mirëpo duke ditur që modelingu nuk trajtohet si profesion i mirëfilltë zgjodha të ndiqja një degë e cila më kishte krijuar bindjen se “Politika i gjendet afër popullit”. Mund të them se tentoja të vrapoja në dy pasione njëkohësisht.

Sa ju ka ndihmuar eksperienca te Top Channel? Me çfarë u përballet atje?

Më thirrën për ‘casting’ dhe shkova. Nuk dija asgjë për emisionin, as nuk e kisha ndjekur më parë në Tv. Në puntatën e parë, futem në studio dhe gjej Manushin, i cili më mirëpriti me shumë ngrohtësi dhe nuk pata asnjë emocion negativ. Ja uroj çdo vajze që ëndërron Tv të ketë një ‘Host’ si Manushi, sepse me xhentilesën dhe thjeshtësinë e tij të bën të ndihesh ‘like home’. Ndaj dhe më duhet të them se çdo puntatë e realizuar ka qenë një mbarëvajtje e mrekullueshme, me një staf fantastik dhe eksperiencë për të mos u harruar.

Ju tashmë punoni në bashki. Në çfarë konsiston puna juaj aktualisht?

Punoj në Drejtorinë e Përgjithshme të Punëve Publike, në Sektorin e Monitorimit të Ndërmarrjeve dhe jam me fat që kaloj çdo ditë me një staf mjaft vital dhe bashkëpunues.

Pse hoqët dorë nga bota e televizionit për të punuar në bashki?

Nuk kam hequr dorë ende nga televizioni.

Cilat janë anët pozitive dhe negative të punës me kamera?

Kur i futesh televizionit do ketë njerëz që të duan dhe që s’të duan, ose e thënë ndryshe “të duan, por me inat”. Këtë ka negative kamera, se të çon dhe në shtëpitë e atyre që pretendojnë se dinë gjithçka për ty. Ndërsa fort pozitiv ka faktin se ti përmes saj ke fatin të përcjellësh çdo emocion tëndin. Ka njerëz përtej saj që janë njësoj si ti, që ëndërrojnë si ti, që vuajnë si ti dhe të gjesh hapësirën për t’i gëzuar sado pak ata është magji dhe emocion unik. Ndaj kam bindjen se kamera të do sa më reale. Duhet të jesh TI, në të kundërt ajo s’të do dhe publiku s’do të të dojë kurrë.

Nga informacionet e marra di që ju pëlqen të shkruani poezi dhe pse jo në të ardhmen mund të botoni një libër. Sa e lidhur jeni ju me librin, me shkrimet? Çfarë natyre kanë poezitë tuaja dhe ku bazohen ato?

Po, më pëlqen të shkruaj dhe i dua shumë romanet. Shkruaj kryesisht poezi. Poezi të cilat sjellin përjetimin e një dashurie. Por deri ditën që do sjell një libër ku çdo vajzë do gjej veten te poezitë e mia nuk dua të flas. Ndaj mbetet një plan afatgjatë.

Në klipe të ndryshme të motrës suaj Ertila Koka, ju keni marrë pjesë dhe nga ana tjetër bashkëpunoni në ide të ndryshme që kanë lidhje me veshjet, klipin. Nga lind gjithë ky kreativitet, ku e gjeni frymëzimin?

Për Ertilën time më vjen frymëzimi gjithmonë dhe nuk di nëse do ishte njësoj për dikë tjetër. Para klipit dhe pas realizimit të këngës së Tilës ngutja e saj për të shfrytëzuar imagjinatën time është e madhe (haha). Ndaj ndodh që natën mua më vijnë idetë më të mira (normalisht të marra nga jeta e përditshme) dhe në mëngjes kur Tila i dëgjon gjysma prej tyre rezultojnë të parealizueshme. E vërteta është se bashkë me të jemi munduar të sjellim gjithmonë klipe të qarta në ide, mirëpo në shumë prej tyre nuk kemi marrë realizimin që kemi dashur nga produksionet dhe kjo normalisht ndodh se nuk jemi në Hollywood. ‘Not even close’!

Çfarë është familja për ju? Sa ka ndikuar ajo në formimin tënd?

Jo vetëm për mua por besoj për çdokënd familja është e shenjtë. Jam rritur nga 3 femra të mrekullueshme, mami dhe dy motrat e mëdha, të cilat janë kujdesur që unë të mund t’i hedh hapat e sigurt deri më tani. Kam një baba i cili ka qenë shok për mua dhe tre motrat e mia, me gjithë besimin e verbër që ai na ka dhënë na ka ndihmuar që me zgjuarsi dhe forcë të përballemi me çdo sfidë në jetë dhe të mos harrojmë kurrë se sa fort e duam njëra-tjetrën.

Ta kanë zëvendësuar motrat mungesën e një vëllai? Sa e lidhur je ti me to?

Po. Me bindje mund të them se po, pasi motra e madhe ka luajtur pak a shumë rolin e një vëllai në shtëpi për ne motrat e vogla. Ama kam përshtypjen se do kishte qenë ndjesi tjetër për ne të pasurit një vëlla. Çdo ditë ka kaluar dhe kalon me motrat nëse jo fizikisht ndodh virtualisht sa herë kemi mundësi të flasim me njëra-tjetrën.

Ke menduar ndonjëherë të vish në bashkëpunim me një këngë me Ertilën?

O sa herë e kemi menduar! Por kur unë nis të këndoj dhe s’e kam shumë mendjen tek ajo që po këndoj, Tila më vret me shikim dhe nuk harron kurrë të më thotë “lëre motra, lëre më mirë”! Por do ia mbush mendjen. Një ditë do këndoj edhe unë!

Do zgjidhnit paratë apo dashurinë dhe pse?

Gjithmonë dashurinë. Ajo i jep kuptim gjithçkaje. Edhe kur ke gjithçka.

Ku e gjeni frymëzimin për çdo ditë të re?

Te mirësia që më karakterizon.

Keni ndonjë ëndërr në sirtar që të ka mbetur pa plotësuar?

Oh, plot! Por jam në kohë ende.

Cili është urimi juaj për këtë fillim viti për të gjithë shqiptarët? Po për vitin e shkuar kishit ju ndonjë pendesë?

Nuk jetoj me pendesa. I le të shkojnë. – E ç’mund t’i uroj tjetër popullit tim, përveç se shëndet dhe një ekonomi sa më të mirë se dashurinë e falim me bollëk ne.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Eurosong 2018: Vota e “popullit” europian dhe kënga jonë, shqipe

Në një atmosferë spektakolare skena e Eurosong 2018 e mbajtur në Lisbonë...
Read More