Lufta me policinë në Elbasan, pranga tetë personave

Masakra-ne-Elbasan-3Policia arrestoi tetë persona, mes të cilëve, si më kryesorët e sulmit mbi policinë, Ardian Çapjen, Florenc Çapjen dhe Bledar Muçën. Detajet e operacionit policor ku u përfshi edhe RENEA dhe armët e fshehura në tubat e shkarkimit.

Arrestohen tetë pjesëtarë dhe miq të fisit Çapja në Elbasan, pasi dyshohet se qëlluan me armë zjarri drejt forcave të policisë lokale.

Në orët e para të mëngjesit të djeshëm, u prangosën Ardian Çapja, Florenc Çapja dhe Bledar Muça, ndërsa edhe pesë persona të tjerë të dyshuar si bashkëpunëtorë të tyre, u shoqëruan në komisariat, pasi për ta nga provat paraprake ka të dhëna se kanë ndihmuar autorët për t’u larguar dhe tentuan të fshehin armët e krimit.

Gjithashtu, dje është zbardhur plotësisht dinamika e terrorit që ndodhi pranë kompleksit “Univers” në Elbasan, ku për disa minuta policia dhe tre agresorët shkëmbyen zjarr mes tyre.

Gjithçka ka nisur pasi në një automjet fuoristradë po udhëtonin tre efektivë të Grupit të Operacioneve Speciale që po survejonin lëvizjet e Florenc Çapjes dhe Bledar Muçës, pasi kishin të dhëna se po qarkullonin të armatosur dhe po përgatiteshin që të bënin ndonjë hakmarrje të mundshme për sulmin që iu ndodhi katër ditë më parë.

Por duket se pjesëtarët e fisit Çapja kanë ngatërruar objektiv duke dyshuar se efektivët e policisë që ishin të veshur civil, por me jelekë me mbishkrimin policia, mund të ishin “hasmi” tyre, ndaj nuk ngurruan të shkrehnin armët drejt automjetit.

Ekspertët e policisë kriminale konstatuan disa predha dhe shenja plumbash të mbetur në automjet, por për fat asnjë prej tyre nuk preku në trup efektivët e policisë, që ishin në shërbim. Menjëherë edhe ata janë kundërpërgjigjur dhe janë vënë në ndjekje të autorëve dhe njëkohësisht lajmëruan në Drejtorinë e Policisë për rastin, duke kërkuar përforcime të menjëhershme, pasi situata ishte e rëndë.

Drejt vendit të ngjarjes përveç forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë mbërritën edhe efektivë të repartit special RENEA. Nuk kaloi as një orë nga incidenti i rëndë dhe policia mundi të mësynte në kontrolle të rrepta në banesat dhe bizneset e familjes Çapja dhe të afërmve të tyre.

Ndërhyrja e policisë nuk shkoi kot, pasi arrestuan në flagrancë tre të dyshuarit dhe njëkohësisht shoqëruan edhe pesë persona të tjerë, që mendohet se fshehën armët dhe ndihmuan autorët në tentativë arratisjeje.

Përveç tri personazheve kryesore, të arrestuar janë edhe shtetasit Ambri Sinakoli, Fiqeret Meçe, Kastriot Peqini, Serxho Hakilja dhe Jetmir Shehu, të akuzuar për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.

Disa nga armët e gjetura ishin hedhur në një oborr me bar, ndërsa municione, detonatorë dhe karikatorë automatiku, u futen në tubat e shkarkimit të ujërave.

Kontrollet e imtësishme zbuluan një sasi armatimi, automatikë, pistoletë, fishekë dhe kapsolla detonatorë në kompleksin e Çapajve, pikërisht pranë hotel “Univers”.

Pas grumbullimit të provave, çështja do t’i kalojë Prokurorisë së Krimeve të Rënda për akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë për shkak të cilësive të veçanta, mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.

Situata në Elbasan mbetet mjaft e tensionuar pasi nga shkurti i këtij viti dhe deri më tani janë vrarë katër persona dhe 11 të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Bilanci është edhe më i rëndë nëse krahasohen edhe krimet e kryera mes fisit Çapja dhe Mema në dhjetë vite konflikt, ku shënohen 11 viktima dhe disa të plagosur.

Katër ditë më parë, ndaj dy të arrestuarve kryesorë të ditës së djeshme Bledar Muça dhe Florenc Çapja, u bë një atentat teksa persona të panjohur qëlluan ndaj tyre.

Nga të shtënat, mbeti i plagosur lehtë Muça dhe një efektive e policisë, e cila po kalonte rastësisht në vendin ku ndodhi krimi.

 

Të ndaluarit:

Ardjan Çapja, 48 vjeç, banues në Elbasan;

Florenc Çapja, 35 vjeç, banues në Elbasan;

Bledar Muça, 37 vjeç, banues në Elbasan;

Ambri Sinakoli, 21 vjeç, banues në Elbasan;

Fiqeret Meçe, 23 vjeç, banues në Elbasan;

Kastriot Peqini, 39 vjeç banues në Elbasan;

Serxho Hakilja, 24 vjeç, banues në Elbasan;

Jetmir Shehu, 26 vjeç, banues në Elbasan.

 

Armët e sekuestruara

  • 2 automatik model 56
  • 3 pistoleta tip Bereta P-4
  • 1 pistoletë tip “TT”
  • 855 fishekë
  • 73 kapsolla detonatorë
  • 72 fishekë pistolete
  • 42 gëzhoja të kalibrave të ndryshëm
  • Radio marrëse-dhënëse
  • 5 aparate celulare të tipave të ndryshëm
  • 5.000 euro
  • Rroba të ndryshme
Shkruar Nga
More from revista mapo

Kadare: Letra anonime më groteske në Akademinë e Nobelit

Një rrëfim ekskluziv i shkrimtarit Ismail Kadare për çmimin Nobel; si e...
Read More