Lufta e Ramës me gazetarët: Akuzat nga diga e deri tek ‘hoteli 313’

Protesta e banorëve të Astirit ka nxitur një përplasje të fortë mes kryeministrit Edi Rama dhe disa prej gazetarëve të njohur në vend. Pasi përmendi Ylli Rakipin dhe Artur Zhejin, këta i janë kthyer Ramës me akuza. Ylli Rakipi i ka përmendur incidentin e ndodhur kur Rama ishte kryebashkiak i Tiranës dhe hapja e digës së Liqenit Artificial përmbyti banesa të tëra.

“Ka kohë që njihemi, Edi diarreja. Njihemi nga shumë vite më parë, kur ti ishe kryetari i Bashkisë së Tiranës. Të kujtohet besoj. Përpiqu të futesh pak në atmosferën e asaj kohë. Ja për shembull, kujtohu, ditën kur hape liqenin artificial dhe mbyte Tiranën. Në fakt, nuk e mbyte ti Edush, me duart e tua, por budallenjtë që ti kishte në punë në Bashki. Ata hapën portën e Liqenit Artificial dhe Tirana u mbyt. Kujtohu! Ti ishe në një vend të largët, Ed diarreja. Më more në telefon. Të kujtohet besoj, po qaje Ed diarreja.

Aman, – më the, të lutem! Ishe gati të më puthje këtu në qoshe, po të ishe afër.

Më ndihmo, – më the! Bëj një gjë në gazetë, se vetëm ti mund të më ndihmosh. Më shpëto! Aman, të lutem!

Por, ç’të bëj- thashë, se përmbytjen e kemi nëpër këmbë.

Po ja, – thuaj se portën e hapi një i çmendur, djali i Bales.

Dhe unë e bëra. Bëra gjënë më aprofesionale dhe më të ndyrë në jetën time, sepse mu dhimbe. Kur qan ti, sikur qan një qen që është duke ngordhur. Hapa gazetën me titullin e madh: “Djali i Bales, mbyt Tiranën”. Njerëzit u tronditën, por edhe u qetësuan. Fjala mori dhenë, që Tiranën e kishte mbytur një i çmendur. E mori edhe shtypi francez, besoj të kujtohet. Me siguri, edhe atje ke marrë në qafë një redaktor të mjerë.

“Një i çmendur mbyt Tiranën”, shkruajti shtypi francez. Dhe ti, i çmenduri i vërtetë, shpëtove. Shpëtove, por a do të shpëtosh dot tani që ke mbytur të gjithë vendin?” shprehet Ylli Rakipi.

Akuza të forta bën edhe gazetari Artur Zheji. Sipas tij, Rama ka qenë shumë afër burgosjes.

“Nuk është faji im, që ti dhe puthadorët e tu, tenderojnë për 40 milion euro veç 2km autostradë qytetase, kompanisë tënde të Sallillarit të partisë, që e ke bërë pjesë të propagandës tënde dhe që punëson si hekuraxhi, varfanjakun e spoteve të tua delirante. Unë të rri përballë dhe nuk më ke paguar asnjëherë ndonjë drekë, por, përsëri kafshoj gjuhën të them e të shkruaj, se çfarë kam bërë unë në favorin tënd, në ditët e tua të vështira, që nuk kanë zgjatur pak dhe kur ke qenë shumë afër Hotelit 313, nga ku të shpëtoi një Prokuror që e bëre më pas deputet…” shkruan Zheji.

“Të kujtohet kur më mbaje 1 orë në telefon, që të më bindje, që të sulmoja hapur Rrugën që do na lidhte me Kosovën? Ndonëse kisha kritika për Saliun, shpesh brinjë më brinjë, nuk e bëra dot, sepse e dija, po aq mirë sa ty, që kompanitë e huaja që kishin marrë tenderin e madh, ishin edhe kompani lobiste, që sollën presidentin Bush në Shqipëri pas ca kohe. Ishin kompani të tilla, që vështirë të jepnin nën banak zarfa shumëmilionëshe,” akuzon Zheji.

“I dëmshpërblen dot 350 familjet e Astirit? 4-5 milionë euro duhen, aq sa harxhojnë kastat e të pasurve për operacione plastike, për zuzkërinë e shtrenjtë të veshur me Hermes dhe Guçi, dhe ca udhëtime sekrete në Maldive, apo aq sa kushtojnë jahtet në Capri, të disa prej ministrave të tu…”.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Mos i bini më qafë biznesit, oligarkët e vërtetë janë liderët politikë

    Nga Ervis Iljazaj - Ka disa kohë, që në fjalorin publik,...
Read More