Lubonja në hetuesi: Ja dokumenti me përgjigjet për Kadarenë

LubonjaNë librin e tij më të fundit “Kadare në dokumentet e pallatit të Ëndrrave” gazetari Dashnor Kaloçi ka sjellë një dokument të vitit 1975, marrë nga dosja hetimore ndaj Fatos Lubonjës, ku publicisti, i pyetur se ç’mendim kishte për shkrimtarin përgjigjet se i ati, Todi e vlerësonte shkrimtarin dhe veprën e tij si kundra regjimit

Në këta njëzet e gjashtë vjet pas rënies së regjimit diktatorial mendimi i publicistit Fatos Lubonja mbi shkrimtarin Ismail Kadare ka qenë i pandryshueshëm dhe koherent.

Për Lubonjën vepra e Kadaresë i ka shërbyer ideologjisë së kohës, ndërsa vetë shkrimtari është modeli i intelektualit që bashkëpunon me pushtetet.

Por, në librin e tij më të fundit “Kadare në dokumentet e pallatit të Ëndrrave” gazetari Dashnor Kaloçi ka sjellë një dokument të vitit 1975, marrë nga dosja hetimore ndaj Fatos Lubonjës, ku publicisti, i pyetur se ç’mendim kishte për shkrimtarin përgjigjet se i ati, Todi e vlerësonte shkrimtarin dhe veprën e tij si kundra regjimit.

“Ay, babai, tim, më ka folur se kishte simpati si shkrimtar për Ismail Kadarenë, kurse për të tjerët thoshte se ata janë të paaftë dhe këto shkrime i bëjnë nga frika. Mua më lejonte babai që të lexoja dhe libra dekadentë”.

Kështu do të shprehej Lubonja përpara hetuesit, ndërsa ky dokument është marrë nga Arkiva e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Në atë kohë dihej se i ati i publicistit, Todi Lubonja, kishte miqësi me shkrimtarin.

Lubonja vijon në përgjigjen e tij duke shtuar “Babai më ka thënë se përveç Ismail Kadaresë, shkrimtarët e tjerë shkruajnë sa për të qenë brenda, se kanë frikë dhe maten shumë kur shkruajnë se i futin brenda”.

Ky në fakt mbetet artikulimi që Lubonja ka bërë mendimit të të atit, pa e pranuar se edhe ai vetë, po ashtu si i ati, ish-drejtori i Radio-Televizionit deri në vitin 1974, pajtohej me vlerësimin pozitiv mbi Kadarenë dhe veprën e tij.

Ajo që kuptohet qartë nga ky dokument, sipas Kaloçit është se Fatosi ka treguar se i ati, Todi, jo vetëm që e vlerësonte shkrimtarin Ismail Kadare, por dhe e admironte për guximin e tij që shkruante të vërtetën, ndryshe nga shkrimtarët e tjerë që i thoshte se kanë frikë dhe maten kur shkruajnë, pasi kanë frikë se i fusin në burg.

“Por ndryshe nga Todi Lubonja që në një farë mënyre e vlerësonte Kadarenë për një lloj disidence ndaj regjimit në fuqi të asaj kohe, i këtij mendimi nuk është vetë Fatos Lubonja, i cili pas viteve ’90, e ka sulmuar ashpër në shtyp, Kadarenë, madje duke e akuzuar se i ka shërbyer regjimit të asaj kohe?! Nuk dihet se kush ka të drejtë në përcaktimet e tyre ndaj Kadaresë, Todi Lubonja para viteve ’90, apo Fatosi pas viteve ’90…?!” – komenton Kaloçi, ndërsa parashtron edhe faktet e këtij dokumenti, që është publikuar pjesë-pjesë, aty ku flitet për shkrimtarin Kadare, që është edhe qëllimi i këtij libri, i cili ashtu si edhe “Kadare i denoncuar” vjen në logon e botimeve “UET Press”.

Kaloçi shtron pyetjen nëse mendimet e Lubonjës rreth shkrimtarit Kadare kanë evoluar pas viteve ’90, duke i parë gjërat ndryshe nga këndvështrimi i të atit.

Faximile Deshmia e Fatos Lubonjes, ne gjyq (2)Dëshmia e Fatos Lubonjës

Duke folur rreth librave të ashtuquajtur dekadentë, mbi lirinë e mohuar të shkrimtarëve që lëvronin letërsinë nën diktaturë, Fatos Lubonja në dëshminë e tij para hetuesisë, marrë në vitin 1975 do të shprehej se i ati, Todi Lubonja i kish thënë se veç Kadaresë, shkrimtarët e tjerë janë konformuar me sistemin për shkak të frikës së mund të përfundonin të burgosur. Sipas dëshmisë së Lubonjës dhe rrëfimeve të të atit, Todit, Kadare nuk ka qenë dakord me diktatorin Enver Hoxha. 

Unë di tre gjuhë të huaja, Anglisht, Frëngjisht dhe Italisht. Dhe shkaqet që më çuan mua në këtë rrugë janë librat që unë lexoja, të cilat m’i jepte babai, i cili ka pas për qëllim që unë të formohesha vetë. Kur u dënova dhe shkova në Laç, unë rashë në pesimizëm dhe këta libra që unë lexoja tashti ngjitën te mua sepse në këtë kohë unë kam qenë në një gjendje të rëndë shpirtërore, kurse po unë edhe më parë lexonja këto libra por tek unë nuk ngjisnin, sepse dhe gjendja ime shëndetësore në atë kohë ka qenë e mirë.

Mbi pyetjen e Prokurorit, i pandehuri Fatos tha se:

Tridhjet faqet e para pa titull i ka lexuar dhe babaj dhe do ta botoja……………………………

Unë mendoja që shkrimtarët të shkruanin më lirë, e këtë nuk e bënin se ka diktaturë, ata nuk kanë fushë veprimi. Këtë gjë ma ka përkrahur dhe babaj. Me shokë kam folur për përmbajtjen e një libri me karakter reaksionar dhe për ato që janë në qarkullim. Unë i kam folur Besnik Sinanit për librat e Hitlerit që isha duke lexuar…………………………………..

Si u dënua babaj, ai më thoshte se që kur ishte në gazetë, nuk shikohej mirë nga udhëheqja. Tha se këtë dënim ja ka dhënë vetëm udhëheqësi kryesor, pa u marrë vesh me shokët e tjerë, se vendimi i dënimit qe shumë i rëndë. Më ka thënë babaj se Lenini shkruante një letër dhe thoshte që Stalini të mos zgjidhet se është diktator, dhe pastaj bënte aluzion për shokun Enver e për Stalinin. Ay, babaj, tim, më ka folur se kishte simpati si shkrimtar për Ismail Kadarenë, kurse për të tjerët thoshte se ata janë të paaftë dhe këto shkrime i bëjnë nga frika. Mua më lejonte babaj që të lexoja dhe libra dekadentë.

Shkrimet do t’i mbaja si një krijimtarinë time dhe kur të ndryshonte situata, që të mos kishim më frikë për të më arrestuar babanë, do t’i botoja. Babaj pas dënimit ka biseduar me mua. Babaj më ka thënë se në rast se nuk më transferojnë, do më mbroj Ramiz Alia dhe po të vendosë shoku Enver, mua do më heqin se ai nuk më do. Babai më ka thënë se përveç Ismail Kadaresë, shkrimtarët e tjerë shkruajnë sa për të qenë brenda, se kanë frikë dhe maten shumë kur shkruajnë se i futin brenda. Më ka thënë se Enver Hoxha është diktator dhe ai nuk ka qenë dakord me këto. Babaj më ka thënë se duhet të pranojmë realitetin se çfarë gjendje ekonomike dhe materiale kemi ne. Duhet të lidhemi më botën e jashtme, qoftë nga ana ekonomike dhe kulturale, kurse këta e kanë mbyllur brenda. Lidhur me dënimin e tij, babaj më ka thënë se Udhëheqësi i Partisë i ndante në të urtët dhe në të ashpërit. Babaj thoshte se shoku Enver është influencuar nga të urtët, dhe babaj nuk fliste për kontradikta në Udhëheqje…………………………………………………………………………………….

Babaj në letër më shkruante gjëra armiqësore pikërisht për shokun Enver, dhe thoshte se i ka humbur ekuilibrin e trurit dhe të mëndjes………………………………………………………..

Mbi pyetjen e Prokurorit, i pandehuri tha: pseudonimin ‘dajre’ ia kishte vënë sepse; në 1 Maj, shoku Enver i bënte duart sikur i binte dajres, dhe neve e diskutuam si dajrelli……………………

Kur vate babaj në Lezhë unë shkova e takova dhe ai më tha se Shoku Enver duke qenë i sëmurë ka bërë dhe gabime e ndryshe foli në Mat e ndryshe në Pleniumin e katërt. Ai mendonte që shoku Enver nuk duhet të shante në Pleniumin e katërt, por duhet të kritikonte. Babaj më tha që më dërguan këtu në punë fizike për të ngordhur, por përkundrazi tha unë do të rroj që të shikoj. Babaj ka bërë disa shkrime të tij, të cilat i ruante si kujtime të jetës së tij, dhe mua më ka thënë se do vij koha qe dhe neve të na shikojnë më ndryshe, se me kalimin e kohës do të zbuten. Babaj tha se materiali i duhej ta paraqiste kur të ndryshonte vija e Partisë, sepse ai nuk ka qenë armik i partisë, por ka punuar për popullin……………………..

Vërtetohet se është një me origjinalin

Sekretarja e çështjes

Fahrije Karagjozi

Tiranë, më 25 / 1 / 1975

 Arkivi Ministrisë së Punëve të Brendshme. Dosja hetimore ndaj Fatos Lubonjës. Nr. 2370A. Viti 1974-1975.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Getoja e kuqe

Rrjetat e telave që thuren përmbi kryet e çdokujt që kalon përmes...
Read More