LSI bashkë me PD për votimin elektronik, KQZ: Aventurë

votimeSituatë kaotike për reformën zgjedhore, ku LSI po përplaset me socialistët për disa çështje të rëndësishme në prag të shpalljes së koalicioneve të qershorit 2017. Dje PD dhe LSI janë afruar për votim elektronik, ndërsa PS është shprehur e gatshme vetëm për projekt pilot, duke kundërshtuar nga ana tjetër listat e hapura të propozuara nga aleati i saj në koalicion. Por KQZ ka deklaruar se nuk e merr përsipër as rrezikun e eksperimentit për votimin elektronik

Nga Fejzi Braushi

Pothuajse një vit nga vendimi për ngritjen e komisionit (i cili është miratuar më 29 janar 2016) dhe kur mbeten vetëm 5 muaj nga mbajtja e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, Komisioni i Reformës Zgjedhore ka mbajtur dje mbledhjen e tij të tretë zyrtare.

Por përtej pritshmërive, palët nuk kanë arritur dje të gjejnë gjuhën e përbashkët për asnjë nga çështjet e rëndësishme që janë shtruar për zgjidhje, ndaj dhe kanë vendosur që punën ta nisin nga listimi i të gjitha çështjeve dhe evidentimin nga njëra anë e çështjeve për të cilat ka një dakordësi dhe për të cilat duhet vetëm shkrimi i amendamenteve ligjore dhe nga ana tjetër të atyre çështjeve për të cilat kërkohet një dialog politik.

Por përtej çështjeve të parëndësishme që rrjedhin edhe si plotësim i rekomandimeve të OSBE/ODIHR, duket se palët janë të qarta në pozicionet e tyre kundërshtuese për të gjitha çështjet e tjera të rëndësishme, nisur nga përdorimi i teknologjisë në procesin e votimit dhe të numërimit të votave, listat e hapura të kandidatëve për deputetë, vota e emigrantëve, financimi i partive në fushatë zgjedhore etj.

Përveç pikës së parë, pra përdorimit të teknologjisë në votim për të cilën nga ana e PS-së pati një lloj tërheqjeje gjatë ditës së djeshme, duke pranuar vetëm pilotimin e tij në zona të caktuara, për asnjë nga çështjet e tjera palët nuk kanë gjetur dot dje një mirëkuptim sado të vogël, çka do t’i hapte rrugë më pas dhe diskutimeve të mëtejshme.

Listat e hapura

Sa iu përket listave të hapura debati dhe mosmarrëveshjet më të mëdha duket se ekzistojnë mes dy forcave aleate në koalicionin qeverisës, PS dhe LSI, të cilat dje janë ballafaquar publikisht.

Menjëherë pas mbledhjes bashkëkryetari socialist i komisionit të Reformës Zgjedhore, Taulant Balla ka deklaruar se propozimi i LSI-së ishte i papranueshëm dhe parakohshëm për Shqipërinë.

“Jam kundër çdo lloj forme që ndërhyn në këtë fazë të procesit në sistemin zgjedhor. Sistemi që kemi nuk është i vjetër, kemi bërë vetëm dy palë zgjedhje. S’do pranoja ndërhyrje në sistemin zgjedhor, përfshirë këtu edhe diskutimin për listat e hapura”, -u shpreh ai.

Ndërkohë që i menjëhershëm ka qenë reagimi i LSI-së, e cila ka deklaruar se ky ka qenë një propozim i hershëm në kohë dhe se synon të sjellë një standard demokratik në zgjedhjet shqiptare.

“Çështja e listave të hapura është një problem jo i ri. Është një qëndrim konsistent i yni. Për ata që kanë një memorie të vëmendshme, është një problem i ngritur që në vitin 2008 dhe i mbrojtur fort nga ne, dhe është vendosur mbi principe shumë të shëndetshme, siç është ai i përfaqësimit sa më të drejtpërdrejtë të vullnetit të njerëzve. Pra, nuk është një çështje që lind sot, paraqitet sot dhe propozohet sot”, -tha përfaqësuesi i LSI-së në komision, Petrit Vasili.

Ndaj ai shtoi se rimarrja e kësaj çështjeje “nuk ka përse të jetë një tabu dhe nuk besoj se duhet të ketë të shqetësuar nga kërkesa, pasi nuk ka të bëjë me interesin e LSI-së, por ka të bëjë me interesin e një procesi sa më të shëndetshëm dhe sa më përfaqësues lidhur me këtë çështje”.

Ndërkohë që Balla do të bënte të ditur dje se edhe për çështjet e tjera, si votimi i emigrantëve apo depolitizimi i komisioneve nuk pati mirëkuptim me demokratët për t’i pranuar dhe realizuar në këto zgjedhje.

Teknologjia në zgjedhje

Kur të gjithë, për shkak edhe të eksperiencës së shkuar, por edhe kohës së pakët që ka mbetur në dispozicion, kishin hequr nga fjalori i kësaj reforme çështjen e përdorimit të teknologjisë në procesin e votimit dhe të numërimit të votave, dje demokratët i janë rikthyer sërish kësaj çështjeje.

Bashkëkryetari demokrat i komisionit, Oerd Bylykbashi ka deklaruar se mungesa e kohës është pretekst i socialistëve për ta penguar një gjë të tillë.

“Teknologjia në votim është çështje themelore. Justifikimet me kohën s’do ja pranojmë më mazhorancës. Opozita do të ngulë këmbë që të mos bëhet trajtim selektiv i çështjeve”, -tha Oerd Bylykbashi dje për mediat.

Por surprizën më të madhe dje e bëri LSI, e cila ka dalë në krah të PD-së për këtë çështje, megjithëse dy ditë më parë teksa bëri të ditur 7 kërkesat e saj për reformën nuk e kishte përfshirë fare votimin dhe numërimin elektronik.

“Një votim të cilin ne e mbështesim dhe e kemi mbështetur edhe kur ky është miratuar si një projekt pilot”, – u shpreh Petrit Vasili.

Për këtë, nisur edhe nga mosmarrëveshjet e palëve, ai ka kërkuar dhe një vlerësim të specializuar nga ana e ODIHR, i cili më pas sipas tij duhet të pranohet nga të gjitha palët.

“Ekspertiza më e mirë në këtë çështje është OSBE-ODIHR dhe do të ishte shumë e vyer të shpreheshin ata se si duhet të procedonim lidhur me këtë çështje përtej debateve tona politike. Dhe ky propozim apo sugjerim i tyre do të ishte zgjidhja e mundshme. Në rast se ata do të sugjeronin një zgjidhje konkrete për ta aplikuar në nivel kombëtar këtë, patjetër pse jo ta bëjmë”, – shtoi Vasili.

Por duket se për këtë sugjerim të ri të LSI-së, ODIHR është shprehur më shumë se një herë më parë, në 2012, kur edhe u diskutua çështja e përfshirjes së teknologjisë në zgjedhje.

“Duke patur parasysh kompleksitetin e teknologjive të reja, ndoshta një zbatim i tillë në nivel kombëtar mund të jetë goxha sfidë e madhe. Siç e thashë, kur e merr hap pas hapi ke më shumë mundësi të arrish rezultatet e duhura. Projektet e TI janë shumë të veçanta dhe kërkojnë shumë më tepër kohë se sa mendohet në fillim. Së dyti, teknologjitë e reja janë shumë më komplekse se sa mjetet e zakonshme të TI. Do të keni dhe një afat të caktuar, sepse është e pamundur të shtysh zgjedhjet. Kështu janë projekte që kanë afate kohore që nuk mund të shtyhen”, do të shprehej në 2012 eksperti i lartë i teknologjisë, i ODIHR, Robert Krimmer, gjatë një seance pyetjesh me komisionin e atëhershëm të reformës zgjedhore, ku merrte pjesë edhe LSI.

Por gjithsesi socialistët kanë bërë një hap pas në këtë drejtim dhe pavarësisht kohës së shkurtër në dispozicion, ata janë shprehur të hapur që teknologjia mund të aplikohej fillimisht nëpërmjet projekteve pilote.

“Për votimin elektronik, fillimisht duhet të nisë një projekt pilot në dy qarqe. Nëse KQZ na garanton se koha është, le të na japë dakordësinë për të bërë të mundur votimin elektronik”, -tha Balla.

Edhe ekspertët e zgjedhjeve vlerësojnë se tashmë nuk ka më kohë për të realizuar votimin dhe numërimin elektronik ashtu siç kërkon tashmë PD dhe LSI.

Sipas ish-kryetarit të KQZ-së, Kristaq Kume eksperienca e 2013 duhet të shërbejë që hapi që duhet hedhur të jetë i kujdesshëm, ndaj ai sugjeron gjithmonë nëse ka vullnet edhe në këtë rast, vetëm pilotim të teknologjisë në zona të caktuara.

“Siç dihet specialistët e ODIHR kanë këshilluar në mënyrë këmbëngulëse që teknologjia e informacionit të futet në proceset zgjedhore nëpërmjet një procesi hap pas hapi, gradual, pasi në të kundërt mund të ballafaqohet procesi zgjedhor me situata që mund të dalin jashtë kontrollit. Për mendimin tim nëse partitë politike kryesore gjejnë dakordësinë për të krijuar mundësitë reale që edhe në proceset zgjedhore në Shqipëri të përdoret teknologjia, duhet të investohen për të realizuar këtë gjë ashtu siç është e parashikuar në Kodin aktual zgjedhor, pra nëpërmjet projekteve pilote”, -tha për MAPO Kristaq Kume.

Por duket se KQZ nuk është e gatshme që të marrë përsipër një rrezik të tillë as për projekte pilote.

I kontaktuar nga MAPO, kryetari i KQZ-së, Denar Biba është shprehur se për kohën e mbetur as projekti pilot nuk është më i mundur për t’u realizuar.

“Veçanërisht pas një dështimi me kosto 4 milionë €, as unë, por besoj edhe kolegët e tjerë, anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, nuk do guxonin të aventuroheshin vetëm 5 muaj përpara zgjedhjeve”, -tha Biba.

Në këto kushte duket se një debat i tillë është i kotë, pasi mundësitë për përfshirjen e teknologjisë edhe nëpërmjet projekteve pilote është e pamundur.

Ndaj këmbëngulja e PD-së në këtë çështje tregon se ajo kërkon ta përdorë atë si një taktikë për të marrë diçka tjetër në debatin e reformës zgjedhore, ose vërtet beson se mund të jetë i realizueshëm qoftë edhe duke shtyrë zgjedhjet për të marrë kohën e duhur.

Propozimet e PD

-Përdorimi i teknologjive në votim.

-Shitblerja e votës të klasifikohet korrupsion zgjedhor.

-Financimi i partive politike dhe ai për zgjedhjet të jetë 100% nga buxheti i shtetit, me qëllim shmangien e financimeve private nga burime të dyshimta.

-Të forcohen kriteret ndaluese për përdorimin e burimeve njerëzore dhe aseteve shtetërore në fushatën zgjedhore.

-Zbatimi i ligjit të dekriminalizimit.

Propozimet e PS

-Depolitizimin e KQV-ve. Anëtari i 7-të të jetë mësues.

-Sekretari i KZAZ-së të zgjidhet me short ndërmjet noterëve.

-Ndalohet zhvillimi i fushatës në institucionet publike.

-Ndalohet përdorimi i portaleve elektronike të pakontrolluara nga Bordi i Monitorimit të Mediave për propagandë zgjedhore.

Propozimet e LSI

-Blerja me çfarëdo forme e votës duhet të konsiderohet krim.

-Shitja e votës apo e kartës së identitetit të mbetet Kundërvajtje Penale.

-Fotografimi i votës nga ana e votuesit të shpallet Kundërvajtje Penale.

-Transparencë për çdo aktivitet zgjedhor.

-Ndryshim për kohën e transferimit të votuesve.

-Konkurrimi i partive me lista shumemërore të hapura.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Timbri i dhimbjes mes diktaturës dhe lirisë

…Me flokë të gjatë, i ulur me një kitarë në dorë, zëëmbël,...
Read More