Lirinë e mësojmë në shtëpinë tonë

Nga Arta Marku
Kisha në “Bibliotekë” një plan regjistrimi këtë javë, që rastësisht, më vonë e vura re, përkonte me DITËN NDËRKOMBËTARE TË GRUAS. Jo vetëm pse e ftuara ime, përkthyesja Mirela Kumbaro, është grua. Jo vetëm pse po flisnim për librin e një autoreje grua sikurse është PERSEPOLIS i Marjane Satrapit. Por, për faktin se në qendër të librit ishte një grua (vetë autorja) që mbijeton mu në qendër të dhunës ekstreme ndaj gruas.

***

Marzhana (ose Marjana) ka lindur në Teheran. (Ka shumë shqiptarë që kanë shkuar në Teheran dhe e kanë parë me sytë e tyre situatën – përveç informacioneve të marra në forma të ndryshme. Mirela Kumbaro më rrëfeu se kish qenë në Teheran. I ish dashur që, qysh në avion, pa zbritur në aeroport, të mbulonte flokët, krahët, kyçet, këmbët. I kishin dhënë një letër me udhëzime se si duhej të vepronte. SEPSE ISHTE GRUA.) Marjanë Satrapi rrëfen në libër pikërisht jetën e saj, në në një vend si ky:

Kish qenë 10 vjeç kur ishte zhvilluar ai që quhet REVOLUCIONI ISLAMIK. I ishte dashur të mbulohej sado që e vogël. “Nuk na pëlqente ta mbanim shaminë – shkruan – le qe as nuk e dinim pse duhej”.

I thanë se një grua nuk duhet t’i ekspozojë flokët. Por sërish asaj i duhej absurde. Sakaq në rrugë filluan protestat. Vetë gratë ishin të ndara në dy grupe – disa protestonin kundër shamisë, të tjerat këmbëngulnin se shamia duhej mbajtur. Papritmas, në shkollë djemtë dhe vajzat, që deri atë kohë kishin qenë në klasa të përbashkëta, u ndanë…

Për të mos hyrë thellë në detajet e librit, mund të them se në Iran mes problemeve të shumta ishte edhe ai I LIRISË SË GRUAS. Mungonte tërësisht. Padyshim ishte një problem themelor.

Dhe në një kohë kur gruaja gjendej në një presion të jashtëzakonshëm, unë shoh PERSONAZHIN E LIBRIT që ka brenda vetes një LIRI TË MADHE. Për të liria është jetike. Ajo nuk bën dot pa lirinë. Ajo del gjithnjë jashtë kllapave ku e fut ROBËRIA E IMPONUAR. Ajo jeton e lirë në fakt. Tashmë ajo ka ikur nga IRANI jeton në Francë ku merret me mend askush s’ja cenon lirinë. Ama ka jetuar për një kohë të gjatë në IRAN – iku në adoleshencë dhe jetoi për rreth një vit në Vjenë. U kthye sërish në Teheran dhe jetoi aty deri pas universitetit, për të ikur pastaj përfundimisht. Pra, ka jetuar gati çerek shekulli në IRAN. E megjithatë me lirinë brenda saj.

Në një moment i bëra pyetjen vetes:

SI ËSHTË E MUNDUR QË NË MES TË NJË ROBËRIE TË TILLË, KAQ MBYTESË, NJË GRUA ARRIN TA RUAJË LIRINË E SAJ?

Nuk ishte shumë e vështirë për ta kuptuar. Vetë shkrimtarja e gjen mënyrën për ta thënë rreshtave e mes rreshtave të reduktuar të librit: NË FAMILJEN E SAJ LIRIA EKZISTONTE.

Prindërit e saj ishin të lirë. Gjyshja e saj ishte e lirë. Të gjithë luftonin për lirinë, dilnin në rrugë, protestonin për lirinë. Xhaxhai i saj u vra për lirinë. (për lirinë në të gjitha aspektet, por liria e gruas përfshihej gjithashtu).

Kur kishte qenë e vogël – për t’i ndriçuar mendjen – prindërit i blenë libra. Në një moment kur prindërit e saj bënë një udhëtim jashtë shtetit, Marzhana u kërkoi t’i sillnin posterin e një këngëtari amerikan. Kjo ishte e ndaluar në Teheran. Ishte e pamundur të kalohej në doganë ai poster. E megjithatë prindërit ia blenë. Mund ta kishin konsideruar si një TEKË FËMIJE, s’kishin pse të rrezikonin. Por ia blenë. Për ta kaluar në doganë, e ëma shqepi astarin e palltos të babait e futi posterin aty me kujdes dhe e qepi sërish. Patën fat dhe posteri kaloi por edhe mund të kishin rrezikuar.

E pra, LIRINË SATRAPI E MËSOI, SEPSE IA OFRUAN dhe pikërisht në familje. Sepse liria si koncept i përgjithshëm edhe LIRIA E GRUAS si pjesë e saj, ZË FILL NË FAMILJE. E nëse liria ofrohet dhe mësohet në familje, gjërat për gruan bëhen më të lehta. Sepse tek e fundit aty është mbështetja për njeriun: FAMILJA.

***

Çdo paralele mes Iranit dhe Shqipërisë është e pakuptimtë. Si çdo krahasim tek e fundit, çalon. Por në çdo vend në botë gruaja ka kufizimet e saj. Diku më shumë diku më pak. Pastaj shoqëria ka edhe nivelet e veta. Por në çdo rast besoj se LIRIA zë fill, ofrohet dhe mësohet, në familje.

Nëse do t’i referohesha përvojës time, pikërisht këtë gjë mund të them. Ndoshta është FAT të jesh në një familje ku LIRIA është diçka e panegociueshme. Nuk po them liri pa kufi, nuk po flas për hapësirë lirie nëpër të cilën nuk di të baresësh. Por flas për LIRI gjithsesi nga ato që familja di dhe duhet t’i ofrojë… FAMILJA, MBËSHTETJA KRYESORE E NJË GRUAJE PËR TË QENË E LIRË.

Në karrierën time profesionale mund të jem hasur me pengesa. Për hir të së vërtetës nuk mund ta them dot nëse pengesat përpara meje kanë pasur të bëjnë me të qenit grua apo kanë qenë nga ato lloj pengesash që edhe një burri mund t’i shfaqeshin,

Por në fund të ditës për t’i kapërcyer, për të këmbëngulur, për t’i bërë rezistencë, kam pasur gjithnjë dorën e familjes, që ka qenë për mua një pikë e fortë mbështetëse për të mos e humbur ekuilibrin…

***

Kur isha gjimnaziste, 15-16 vjeç, shoqja ime e ngushtë ra në dashuri me fqinjin e saj. Ajo ishte në një moshë të tillë që nuk mund ta kuptonte se cili ishte djali përballë saj. Por askush nuk e la ta njihte. E urdhëruan ta zyrtarizonte lidhjen dhe ashtu u bë. Ajo ishte e lumtur, sepse ishte e fejuar. Por ndërsa ne dilnim, shkonim në kinema, shkonin në ekskursione, ngjiteshim në Dajt me klasën, ajo nuk mund të vinte, sepse ishte e fejuar. E megjithatë ishte e lumtur, sepse ishte e fejuar. Më vonë do ta kuptonte se nuk ishte lidhja e duhur. I shoqi jo vetëm i kufizonte lirinë por ishte edhe i dhunshëm. Sakaq ajo, e martuar, ishte bërë nëna e një vajze. I kërkoi ndihmë familjes së saj, prindërve. Ata ia refuzuan ndihmën me shprehjen: tani je grua e martuar, kthehu tek yt shoq. Ajo s’kishte mundësi tjetër, u kthye. Por edhe i shoqi në momente kthjelltësie i premtonte se do të ndryshonte. U bënë prindër edhe të një vajze tjetër. Por pavarësisht në gjithave, divorci ishte i pashmangshëm. Shoqja ime ia doli të divorcohej, gjithsesi, vetëm atëherë kur familja ia dha mbështetjen.

Në fjalë të fundit, edhe një here, FAMILJA ËSHTË MBËSHTETJA. Jo se gratë janë specifikisht të dobëta dhe kanë nevojë për mbështetje, por sepse NJERIUT në përgjithësi i duhet mbështetje, NJË TERREN I FORTË E I SIGURT MBI TË CILIN TË VËNË KËMBËT. I duhej kjo, burrë e grua qoftë. Të gjithë e dinë mirë këtë gjë.

***

Dhe dua mbyll me një frazë të shkëputur nga libri me të cilin e fillova, PERSEPOLIS nga Marjane Satrapi.

Ajo ka ikur, siç thashë, prej kohësh, nga Teherani për t’i shpëtuar ROBËRISË. Kur ishte adoleshente jetoi për pak kohë në një vend të lirë, në Vjenë. Ama pa probleme nuk ishte as atje. Problemet e saj nuk qenë mirëfilli problemet e të qenit grua, por ishin therëse gjithësi. Supet e saj nuk ia mbanin dot. Ndaj vendos të rikthehet në vendin e saj, ku lufta të cilës ka dashur t’i ikë, vazhdon. Ku ka mungesë të theksuar lirie. Mendon shoqet e saj të dikurshme… dhe thotë: “ato kishin parë luftë më shumë se unë, por ishin me njerëzit e tyre… përherë kishin pasur shtëpinë e tyre”…

SHTËPIA JONË KU DO TË ISHTE MIRË TA MËSONIM LIRINË, MBËSHTETJA JONË NË FAVOR TË LIRISË…

Shkruar Nga
More from Redaksia

Publikohet skandali, gjyqtari i Botërorit dhe zyrtari i FIFA-s duke marrë ryshfete

Një investigim dyvjeçar në futbollin afrikan ka zbuluar se në këtë kontinent...
Read More

More Stories