Letërsia për fëmijë: ‘Mësimet e natës’ në 101 përrallat e Betim Muços

Në përvjetorin e ndarjes nga jeta, shkrimtari Betim Muço vjen sërish për lexuesin, dedikuar fëmijëve me 101 përralla nën titullin “Mësimet e natës”, që shkrimtari ua ka kushtuar fëmijëve të tij ndër vite; libri është konceptuar me tri pjesë brenda një tërësie rrëfimtare, që i lidh elementi autor dhe elementi përrallë, por që dallohen për nga tematika dhe sidomos për nga stili i rrëfimit, i ndryshëm për secilin nga librat.

Nga Dr. Silvana Leka

Në përvjetorin e ndarjes së tij nga jeta, shkrimtari i njohur Betim Muço vjen sërish për lexuesin, duke u rikthyer në njërën prej formave më të bukura me të cilën mund të kujtohet dhe nderohet një autor. Takimi në librari. “Botimet Poeteka”, nën titullin “Mësimet e natës”, publikon përrallat e Betim Muços. Janë 101 përralla, të cilat ky autor ua ka kushtuar fëmijëve të tij ndër vite. Që në krye libri është konceptuar me tri pjesë të veçanta brenda një tërësie rrëfimtare, që i lidh elementi autor dhe elementi përrallë, por që dallohen për nga tematika dhe sidomos për nga stili i rrëfimit, i ndryshëm për secilin nga librat.

Libri parë brenda librit i është kushtuar Sagitës. Ai mban titullin “Është ç’na është”. Janë 39 përralla, bashkëbisedime, dialogë të rrëfyer e të përshtatur për botën e fëmijës që i sheh për herë të parë fenomenet e natyrës dhe që mahnitet prej saj. Një baba i rrëfen fëmijës së tij dhe gjithë atyre që do e lexojnë më pas diçka për Hënën, për yjet dhe Diellin, për vesën, stinën vjeshtore, për oreksin që humb dhe rigjehet, për rrugën, lumin, malin dhe detin, për valët që psherëtinë dhe një zjarr mendjemadh.

Por te “Përrallat e Sagitës” nuk ka vetëm natyrë dhe kureshtje fëmije. Janë të shpeshta edhe fabulat e gjetura mjaft bukur, të cilat bëhen tërheqëse e që mbahen mend nga fëmijët që i lexojnë librat vetë, por edh të lehta për t’u riprodhuar nga prindër, gjyshër dhe gjyshe, që do u lexojnë nipërve përrallat e bukura të këtij libri.

Mes atyre përrallave, lexuesit i kuptojnë lehtë alegoritë e një blete mendjelehtë, besimin e munguar të zogut të shqiponjës, që kishte frikë të fluturonte dhe guximin e një zogu të vogël trimosh, që nuk tutet përballë nepërkës pikaloshe, misterin se kush ia jep ngjyrën deti, qiellit, maleve, kupton dialogun misterioz që bën në errësirë qiriu dhe llamba elektrike, mban vesh këngën vetmitare të zogut të qyqes dhe fëmijët e vetmuar, të fëmijëve kapriçozë apo krenarë, që kuptojnë më shumë përmes përvojës së një dhie të egër apo të mjellmës dhe këngës së saj të fundit. Betim Muço, si një autor sqimatar dhe i kujdesshëm me gjuhën, bëhet udhërrëfyes i lexuesve të tij më udhëtimin drejt natyrës dhe një bote që sa vjen e zgjerohet. Duke shfletuar, lexuesi mëson. Kjo është një nga vlerat çmuara dhe të veçanta të librit. Teksti nuk kthehet në didaktik, as në mësim, por rrëfimi mbi shtegtimin e patave apo mbi dallëndyshet fillrojtëse bëjnë që të mësohet diçka më e bukur mbi ato fenomene që librat e shkencës së natyrës nuk t’i shpjegojnë njëlloj.

Kjo veçori vjen edhe nga fakti se autori e përcjell lëndën diturake përmes vetes dhe, si shkrimtar, por edhe si njeri i shkencës, siç ishte Betim Muço, ai ua shndërron fëmijëve shkencën në diçka që bëhet më e bukur kur rrëfehet përmes tekstit të prekur nga arti. Por nga ana tjetër këto përralla kanë edhe shumë humor, sa herë që personazh i rrëfimit bëhet një dhelpër që ka humbur bishtin, një hardhucë që mburret edhe pse vetëm zvarritet apo një breshkë e përhumbur që bëhet shpërfillëse. Libri i dytë brenda librit “Mësimet e mesnatës” të shkrimtarit Betim Muço, i kushtohet Fedorës, mban titullin e brendshëm intim, “Bota në sytë e Dolës” dhe ka 47 rrëfime.

Duke lexuar përrallat e këtij libri lexuesi dallon se pyetjet që bëhen këtu ndryshojnë nga pyetjet e librit të Sagitës (Gigës). Lexuesi kupton më mirë se ajo që ka ndryshuar është bota e fëmijës e cila, siç shprehet në përrallat e para të këtij libri, kërkon ta njohë botën më në thellësi. Dola fle dhe sheh ëndrra dhe ëndrrat janë pamje të jetës. Ëndrrat zgjerojnë horizontin e Dolës. Ajo i mirëpret përgjigjet nga autori-baba, por ajo e vëzhgon botën ndryshe, me sytë e saj. Ndaj edhe titulli i kësaj pjese është “Bota në sytë e Dolës”. Peizazhi i udhëtimeve imagjinare zgjerohet drejt luginave dhe drejt maleve, drejt kodrave me agrume dhe mes portokalleve të bregdetit të Jugut shqiptar, drejt porteve, ku një far fiket dhe ndizet për të treguar drejtimin e vërtetë që duhet të marrin ata që lundrojnë. Por përsëri jemi në përrallë, në botën e fabulave tërheqëse dhe të rrëfyera mjaft bukur, që nga fjala e parë e deri në fjalën e fundit, aty ku autori vë pikë.

Betim Muço e zotëron me mjeshtëri teknikën e rrëfimit. Ai di ta mbajë të ndezur kureshtjen e fëmijës me imagjinatë të gjallë. Rrëfimi tregon dhe fsheh, shfaqet dhe fshihet pas fabulës tërheqëse. Autori trillon dialogë gazmorë mes perimeve të animuar që grinden mes tyre, mes troftave dhe një brumbulli qesharak, që kërkon të ishte njëlloj si bletët dhe të bënte mjaltë.

Në librin e Fedorës nuk mungojnë sërish aspektet diturake, përmes së cilave autori, pa dashur të zëvendësojë dijet, beson fort se letërsia ndihmon për të mësuar diçka më shumë rreth kometave, mbi shihedhësin, mbi peshqit fluturues apo se si komandohet vinçi i lartësive. Duket sikur autori e ka njohur mendimin e Astrid Lindgren, autores së “Pipi çorapegjata” se nëse një shkrimtar arrin të ndriçojë një fëmijëri të zymtë, atëherë ai mund të jetë i kënaqur se e ka kryer mirë punën e tij si shkrimtar.

Veçori tjetër e librit të Fedorës është se autori i jep fëmijës sërish alegori përmes fabulave. Por këto fabula nuk i drejtohen më thjesht fëmijëve, por atyre që duhet të kuptojnë më shume mbi një mbret që nuk i donte përrallat (Mbreti që s’i donte përrallat – Përralla e fundit e Dolës). Çfarë duhet të merrnin si kumt fëmijët dhe prindërit e tyre në kohën kur u botua libri, kur fabula e përrallës nuk ishte thjesht përrallë, kur bëhej fjalë për një re që donte të kishte liri, për korin e bretkosave apo për një kafshë të tmerrshme që kishte dalë. Përmes këtyre subjekteve, bota e fëmijës, po transferohej pak e nga pak nga natyra drejt shoqërisë, nga fëmija tek i rrituri.

Libri i tretë që i brendashkruhet botimit “Mësimet e natës” të shkrimtarit Betim Muço titullohet “Penda e pulëbardhës”. Janë përrallat që i kushtohen Zinartit. Që në parathënie bëhet e qartë se ka ndryshuar jo vetëm regjistri i komunikimit me “një fëmijë”, por edhe koha. Jemi në një tjetër situatë shoqërore. Alegoritë sociale të qëmtuara në “Librin e Dolës”, botuar së pari në vitin 1986, vijojnë dhe thellohen me librin kushtuar Zinartit, botuar 10 vjet më vonë. Nga vështrimi i lexuesit të sotëm gjithkush mund të pyesë se çfarë domethënie kanë patur që fëmijëve të atyre viteve “t’i tregoheshin përralla” me më shumë të vërteta brenda. Të tilla janë “minjtë e bibliotekës”, apo përralla mbi “mollën e kopshtit mbretëror”. Po përralla mbi “ishullin e papagajve” fëmijëve i drejtohej? Po rrëfimi mbi anijet e vjetër, mos donte të thoshte më shumë se sa rrëfehet zakonisht nga një përrallë drejtuar fëmijës?

Duket sikur me këtë libër autori i është drejtuar fëmijës së rritur, fëmijës që burrërohet më shpejt në kohë ndryshimesh. Gjuha e këtij cikli përrallash është më lakonike, fantazia nuk mungon, as kureshtja dhe as humori i pranishëm në 300 faqet e këtij libri. Por të gjitha këto për autorin kanë marrë tjetër funksion tani. Duke i (ri)lexuar këto krijime bëhet e qartë se autori ka dashur të bëjë atë që bëjnë të gjithë autorët e mirë: të paralajmërojë mbi “ditën e hijeve”, mbi “ajrin që ka ngrirë”, dhe mbi “pushtetin e ëndrrës”. Këto janë disa nga titujt e “përrallave” të këtij libri që, i kushtohet Zinartit dhe gjithë lexuesve të sotëm. Kjo, pasi as në kohën kur u shkruan dhe as sot, që i lexojmë, këto përralla nuk kanë qenë thjesht një libër për fëmijë. Vlerë që i shtohet dhe e pasuron shumë librin janë ilustrimet e bukura, plot finesë dhe ngjyra të këndshme për syrin, krijuar enkas për këtë botim nga Bora Baboçi. Fundja një rrëfim të cilit i gëzohen vetëm fëmijët nuk është një histori e mirë, shprehet shkrimtari Clive Staples Lewis. Si një ftesë e hapur për lexim duket se libri 101 përralla “Mësimet e natës” të Betim Muços e kanë përballuar këtë sfidë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Rikthimi nga Partia Demokritike (në gjendje kritike) në atë Demokratike

Nga Ndriçim Kulla Emri i PD-së, Partia Demokratike, do të thotë një...
Read More