Letërsia dhe Nacionalizmi: Çfarë prirje po marrin letrat në Ballkan?!

letersia dhe nacionalizmiPyetjes së parashtruar se sa ka nacionalizëm në letërsinë e Ballkanit, e para që iu përgjigj ishte Belfjore Qosa. Ajo mbi temën për nacionalizëm në letërsi tha se ka goxha shumë, duke i vënë theks të veçantë letërsisë në Kosovë

Rezidenca letrare “Prishtina nuk ka lumë” ka patur të ftuar dy autorë  për të biseduar në lidhje me temën “Letërsia dhe Nacionalizmi”. Bogdan Stansecu nga Rumania dhe Belfjore Qose nga Shqipëria ishin autorët të cilët diskutuan mbi këtë temë përgjatë një ore, duke treguar këndvështrimet e tyre në lidhje me atë se sa ka nacionalizëm në këtë rast në letërsinë e Ballkanit. Për të moderuar këtë debat i pranishëm ishte shkrimtari Halil Matoshi, i cili fillimisht tha se jo rastësisht është zgjedhur kjo temë, ku ai theksoi se jo vetëm në Ballkan por trendet e rritjes së nacionalizmit po vërehen edhe në Evropë.

Pyetjes së parashtruar se sa ka nacionalizëm në letërsinë e Ballkanit, e para që iu përgjigj ishte Belfjore Qosa, e cila është lektore me kohë të plotë pranë Departamentit të Letërsisë, në Universitetin e Tiranës, ku ligjëron në disa prej kurseve mbi letërsinë botërore. Ajo mbi temën për nacionalizëm në letërsi tha se ka mjaft interferime, duke i vënë theks të veçantë letërsisë në Kosovë. “Është e natyrshme se aty ku ka një nisje nga realiteti dhe rrethanat e jashtme edhe letërsia nxitet për të përzgjedhur temat, por kriteri në të cilin ne e shohim këtë temë nuk është totalisht tematikë e një teme të caktuar. Do të thosha se kryesisht letërsia e Kosovës ka një lloj masivizimi të përdorimit të temës nacionaliste, patriotike apo çfarëdo lloj teme që bënë, por e cila jo detyrimisht përkon me cilësinë. Kjo gjë është e natyrshme se kudo ku përhapet në masivitet ajo kalon në banalitet, është e zakonshme kjo ku te ne ndodh me letërsinë erotike më së shumti”, theksoj Qose, duke vazhduar të thotë se mendon që tema e nacionalizmit është në letërsinë shqiptare, sikurse që është edhe brenda historisë së saj.

Ndërsa Bogdan Stanescu, që është autor nga Bukureshti i Rumanisë, tha se në vendin e tij nuk ka fare nacionalizëm në letërsi, që sipas tij prej viteve ‘80-të, shkrimtarët e rinj kanë ndjekur më shumë rrugën e shkrimtarëve të mëdhenj amerikanë dhe britanikë.

“E ndjejë rritjen e nacionalizmit e sidomos anën e shëmtuar të saj por jo në letërsi. Mendoj që pas vitit 89-të, letërsia në Rumani ka qenë shumë para vendit, kjo ka filluar në 80-at ku shkrimtarët e poetët e fuqishëm janë inspiruar nga gjenerata e madhe e amerikanëve dhe britanikëve dhe nuk kanë vazhduar të shohin drejt letërsisë së vjetër më. Kështu që Rumania ka filluar një trend të zhvillimit perëndimor e cila vazhdon edhe sot. Mendoj që jemi jo shumë të prekur nga këto aspektet sociale e politike”, u shpreh Stanescu. Përveç debatit që u zhvillua në Qendrën Multimedia që është mikpritëse e rezidencës letrare “Prishtina nuk ka lum”, të dy autorët lexuan vepra të tyre për të pranishmit që ishin në këtë ngjarje. Rikujtojmë se rezidenca letrare “Prishtina nuk ka lum”, për herë të parë ka nisë në vitin 2013, ku vetëm këtë vit Qendra Multimedia ka mirëpritur autorë nga Shqipëria, Rumania, Bullgaria dhe Gjermania.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Ja kandidatët e PS për 61 degët (dhe dublimi i Kokëdhimës)

Kryesia Socialiste pritet të marrë në shqyrtim sot kandidaturat për kryetarë të...
Read More