Lamtumirë Gaqo Çako! Ndahet nga jeta simboli i operas dhe muzikës shqiptare

Është ndarë nga jeta këngëtari i njohur Gaqo Çako.

Mësohet se Çako ka ndërruar jetë mbrëmjen e 1 Gushtit në moshën 83-vjeçare!

Mjeshtri i madh u shua në shtëpinë e tij në Tirane.

“Lamtumire simboli historik i operas dhe muzikes shqiptare, “Nderi i Kombit” – Gaqo Cako.

Me hidherim te thelle bejme me dije se pak minuta me pare eshte ndare nga jeta ne moshen 83 vjecare tenori virtuoz, simboli historik i muzikes operistike shqiptare, “Nderi i Kombit” – Gaqo Cako. Mjeshtri i madh u shua ne shtepine e tij ne Tirane. Ngushellime familjes, miqve dhe kolegeve te Gaqo Cakos – “Nderit te Kombit”.

Per homazhet dhe ceremonine mortore, TKOBAP do tju beje me dije ne vijim.”, thuhet në njoftimin e TKOBAP.

Jeta dhe vepra e Gaqo Çakos:

Ai lindi më 24 janar 1935, është këngëtar shqiptar. Mban titullin Artist i Popullit.

Tenori legjendar, Gaqo Çako, Artist i Popullit, është i rreshtuar në emrat e mëdhenj të Panteonit të muzikës shqiptare si Ramiz Kovaçi, Mentor Xhemali, etj. Midis viteve 1957 dhe 1961 ai studioi në konservatorin “Çajkovski” të Moskës nën drejtimin e pedagoges Anna Soloviova. Pas kthimit në Shqipëri më 1961 ai u emërua tenor i përhershëm i Teatrit të Operës dhe Baletit të Tiranës, ku këndoi shumë nga rolet e para të repertorit operistik, duke u bërë kështu tenori kryesor për tri dekada me radhë.

Përvoja dhe karriera e tij mjaft e pasur në operat “Traviata”, “Bohema”, “Rigoleto”, “Norma”, etj, si dhe operat shqiptare “Mrika” e Prenk Jakovës, “Lulja e kujtimit” e Kristo Konos, “Pranvera” e Tish Daisë, “Heroina” e Vangjo Novës, “Skënderbeu” i Prenk Jakovës e “Skënderbeu” i Abdulla Grimcit, “Komisari” i Nikolla Zoraqit, “Zgjimi” i Tonin Harapit, “Toka e jonë” e Pjetër Gacit, etj, e bëjnë atë me një karrierë të shkëlqyer. Mjaft i njohur edhe në skenat italiane, ku ai ka mbaruar konservatorin e Santa Cecillias.

Zëri i tij është kthyer në objekt kënaqësie kudo që ai dëgjohet e shfaqet, në opera, në televizion, në radio, në salla të mëdha a të vogla koncertesh. Përfshirja e tij në të gjitha llojet e muzikës vokale ka si qëllim të vetëm t’i kënaqë dëgjuesit me pjesët që ai këndon. Edhe pse vlerën më të madhe ai e pati në interpretimet e roleve operistike, ai u popullarizua nëpërmjet këngës, veçanërisht atyre të Festivaleve të Radios.

Kreu i shtetit Ilir Meta shpreh ngushëllimet për ndarjen nga jeta të artistit të mirënjohur shqiptar, Gaqo Çako.

“Nderi i Kombit tonë, mjeshtri i përsosur Gaqo Çako ka lënë gjurmë të pashlyeshme në interpretimet e operave në skenat shqiptare e botërore si dhe ato të këngëve të muzikës së lehtë shqiptare, me ndarjen e tij nga jeta po le një boshllëk të madh artistik e shpirtëror ne trashëgiminë tonë artistike dhe në mes të bashkësisë së artistëve, kolegëve dhe të artdashësve shqiptarë, kudo ku ndodhen.

Në këto çaste hidhërimi të pamatë, gjendem shpirtërisht pranë familjarëve, të afërmve dhe kolegëve e bashkëpunëtorëve të të ndjerit Gaqo Çako! I paharruar qoftë kujtimi dhe vepra e tij artistike dhe iu prehtë shpirti në paqe!”, shkruan Meta në mesazhin e tij.

Shkruar Nga
More from Redaksia

“Shpërthen” Voltana Ademi: Ja kush e rrëzoi Vllazninë!

Kryebashkiakja e Shkodrës, Volta na Ademi, ka folur për herë të parë...
Read More