Kush është Alket Hyseni dhe skandalet që shkaktuan zemërim publik

Asnjë deputet tjetër nuk ka shkaktuar kaq shumë zemërim në një kohë kaq të shkurtër në opinionin publik. Fillimisht me skandalin tronditës me një pronë të madhe në bregdetin e jugut të vendit. Më pas me komentet për autizimin kur opinioni publik kërkoi me ngulm largimin e tij. Por cili është deputeti me pasuri të madhe dhe të dyshimtë, që ka tërhequr pranë vetes kaq shumë urrejtje?

Mapo.al

Në shtator të vitit të shkuar, disa media, mes tyre edhe Vizion Plus, raportuan se Alket Hyseni mund të përjashtohej nga grupi parlamentar i PS. Rrallë ia ka arritur një deputet i vetëm të tërhiqte kaq shumë urrejtje në opinionin publik dhe arsyeja është befasuese. Në mesin e socialistëve në pushtet ka pasur plot afera korruptive, por kjo e deputetit Hyseni ishte unike. Ai ishte caktuar në krye të një task-force që do verifikonte tjetërsimin e pronave sidomos në jug të vendit. Gjejeni çfarë? Si një polic që duhet të të mbrojë, por vjen dhe të vret në shtëpi, vetë Hyseni u akuzua për tjetërsimin e një prone që duhej të verifikonte. Jo pak, por mbi 11 mijë metra katrorë në Dhërmi, në një prej zonave më të lakmuara në Shqipëri. Pikërisht në këtë zonë u dha leja për një resort të madh turistik, mbi pronën e zyrës ligjore ‘Hyseni & Associaties’, e drejtuar nga Alket Hyseni nga viti 2006 deri në vitin 2014, kur ai u zëvendësua në administrim nga kunati i tij, Idajet Çelaj, shkruan BIRN. Në mënyrë skandaloze, nga viti 2014 deri në vitin 2016, Hyseni udhëhoqi task-forcën e ngritur nga kryeministri Edi Rama për të verifikuar tjetërsimin e paligjshëm të pronave shtetërore.

Dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë se origjina e tokës me sipërfaqe totale 11 mijë metra katrorë, për të cilën ‘Hyseni & Associates’ ka lidhur një kontratë sipërmarrje dhe pritet të përfitojë sipërfaqe ndërtimi me vlerë miliona euro është e dyshimtë, ndërkohë që verifikimi i mënyrës së tjetërsimit të saj ka qenë detyrë e task-forcës së drejtuar nga Hyseni, i cili mbas një serie transaksionesh zinxhir është bërë pronar i dy parcelave me sipërfaqe totale prej 11 metrash katrorë të familjes Bua.

Edhe sot e kësaj dite, zonja Irini Bua, pretendon se Alket Hyseni i ka tjetërsuar 11 mijë metra katrorë tokë.“Prona është vjedhur nga Alket Hyseni, 11 mijë metra. Letrat që keni ju përpara, vërtetojnë vjedhjen ose përvetësimin e pronës nga Alket Hyseni. Leje mbi pronën tonë ka dhënë Edi Rama”, thotë ajo.

Por kur dukej se mbi kokën e Hysenit po qëndronte një gijotinë, Edi Rama e mbajti sërish në PS njeriun që kishte rritur pasurinë me mbi 136.8 herë në 14 vite, duke mbjellë një skandal që do ishte i rrallë edhe në republikat e bananeve. Kurse Prokuroria e Krimeve të Rënda pushoi hetimet e nisura ndaj tij pas denoncimeve në media.

Pasuria 1 milionë euro, asnjë hetim

Si i ri i angazhuar në strukturat e PS-së dhe sapo kishte dalë nga bankat e fakultetit, Alket Hyseni në vitin 2000, në atë kohë vetëm 24 vjeç, u bë punonjës i doganës së Kakavijës. Tre vite më pasë në vitin 2003, ai kishte vetëm një të katërtën e një toke bujqësore prej 6 mijë metrash, të cilën familja e kishte përfituar nga ligji 7501. Bashkë me familjarët ndante edhe një automjet që kushtonte 190 mijë lekë.

Dy vite në emigracion kishte një depozitë bankare prej 10 mijë dollarësh. Këto janë të dhënat që tregonte ish-doganieri, i cili në një vit kishte një pagë bruto prej 579 mijë lekësh në vit.

Në vitin 2004 doganierit, i shtohen edhe të ardhurat prej 910 mijë lekë të ardhura nga një shtypshkronjë (nuk dihet nga ishte blerë), ndërsa në vitin 2005 kur ikën nga puna në doganë, tregonte se nuk kishte shtuar asnjë qindarkë në pasurinë e tij.

I diplomuar për ‘Juridik’ në Tiranë në vitin 1999, Alket Hyseni i ka dhënë mundësi vetes që të ndjekë studimet në universitetin Leibniz në Santa Fe të Shteteve të Bashkuara për gjashtë vite nga 2001 deri në 2006 (me para që nuk dihet se nga e kanë origjinën e tyre).

Pas largimit nga shërbimi në doganë, Alket Hyseni nisi punën lektor në disa universitetet, por drejtonte edhe zyrën ligjore, ‘Hyseni & Associates’ deri në vitin 2014 kur rikthehet punës në administratën shtetërore.

Në atë kohë, Hyseni emërohet kryetar i Task Forcë për pronat e paluajtshme shtetërore, e cila zgjati plot një vit. Në 2016 bëhet drejtor i përgjithshëm i Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave ku qëndron deri sa në mars të vitit 2017 Kryeministri e merr si ndihmësin e tij.

Në zgjedhjet e 2017, Alket Hyseni u bë deputet i qarkut të Vlorës, duke mbuluar Sarandën. Në këtë post erdhi pasi i dha Edi Ramës të drejtën të jetë kryetar i përjetshëm i PS-së. Hyseni gjatë viteve 201-2017 ishte kryetar i Komisionit të Garancive Statutore në Partinë Socialiste dhe në luftën e brendshme që Ben Blushi hapi kundër Ramës, deputeti i ardhshëm do të mbante anën e kryetarit Rama.

Pas 11 vitesh pa asnjë deklarim pasurie, Alket Hyseni në vitin 2017 tregon se gjatë kësaj kohe ishte bërë shumë i pasur me 5 apartamente me një sipërfaqe totale prej 750 metra katrore ka 5 garazhe dhe një ndërtesë me sipërfaqe 285 metra, por edhe llogaritë e tij në euro dhe lekë janë plot.

Alket Hyseni deklaronte se kishte në bankë 115 mijë euro, ndërsa 67 mijë i kishte dhënë borxh. 4.3 milionë lekë, ndërsa 21.5 milionë të tjera i kishte dhënë hua dhe kishte borxhe prej 10 milionë lekë, ndërsa të ardhurat shkonin në 4 milionë lekë në vit.

Deri në maj të vitit 2017, Alket Hyseni deklaronte edhe 20 mijë euro shtesë nga shitja e një apartamenti, si dhe pagat. Të gjitha këto janë shifra të deklaruara nga vetë deputeti socialist për periudhën kur ai ende nuk kishte marrë mandatin.

Në total, llogaritë e tij bankare dhe apartamentet kanë një vlerë prej një milionë euro, ndërsa 4900 metra katrorë toke bujqësore fituar me ligjin 7501 i ka kontraktuar me kompani ndërtimi. Por në deklarimet e tij të pasurisë, megjithatë nuk shfaqet transaksioni për 11 mijë metra toke në Dhërmi, të blerë prej tij e të shitur brenda pak muajsh tek i ati pensionist, shkruan Top Channel.

Fyerjet e Hysenit acaruan shoqërinë shqiptare

Interesant është fakti se sa më shumë shtoheshin akuzat ndaj tij, aq më shumë i shtonte Hyseni daljet në publik, duke u shfaqur jo pak acarues nëpër debate. Megjithatë kulmi arriti kur ai bëri një koment kundër Sali Berishës, duke e quajtur ‘plak autik’. Ajo që pasoi pas kësaj fyerje ishte një valë reagimesh online nga mijëra njerëz. Kurrë më parë nuk kishte shkaktuar një deputet me fjalët e tij kaq zemërim publik.

Pas këtij veprimi, Hyseni u masakrua me komente dhe reagime të shumta. Për këtë arsye ai u detyrua të ndryshonte edhe postimin, duke modifikuar termin ‘autik’ me ‘i çartur’. Të prekur më shumë nga fjalori i përdorur nga Hyseni ishin shoqatat e fëmijëve me Sindromën Daun, të cilët kërkuan dorëheqjen e deputetit.

Ndër personat që reaguan ashpër ndaj veprimit të deputetit socialist, ishte edhe piskologia Denada Toçe. Kjo e fundit nëpërmjet një interviste, u shpreh se fjalori i përdorur nga Hyseni ishte një fyerje për të gjithë shoqërinë shqiptare. Ndër të tjera ajo shtoi, se Hyseni e ka thelluar problematikën, pasi përdorimi i termit ‘plak’ është një tjetër paragjykim. Më tej Toçe tha, se deputeti socialist, nuk e ka më vendin në parlament.

Por siç ndodh zakonisht me kryeministrin Edi Rama, ai i mban gjithmonë e më shumë pranë vetes ata njerëz që e tërheqin urrejtjen e opinionit publik mbi veten, me shpresën se kështu nuk do mbetet shumë zemërim për vetë Ramën.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Horoskopi i javës

Dashi Të lindurit e kësaj shenje do të jenë të mbushur me...
Read More