Kurbani, personazhet pozitive, negative dhe ata që ndreqen 

 

Nëse i bën bashkë të gjithë artikujt e shkruar mbi librin e ri të Edi Ramës Kurban, pro apo kundër, vëllimi i tyre ia kalon në faqe e fjalë vetë tekstit për të cilin flitet. Kjo bojë, miratim apo kundërshtim, e derdhur me shumicë, është bashkuar megjithatë në një pikë: atë se stili publicistik i Edi Ramës është i pashoq dhe i rrallë për letrat shqipe. Daut Gumeni, në një shkrim panegjerik në të përditshmen ‘Shqip’ ka shkuar më tej duke i rreshtuar edhe nja 40 neologjizma (fjalë të reja) të shqipes, megjithëse të paktën njëri prej tyre (i ububushëm) i përket, në fakt Ismail Kadaresë.

Nga Alfred Lela

Teksti i Edi Ramës nuk i ka shpëtuar megjithatë banaliteteve. Të paktën në dy raste.  Njëri është kur ai quan ‘gazetar të madh’ Filip Çakulin, drejtorin e emisionit parodiko-problemor ‘Fiks Fare’. Edhe pse cilësimin e tij ia kundërvë një epiteti të përdorur nga kryeministri Berisha (çakalli i medias), kjo nuk e bën më pak të… ububushëm, epitetin e Ramës për Çakulin. Shumë vetë në media do të kishin probleme me dy elementët përbërës të togfjalëshit si ‘gazetar’ ashtu dhe ‘i madh’.

Tjetër moment i prezantuar ligsht dhe që stonon me ritmin e përgjithshëm të tekstit të Ramës së Kurbanit vjen kur ai quan edi_rama_kurbanbashkëshorten e tij, Lindën ‘gjysma ime më e mirë”. C’mon!! Përveçse është e stërpërsëritur, fraza do të rrinte ngushtë në fjalorin vuajtës të një rioshi, por në diskursin politiko-intim të kryetarit të gjatë e në moshë të opozitës së një vendi i cili ka kulm të aksionit të tij kredon për t’u bërë kryeministër i vendit, kryen atentat ndaj qëllimit për të cilin është përdorur. Nuk i shkon dikujt që, për të perifrazuar Gumenin, ka futur 40 neologjizma në trupin e shqipes. Mund t’i shkonte, m’anë tjetër, për të perifrazuar vetë z. Rama, Robert Çamçakëzit.

A është më shumë se e guximshme dhe ndoshta pretencioze të etiketosh si banalitet diçka që përndryshe, fare mirë, mund të ishte vetëm një rrëfim ‘me zemër të hapur’ i z. Rama? Në rast se ngjarjet dhe personazhet, të sjella siç janë sjellë nën trusninë e penës së Ramës nuk do të ishin pjesë e peizazhit publik shqiptar, po. Por pjesa më e mirë e tyre janë dhe lexuesit e ‘Kurbanit’, atyre që e lexojnë tekstin pa u zhveshur nga kujtesa kolektive e gjërave, individëve dhe ngjarjeve, i dinë raportet në kohë të Edi Ramës me personazhet e Kurbanit të tij.

Këtij lloj lexuesi nuk i duhet ndërmjetësimi i Edi Ramës për të lexuar raportet e Edi Ramës me Mero Bazen, Fatos Lubonjën, Fatos Nanon, Ilir Metën e kështu me radhë. Megjithatë duke qenë se te kujtimet, siç shkruan Ardian Vehbiu për librin e Ramës, ndikojnë edhe përthyerjet e kohës, shkruesit të tyre i lejohet hapësira që e ndan përthyerjen nga ajo që Fatos Lubonja në një shkrim te ‘Panorama’ e quan kulturë të simulim-manipulimit.

Përtej saj kujtimet shndërrohen në rivendikime ose shfrytëzohen për të mbajtur gjallë një kulturë tjetër, atë të qokave. Krijohen kështu dy palë ose dy lloje karakteresh që të kujtojnë tekstet socrealiste me personazhe të këqij, të mirë dhe ata që ndreqen. Për këta të fundit nuk është kursyer pudra dhe as penelatat dashamirëse, por të gjithë e dimë, ashtu si grija socialiste poshtë furçave bojëshuma të pallateve të Tiranës rri, i ftohtë dhe pritës, zemërimi dhe përbuzja e kahershme.

Galeria e personazheve që ndreqen nën penën e Ramës janë edhe banaliteti kryesor i tekstit të tij. Më shumë se ‘gjysma ime më e mirë’ apo ‘gazetari i madh filan fistek’. Sigurisht kjo mund të mbulohet dhe të rrëshqasë nën vetë një prej emërtimeve të gjetura për gjininë e Kurbanit, ‘refleksione’. Kjo si për të thënë se si autori, si personazhet, me kohë e pas ngjarjeve, kanë reflektuar e të gjithë bashkë janë pjesë e këtij refleksioni të madh e të përgjithshëm që quhet rrugëtim në politikë. Ose thënë më shkurt e qartë: Inkoherencë.

E kujt i duhet koherenca…A nuk është edhe ajo një banalitet?

 

Shkruar Nga
More from revista mapo

“Kur Athina firmoste varrezën e partizanëve çamë në Greqi”

Deri në vitin 1995 “çështja çame” ka qenë në një shtrat “normal”...
Read More