Kur u komplikua vërtet situata për Ramën dhe Xhafajn?

Krimi dhe droga janë vërtet problem i madh për Shqipërinë. Por arrestimet e fundit po nxjerrin në pah kryeproblemin: Atë të prekjes së zgjedhjeve

Nga Enton Palushi

Qelia ku fle Andres Sepulveda është e siguruar me dyer antibombë. Ai ndodhet i kyçur në një burg të sigurisë maksimale në qendër të Bogotës në Kolumbi. Kur shkon për të takuar prokurorët ose në seancat gjyqësore, shoqërohet nga një karvan me roje të armatosura me fuqi të madhe zjarri. Teksa lëvizin me shpejtësi të lartë përmes kryeqytetit, autokolona përdor pajisje të sofistikuara për të bllokuar valët e celularëve në mënyrë që të minimizohen shanset për një tentativë vrasjeje. Tani që fantazia juaj është ndezur, po mendoni se çfarë krimesh të tmerrshme do ketë kryer Sepulveda. Natyrisht kur flitet për Bogotën dhe Kolumbinë, do mendoni se është kreu i një karteli të rrezikshëm droge. Aspak. Siç shpjegojnë dy profesorët, Nic Cheeseman dhe Brian Klaas, ai është krimineli më i famshëm në botë për manipulim të zgjedhjeve. Tani që e kanë kapur dhe e kanë rrasur në burg, ai po shpjegon se si i ka vjedhur zgjedhjet. Njerëzit me të cilët ka punuar e duan të vdekur.

***

Sepulveda me ekipin e tij ka manipuluar së paku 20 palë zgjedhje të përgjithshme në vende të ndryshme. Ai nuk është specialisti i vetëm i kësaj fushe. Metodat e tij po përhapen kudo, janë të kushtueshme, shpesh skandaloze, por edhe ligjore. Kur Enrique Pena Nieto shpalli fitoren në zgjedhjet presidenciale në Meksikë, teksa ai mbante fjalimin e triumfit, Sepulveda, nga apartamenti i tij në Bogota po zhdukte të gjitha provat. Disqe, telefona, dokumente, ai po fshinte gjithçka nga serverat në Rusi dhe Ukrainë, të blera në mënyrë anonime me Bitcoins. Ai po çmontonte atë që është historia e një prej fushatave më të ndyra në Amerikën Latine.

***

Gilbert Dupont është një gazetar i ‘La Dernier Heure’ në Belgjikë. Ai po bënte punën e tij si gazetar, kur zbuloi se qeveria e vendit të tij kishte hipur në një avion një prej personave më të rrezikshëm në vend dhe e kishte nisur drejt Shqipërisë. Ai quhej Safet Bajri. Gazetari zbuloi se Bajri jetonte pa i hyrë gjemb në Shkodër pasi kishte krahët e mbrojtur nga politika. Por më shumë reagime shkaktoi komenti i tij në shkrim se Bajri ka ndihmuar në manipulimin e zgjedhjeve në favor të socialistëve në pushtet. Pas bandës së Bajrit, në prangat e policisë përfunduan edhe bandat e Ndokajve dhe ata të Avdylajve. E përbashkëta e tyre? Kishin krijuar një shtet paralel, pasi mund t’u kërkoje ‘ndihmë’ për gjithçka, jo vetëm për drogë e prostituta, por edhe për të shënuar gol e për të ndryshuar notën në provim. Më kryesorja? Të gjitha bandat del se i kanë futur duart në zgjedhje.

***

Agjencia Reuters e thekson jo më kot se të shtunën në mëngjes herët, duke përdorur mediat sociale, kryeministri Edi Rama vendosi që të shkarkojë ministrin e tij të Brendshëm, pikërisht në javën kur ai po festonte suksesin më të madh në luftën ndaj krimit. Fatmir Xhafajt iu deshën disa herë për të ‘përtypur’ lajmin dhe për të dalë para medias. Ndërsa të gjithë po spekulonin me arsyet e mundshme të këtij largimi, të paktë ishin ata që po merreshin me çështjen e zgjedhjeve. Goditja e këtyre bandave po nxirrte në pah të vërtetën e hidhur të zgjedhjeve të fundit, atë që analisti Preç Zogaj jo vetëm e kishte denoncuar i pari, por që e ka perifrazuar me shprehjen se nuk mund të ketë pak manipulim në zgjedhje, sikur nuk mund të jetë dikush vetëm pak shtatzënë.

***

Studiuesit Nic Cheeseman dhe Brian Klaas kanë publikuar së fundmi një libër që ka shkaktuar shumë bujë. Ai titullohet “Si të manipulosh zgjedhjet” dhe është një dëshmi tronditëse e asaj që ndodh me votimet. “Rruga më e zgjuar për të manipuluar zgjedhjet është që ta bësh këtë përpara se të printohen fletët e votimit. Nëse do të manipulosh zgjedhjet me tipa të fortë dhe me kuti të mbushura, ke dështuar. Sot, autokratët më efektivë i vjedhin zgjedhjet përpara se të hapen qendrat e votimit”, shkruajnë ata. Është kjo arsyeja se përse opozita shqiptare e di se ditën e votimeve e mbrapa është e kotë që të presësh nga ndërkombëtarët të gjejnë manipulimet zgjedhore.

“Manipulimet më të mira janë ato që mund të bëhen me lezet dhe ligjërisht, por që megjithatë të sigurojnë fitoren. Format më të këqija të manipulimit parazgjedhor zbulohen lehtësisht, janë të paligjshme dhe kanë pak ndikim. Vjedhja efektive siguron që të fitoni dhe t’ia dilni pa e humbur legjitimitetin”.

“E thënë shkurt, ndërsa në botë po mbahen gjithmonë e më shumë zgjedhje, dhe po ashtu po monitorohen gjithmonë e më shumë zgjedhje për të verifikuar integritetin e tyre, kjo lojë po bëhet gjithmonë e më e komplikuar. Sa herë që vëzhguesit perëndimorë pikasin dhe dënojnë një mënyrë manipulimi, pushtetarët oportunistë ndryshojnë taktikat dhe bëhen më të mirë në fshehjen e manipulimeve”.

Për një gazetar që ka mbuluar çështjet e politikës në Shqipëri e di se sa e vërtetë është kjo. Sa herë mbyllej çështja e ndërhyrjes së SHISH në zgjedhje, hapej ajo e policisë; sa mbyllej ajo, hapej historia e ‘të fortëve’ që mbushnin kutitë; sa mbyllej ajo, hapej çështja e listave; sa mbyllej ajo, hapej manovra e certifikatave; sa mbyllej ajo, hapej çështja e balancimit të KQZ-së. A nuk tha kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako si një kundërpërgjigje ndaj akuzave për manipulim zgjedhjesh, se opozita kishte në dorë KQZ-në? E çfarë vlere ka kjo kur teknikat e manipulimit ndryshojnë gjithmonë? Tashmë është faza finale, kur krejt kot pret që të kapësh manipulimin në ditën e zgjedhjeve dhe më pas. Këtë e thonë edhe autorët që kanë studiuar me qindra palë zgjedhje. Këtë e di dhe e ka thënë edhe kryetari demokrat, Lulzim Basha. Në ditën e zgjedhjeve gjërat shkojnë të kopsitura.

***

Sot e kësaj dite zgjedhje mbahen kudo. Shumica e qeverive shkojnë në votime dhe angazhohen se do i lejojnë qytetarët që të zgjedhin se kush do i drejtojë. Megjithatë, në shumë vende, zgjedhja është diçka më shumë se një iluzion, thonë Cheeseman dhe Klaas. Votimet manipulohen që nga fillimi. Në një shkallë nga 1 deri në 10, ku kjo e fundit reflekton zgjedhjet perfekte, mesatarja e përgjithshme në botë është vetëm 6 sipas Projektit të Integritetit Elektoral. Në vendet postkomuniste si Shqipëria, mesatarja është vetëm 5. Në total në të gjithë botën, vetëm 30 për qind e zgjedhjeve sjellin transferim pushteti. Me fjalë të tjera, qeveria në detyrë fiton 7 nga 10 palë zgjedhje. Ky rezultat është shumë më i ulët në vende që kanë një histori të vonë të sundimit autoritar. Gjatë dekadës së fundit ka patur një rënie graduale të cilësisë së demokracisë në botë.

“Gjatë studimit tonë, ne zbuluam një fakt befasues: Regjimet autoritare që mbajnë zgjedhje dhe i manipulojnë ato, janë më stabël se ata që nuk mbajnë zgjedhje fare”.

“Pasojat e manipulimeve shpesh janë të neglizhuara. Ka zgjedhje të pafundme që manipulohen në mënyrë të tmerrshme dhe absurde dhe nuk pikasen kurrë dhe as dënohen nga monitorët ndërkombëtarë, ose për shkak të teknikaliteteve ose për shkak të favorizimit gjeopolitik. Pavarësisht mundësive të pafundme të vjedhjeve, vetëm 20 për qind e zgjedhjeve dënohen publikisht për raste domethënëse manipulimesh”.

***

Droga dhe korrupsioni janë shqetësim i madh për një vend dhe për ndërkombëtarët. Por gjërat komplikohen shumë kur bëhet fjalë për prekjen e zgjedhjeve. Edhe shtyrja e hapjes së negociatave vërtet fsheh shumë arsye nga pas, por në thelb ndërkombëtarët duan që të shohin një proces zgjedhor të hajrit. Edhe një opozitë nuk do e pranonte më që të hynte në një proces farsë. Vërtet opinioni publik dhe drejtësia nuk e marrin seriozisht çështjen e manipulimit zgjedhor- ndoshta edhe të huajt e kanë bërë një sy qorr- por vjen një moment kur kjo gjë nuk tolerohet. Shqipëria i ka shembujt. Duke nisur që nga viti 1996.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

“Po vjen raketa balistike, gjeni strehim”: Kush i terrorizoi banorët e Havait?

Një punonjës i Mbrojtjes Civile do të ritrajnohet pas një gafe shokuese...
Read More