Kur etërit tanë themelues vinin dorën mbi plagët e shqiptarëve

Nga Ndriçim Kulla

Për anët e mira të karakterit shqiptar është shkruar shumë, por cilat janë të metat e karakterit të shqiptarit? Atë që shkruante rreth një shekull më parë, Mid’ hat Frashëri në librin “Plagët tona”, për fajin (hijet) që bashkëkohësit e tij hidhnin mbi paraardhësit, në një mënyrë apo në një tjetër e thonë shqiptarët e sotëm, për ata që kanë jetuar në kohën kur shkruante Mid’ hat Frashëri dhe më herët: “Është një virtut të shohë dhe të njohë njeriu të metat e tija. Kur e shohim fajin, e ndjejmë që lajthitmë, jemi të penduarë. Kjo siguri zgjuan ndër ne dëshirën dhe vullnetin që të veprojmë, të ndreqim shtrembësinë, të hyjmë në të drejtë. Ne Shqipëtarët, ti miku im që këndon këto rradhë dhe unë që po i shkronj, jemi plot faje, plot të meta. Kemi karaktere të liq, të trashëguarë nga kohët e shkuarë, nga stërgjyshët, nga paranikët. Duhet t’ i çdukim ne, të mos i trashëgojmë në djemtë t’anë, të mos i bëjmë të na japin mallkim. Ne sot nuk ngarkojmë me nëmë gjyshët t’ anë: ata nuk qenë të përgjegjshëm, se nuk i shihnin fajet. Po ne i prekim me dorë të ligat tona; prandaj duhet të mos i hedhim mbi kurriz të atyre që na pasojnë.” Në kohën kur Mid’ hat Frashëri shkruante kështu, tanimë ishte krijuar një shkollë e tërë e kritikës ndaj anëve të këqija të karakterit shqiptar, nga ana e intelektualëve shqiptarë. Mid’ hat Frashëri arriti te pyetja: “Ç’ na mungon? Çë duhet të kemi?” Dhe ai iu përgjigj kësaj pyetjeje menjëherë, pa hezitimin më të vogël: “Ideali”. Ai u tha bashkëkombasve në 1924: Kur humbet ideali, besimi në vetvete, kur venitetë qëllimi dhe çduketë qoku, atëherë trupi bëhet si kufomë, i ka ikur shpirti, rrëzohetë si thesi që i është derdhur mielli.

Këtë të metë të shqiptarëve e vinte re edhe Konica, i cili madje e konsideronte atë si të metën më të madhe të tyre që për të është: Një tipar pa dyshim fatkeq i shqiptarëve dhe tipar mjaft i dukshëm është mungesa e plotë e idealizmit. Në një vend ku njerëzit vdesin aq kollaj për hiçgjë, nuk është dëgjuar që të vdesë dikush për një ideal ose çështje. Edhe kjo është një e metë e thënë me dinakëri, në atë mënyrë që të duket si një kritikë shumë e tepruar që autori i bën kombit të vet, sepse idealizmi ka karakterizuar kombet e mëdhenj dhe në rastin e kombeve të vegjël, aq më tepër ballkanikë, nuk mund të mendohej që në mendjen e njerëzve të lulëzonin idealet në kohën për të cilën shkruante Konica. Idealizmi duhet të lindte në kohën kur shkruante Konica midis intelektualëve dhe pastaj duhet të ishin elitat ato që ta përhapnin idealizmin te populli, e pastaj mund të pritej që të kishte edhe dëshmorë për ideale. Kuptohet se Konicës nuk ia bënte zemra që të fliste për të metat e shqiptarëve . Nëse do të bëja një lojë fjalësh me titullin e librit të tij “Shqipëria kopshti shkëmbor i Europës juglindore”, do të thosha se Konica “kopshtin shkëmbor” donte ta paraqiste para të huajve si të mbushur vetëm me lule, jo me ferra. Këtu të vjen menjëherë në mendje ajo që ka thënë Fan Noli për anarkinë morale të shqiptarit që shprehet me atë që ai e quan qullosje e karaktereve. Artikujt e Merxhanit për karakterin kombëtar janë fare plotësues në krahasim me fjalimin e famshëm të Fan Nolit në parlamentin shqiptar në 1923, që për Mendimin Shqiptar ka rëndësinë e një manifesti akademik, fjalim ku ai flet për konfuzionin e pesë anarkive që mbretërojnë edhe sot me një aktualitet të shndritshëm në botën e shqiptarit . Në këtë fjalim, Noli radhit të tretën atë që e quan “anarkia morale”. Noli thotë: E treta. Anarkia morale: Këtu qeni nuk e njeh të zonë, këtu karakteret dobësohen, qullosen dhe ndërrojnë formë e ngjyrë dita me ditë si në kaleidoskop. Këtu ambiciet janë pa fre e pa kufi, këtu i padituri i di të gjitha dhe i pazoti është i zoti për të gjitha. Këtu duhet thënë se kur Noli flet për dobësimin dhe qullosjen e karakterit të njerëzve në Shqipëri, ai këtë e thotë në kontekstin e angazhimit të tyre në veprime shoqërore, politike, kolektive. Pra, njerëz që duken si me karaktere të forta, shndërrohen tërësisht në këtë rastin e dytë. Kjo është një gjë që e kanë vënë re edhe shumë të huaj në Shqipëri. Kështu, sekretari i Princ Wied-it, britaniku D. Heaton-Armstrong, i cili ishte në Shqipëri në vitin 1914, tregon në kujtimet e tij se si vëllai i tij që gjithashtu erdhi në Shqipëri, bëri disa konstatime të cuditshme kur u përpoq që të krijonte një repart artilerie shqiptar. Heaton-Armstrong shkruan se vëllai i tij: Pa se këta burra ishin inteligjentë dhe mësonin shumë shpejt, por gjëja më e vështirë ishte t’ u mësoje atyre format më elementare të disiplinës. Këtu duhet kërkuar edhe shkaku i shndërrimit të karakterit të shqiptarëve, për të cilin flet Noli më lart. Ndërsa kontradikta për të cilën flet Noli, ajo e dobësimit të karakterit të njeriut shqiptar, nga njëra anë, dhe e rritjes së ambicieve të tij, me siguri që vinte për shkak se shqiptari duke qenë historikisht individualist, ishte mësuar që më lehtë ta kërkonte suksesin në vende të tjera, ku cilësitë e tij individuale mund të dilnin më lehtë në pah, për arsye se ai do të urdhëronte njerëz të cilët ishin mësuar të bindeshin, se në vendin e tij, ku do të kishte të bënte me njerëz individualistë, të pabindur si ai vetë.

Në një rast, Eqrem Vlora, në kujtimet e tij bën këtë përcaktim për karakterin e njerëzve të një prej zonave më të rëndësishme të Shqipërisë së Jugut, Labërisë, dhe kryeqendrës së saj Vlorës, duke u përqendruar tek anët e këqija të këtij karakteri: Vlora, në veçanti, dhe Labëria, në përgjithësi, kanë qenë gjithmonë një anije e vështirë për t’ u drejtuar në një det me stuhi. Kjo popullsi kishte veti shumë të bukura, kalorësiake, por edhe shprehi të urryera, të cilat ishin trashëgim dhe ngarkesë e një edukate luftarake mijëvjeçare, si dhe e një tradite mercenarizmi: ata ishin njerëz krenarë, gjaknxehtë, mendjemëdhenj, lakmitarë, tekanjozë, dembelë dhe joshoqërorë, sikundër mund të ishin njëherësh trima, të gatshëm për t’ u flijuar, bujarë, mikpritës, këmbëngulës dhe të besës. Këto karakteristika që Eqrem Vlora ka vënë re te lebërit dhe vlonjatët, si pjesë e tyre, mund të quhen shumë mirë një përcaktim i vlefshëm për të gjithë trevat shqiptare, nga Jugu në Veri, brenda dhe jashtë kufijve të shtetit shqiptar. Kotësia të cilën Mid’ hat Frashëri e quan si vetinë më të keqe të karakterit shqiptar që është bërë burim për shumë veti të tjera të këqija, është bërë shkak për një tjetër problem me karakterin e shqiptarëve. Me ta ndodhte që edhe ato veti që në pamje të parë dukeshin si të mira të karakterit, të shndërroheshin në të kundërtën e tyre për shkak të kotësisë që Mid’ hat Frashëri e ka quajtur si anën më të keqe të karakterit të shqiptarëve. Si një cilësi të tillë të mirë, por të shndërruar në të kundërtën e saj, Fan Noli do të shihte dinjitetin e shqiptarit. Në 1929 Noli shkruante në gazetën “Liria kombëtare” që dilte në Gjenevë: Vetëm kaq sa për dinjitetin? Aspak. Duhen vëllime për këtë fjalë fatale që i ka marrë më qafë shqipëtarët. Zaten e tërë tragjedia e Shqipërisë mund të përmblidhet në këtë fjalë të vetëme. Se a e dini se ç’ është dinjiteti për turko-bizantinët, greko-ballkanikët dhe franko-levantinët? Dinjiteti domethënë mbajtja e rëndësisë personale dhe e etikësë së jashtëme, është alfa dhe omega e qytetërisë për individualistët primitivë dhe barbarë. Prapa kësaj perdeje madhështore munt të shohësh të gjitha të zezat e dynjasë. Dhe për këtë, grekët që e njohin veten e tyre fare mirë, kanë një fjalë të bukur: “Ekso kuklla, mesa panuklla.” Domethënë, jashtë i bukur si kukëll, brenda i tmerruar si murtajë. Ndoshta Noli e tepronte për shkak se ishte akoma i zemëruar për shkak të dështimit të revolucionit të tij që kishte ndodhur vetëm pak kohë më parë, por nëse kemi parasysh atë që ka thënë Mid’ hat Frashëri për kotësinë si nënën e vetive të këqija të karakterit të shqiptarëve, atëherë kuptohet se në fund të fundit ka të drejtë Noli, i cili këtu e ka fjalën për dinjitetin e rremë të shqiptarëve në jetën politike dhe shtetërore të kohës. Kjo britmë që del nga shpirti i Nolit vjen për shkak të murit ku përplasi kokën ai kur u përpoq që të bënte reforma shoqërore në Shqipëri. Dhe Noli vuri re se mbrojtja më e mirë për strukturat e vjetëruara shoqërore në Shqipëri, nuk ishte fuqia personale e njerëzve që përfitonin prej tyre, të cilët ai i ka damkosur në personazhet e bejlurçinës dhe laros në “Don Kishotin” e shqipëruar prej tij me këtë qëllim, por ishte ndjenja e respektit që kishte gjithë shoqëria shqiptare për dinjitetin e të tjerëve , ligji i pashkruar shoqëror ku tjetrit nuk duhet t’ ia cënosh dinjitetin, edhe nëse e ke armik. E meqënëse dinjitetin këta njerëz e kishin siguruar në sajë të strukturave të vjetra shoqërore që ishin pengesë për përparimin e vendit, atëherë kjo do të thoshte që në vend nuk mund të bëhej asnjë reformë shoqërore. Prandaj, në të njëjtin artikull Noli shpërthen: Po e tërë Shqipëria nuk është veçse një muze prej mumjesh të gjalla me dinjitet firaunësh. Për dinjitet moral, për lartësinë e shpirtit, për madhështinë e brendshme, makar individualiste, askush nuk çau kokën nga bizantinët e levantinët tanë. Pa le për dinjitetin kolektif, nderin e popullit, lartësinë e atdheut, e madhështinë e kombit, fjalë që s’ kanë asnjë kuptim për ta e që përdoren vetëm si stoli retorike në fermanet e mazbatatë e tyre. Kaq sa për mësimet morale, sociale e politike. Fjalët e mësipërme të Nolit për dinjitetin e rremë duken shumë aktuale sot, kur në parlamentin shqiptar dëgjojmë deputetët e dy palëve t’ i nisin fjalimet e tyre me fjalët “Të nderuar deputetë”, dhe ku dëgjohet shpesh shprehja “Është në dinjitetin e këtij parlamenti”, për të vazhduar pastaj me sharjet më të rënda me nënë dhe babë për kundërshtarin. Jo më pak ndodh kjo gjë në institucionet e tjera të rëndësishme të shtetit, ku dëgjohet shprehja “Është në dinjitetin e institucionit që unë drejtoj”, nga titullarët e tyre, ndërsa fjalët “i nderuar”, fluturojnë andej-këtej. Dhe ky nuk është veçse “dinjitet firaunësh”, siç thotë Noli është hipokrizi orientelizmë e ckoqur deri sa nuk i korespondon sjelljes së vërtet politike që ata manifestojnë realisht.

 

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Vendimi që fundosi kreun e Kushtetueses

Kolegji i Posaçëm i Apelimit shkarkon nga detyra për çështjen e mosjustifikimit...
Read More