Kujtesa e Rugovës

rugova2Një protokoll zyrtar i bashkëpunimit mes dy vendeve, Kosovës dhe Shqipërisë, kujton sot, në 10-vjetorin e ndarjes nga jeta të ikonës intelektuale dhe politike, Ibrahim Rugovën. Konferenca shkencore në kujtesë të Rugovës, do të shoqërohet me 15 fotografi të rralla, që vijnë si dhuratë për Bibliotekën Kombëtare, të realizuar nga fotografi Fahredin Spahija

Kujtesa për Ibrahim Rugovën si duket do të shoqërohet përherë me gjurmë sa politike aq dhe në fushë të kulturës. Nëse e para mund të vlerësohet një kontribut historik, e dyta bën fjalë për një bibliotekë gjuhësore, letrare, kritike që e shndërrojnë Rugovën në një trashëgimi e fenomen i papërsëritshëm kulturor. Vetëm se ky nderim në 10-vjetorin e ndarjes nga jeta është përfshirë në protokollin e bashkëpunimit ndërmjet Institucioneve të Shqipërisë dhe Kosovës, në një veprimtari të përbashkët mes dy vendeve, me prezencë politike të ministrave të kulturës.

Ky takim do të jetë sot në Bibliotekën Kombëtare në 10-vjetorin e ndarjes nga jeta, në një konferencë shkencore dhe ekspozitën e quajtur, “Kujtesa e Rugovës”. Në shënim të kësaj veprimtarie për Rugovën, Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” sjell për publikun në Tiranë ekspozitën me botime të Rugovës dhe për Rugovën, që janë pjesë e fondit të kësaj biblioteke. Do të ekspozohen botimet e hershme, gjurmët e para si dhe do të vijohet me libra studimorë, teorikë, kritikë, eseistikë, biografikë, punime e ese të shkruara nëpër revista e gazeta, si një përzgjedhje, në përpjekjen që të jepet sa më e plotë tabloja për jetën dhe veprën e Ibrahim Rugovës, një pikënisje që përkon me marrjen dhe dhënien e asaj çfarë krijohet dhe çfarë ruhet nga trashëgimia e shtypur e kujtesës për Rugovën.

Në kujtim të Rugovës, krahas ekspozimit të librave, do të prezantohet për vizitorët ekspozita e fotografive dokumentare për Rugovën, nga fotografi Fahredin Spahija, sipas të cilit “fotografitë, nuk janë bërë me idenë për t’i ekspozuar, porse ka qenë një lloj reagimi karshi këtij personaliteti të jashtëzakonshëm – ikonë edhe intelektuale edhe politike e shqiptarëve”. Konferenca shkencore “Kujtesa e Rugovës”, vlerësohet si bashkëpunim real mes dy Bibliotekave, por edhe studiuesish nga Shqipëria dhe Kosova, që sipas organizatorëve synon “rrokjen e shumanshme të figurës së Ibrahim Rugovës si krijues, si intelektual dhe si personalitet i papërsëritshëm politik mbarëkombëtar”. Hapja dhe prezantimi i aktivitetit bëhet nga dy drejtorët e Bibliotekave Kombëtare të Shqipërisë dhe Kosovës, Persida Asllani dhe Fazli Gajraku, ndërsa ligjëratat që do të mbahen janë: “Zbulesa e kujtesa” nga ministri i Kulturës së Kosovës, prof. dr. Kujtim Shala; “kritika mbi ‘novatorizmin’”, nga prof. dr. Dhurata Shehri; “Ibrahim Rugova: primus inter pares” nga prof. as. dr. Nysret Krasniqi; “Rasti Rugova: Koherenca dhe inkoherenca të një ligjërimi politik”, prof. asoc. dr. Mark Marku  dhe prof. dr. Persida Asllani; “Rugova i jetës dhe i përjetshëm” nga dr. Muhamet Hamiti; “Qytetari i edukuar në frymën e demokracisë liberale dhe themeluesi i shtetit modern të Kosovës” nga Halil Matoshi etj.

Rugova, në 15 fotografi të Spahisë

Janë 15 fotografi, që shpërfaqin figurën e Ibrahim Rugovës, të cilat fillimisht u ekspozuan në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, në Prishtinë, për ta vazhduar rrugëtimin edhe drejt Tiranës. Autori i kësaj ekspozite, Fahredin Spahija, ka shpjeguar se këto fotografi do t’i dhurohen Tiranës, përkatësisht Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë. Ai më pas ka folur edhe për përvojën e tij përgjatë realizimit të portreteve të Ibrahim Rugovës, e deri te stili i veçantë i tij, që sipas Spahisë, imazhi me flokë të gjata dhe me syze dioptrie me kornizë të zezë ishte një tip tjetër intelektuali prej atyre që ishim mësuar të shihnim atëherë…

“Tre javë rresht isha tërësisht i okupuar me imazhet që kisha ngrirë nga angazhimet politike të Rugovës në periudhën e pasluftës deri në momentin kur në janarin e acartë të vitit 2006 u varros në varrezat e Velanisë. Kisha shumë foto të cilat i kisha ba vetëm për arkivën time personale. Periudha e përzgjedhjes së pesëmbëdhjetë fotografive që do të përbënin ekspozitën kushtuar Rugovës ishte, pa dyshim, pjesa më e vështirë e këtij procesi kompleks. Nuk dua ta lë pa e përmendë edhe ndihmën që ma dha në këtë faze prof. Nysret Krasniqi, i cili për këtë ekspozitë shkroi një recension të shkëlqyeshëm! Pastaj çdo gjë filloi të bëhej më e lehtë. Shtypa fotografitë e përzgjedhura dhe katalogun e ekspozitës, dizajnin e të cilit e bëra vet”, ka rrëfyer Spahija, për mediat e Kosovës.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Skandali në kopsht, rrëfimi i dhunueses: E rraha fëmijën, pastaj e përqafova

Administratorja dhe pronarja e kopshtit privat “Diren” Anjeza Shabani rrëfen para hetuesve...
Read More