Kualifikimi i hapur: Shtesa shpëton Francën përballë Shqipërisë heroike

France-v-Albania-Euro-2016-Group-AFranca ndëshkon kuqezinjtë me dy gola në minutat e fundit, pas një loje të shkëlqyer. Forcë, grintë dhe emocione, ishin ato që dhuruan të besuarit e De Biasit në ndeshjen e djeshme

Shqipërisë iu desh një fije fat në fund të ndeshjes. Dy ndërrime të detyruara ishin shumë për skuadrën e De Biasit, që nuk mundi të mbante në minutat e fundit presionin e një France me shumë talente dhe me më shumë energji. Një shtyllë dhe dy-tri momente të tjera të mira dhe një mbrojtje në perfeksion e bëri Shqipërinë të “trembte” Francën pretendente, ndërsa ndeshja po shkonte drejt barazimit. Shqipërisë kjo pikë do i bënte shumë punë, ndërsa tani vendi i të tretës më të mirë duket larg edhe pse jo i pamundur. Humbja me Zvicrën na peshon më shumë, pas paraqitjes fantastike në 90 minuta për Francës.

Humbasim edhe kur luajmë mirë. Vetëm kështu mund të konsiderohet disfata e djeshme e Kombëtares Shqiptare të Futbollit ndaj Francës, që ishte ndeshja e dytë e finaleve të Kampionatit Europian. Skuadra e drejtuar nga De Biasi, me mbështetjen e 24 mijë shqiptarëve, që ishin të pranishëm në “Velodrom”, na kanë bërë krenar për 90’ minuta, por si gjithmonë na e ka ngrirë buzëqeshjen në fytyrë. Francezëve iu kanë mjaftuar vetëm pesë minuta për të na rikthyer në realitet. Natyrisht që ndaj një ekipi si Franca, që ka në përbërje yje, humbja nuk është dramë, por mënyra se si ajo erdhi, të lë një shije të keqe. Golat e Griezman dhe Pajet, na kanë kujtuar edhe njëherë tjetër se pavarësisht lojtarëve, që kemi në fushë, apo trajnerit në pankinë, atëherë kur mendojmë se morëm edhe një rezultat pozitiv, ndëshkohemi, madje edhe me dy gola.

Pjesa e parë – Ashtu siç pritej, takimi ka nisur i shpejtë nga francezët që kërkojnë të shënojnë sa më parë golin e avantazhit dhe të sigurojnë fitoren, për të cilën do t’i duhet që të djersinin jo pak. Me një mbrojtje të vendosur mirë dhe mesfushë të ngjeshur, kuqezinjtë arrijnë të mbrohen mirë dhe kundërshtari tenton të gjejë rrjetën vetëm me goditje nga jashtë zone, por Berisha është pozicional dhe e ka të lehtë të kontrollojë, edhe pse duhet thënë se francezët duken jo shumë të motivuar. Por, me kalimin e kohës, edhe trajneri Deshamps ndërton mendim dhe kërkon më shumë nga të besuarit e tij, duke qenë se goli nuk po vinte. Lenjani dhe Sadiku janë një problem për mbrojtjen kundërshtare, ndërsa Lila arrin të fitojë pothuajse të gjitha duelet në mesfushë dhe për këtë ka edhe ndihmën e Hysajt mbrapa shpine, i cili është në një ditë mjaft të mirë. Minutat kalojnë dhe rasti i parë i rrezikshëm për kuqezinjtë do të vijë në minutën e 38’. Goditje këndi dhe Lenjani në zonën kundërshtare ka të gjitha mundësitë për ta dërguar topin në rrjetë, por nuk gjuan saktë, duke bërë që në shkallët e stadiumit të ketë vetëm drithërima.

Pjesa e dytë – Fakti që skuadra e tij nuk kishte arritur të bënte gjithçka mirë në pjesën e parë të takimit, ka bërë që trajneri Deshamps të aktivizojë Pogbanë në fraksionin e dytë. Mesfushori i jep një tjetër ritëm lojës së “gjelave”, por kuqezinjtë do të kenë mundësinë e artë për të kaluar në avantazh. Në minutën e 52’, Hysaj kroson në zonë dhe topi arrin të depërtojë në zonën e francezëve dhe i devijuar pak nga Lenjani, përplaset në shtyllë. De Biasi mbulon fytyrën, ndërsa Deshamps në stolin e skuadrës së tij, kërkon më shumë vëmendje. Loja, bëhet më e bukur dhe ritëm, ndërsa gara e vërtetë zhvillohet në mesfushë, ku duket se kuqezinjtë arrijnë të fitojnë edhe pse topin më shumë ne zotërim e kanë lojtarët e Francës. Griezman është në fushë, çka do të thotë një problem më shumë për mbrojtjen kuqezi. De Biasi kundërpërgjigjet me Roshin dhe Veselin, ky i fundit zëvendëson Ajetin. Ndërsa më herët Giru kishte goditur shtyllën e Berishës, pas një goditjeje me kokë. Minutat e fundit janë ato që shqiptarët i kanë më shumë frikë dhe aty ndëshkohen. Krosim nga krahu i majtë i sulmit, dhe Griezman kërcen më shumë se mbrojtësit kuqezi, duke e dërguar topin në rrjetë. “Velodrom” hesht, ndërsa De Biasi nuk iu beson syve, skuadra e tij është ndëshkuar edhe njëherë në fund. Arbitri i katërt akordon pesë minuta shtesë, por kuqezinjtë nuk kanë më asnjë shpresë për të barazuar, madje ndëshkohen edhe me golin e dytë, që ka për autor Griezman.

 

De Biasi, i zhgënjyer: Meritonim më shumë

Duke parë se si vajti loja, ndoshta trajneri Gianni de Biasi nuk e kishte menduar se skuadra e tij do të humbiste, madje me dy gola. Në deklaratën pas ndeshjes, tekniku ka folur më superlativë për lojën e ekipit të tij, duke thënë: “Është mëkat që humbëm, sepse ishim shumë pranë rezultatit pozitiv dhe u mundëm një minutë para fundit. Skuadra luajti një ndeshje të madhe dhe dhanë gjithçka, ndaj meritonim më shumë, duke parë si e interpretuam ndeshjen. Dhamë gjithçka, kishim mundësi dhe bëmë më të mirën, edhe pse nuk ia dolëm. Tifozët e panë dhe skuadra doli mes duartrokitjeve, me njerëzit që na kërkuan të shkonim poshtë tribunës ku ishin. Tani kemi edhe një ndeshje, të luajmë edhe atë e pastaj bëjmë llogaritë. Ishim një skuadër e vërtetë, që e vumë në vështirësi Francën, ndaj iu thashë djemve ta mbajnë kokën lart, sepse treguam që meritojmë të jemi këtu. Tani duhet të rigrumbullojmë energjitë dhe të mendojmë për ndeshjen e fundit, ku duam të shënojmë golin e parë në Europian dhe të marrim një rezultat pozitiv”, ka mbyllur De Biasi.

Sadiku: Ky ishte maksimumi ynë, por luanim ndaj Francës

Sulmuesi kryesor i Kombëtares Shqiptare në ndeshjen e djeshme ndaj Francës, Armando Sadiku është parë mjaft i zhgënjyer pas takimit. Në intervistën e dhënë për “SuperSport”, ai është shprehur: “Jam shumë i hidhëruar nga kjo humbje, duke qenë se kemi pësuar golin në minutat e fundit dhe nuk kishim kohë që të reagonim. Nëse do të kishim mundur do të kishim ndërruar skemë dhe për këtë arsye jam shumë i zhgënjyer. Personalisht, jam përpjekur që të bëj më të mirën time dhe të ndihmoja skuadrën edhe në fazën mbrojtëse, pasi kemi luajtur aty për shkak të kualiteteve që ka në përbërje skuadra e Francës. Megjithatë, ky ishte maksimumi ynë, nuk mund të bënim më shumë ndaj një skuadre me yje, siç është edhe Franca”, është shprehur sulmuesi që premton maksimumin në takimin ndaj Rumanisë. “Kemi katër ditë kohë deri në ndeshjen ndaj Rumanisë dhe aty do të luajmë të gjitha shanset tona që të arrijmë kualifikimin në turin tjetër. Kemi besim dhe kohë që të ngremë moralin e skuadrës”, ka mbyllur Sadiku.

Memushaj dorëzohet: Ky është futbolli

Ledjan Memushaj ka qenë një nga lojtarët më të mirë në ndeshjen e djeshme, duke bërë maksimumin dhe vrapuar shumë në fushën e blertë. “Nuk më hyjnë në asnjë moment në punë komplimentet për lojën time të mirë, në një kohë që skuadra nuk mori një rezultat pozitiv. Nuk e kemi merituar që të dilnim me humbje nga fusha, pasi barazimi do të ishte rezultati më i drejtë, por futbolli është i tillë, Pas golit që pësuam, gjithçka ka mbaruar. Megjithatë, edhe nëse do të dilnim barazim në këtë ndeshje, ndaj Rumanisë na nevojitej një fitore, kështu që duhet ta marrim. Sot (dje), kemi luajtur shumë mirë me një prej ekipeve më të mira të kampionatit, por nuk shfrytëzuam rastet që na u dhanë, ndërsa Franca po”, ka mbyllur Memushaj.

Hysaj: Me Rumaninë luajmë shpresën e fundit për kualifikim

Elseid Hysaj ka qenë mjaft i zhgënjyer në përfundim të takimit të djeshëm, ku kuqezinjtë kanë humbur në shifrat 2-0, duke u ndëshkuar në fund. “Zhgënjim shumë i madh, sepse luajtëm bukur dhe fati s’na ndihmoi në minutat e fundit. Por futbolli kështu e ka”. Mbrojtësi kuqezi u shpreh krenar për paraqitjen e skuadrës dhe për mbështetjen e tifozëve, megjithatë, thekson se Shqipëria është paraqitur në Kampionatin Europian për të bërë edhe diçka më tepër. “Jemi këtu dhe Shqipëria duhet të jetë krenare. I falënderojmë tifozët për mbështetjen pas kësaj humbjeje, por ne kemi ardhur në këtë Europian për të bërë diçka më shumë”, tha mbrojtësi. Tashmë e gjithë vëmendja do të jetë në ndeshjen e fundit të Grupit A, kundër Rumanisë. Dueli në Lyon është shpresa e fundit e Shqipërisë, për të regjistruar rezultatin e parë pozitiv në histori, në një eveniment madhor dhe pse jo për t’u kualifikuar. “Shpresa për kualifikimin kemi, duhet të mendojmë që të hyjmë në fushë, të vetëdijshëm se me Rumaninë është shpresa e fundit”, ka mbyllur lojtari.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Konspiracioni i koalicionit të madh

Si asnjëherë më parë pikëpyetja e fushatës nuk është se cila parti...
Read More