fbpx

Kryesore

Krijimi i FRESSH dhe përplasja e Ilir Metës me Fatos Nanon





               Publikuar në : 09:46 - 18/01/19 |
mapo.al

Fillimet politike të njërit prej krerëve më të rëndësishëm të politikës në 25 vite. Rrëfimet e Kryemadhit për aktivizimin në FRESSH. Si u akuzua Meta për aleancë fluide me Berishën në vitin 1996 dhe letrat e Fatos Nanos nga burgu për Ilir Metën, që nuk u bënë publike


Nga Luljeta Progni



Në vjeshtën e vitit 1990, pak javë para se të rrëzohej sistemi komunist në Shqipëri, Ilir Meta ishte student në Fakultetin e Ekonomisë dhe një ndër ata që e kishte përzemër pedagogu problematik me sistemin, Gramoz Pashko.


Në mbledhjen e organizuar nga sekretariati i partisë së universitetit ku do të kritikohej pedagogu Pashko (për shkak se kishte shkruar e folur me kritika ndaj sistemit socialist), ishte nga njëra anë Foto Çami në emër të Byrosë Politike dhe nga ana tjetër disa studentë që ndodheshin aty për të mbrojtur profesorin e tyre, Gramoz Pashko.

Një prej tyre ishte edhe Ilir Meta. Guximi i tij për t’u përballur me sistemin për të mbrojtur pedagogun, sot duket një gjest normal, por në atë kohë nuk ishte kaq e thjeshtë.

Shqipëria kishte një bilanc tragjik të viktimave të atyre që kishin guxuar të mendonin ndryshe nga regjimi. Ndaj dhe dukej kaq i guximshëm ajo sjellje në atë kohë kur aparati i regjimit ishte ende në këmbë.

Megjithatë, prej disa muajsh ishte thyer miti i dorës së hekurt të diktaturës. Pashko kishte folur e deri në ato ditë nuk kishte pësuar gjë, Berisha kishte shkruar dhe nuk ishte ndëshkuar, Ylli Popa gjithashtu.

Sido që të ketë qenë, guxim apo qëndrim i mbështetur nga vetë sistemi, e vërteta është se Meta e mbrojti profesorin e tij Pashko në përballjen me Foto Çamin, asokohe sekretar për propagandën në Komitetin Qendror të PPSH-së dhe Byronë Politike.

Bashkëshortja e Gramoz Pashkos ka deklaruar këtë fakt në një bisedë për librin “Pardesytë e Bardha”.

Mbaj mend që është mbledhur Organizata e Partisë së Rektoratit dhe atje është sulmuar mjaft ashpër Gramozi. Madje, ai u sulmua nga intelektualë, që më vonë u bënë pjesë e skenës politike kryesisht nga krahu tjetër, PS-ja.

Në atë mbledhje në rektorat ishte i pranishëm edhe Foto Çami dhe studentët e Gramozit ishin atje. Një detaj më kujtohet, kur njëri prej studentëve të Gramozit u ngrit dhe e ka mbrojtur Pashkon në atë mbledhje. Ishte Ilir Meta.

Edhe studentët e tjerë e kanë mbrojtur. Duket se ishte vonë për regjimin që të mund të ndëshkonte fort ata që i dilnin kundra. U pa qartë kjo edhe në atë mbledhje, -thotë Mimoza Pashko.

Më pas, Ilir Meta ishte një ndër studentët e dhjetorit që u përzgjodh nga Fakulteti i Ekonomisë për të qenë përfaqësues në takim me Ramiz Alinë, më 11 dhjetor të vitit 1990. Më pas, ai u angazhua në Lëvizjen Rinore Socialiste e quajtur FRESSH.

U anëtarësua në këtë forum në vitin 1992, kur u themelua FRESSH-i.

Ky forum do të ishte streha e tij për t’u bërë një ndër politikanët më të rëndësishëm në PS dhe një ndër politikanët më të pushtetshëm në vend.

FRESSH u kthye shpejt në një “parti” brenda PS-së. Kjo për faktin se në këtë forum u angazhuan disa të rinj, që kishin qenë studentë të dhjetorit ’90.

Ata morën shumë hapësirë nga PS-ja me qëllimin për t’u përdorur si një pjesë e pastër e kësaj partie e cila kishte mbi supe të shkuarën e saj komuniste. Ishte koha kur PS-ja nuk kishte kryer reforma, përveçse kishte ndryshuar emrin nga PPSH në PS. Të rinjtë e FRESSH-it pretenduan se u përdorën nga krerët e PS-së për të pastruar imazhin e nxirë nga e shkuara komuniste. Ata ishin të ndërgjegjshëm për këtë, por ndërkohë ata po hartonin një tjetër plan, për t’u bërë një forcë e rëndësishme brenda PS-së. Strategjia ishte e Ilir Metës, i cili mbështetej edhe nga disa drejtues të PS-së që shpejt do të pozicionoheshin kundër Nanos në parti, kohë kur brenda PS-së, po shfaqej lufta për pushtet.

Bashkëshortja e Ilir Metës, Monika Kryemadhi, e pohon faktin se FRESSH-i u përdor nga PS-ja. Kryemadhi është një ndër FRESSH-istet e para dhe pjesë aktive e këtij forumi, deri ditën kur bashkë me të tjerë u largua nga PS-ja për të themeluar Lëvizjen Socialiste për Integrim.

Fillimisht Partia Socialiste ishte e interesuar, që të krijohej një forum rinor, sepse i duhej që të baraspeshonte gjithë atë lëvizje studentore rinore, që ishte rreth PD. Atje ishte përqendruar gjithë potenciali antikomunist. Ndërsa PS ishte si një parti, që vetëm kishte ndryshuar emrin dhe ishte qartazi trashëgimtare e PPSH. Pra, në këto kushte, PS-së i duhej një grup njerëzish, që do të ndryshonin imazhin e saj në këtë drejtim. Pra, unë mendoj se në fillim lidershipi i PS-së i angazhoi individët e FRESSH me qëllim për t’i përdorur. Por ata nuk i kishin bërë llogaritë mirë. Ishte fjala për njerëz, që vinin nga një background i rëndësishëm angazhimi. Në krye të FRESSH kishte individë, që vinin nga lëvizja e dhjetorit ‘90 për rrëzimin e sistemit komunist në Shqipëri. Ne e kuptuam shumë shpejt këtë dhe reaguam. Patëm mbështetjen e një pjese të rëndësishme të intelektualëve të PS-së. Me mbështetjen e tyre, ne kërkuam ndryshime në statutin e PS-së, ku u vendos një farë pavarësie e FRESSH nga partia, thotë Kryemadhi.

 

Meta dhe ngjarja e Poliçanit

Ngjarja e Poliçanit është një ndër pikat kulmore të fillimeve politike të Ilir Metës. Ai u bë “heroi” i socialistëve në tetor të vitit 1992, kur shkoi në Poliçan për të mbështetur popullin e kësaj zone, që kishte nisur një grevë me qeverinë e re të PD-së. Atje po organizohej një grevë e përgjithshme pasi ishte mbyllur fabrika e armëve dhe për këtë arsye kishin mbetur pa punë shumica e popullsisë së Poliçanit. Gjatë protestave pati përplasje fizike të protestuesve me policinë. Ilir Meta u shfaq ato ditë të nxehta politike në Poliçan dhe për këtë arsye ai u akuzua nga mazhoranca e sapoardhur në pushtet e drejtuar nga PD-ja, si një ndër organizatorët e asaj proteste. Për këtë arsye u propozua nga Kuvendi heqja e imunitetit e kërkuar nga prokuroria. Pas një debati të gjatë në parlament, ku Meta në të vërtetë u la vetëm, pa mbrojtje nga drejtuesit e PS-së, çështja u ndërpre për mungesë provash dhe Ilir Meta nuk e humbi imunitetin. Por, me këtë betejë ai fitoi një emër të rëndësishëm si një ndër politikanët e rinj, që premtonin shumë në betejë me Partinë Demokratike asokohe në revansh, për shkak të mazhorancës së fituar në zgjedhjet e 22 marsit 1992.

Në verën e vitit 1993, më 31 korrik u arrestua kryetari i PS-së Fatos Nano, ndërsa FRESSH u angazhua për të sensibilizuar opinionin brenda dhe jashtë vendit për arrestimin e tij. Kryetari i PS-së u arrestua me akuzën “abuzime me ndihmat humanitare”, që kishin mbërritur në Shqipëri në vitin 1991, kur Nano ishte kryeministër. Por, PS-ja dhe FRESSH-i e cilësuan Fatos Nanon të burgosur politik nga Berisha. Shumë shpejt kjo do të kthehej në bindje edhe për ndërkombëtarët.

Pas ngjarjes së Poliçanit, Ilir Meta shihej si një ndër figurat më të rëndësishme të PS-së dhe për këtë arsye ai u zgjodh si një ndër katër nënkryetarët e PS-së, që ishin caktuar me bekimin e Nanos për të drejtuar partinë në mungesë të tij, pasi tashmë ishte në burg. Meta ishte pjesë e rëndësishme e vendimmarrjes në PS, ndërsa FRESH-i po avanconte me shpejtësi në rritjen e protagonizmit politik. FRESH-i në atë kohë drejtohej nga Pandeli Majko, por Meta kishte gjithashtu peshë specifike në vendimet dhe aktivitetin politik të këtij forumi.

Një tjetër detaj mjaft i rëndësishëm, që i dha peshë FRESSH-it, ishte anëtarësimi i kësaj organizate në Internacionalen Socialiste. PS-ja ishte ende larg këtij forumi për shkak të së shkuarës komuniste.

Ishte një investim kryesisht i Ilir Metës, i cili kishte krijuar një lidhje specifike me social-demokratët danezë.

U krijua një bashkëpunim shumë i mirë për forumet socialiste të vendeve të tjera dhe ne nisëm të konsideroheshim të rëndësishëm në rrafsh ndërkombëtar. Ilir Meta bashkë me të tjerë, krijuan lidhje të drejtpërdrejta me Internacionalen Socialiste dhe me forumet rinore të Internacionales Socialiste. PS e kishte të pamundur të bashkëpunonte me këto struktura. Ky ishte një moment mjaft i rëndësishëm, kur PS nisi të krijojë një farë varësie ndaj nesh, thotë Kryemadhi.

FRESSH-i u pranua në Internacionalen e Rinisë Socialiste në vjeshtën e vitit 1993, në Kongresin e 20-të të Forumit të Rinisë së Internacionales Socialiste. Pesha politike e të rinjve të FRESSH-it sa vinte e rritej, në një ambient të trazuar figurash në PS. Në të njëjtën kohë Nano fitonte më shumë popullaritet, jo vetëm në PS, por edhe në gjithë spektrin politik. Akti i burgosjes, politik apo jo, po e kthente atë në një “hero”, siç edhe shumëkush e quante në Partinë Socialiste.

Bashkë me rritjen e peshës politike, mes grupit të Metës dhe atij të Nanos, po evidentohej gjithnjë e më shumë ndarja, për të mbërritur deri në betejën e kongresit të majit, ku u shfaq e hapur lufta politike mes krahëve kundërshtarë në PS.

 

Akuza për bashkëpunim me Berishën

Pesha në rritje e FRESSH-i nuk vinte kaq thjesht. Të rinjtë socialistë nuk ishin asnjëherë pjesë e sulmeve politike, që i bënte mazhoranca e djathtë. Retorika antikomuniste e PD-së së Berishës ishte më e ashpër se kurrë ndaj PS-së. Ilir Meta dhe të rinjtë e PS-së nuk u goditën asnjëherë nga Berisha. Kjo ishte një ndër detajet që çuan kryetarin Nano dhe mbështetësit e tij në akuzën për marrëveshje fluide mes Metës e Berishës.

Një moment i rëndësishëm është edhe revanshi që Berisha ndërmori ndaj disa kandidatëve të PS-së për zgjedhjet e 26 majit, duke i cilësuar spiunë të Sigurimit të Shtetit. Kjo detyroi disa prej tyre të tërhiqen nga kandidimi për deputet në këto zgjedhje. Ilir Meta shpëtoi nga ky sulm.

Kryemadhi e kujton kështu atë kohë, kur Meta akuzohej për marrëveshje me Berishën.

“Para zgjedhjeve të 26 majit, ne si FRESSH, kishim organizuar një miting proteste në pallatin e sportit. Ftuam TVSH, por problemi ishte, se duhej një drejtues i rëndësishëm i PS-së, që të mund ta filmonte dhe transmetonte aktivitetin e opozitës në televizionin publik, pasi mbi këtë rregull funksiononte atëherë. Duheshin nënkryetarët e partisë, njëri prej tyre. Ne nuk na erdhi asnjë prej tyre dhe kjo na la shije shumë të keqe. Por, tre deputetët e FRESSH ndërhynë në TVSH dhe aktiviteti u filmua dhe u transmetua. Për ne ishte e rëndësishme të transmetohej, pasi në atë aktivitet kishim të ftuar edhe një delegacion nga Belgjika. Ky ishte edhe momenti, kur PD-ja përfitoi, për të krijuar një lloj përçarjeje. Pasi u transmetua aktiviteti, drejtuesit e partisë reaguan dhe thanë, se ju paska çuar Berisha kamera për t’ju filmuar. Në fushatën e zgjedhjeve të 26 majit, Berisha nxori ligjin që penalizonte disa kandidatë për deputetë, pra nuk i lejonte të kandidonin, duke sajuar ligjin për pastërtinë e figurës. Dhe shumë kandidatë të PS-së u skualifikuan. Nga radhët e FRESSH-it nuk u penalizuan, pasi nuk kishin ku kapeshin, por kjo u përdor për alibinë e “mbështetjes së Berishës”, thotë Monika Kryemadhi.

 

Përplasja mes Nanos e kundërshtarëve në PS

Kishte kaluar më shumë se një vit prej momentit kur Fatos Nano ishte në burg dhe drejtuesit në krye të PS-së, Servet Pëllumbi i cili ishte në atë kohë zv.kryetar i PS-së, Ilir Meta, Spartak Poçi e Luan Hajdaraga nënkryetar të kësaj partie, vendosën që të nisin procesin e reformimit të partisë përmes zgjedhjeve të reja.

Më 30 prill 1994 u mblodh KPD, pikërisht për nisjen e fushatës së zgjedhjeve të reja në PS. Në këtë mbledhje u miratuan disa ndryshime në statut, të cilat synuan demokratizimin e partisë. U përfshi, ndër të tjera, liria e mendimit në parti me sloganin “demokracia e brendshme në parti, është kusht thelbësor për funksionimin e PS-së”.

Kjo mbledhje dhe nisja e këtij procesi, është një ndër momentet e rëndësishme në këtë parti, pasi kryetari Nano ishte në burg dhe platformat e ndryshimit, po kryheshin nga drejtuesit e PS-së, të kryesuar nga Servet Pëllumbi, pa ndihmesën e Nanos dhe larg ndikimit të tij. Por, ky i fundit ishte një hap përpara tyre. Nëpërmjet letërkëmbimit me Kryesinë, Nano kishte kërkuar reformim të plotë të programit dhe statutit, dhe jo arnime të tyre. Për sa i përket letërkëmbimit me Kryesinë e PS-së, Nano tha më vonë se, (krerët kryesorë të PS-së kishin fshehur disa prej letrave që ai kishte dërguar në adresë të Kryesisë). Edhe për këtë moment, Monika Kryemadhi e ka një përgjigje pasi ajo pretendon se Nano kishte tentuar të përdorte Ilir Metën kundër drejtuesve të PS-së, por nuk ia kishte dalë.

Ndërkohë që po zhvilloheshin konferencat e PS-së nëpër rrethe, PD-ja kishte nisur të hartonte projekt-kushtetutën, si një ndër kushtet e vëna nga ndërkombëtarët. Në fillim të tetorit 1994 Parlamenti vendosi të kalojë për referendum projekt-kushtetutën e hartuar. Kundërshtimi i PS-së qe i ashpër, i fortë dhe kërkoi rrëzimin e projekt-kushtetutës. Ajo i trembej konsolidimit të pushtetit të PD-së dhe nisjes së procesit të dekomunistizmit në shoqëri, i cili mund të merrte përmasat e një gjuetie. Kryetari i PD-së, Eduard Selami, nisi fushatën për referendumin e Kushtetutës, ndërsa socialistët e quajtën atë një projekt që varroste demokracinë. Konkretisht Kushtetuta kontestohej në pikën për kompetencat e presidentit. Presidenti merrte pushtet absolute, nëse miratohej Kushtetuta. Më 6 nëntor 1994 populli shqiptar shkoi në referendum për Kushtetutën. Kundër saj votuan 61% e votuesve. Kjo përkthehej në fitore shumë të rëndësishme për PS-në dhe veçanërisht për grupin drejtues në këtë parti, i cili kishte nisur të konsiderohej njëkohësisht edhe si grupi kundër Nanos.

 

Ndryshimet në statut, debatet për Marksin

Më 8 korrik 1995, në kongresin e dytë të FRESSH-it, u zgjodh kryetar i këtij forumi Ilir Meta. Më 23 mars 1996 nisi punimet Kongresi i Dytë i PS-së, i cili kishte si qëllim ndryshimin e statutit dhe programit si dhe zgjedhjet e reja në parti.

Si mesazh elektoral i PS-së në këtë kongres u zgjodh slogani: “Bashkë me ne, për një demokraci të vërtetë”. Fatos Nano dërgoi përshëndetje nga burgu, për kongresin. Ai i drejtohej anëtarësisë dhe forumeve të partisë. Nano identifikonte në mesazhin e tij dy kategori në drejtimin e partisë. Ai shprehej se PS-ja po reformohet nga disa ish-komunistë me ide të reformuara dhe duket e kishte fjalën për Servet Pëllumbin, Namik Doklen e Gramoz Ruçin, bashkë me të tjerë në nivele më të ulëta të forumeve drejtuese të partisë. Intelektualët, shprehej ai, janë pjesa tjetër me kontribut vendimtar në reformimin e partisë.

Sot PS e reformuar, nga një grup intelektualësh dhe ish-komunistësh me ide reformatore, u shndërrua në forcën politike eurosocialiste më të organizuar dhe më të votuar në Shqipëri.

Kongresi që po drejtohej nga katër nënkryetarët miratoi listën e kandidatëve për forumet drejtuese, e cila duhej të miratohej nga KPD-ja. Kongresi zgjodhi edhe 614 delegatët e rinj. U miratuan ndryshimet në programin dhe statutin e partisë. Këto ndryshime sërish nuk e preknin thelbin “punist” të PSSH-së. Marksi kishte mbetur i paprekur në program, një ikonë e fjetur, por domethënëse, pesë vjet pas kthimit të saj nga një parti-shtet në parti pluraliste.

Në forumet drejtuese të kësaj partie u zgjodhën njerëz kryesisht nga Meta dhe kundërshtarët e tjerë të Nanos në PS.

Por, procesi nuk përfundon këtu. Forumet do të pësonin tjetër ndryshim. Ishte momenti kur Fatos Nano do të publikonte nga burgu mocionin për debat brenda PS-së. Në fazën e dytë të kongresit, në gusht 1996, Nano do ta kthente të gjithë situatën në favorin e tij, duke lënë jashtë forumeve Metën dhe mbështetësit e tij në parti.


Etiketa: , , , , , ,

Pas