KPK e rikonfirmon, Dvorani drejt Kushtetueses?

Ardian Dvorani u rikonfirmua në detyrë nga KPK-ja. Partia Demokratike akuzoi se vendimi ndaj Dvoranit ishte i paracaktuar, farsë dhe politik me qëllim emërimin e tij nga Rama në Gjykatën Kushtetuese. Kuvendi në anën tjetër shpalli vakancën për një anëtar të Kushtetueses pas shkarkimit me vendim të formës së prerë të Fatos Lulos, pasi nuk kaloi testin e pasurisë   

Gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Ardian Dvorani u rikonfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Dvorani e priti vendimin në sallë përballë trupës së KPK-së. “Kushdoqoftë vendimi, gjyqtari duhej të paraqitej. Unë ndihem mirë që Komisioni vlerësoi karrierën time dhe mënyrën time të jetesës si pozitive…”, -tha Dvorani për mediat në fund të vendimit.

Vakanca

Vetëm pak orë më pas, Kuvendi përcolli një njoftim zyrtar të botuar në linkun parlament.al. Me qëllim plotësimin e “vakancës së parakohshme” të krijuar për shkak të mbarimit para afatit ligjor të mandatit të z. Fatos Lulo, Kuvendi shpalli hapjen e procedurës së aplikimit për vendin vakant për një anëtar të Gjykatës Kushtetuese. Fatos Lulo është shkarkuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit për shkak të mos justifikimit të pasurisë dhe ky vendim nuk u ndryshua më pas as nga Kolegji i Apelimit. Vendimi për Lulon i hapi rrugë Kuvendit, që të shpallë vakancën, për të zgjedhur një anëtar të ri të Kushtetueses me shumicë të thjeshtë në fillim të shtatorit.  Gjykata Kushtetuese ndodhet në ngërç dhe në pamundësi për t’u mbledhur, pasi aktualisht ajo ka në përbërjen e saj vetëm dy anëtarë që kanë kaluar vettingun, Bashkim Dedja kryetar i Gjykatës Kushtetuese, për të cilin ONM-ja ka ngritur një pretendim konkret, dhe Vitore Tusha që e kaloi e para testin e pasurisë.

Kriteret

Sipas njoftimit të Kuvendit, gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese mund të zgjidhet shtetasi shqiptar që përmbush këto kushte: të ketë zotësi të plotë për të vepruar; të ketë mbaruar arsimin e lartë juridik, Diplomë e Nivelit të Dytë; të mos ketë ushtruar funksione politike në administratën publike dhe të mos ketë mbajtur pozicione drejtuese në parti politike gjatë 10 viteve të fundit nga data e kandidimit; të mos jetë në procedim penal dhe të mos jetë dënuar me burgim për kryerjen e një vepre penale; të mos jetë larguar nga detyra për shkaqe disiplinore dhe të mos ketë masë disiplinore në fuqi; të ketë kaluar me sukses procesin e kontrollit dhe verifikimit të pasurisë së tij personale dhe të familjarëve të tij, sipas ligjit.

Kandidati që përmbush kushtet e parashikuara më sipër, duhet të plotësojë edhe këto kritere: të ketë përvojë pune jo më pak se 15 vjet si gjyqtar, prokuror, avokat, profesor ose lektor i  së drejtës, jurist i nivelit të lartë në administratën publike; të ketë një veprimtari të njohur në fushën e të drejtës kushtetuese, të drejtave të njeriut ose sfera të tjera të së drejtës; të jetë vlerësuar për aftësitë profesionale dhe integritetin etik e moral.

PD akuza Dvoranit

Për Partinë Demokratike, vendimi i KPK-së për Dvoranin nuk ishte i papritur dhe se këtë gjë e kishin paralajmëruar pak ditë më parë, kur Dvorani u paraqit për të dhënë shpjegime para KPK-së për pasurinë e tij.  Përmes nënkryetarit të grupit parlamentar Enkelejd Alibeaj, PD-ja akuzoi Dvoranin se nuk i plotësonte kriteret për të kaluar vettingun, procesi ishte farsë dhe se ky i fundit ishte i paracaktuar i Edi Ramës për të shkuar si anëtar në Gjykatën Kushtetuese.

“…Ardian Dvorani është i vetmi gjyqtar në Republikën e Shqipërisë që nuk ka zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila vendosi në 2016-ën se mandati i Ardian Dvoranit si anëtar i Gjykatës së Lartë kishte përfunduar që në 2014-ën dhe se qëndrimi në detyrë ishte antikushtetues.

Ardian Dvorani, zgjodhi të mos zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por urdhrin politik të Edi Ramës për të qëndruar në detyrë 4 vite pas mbarimit të mandatit, sepse ai është projektuar të emërohet anëtar i Gjykatës Kushtetuese…”, tha Alibeaj, dhe jo vetëm. Nisur nga diskutimi në seancën ndaj Dvoranit, Alibeaj shtoi:  “…Fshehja e 100 milionë lekëve nga Ardian Dvorani nuk ishte fakt i mjaftueshëm për organin e vettingut që ta shkarkonte shërbëtorin e Edi Ramës në  Gjykatën e Lartë, ndërkohë që, në raste të tjera, me të drejtë, vettingu ka shkarkuar gjyqtarë për 3 milionë lekë të vjetra të padeklaruara… Përfundimi për Dvoranin dihej, sepse organi i vettingut nuk po funksionon si i pavarur, por në shërbim të Edi Ramës, për të lënë në sistem gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar dhe shërbëtorë politikë të Edi Ramës.  Nëse procesi i vettingut nuk do të ishte i korruptuar politikisht, sot Ardian Dvorani duhet të ishte shkarkuar nga detyra për fshehje të pasurisë, përfitim të paligjshëm të pasurisë dhe mungesë integriteti moral dhe profesional…”. Deputeti demokrat hodhi dyshime për lidhje të Dvoranit edhe me vëllanë e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. “…Ajo çfarë mbetet e pasqaruar nga procedura e verifikimit të vettingut të Ardian Dvoranit është, nëse miku i familjes së Fatmir Xhafajt, ka patur ndonjë kontakt me Agron Xhafajn dhe a i ka shërbyer ndonjëherë vëllait të Ministrit të Brendshëm dhe bandës së tij të trafikut ndërkombëtar të drogës? Partia Demokratike e konsideron konfirmimin në detyrë të shërbëtorit të Edi Ramës në Gjykatën e Lartë si një lajm të keq për Reformën në Drejtësi dhe procesin e vettingut, duke i vënë atij vulën e një procesi farsë dhe politik”, -tha Alibeaj.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Deri kur do të qëndrojë në detyrë kryeprokurorja e re

Avokati i Popullit ka njoftuar Kuvendin se ka seleksionuar 3 kandidatë nga...
Read More