Komisioni i Venecias i hap “dritën jeshile” ligjit të pronave

veneciaKomisioni i Venecias i ka kthyer përgjigje Gjykatës Kushtetuese për përputhshmërinë e ligjit të pronave me legjislacionin ndërkombëtar. Venecia ka pranuar si korrekt ligjin në raport me Konventën e të Drejtave të Njeriut

Pronat e shpronësuara gjatë regjimit komunist në vendin tonë do të kompensohen sipas statusit juridik të asaj kohe dhe jo sipas statusit që ato kanë aktualisht. Pra, nëse një sipërfaqe toke është shpronësuar si tokë bujqësore në vitin 1944 dhe sot mund të përkojë me një truall në një nga qendrat më të rëndësishme të Tiranës, ajo do t’i kompensohet pronarit si tokë bujqësore. Kjo pasi Komisioni i Venecias i ka dhënë “dritën jeshile” ligjit të pronave të miratuar nga qeveria vitin e shkuar dhe nëpërmjet të cilit synohet t’i jepet zgjidhje përfundimtare çështjes së kthimit dhe kompensimit të pronës. Komisioni i Venecias i ka kthyer përgjigje Gjykatës Kushtetuese për kërkesën e kësaj të fundit, duke vlerësuar ligjin e pronave si në përputhje me Konventën e të Drejtave të Njeriut dhe standardet europiane të trajtimit të saj.

Opinioni

Në një material të gjatë 11 faqe 3 gjyqtarët Bogdan Aurescu (Rumani), Christoph Granwarter (Austri) dhe Monika Hermanns (Gjermani) drejtuar Gjykatës Kushtetuese shqiptare, kanë bërë një analizë të gjatë të situatës së pronave në Shqipëri dhe duke parë përputhshmërinë e ligjit të pronave të miratuar vitin e fundit nga parlamenti shqiptar me Kushtetutën e Shqipërisë dhe legjislacionin europian të pronave. Ndërsa thekson se ndryshimi i herëpashershëm i legjislacionit të pronave në Shqipëri ka sjellë një konfuzion ligjor dhe për rrjedhojë mungesë të efektshmërisë së formulave të ndryshme të kompensimit, çka ka sjellë dhe një numër shumë të madh çështjesh të shkojnë në Gjykatën e Strasburgut. Pikërisht nisur nga kjo gjendje Komisioni i Venecias ka parë edhe trajtimin e këtij ligji të ri. Duke iu referuar pikërisht edhe pyetjeve që shtron Gjykata Kushtetuese në kërkesën e saj për përgjigje, Komisioni i Venecias sqaron fillimisht se sa i përket vendimeve përfundimtare administrative apo gjyqësore, të cilat përmbajnë një sasi të caktuar të kompensimit, por që ende nuk janë zbatuar, në mënyrë të padiskutueshme rrisin një “pritje legjitime” dhe nuk do të rivlerësohen në bazë të ligjit nr. 133/2015. Në këto raste, nuk ka “ndërhyrje” brenda kuptimit të nenit 1 të Protokollit 1 të KEDNJ-së, për aq kohë sa këto vendime zbatohen në mënyrë të rregullt. Ndërkohë që në lidhje me vendimet që përcaktojnë kthimin ose kompensimin vetëm në sipërfaqe dhe jo në vlerë financiare, nuk është e qartë se sa larg mund të shkojnë pritshmëritë legjitime. Gjithashtu Komisioni i Venecias thekson se ligji nr. 133/2015 mbi skemën e re të kompensimit ka ndryshuar metodën e vlerësimit, e cila mund të çojë në një kompensim më të ulët megjithatë ai mund të kualifikohet si një “ndërhyrje tjetër” sipas nenit 1 të Protokollit nr.1 të KEDNJ. “Ndërhyrja, megjithatë, ka një bazë të qartë ligjore në ligjin nr. 133/2015 (dhe tri aktet nënligjore që në mënyrë të rregullt plotësojnë ligjin nr. 133/2015). Ndaj dhe duket, të jetë një bazë mjaft e qartë dhe e detajuar ligjore për ndërhyrjen në fjalë. Ndërhyrja gjithashtu ndjek një qëllim legjitim, siç është qëllimi në ligjin nr. 133/2015 që në mënyrë efektive finalizon procesin e trajtimit të pronës me anë të njohjes dhe kompensimit. Duke e vendosur në sfondin e problemeve të ndryshme në lidhje me përfundimin efektiv të kthimit dhe kompensimit në Shqipëri, qëllimet e Ligjit nr. 133/2015 gjithashtu duket se janë në interesin publik brenda kuptimit të nenit 1 të Protokollit 1 të KEDNJ”, -thuhet në opinionin e Komisionit të Venecias. Gjithashtu edhe sa i përket reduktimit të vlerës së pronës që do shpronësohet Komisioni i Venecias thekson se “ndërhyrja është proporcionale nëse fondi financiar prej 50 miliardë lekësh i atribuohet skemës së kompensimit për një periudhë prej 10 vjetësh është përcaktuar me kujdes në buxhetin e shtetit në tërësi si dhe në PBB-në shqiptare”. “Në situatën specifike të Shqipërisë, mund të argumentohet se një kornizë e re dhe efektive ligjore sigurohet nga ligji nr.133 / 2015, i cili mund të çojë në një sasi më të ulët të kompensimit për të paguar ish-pronarë, por përmbush kërkesat e proporcionalitetit, siç përcaktohet në nenin 1 të Protokollit nr.1 të KEDNJ”, -thuhet në opinion.

Përfundimi

Në përmbyllje të kësaj analize, Komisioni i Venecias vlerëson se në tërësinë e tyre ndërhyrjet që bën qeveria me ndryshimet e bëra në ligjin e pronave vitin e shkuar vijnë në përputhje me legjislacionin europian. “Ligji për kompensimin e pronës së shpronësuar në Shqipëri plotëson kërkesat e nenit 1 të Protokollit nr.1 të ECHR”, -thuhet në mbyllje të këtij opinioni. Gjithsesi Komisioni i Venecias thekson se në fund të fundit çdo gjë do të varet nga zbatimi efektiv i ligjit nr. 133/2015 dhe ekzekutimi nga autoritetet kombëtare.

 

 

Konkluzionet e opinionit të Komisionit të Venecias

  1. Vendimet përfundimtare administrative apo gjyqësore, të cilat përmbajnë një sasi të caktuar të kompensimit, por që ende nuk janë zbatuar, në mënyrë të padiskutueshme rrisin një “pritje legjitime” dhe nuk do të rivlerësohen në bazë të ligjit nr. 133/2015. Në këto raste, nuk ka “ndërhyrje” brenda kuptimit të nenit 1 të Protokollit 1 të KEDNJ-së, për aq kohë sa këto vendime zbatohen në mënyrë të rregullt.
  1. Në lidhje me vendimet që përcaktojnë kthimin ose kompensimin vetëm në sipërfaqe dhe jo në vlerë financiare, nuk është e qartë në se sa larg mund të shkojnë pritshmëritë legjitime.
  1. Gjithsesi, ligji nr. 133/2015 mbi skemën e re të kompensimit ka ndryshuar metodën e vlerësimit, e cila mund të çojë në një kompensim më të ulët. Edhe nëse kompensimi i ulët nuk mund të kualifikohet si shpronësim formal, ai mund të kualifikohet si një “ndërhyrje tjetër” sipas nenit 1 të Protokollit nr.1 të KEDNJ.
  1. Ndërhyrja, megjithatë, ka një bazë të qartë ligjore në ligjin nr. 133/2015 (dhe tre aktet nën-ligjore që mënyrë të rregullt plotësojnë ligjin nr. 133/2015). Ndaj dhe duket, të jetë një bazë mjaft e qartë dhe e detajuar ligjore për ndërhyrjen në fjalë.
  1. Ndërhyrja gjithashtu ndjek një qëllim legjitim, siç është qëllimi në ligjin nr. 133/2015 që në mënyrë efektive finalizon procesin e trajtimit të pronës me anë të njohjes dhe kompensimit. Duke e vendosur në sfondin e problemeve të ndryshme në lidhje me përfundimin efektiv të kthimit dhe kompensimit në Shqipëri, qëllimet e Ligjit nr. 133/2015 gjithashtu duket se janë në interesin publik brenda kuptimit të nenit 1 të Protokollit 1 të KEDNJ.
  1. Ndërhyrja është proporcionale nëse fondi financiar prej 50 miliardë lekësh i atribuohet skemës së kompensimit për një periudhë prej 10 vjetësh është përcaktuar me kujdes në buxhetin e shtetit në tërësi si dhe në PBB-së shqiptare.
  1. Në situatën specifike të Shqipërisë, mund të argumentohet se një kornizë e re dhe efektive ligjore sigurohet nga ligji nr.133 / 2015, i cili mund të çojë në një sasi më të ulët të kompensimit për të paguar ish-pronarë, por përmbush kërkesat e proporcionalitetit, siç përcaktohet në nenin 1 të Protokollit nr.1 të KEDNJ. Në mënyrë të veçantë, duket e arsyeshme se ligji nr. 133/2015 i referohet kategorizimit kadastrale të pronës në kohën e shpronësimit – 11 – CDL-AD (2016) 023 pa u konsideruar si një disproporcion ekstrem mes vlerës zyrtare kadastrale të tokës dhe kompensimit të paguar ndaj ish-pronarëve.

 

Manjani: Gjykata Kushtetuese të pranojë Komisionin e Venecias

I pari që ka dhënë lajmin se Komisioni i Venecias ka vlerësuar pozitivisht ligjin e pronave në Shqipëri ka qenë pikërisht ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani. Nëpërmjet një komenti në rrjetin social facebook, Manjani bëri të ditur se ligji “Për Trajtimin e Pronës” kaloi me sukses Komisionin e Venecias”. Më tej, ai thekson se Komisioni i Venecias e ka gjetur ligjin në përputhje të plotë me standardet e Konventës së të Drejtave të Njeriut. “Përgjatë shqyrtimit të këtij ligji, Gjykata Kushtetuese vendosi t’i kërkojë një opinion zyrtar Komisionit të Venecias. Ky Komision ka vlerësuar si të drejtë dhe në përputhje të plotë me standardet e Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut”, -u shpreh Manjani. Më tej ai bën të ditur se tashmë Gjykata Kushtetuese duhet ta pranojë këtë opinion, ndërsa ka siguruar se qeveria do ta pranojë atë plotësisht. “Mbetet që Gjykata jonë ta pranojë këtë opinion dhe ta bëjë pjesë të vendimit të saj! Ndërkohë ne vazhdojmë zbatimin e ligjit! E vetmja keqardhje: Sa keq që nuk e bëmë më shpejt një ligj të tillë! Duhet ta bënim që në vitin 1991. Sidoqoftë më mirë vonë se hiç!”, -shkruajti Manjani.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Gratë komuniste shqiptare në ‘documenta 14’

Tri gra shikojnë me ngulm prej murit të galerisë - të gjalla,...
Read More