Koalicioni në krizë, Meta: Qeveri teknike dhe zgjedhje të reja

METAKryetari i LSI ka tronditur dje koalicionin qeverisës duke propozuar si zgjidhjen më të mirë të ngërçit politik në vend krijimin e një qeverie të parakohshme. Ai ka vetofruar dorëheqjen si kryetar Kuvendi dhe të ministrave të tij

Mosmarrëveshjet dhe fryma e mosbesimit që e ka karakterizuar marrëdhënien mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim që nga dita e arritjes së marrëveshjes së bashkëqeverisjes, ka bërë që pas tre vitesh koalicioni qeverisës të rrezikojë ekzistencën. Dje në një dalje të pazakontë për mediat, kryetari i Kuvendit Ilir Meta ndërsa është shprehur shumë i ashpër ndaj dy liderëve kryesorë politikë në vend për qëndrimet që kanë mbajtur për reformën në drejtësi, ka paralajmëruar rënien e qeverisë së koalicionit të majtë duke propozuar krijimin e një qeverie teknike e cila duhet ta çojë vendin në zgjedhje të reja. Por ai ka qenë i qartë që më parë të miratohet reforma në drejtësi dhe më pas atë të nisë ta aplikojë një qeveri teknike, e cila sipas Metës do të shmangte çdo frikë nga kushdo për një zbatim të njëanshëm të saj. “Për t’i hequr kujtdo çdo lloj meraku dhe frike dhe duke shpresuar në patriotizmin e të gjithëve, absolutisht që miratimi i kësaj reforme është i domosdoshëm dhe duke e parë se mosbesimi është kaq shqetësues, kaq i lodhshëm, dhe kaq i rrezikshëm për të ardhmen, jam i bindur që rruga më e mirë do të jetë ndërtimi i një qeverie ekspertësh e cila pas miratimi të reformës e çon vendin në zgjedhje demokratike dhe të pa kontestuara nga askush”, – propozoi Meta. Në vijim të këtij propozimi ai ka shkuar edhe më tej duke theksuar se të gjithë duhet të bënin një sakrificë, ku ai pranon të vetësakrifikohet i pari duke hequr dorë nga posti i kryetarit të Kuvendit, ndërsa ministrat e tij të japin dorëheqjen. Ndërkohë që ka lënë të kuptohet që Rama të sakrifikojë postin e kryeministrit, ndërsa opozita nga ana tjetër të sakrifikojë duke pranuar propozimin hibrid të Reformës në Drejtësi, të bërë nga ndërkombëtarët. “Unë personalisht jam gati që për hir të këtij kompromisi që nga ky moment të jap dorëheqjen si Kryetar Parlamenti, në qoftë se kjo i shërben kompromisit, Ministrat e forcës politike që unë përfaqësoj dhe të gjithë përfaqësuesit politik të bëjnë të njëjtën gjë, në mënyrë që ne të detoksikojmë këtë klimë helmuese, këtë klimë kaq të egër, kaq të papranueshme për një vend që ka më shumë se 20 vjet demokraci, tranzicion, që ka pësuar tragjedi nga konflikti dhe politika e papërgjegjshme. Dhe unë jam i bindur që në këtë mënyrë ne i heqim të gjithë frikat e gjithkujt, garantojmë drejtësinë e pavarur, vendosim të gjithë të barabartë përpara drejtësisë që do të vijë nesër, por edhe përpara qytetarëve shqiptarë, për të na gjykuar në zgjedhjet e reja”, -shtoi Meta. Por kjo është faza e dytë e zgjidhjes që ka ofruar Meta për ngërçin e krijuar nga debati për reformën në drejtësi. Kjo pasi ka ai ka ftuar që më parë kryetarët e PS dhe PD, dy ambasadorët më të rëndësishëm në vend, ai i SHBA, Donald Lu dhe ajo e BE-së, Romana Vlahutin dhe ai vet të uleshin në një tryezë ku të tentonin deri në fund zgjidhjen e ngërçit të Vettingut. “Propozimi im është ky, të takohemi të pestë. Unë si kryetar Parlamenti, dy kryetarët e dy forcave kryesore politike që kanë përgjegjësinë në parlament dhe para popullit shqiptar, sepse kjo është një reformë e Parlamentit të Shqipërisë, të dy ambasadorët e nderuar, në qoftë se kanë propozime të tjera, absolutisht që janë të mirëpritur, dhe të mos dalim dhe të mbyllemi përgjithmonë këtu në rast se nuk japim zgjidhje dhe nuk i votojmë ndryshimet kushtetuese ditën e enjte në orën 10:00”, – tha Meta. Më tej ai i bëri të qartë kryeministrit Rama se nuk mbështet një miratim të njëanshëm të reformës, pasi siç shpjegoi ai kjo do të sillte një destabilitet më të madh edhe sesa dëmi që do të sillte mosmiratimi i saj. “Unë shoh një rrezik tepër serioz. Jo për politikanët, por për vendin në rast se kjo reformë nuk do të miratohet me konsensus, sipas Venecias, dhe padyshim edhe sipas standardeve evropiane dhe euro- atlantike. Unë shoh rrezik serioz të dështimit të saj sepse dihet që duhen 2/3 e votave dhe mazhoranca aktuale nuk i ka këto vota, por jo thjesht kaq. Edhe në rastin e miratimit të saj pa konsensusin opozitës, unë mund t’ju them me bindje të plotë se nëse mosmiratimi i reformës ditën e enjte është një hap i madh mbrapa për vendin, miratimi i reformës në mënyrë të diskutueshme, jo plotësisht legjitime dhe me integritet, mund të hapë një situatë krejt të re për vendin e cila nuk do të jetë ajo e forcimit të institucioneve dhe të  shtetit ligjor, e paanshmërisë dhe besueshmërisë së institucioneve të reja që do të dalin nëpërmjet miratimit të kësaj reforme, por përkundrazi, ajo mund të çelë një kapitull afatgjatë të mungesës së stabilitetin politik në vend, por dhe të kontestimit jo vetëm të institucioneve të reja aq të rëndësishme për suksesin dhe për zbatimin e reformës, por edhe të parlamentit aktual në rast se opozita do të largohet nga parlamenti dhe të institucioneve të reja në vend. E kam thënë vazhdimisht, konsensusi është i domosdoshëm sepse Shqipëria nuk duhet të shndërrohet në një Maqedoni”, – deklaroi kryetari i Kuvendit. Meta në fjalën e tij ka theksuar se konsensusi mes palëve por edhe gjithë aktorëve që janë pjesë e këtyre negociatave nuk mund të arrihet nëse palët i bëjnë shantazh njëra-tjetrës se pas këtyre ndryshimeve kundërshtari do të përfundojë në burg. “Që kjo reformë bëhet për të futur në burg Sali Berishën dhe Ilir Metën, nuk i keni dëgjuar ju këto? Që Ilir Metës nuk i japin vizë amerikanët e shumë të tjera. Që kjo reformë bëhet për të futur në burg Berishën, Ilir Metën, ramin apo tjetrin. E bëj unë burgun për të gjithë politikanët shqiptarë, absolutisht. Dhe ku të kenë dëshirë edhe partnerët tanë, në Uashington apo në Alaskë apo në Bruksel. Por nuk është kjo zgjidhja për Shqipërinë. Shqipëria nuk duhet të ketë sherr, nuk duhet të ketë konflikt, nuk duhet të ketë viktima pas 21 korrikut”, – theksoi Meta duke u bërë thirrje aktorëve të tjerë politikë në vend që tqë tregohen patriot dhe të marrin përsipër këto përgjegjësi.

 

Shkruar Nga
More from revista mapo

Lul, thuaj Po dhe buzëqesh

Nga Alfred Lela Me vizitën në Tiranë, të dielën, Viktoria Nuland -vetëm...
Read More