fbpx

Politika

KLP në rrezik, gjashtë nga prokurorët anëtarë janë me “cen”





               Publikuar në : 09:48 - 28/01/19 |
mapo.al

Vihet në pikëpyetje funksionimi normal dhe integriteti i Këshillit të Lartë të Prokurorisë vetëm një muaj pas krijimit. Një nga anëtarët e KPK-së Bujar Sheshi dyshohet të ketë qenë ish-bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, ndërsa për anëtarët e tjerë Besnik Cani, Arben Dollapaj, Antoneta Sevdari, Gentian Osmani vendimi i KPK-së që i konfirmoi në detyrë është ankimuar.


Funksionimi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë vihet në pikëpyetje, duke e kthyer drejtësinë e re në avazin e vjetër dhe rrezikuar shpërbërjen vetëm një muaj pas krijimit. Një nga anëtarët e KLP-së, Bujar Sheshi, rezulton sipas Autoritetit të Hapjes së Dosjeve si ish-agjent i Sigurimit të Shtetit.



Përveç Sheshit që rrezikon menjëherë largimin nëse konfirmohet autenticiteti i dosjes, janë edhe katër anëtarë të tjerë të zgjedhur të cilët duhet të kalojnë nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, pasi konfirmimi i tyre në detyrë nga KPK (Komisioni i Pavarur i Kualifikimit) është ankimuar nga ekspertët e huaj të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.


Largimi i mundshëm qoftë edhe vetëm i një anëtari do të detyronte KLP-në të qëndronte në pritje për kandidaturat e tjera të cilët duhet të kalojnë më parë procesin e vettingut. Më i fundit i ankimuar nga ONM është prokurori Besnik Muçi, që u zgjodh edhe si anëtar i KLP-së. Ndonëse KPK ka vendosur ta rikonfirmojë në detyrë, ekspertët ndërkombëtarë konstatuan se Komisioni nuk ka marrë në konsideratë një listë të gjatë shkeljesh ndaj Muçit për 2 nga 3 kriteret e vetingut – pasurinë dhe profesionalizmin. “

Një nga qëllimet e procesit të rivlerësimit është rikonfirmimi i besimit të publikut në institucionet e drejtësisë,” shprehet ONM, duke iu referuar rastit Cani shton se: “në pikëpamjen tonë, është e pamundur të konfirmohet në detyrë një subjekt kur nuk janë vlerësuar në mënyrë të rregullt disa çështje që dëmtojnë besimin e publikut”.

Më shumë se një zgjatje në kohë, problemi serioz është edhe pikëpyetja e madhe e integritetit të KLP-së, me dyshimin për një anëtar të saj si të dyshuar që ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit dhe katër të tjerë që u është ankimuar kalimi i vettingut. Në situatën aktuale, me largimin qoftë edhe të një anëtari të vetëm do rihapej gara për të plotësuar vendin e lënë bosh dhe KLP do mbetej me dhjetë anëtarë dhe nëse do të duhet që ky institucion të marrë vendime votat mund të ndahen 5-5, çka e bën të pamundur funksionimin.

Pikëpyetje e madhe për gjashtë anëtarët prokurorë që përbëjnë trupën e KLP-së prej 11 anëtarësh janë vënë të gjithë në pikëpyetje. I pari që rrezikon menjëherë largimin është Bujar Sheshi, i cili vinte nga radhët e Prokurorisë së Apelit dhe pasi kaloi vettingun ai arriti të sigurojë votat për në KLP. Më datë 22 janar Autoriteti i Hapjes së Dosjeve, arriti në përfundimin se Sheshi dyshohet të ketë qenë bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit dhe më pas edhe hetues i Degës së Punëve të Brendshme.

“Nga verifikimi i kryer rezulton se figuron dokumentacion i krijuar nga struktura e ish-sigurimit të shtetit për shtetasin Bujar Sheshi (Shesha). Kartela model 2, me nr. 8023 me këto të dhëna: ‘Bujar Rasim Shesha, i datëlindjes 1957, vendlindja Tiranë, arsimi me dy të mesme, nxënës në shkollën Petro Nini Luarasi me pseudonimin “Venusi”, sektori V, drejtimi inteligjencë rini. Data e tërheqjes në bashkëpunim dt 13.02.1974”, thuhet në konkluzionet e Autoritetit të Hapjes së Dosjeve. Në vendimin përfundimtar, ky autoritet gjykon se në Sheshi është i papërshtatshëm për vijimin e detyrës si anëtar i KLP-së. Në pikën 2 të ligjit të ri të sistemit të drejtësisë, kur flitet për ngritjen e KLP-së, thuhet: Kandidati të mos ketë qenë anëtar, bashkëpunëtor ose favorizues i ish-Sigurimit të Shtetit para 2 korrikut 1991, në kuptimin e ligjit “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.

Tashmë dokumenti zyrtar i Autoritetit të Hapjes së Dosjeve ka mbërritur zyrtarisht në Prokurorinë e Përgjithshme dhe i takon kryeprokurores që të shprehet në këtë rast. Vetë Sheshi ka mohuar që të ketë qenë bashkëpunëtor i ish-sigurimit të shtetit. Krahas tij, të gjithë anëtarët e tjerë prokurorë janë ankimuar pasi kaluan vettingun në KPK.

Krahas Sheshit ONM dhe Komisioneri Publik kanë ankimur vendimin e KPK-së për prokurorët anëtarë të KPK-së, Besnik Cani, Antoneta Sevdari dhe Gentian Osmani dhe Arben Dollapaj. Për Kosta Belurin shkalla e parë e vettingut vendosi konfirmimin në detyrë, por i la një kleçkë që ishte përcjellja e dosjes së tij për hetim disiplinor , gjë që duhet bërë nga vetë KLP. Një lloj “shpërbërje” e KLP-së do të sillte jo vetëm vonesa në krijimin e SPAK dhe BKH, por njëkohësisht do vinte në dyshim integritetin e institucionit më të rëndësishëm të sistemit të ri të drejtësisë.

 


Etiketa: , , ,

Pas