Këshilla për të prekurit nga dekriminalizimi: Si të harroheni

vladimir-karajNga Vladimir Karaj

Të prekurit prej dekriminalizimit e kanë një mundësi që të harrohen. Atyre u është dhënë mundësia të largohen nga jeta publike në heshtje, por nëse do rrahin gjoksin rrugëve të qytetit se janë të votuar u takon forcave politike që i kanë sponsorizuar të dalin dhe t’i denoncojnë (të vetët jo të kundërshtarit që e bëjnë me qejf), ndërsa iu takon opinionbërësve që të këmbëngulin tani për një proces që nuk do zvarritet prej drejtësisë aq sa t’u japë atyre mundësi të amnistohen.

Individi mund të “harrojë” diçka të hidhur nga e shkuara e tij ose mund të bëjë sikur ka harruar, por kjo ose është vetëm një lojë e mendjes së tij, ose një formë vetëmbrojtjeje kryesisht prej dhunës së pësuar, ose për shkak të problemeve të vërteta me kujtesën. Zakonisht, edhe në të tilla harresa, e shkuara kthehet të na përndjekë. Në jetë të përditshme për vdekatarë të zakonshëm kjo është një vuajtje vetmitare ose në një rreth të ngushtë.

Në politikë përpjekja për të harruar duhet medoemos të ketë efekt më të gjerë. Aty nuk mjafton që vetë i prekuri të harrojë, duhet që ai t’u fshijë nga kujtesa të shkuarën e tij një mase të madhe njerëzish, kryesisht votues të tij dhe të kundërshtarit.

Kjo lloj harrese kolektive teorikisht arrihet, asnjëherë plotësisht, vetëm falë makinerive të paguara të propagandës në diktatura, ose pas heshtjesh të gjata e mospranie publike. Dy deputetë dhe një kryebashkiak të paditur së fundmi nga prokuroria se kishin gënjyer me vetëdeklarimin për dekriminalizimin e jetës politike në vend, nuk duket se janë të aftë të bëjnë as të parën, as të dytën. E megjithatë Shqipëria duket se u ofron atyre një rrugë të tretë që zor se do gjendej në një vend tjetër demokratik apo në përpjekje për të qenë i tillë, ku pas zbulimesh të tilla zyrtarët kryesisht kryejnë një lloj “harakiri” dhe me ndjesë të thellë zhduken prej publikes.

Në Shqipëri tre zyrtarëve të prekur prej dekriminalizimit, të cilëve u rezultoi se kishin harruar që ishin burgosur, arrestuar, i kishin nxjerrë para gjyqit dhe dënuar, pa llogaritur këtu harresën për kryerjen e një krimi apo atë të ndryshimit të emrave më shumë se njëherë, u jepet mundësia që të rehabilitohen aty për aty me fjalët që thonë.

Një tentativë për t’ia hedhur sistemit. Edhe harresa e fundit për t’i shënuar këto akte në formularin e vetëdeklarimit, një udhëtim i pamundur në kohë është me gjasë po ashtu një përpjekje për të fshirë të kaluarën duke ia hedhur/na e hedhur.

Kjo lloj qasjeje, aventuriere duhet thënë, është provuar për çudi të jetë e suksesshme më herët në Shqipëri. Ish-udhëheqës të regjimit diktatorial i shpëtuan kështu gjykimit publik dhe atij gjyqësor doemos, duke u shfajësuar se nuk e dinin, se ishin kushtëzuar prej rrethanash apo se e tillë ishte koha. Këta të fundit ia dolën pa kërkuar kurrë falje të jenë të pranishëm dhe madje të rëndësishëm në jetën politike në vend edhe sot e kësaj dite. Por në rastin e dekriminalizimit, që prek kryesisht të dënuar për krime ordinere, vendi i ka ende shanset që të pastrohet. Tri kushte duhen plotësuar që kjo të ndodhë.

Së pari, partitë politike që i kanë sponsorizuar publikisht, në tribuna mitingjesh këta individë duhet të distancohen prej tyre po publikisht. Presioni publik në fakt nuk duhet të jetë mbi vetë individët, që mund të zgjedhin të justifikohen, bëjnë dredhi e të ngjashme, por mbi partitë dhe drejtuesit e tyre. Këta të fundit ndërsa janë të gatshëm të godasin emrat në krahun e kundërshtarit, qëndrimet për të vetët i kanë gjithmonë të rrumbullakosura me gjuhë të zgjedhur e “mirëkuptim rrethanash”. Mungesa e distancimit të qartë dhe denoncimit po të qartë prej sponsorëve krerë të partive të tyre, u mundëson individëve ta shesin veten si viktima të një akti politik dhe kjo as më pak as më shumë do e dështonte nismën për dekriminalizim.

Së dyti, dekriminalizimi duket të jetë fort i lidhur me Reformën në Drejtësi dhe opinioni publik apo formuesit e tij nuk duhet ta harrojnë këtë. Prokuroria duket sikur i ka qëndisur tri denoncimet e fundit, për të mos lënë të pakënaqur apo të kënaqur asnjë prej palëve dhe kjo është e stërmundimshme dhe duket si arsyeja kryesore e zvarritjes së procesit që pritej të ishte një “bombë” në politikën shqiptare.

Së treti dhe ndoshta më e rëndësishmja, do ishte mirë që dikush t’ua shpjegonte të kapurve prej dekriminalizimit dhe atyre që mund të kapen në të ardhmen, se sistemi u ka dhënë atyre mundësinë të largohen në heshtje. Ata nuk mund ta ndryshojnë të kaluarën e tyre, por kjo është mundësia e vetme për “t’i harruar” dhe ne do ta bënim me dëshirë.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Panairi: Më pak botues, më pak tirazh, por libra më me cilësi

Sot bëhet hapja zyrtare e Panairit të Librit në Pallatin e Kongreseve,...
Read More