Këshilla: Ekspozimi në diell, plazhi dhe kujdesi për nishanet

doktoreshaKoha e qëndrimit në diell dhe orari i ekspozimit duhen diskutuar gjithmonë me një mjek dermatolog sepse ekspozimi në pikun e diellit midis orës  11-16, është i dëmshëm për lëkurën

Ditët me diell e me temperatura të larta kanë ardhur tashmë. Për shkak të punës apo angazhimeve të përditshme ekspozimi në diell edhe gjatë orëve të pikut është i pashmangshëm. Ndërkohë që të tjerë nuk i kanë rezistuar tundimit dhe kanë nisur frekuentimin e plazheve. Mirëpo përballë pamundësisë për të shmangur ekspozimin në diell me orë të gjata e të tjerë që  shfaqen me dëshirë, mjekët dermatologë apelojnë për kujdes. Ekspozimi në diell duhet bërë gjithmonë me një farë kufizimi, pasi rrezatimi diellor sado të jetë i shëndetshëm, në disa raste është i dëmshëm dhe rrezikon seriozisht shëndetin tonë. Në një intervistë për gazetën “Mapo” mjekja dermatologe Ardiana Sinani, shpjegon kujdesin që duhet treguar gjatë këtyre ditëve me diell, veçanërisht për të moshuarit, fëmijët dhe personat që vuajnë nga sëmundje të lëkurës. Sipas doktoreshë Sinanit personat me disa sëmundje të lëkurës acarohen mjaft nga ekspozimi në diell, këshillohet një kontroll mjekësor tek mjeku dermatolog përpara qëndrimit në diell me orare të zgjatura. Ndërsa gjatë muajve të verës ripërsëritet këshilla që të përdoren kremra me filtër mbrojtës maksimal ndaj diellit, kapele me strehë të gjerë, syze dielli dhe rroba të përshtatshme të cilat i mbrojnë nga rrezatimi diellor.

Cilat janë avantazhet dhe disavantazhet që vijnë nga ekspozimi në diell?

Stina e verës vjen bashkë me dëshirën për t’u ekspozuar sa më shumë në diell, ditët janë më të gjata dhe koha e ekspozimit më e madhe. Ekspozimi në diell na ndihmon që në lëkurën tonë të bëhet sintetizimi i vitaminës D, mjaft e rëndësishme për shëndetin e sistemit tonë skeletor, gjithashtu ekspozimi në diell ndihmon dhe përmirëson disa sëmundje të lëkurës siç është psoriasis, dermatiti atopik (ndryshe rrjebulla), ekzemat e ndryshme, dermatiti seborrheic. Mirëpo koha e qëndrimit në diell dhe orari i ekspozimit duhen diskutuar gjithmonë me një mjek dermatolog sepse dihet që ekspozimi në pikun e diellit midis orës  11-16, është i dëmshëm për lëkurën.

Gjithashtu ka edhe sëmundje të lëkurës të cilat acarohen mjaft nga ekspozimin në diell, siç janë rosacea, lupus erythematoz discoid, personat të cilët vuajnë nga skuqjet në lëkurë, këta persona duhet shmangin sa më shumë ekspozimin në diell, në muajt e verës, duhet të përdorin kremra me filtër mbrojtës maksimal ndaj diellit, kapele me strehë të gjerë, syze dielli dhe rroba të përshtatshme të cilat i mbrojnë nga rrezatimi diellor.

Si duhet të ekspozohemi në diell pa e rrezikuar shëndetin tonë?

Koha apo orari më i përshtatshëm për t’u ekspozuar në diell janë orët e para të mëngjesit deri në orën 10:00 paradite dhe orët e pasdites pas orës 17:00 pasdite kjo për stinën e verës, orari midis orës 10:00 dhe 17:00 është i dëmshëm. Gjithsesi kjo nuk do të thotë që ne të mbyllemi brenda në këtë orar sidomos në plazh por të marrim masa mbrojtëse, duke qëndruar në hijen e çadrës apo pemëve, duke përdorur kremra mbrojtës për lëkurën tonë me filtër SFP nga 30-50, syze, kapele. Veçanërisht kujdes duhet treguar ndaj fëmijëve që është shumë e vështirë t’i mbash në çadër gjatë kohës së plazhit,

pas orës 10:30, nëse është e mundur fëmijët duhet të veshin bluza të bardha T- shirt dhe të mbajnë kapele me strehë. Nëse futen në ujë duhet të aplikojnë kremin solar para dhe pas daljes nga uji.

A ka lidhje mes tumoreve të lëkurës dhe ekspozimit ndaj rrezeve të diellit?

Po ka lidhje midis ekspozimit në diell dhe tumoreve të lëkurës, të tilla si keratosis actinice. Keratozat janë elemente prekancerogjene të lëkurës që krijohen nga ekspozimi i gjatë në diell për vite me radhë, ndryshe quhen edhe elementë të hershëm të karcinomës squamo qelizore, gjithashtu rrezatimi diellor dëmton direkt ADN-në e qelizave në lëkurë duke qenë edhe një nga shkaktarët e transformimit të nishaneve melanocitare në melanoma, kanceri më i rrezikshëm dhe metastatik i lëkurës.

Çfarë i ndodh lëkurës sonë kur nxihet?

Gjatë procesit të nxirjes si rezultat i rrezatimit diellor emetohet një sasi energjie që përthithet nga qelizat melanocitare (qelizat që prodhojnë pigmentin melaninë në lëkurë). Kjo energji që përthithet nga këto qeliza nis një sërë procesesh fiziologjike që çojnë në prodhimin e melaninës e cila kapet nga qelizat e tjera të lëkurës duke u dhënë ngjyrë më të pigmentuar atyre, këto janë qeliza që migrojnë (lëvizin) nga thellësia e lëkurës deri në sipërfaqen e saj duke kryer ciklin e tyre fiziologjik deri në flakjen e tyre nga organizmi. Kjo është edhe arsyeja që ngjyra që marrim në plazh nuk zgjat më shumë se 1-2 muaj gradualisht.

Përpara verës është e udhës të kontrollohen nishanet dhe një herë në sa kohë duhen kontrolluar?  

Nishanet duhen kontrolluar çdo vit tek mjeku dermatolog me sy të lirë, lupë zmadhuese apo me pajisje më të sofistikuar siç është dermatoskopi që na jep mjaft informacion për natyrën e nishaneve, përgjithësisht. Cdo individ duhet të ketë hartën e tij të nishaneve, në bazë të së cilës bëhet kontrolli vjetor i tyre nëse nuk paraqesin probleme. Për nishanet të cilat dyshohet, kontrolli bëhet më i shpeshtë çdo 6, 3 apo 1 muaj dhe nëse këto nishane plotësojnë kriteret e ndryshimeve hiqen në mënyrë kirurgjikale dhe pas heqjes bëhet ekzaminimi histopatologjik (biopsia) e cila vendos saktësisht se sa malinjë është apo jo një nishan. Ekspozohuni në diell por duke ditur oraret më të mira të ekspozimit dhe duke e mbrojtur lëkurën tuaj me kremra mbrojtës ndaj diellit, apo veshjet e përshtatshme për këtë qëllim.

Veprimet e rrezatimit UVA dhe UVB mbi lëkurën tonë :

Rrezet UVA

– e nxijnë shpejt lëkurën

-fotosensibilizuese duke e skuqur lëkurën, fototoxike dhe fotoalergjike

-rrezatimi UVA jep fotoplakje të lëkurës

-rrisin rrezikun e tumoreve në lëkurë sepse veprojnë indirekt në radikalet e lira

-depërtojnë xhamin

Rrezet UVB

– ndihmojnë në sintezën e vitaminës D

-pigmentojnë  lëkurën

– japin skuqje të lëkurës

-rrisin rrezikun e tumoreve në lëkurë nga dëmtimet direkte në ADN-në e qelizave në lëkurë

-nuk depërtojnë xhamin

Kontrolli i nishaneve :

-Nishanet duhen kontrolluar çdo vit tek mjeku dermatolog me sy të lirë, lupë zmadhuese apo me pajisje më të sofistikuar siç është dermatoskopi që na jep mjaft informacion për natyrën e nishaneve. Përgjithësisht çdo individ duhet të ketë hartën e tij të nishaneve, në bazë të së cilës bëhet kontrolli vjetor i tyre nëse nuk paraqesin probleme

-Për nishanet të cilat dyshohet, kontrolli bëhet më i shpeshtë çdo 6, 3 apo 1 muaj dhe nëse këto nishane plotësojnë kriteret e ndryshimeve hiqen në mënyrë kirurgjikale dhe pas heqjes bëhet ekzaminimi histopatologjik (biopsia) e cila vendos saktësisht se sa malinjë është apo jo një nishan.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Liberalizmi është zgjidhja, jo problemi

Nga Henri Çili Kjo është fjalia, e përmbysur, e presidentit amerikan Regan,...
Read More