Kambana Amerikane

Shpallja “non grata” nga SHBA e ish-kryeprokurorit dhe shpjegimi për “Mapo” i Departamentit Amerikan mbi motivet.  Sinjali i parë se ky vendim nuk është vetëm për Llallën dhe kambana që bie për “veshët e politikanëve” në Shqipëri. A po përgatitet një tjetër listë që do i bashkëngjitet Llallës?

Nga Sebi Alla

Deri në pasditen e 18 dhjetorit të vitit të kaluar, Adriatik Llalla ishte njeri i fuqiplotshëm. Kishte në dorë të të hapte dosje penale, rrëzonte një mit, të lëkundte qeverinë apo linte shenjë se po luftohet korrupsioni në rangje të larta të politikës, por zgjodhi anën tjetër, duke luajtur më tepër si politikan diplomat dhe për më shumë, në kulmin e diskutimit të reformës së re të drejtësisë, hapi luftë në fronte të panjohura. Ish-kryeprokurori Adriatik Lalla tashmë është një individ i shpallur “non grata” në SHBA, si i dyshuar për korrupsion dhe një ish-funksionar i lartë i sistemit të drejtësisë që i bishtnoi vettingut.

Në një reagim ekskluziv për gazetën “Mapo”, zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit shprehet se: “Seksioni 7031 (c) përfshin një dispozitë, e cila kërkon që Departamenti i Shtetit ta përmendë publikisht apo privatisht  individin. Ky autoritet ka hyrë në fuqi prej vitit 2008”- thuhet në qëndrimin e DASH, që solli edhe konfirmimin se ish-kryeprokurori shenjoi “rekord historik”, duke u bërë funksionari i parë publik që futet në listën e zezë të SHBA-së. “Ky është i pari ndalim publik  i një individi, i përmendur nën Seksionin 7031(c)”, përfundon njoftimi. Ndërkohë pasdite ish-kryeprokurori Llalla replikoi duke thënë se, vendimi i DASH erdhi më shumë për çështje keqinformimi… “Unë jam i sigurt se ky është një vendim i marrë pas një keqinformimi të dhënë nga Ambasadori Lu në Departamentin e Shtetit”, -tha Llalla, për gazetën e njohur Wall Street Jornal. Duke iu referuar Donald Lu, ish-kryeprokurori shtoi se: “Ai më ka ofenduar mua dhe familjen time dhe të gjithë trupën gjyqësore dhe të prokurorëve, duke na trajtuar si kriminelë, duke na denigruar publikisht dhe personalisht”.

Si për të sfumuar deklaratën, ambasada amerikane në Tiranë njoftoi se Donald Lu pati dje një takim me sekretarin amerikan të shtetit Rex Tillerson, vetëm 48 orë pas shpalljes ‘non grata’ të ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla. Ky takim u zhvillua në Ankara mes Tillerson dhe  të gjithë ambasadorët e Ballkanit. Reagimi i Llallës mund të mbajë ende të ndezur debatin e saponisur për konsum mediatik, pasi vendimi mbetet i pakthyeshëm.

Më shumë se një qëndrim ndaj një ish-kryeprokurori të larguar dhe i vetëdalë në “pension”, pasi refuzoi të kalojë vettingun dhe më pas të bëhej gjyqtar në Gjykatën e Apelit, sinjali shkon përtej tij. Zërat qarkullojnë se Lalla është vërtetë i pari ish-funksionar i lartë shqiptar që shpallet “non grata”, por pritet të mos jetë i fundit… Emra të individëve në drejtësinë aktuale apo politikanë të dyshuar për korrupsion në shuma të mëdha dhe që herë pas here kritikuan Reformën në Drejtësi dhe linjën e ndjekur nga Ambasada Amerikane në Tiranë, mund t’i bashkëngjiten ish-kryeprokurorit.

Për kë bien “kambanat”

Në rastin Llalla masa e shpalljes person “non grata” u mor vetëm pasi ai ishte larguar si kryeprokurore por më shumë i zhveshur nga atributet për t’u bërë “pengesë” për Reformën në Drejtësi apo funksionar që të përfshihej në afera të mëtejshme korruptive. Politika amerikane për vende si Shqipëria të cilat janë me demokraci të brishtë dhe një sistem hibrid, mes anarkisë, autoritarizmit, lirisë së pjesshme dhe fushës së hapur për të kryer afera korruptive, ia njeh atributet vetes për të ndërhyrë. Investimi i SHBA-së për të patur një Shqipëri me demokraci në rajonin e trazuar të Ballkanit, nuk është i pakët në këto 27 vite. Shpenzimet monetare, ndërhyrjet e forta në gjeopolitikë, asistencë për ngritjen e institucioneve dhe ndihmesa për të formësuar demokracinë e vërtetë, nuk u përkthyen në veprime konkrete nga politika në vend. Nëse në vijim “lista e të padëshiruarve” do të hapet sërish për Shqipërinë, radha mund të jetë edhe përtej sistemit të drejtësisë, duke u shtrirë në klasën politike. Për ish-kryeprokurorin nuk ka asnjë procedim penal të nisur nga drejtësia jonë, për rrjedhojë nuk ekziston edhe vendim i formës së prerë për ta shpallur fajtor. Të drejtat e njeriut për një proces të garantuar gjyqësor, në rastin e SHBA-së mund të “shkelen”, nëse vetë ata, kanë të dhëna për implikime në afera korruptive apo indicie për veprimtari antiamerikane. Departamenti Amerikan i Shtetit, që nga viti 2008 ia ka dhënë atributin Sekretarit të Shtetit, që nga “burime të saj të besuara”, të vendosë të përfshijë në “listën e zezë” të korruptuarit e dyshuar të një vendi tjetër. Në rastin e funksionarëve të drejtësisë që kanë vegjetuar lirshëm mes llumit të patrazuar korruptiv, “dënime” të tilla janë krejt pa ndikim. Politikanë në vend, shpesh me amatorizëm dhe me “aureolën” e të paprekshmëve, direkt dhe indirekt shprehen e veprojnë me sulme që drejtohen ndaj përfaqësues të SHBA-ve. Gjithashtu, fenomeni korrupsion, i ka kaluar përmasat e “kritikave të Brukselit” dhe çdo e dhënë e grumbulluar nga forma të ndryshme nga SHBA, mund të ndikojnë në jetën e politikanëve të “skeduar” paraprakisht. Kambana e parë të mërkurën ra për një emër të përveçëm, si ish-kryeprokurori Adriatik Llalla, por jehona e tringëllimës së parë po dëgjohet më shumë nga veshët politikë…. Më rëndë gjendja do të ishte për politikanë aktivë, të cilët edhe pse mund t’i shpëtojnë akuzave të drejtësisë sonë, mund ta shohin veten të listuar krah ish-kryeprokurorit. Kjo për ta nuk do të thoshte vetëm një fund i karrierës së tyre politike, por edhe kosto për subjektin që përfaqësojnë. I “flijuari” i parë i zemërimit amerikan u bë njeriu që ishte betuar për të zbatuar ligjin, por në fund të mandatit ka marrë vulën e të dyshuarit për korrupsion, duke i hequr të drejtën atij dhe familjes për të shkelur në SHBA.

Llalla “bie” në Amerikë

Shkallët e karrierës i ngjiti me shpejtësi, kur nga një OPGJ (Oficer i Policisë Gjyqësore) u thirr me “emergjencë” të jepte kontribut si prokuror, në disa rrethe si Kavaja, Fieri dhe Tirana.  Më pas, njohjet e mjaftueshme edhe në rangje politike të nivelit të lartë, i ndryshuan karrierën për mirë, duke e zgjedhur në krye të ILDKP-së (Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë). Pa e përfunduar detyrën, politika do mendonte sërish për Llallën, këtë herë duke çuar në podin më të epërm të institucionit të akuzës, u zgjodh Prokuror i Përgjithshëm. Me 75 vota pro, në vitin 2012, mazhoranca, PD dhe LSI, caktoi Llallën kryeprokuror, i cili zëvendësonte në këtë detyrë Ina Ramën, aq të anatemuar e sulmuar nga qeveria Berisha. Nga ana e saj, PS nuk kundërshtoi, duke mos e dhënë votën kundër dhe qëndroi në abstenim. Në këtë mënyrë u duk se Llalla kishte “simpatinë” e të dyja palëve kundërshtare politike. Këtë formë “mirë me çdo kah”, kryeprokurori e ushqeu për të paktën tri vitet e para të mandatit. Fliste për hetime të thelluara të zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të lartë, por nuk preku asnjë prej tyre. Ndonjëherë që dosjet i nevojiteshin sa për statistikë dhe krijuar zhurmë të vogël mediatike, qëndroi besnik “bindjes” që edhe kur godet, duhet ta bënte nga çdo kah politik, për të mos marrë sulme nga asnjë forcë. Nëse pushtetarët e ish-pushtetarët flinin qetë në këtë anë, Llalla zhgënjeu në pritshmëritë që SHBA kishte për të, që në momentin kur u zgjodh. “Ambasada e Shteteve të Bashkuara uron Z. Adriatik Llalla për emërimin e tij si Prokuror i Përgjithshëm. Do t’i japim mbështetje të plotë përpjekjeve të tij për të kryer në mënyrë agresive ndjekjen penale të korrupsionit, krimit të organizuar dhe shkeljet e zyrtarëve”. Kjo është deklarata e parë e Ambasadës së SHBA në Tiranë, vetëm pak orë pasi Llalla mori votëbesimin në parlament. Pjesa tjetër u menaxhua mirë nga ish-kryeprokurori, pasi në takimet zyrtare me përfaqësues të ambasadës apo ekspertë të SHBA-ve, zotohej për bashkëpunim dhe shprehte mirënjohje për ndihmën. Gjithçka ndryshoi në intensitetin e reformës së re të drejtësisë dhe më mbërritjen në Tiranë të ambasadorit të ri të SHBA-së Donald Lu. Serioziteti me të cilën Lu mori detyrën, u ndje që në momentin e parë kur shkeli në tokën shqiptare, me një përshëndetje dhe deklaratë të shkurtër në gjuhën shqipe.

Armiku i mikut të madh…

Në fillim të vitit 2017, kur Reforma në Drejtësi nisi të hedhë hapat e parë, përplasjet Llalla-Lu morën karakter të hapur publik. Durimi i ambasadorit Lu, mori fund në 2 shkurt të vitit të kaluar. “Po shohim tashmë njerëz të fuqishëm që po përpiqen të ruajnë kontrollin e tyre mbi gjykatat dhe prokurorët. Shembulli më i fundit për këtë është veprimi i prokurorit të përgjithshëm të Shqipërisë. Për më shumë se 18 muaj ai ka folur vazhdimisht dhe me zë të lartë kundër Reformës në Drejtësi”, deklaroi ambasadori. Gjithashtu e akuzoi Llallën edhe për konfiskimin e serverit të ILDKPI-së, aty ku ruhen deklarimet e pasurisë të zyrtarëve shtetërorë prej vitesh. Aludimi ishte se prokurorët donin t’i manipulonin deklaratat e pasurisë para se të niste vettingu. As Llalla nuk qëndroi i heshtur, madje priti disa orë për të përgatitur një relacion të gjatë kundër ambasadorit Amerikan në Tiranë. Llalla akuzoi ambasadorin amerikan për shantazh, e quajti sorosian dhe i përmendi çështjen e “Bankers Petrolium”, për të cilën ambasadori kishte ndërhyrë personalisht në mbylljen e hetimeve. Për t’i dhënë “rëndësi” këtij konflikti, Llalla la të kuptonte se Donald Lu i kishte kërkuar edhe arrestimin e Sali Berishës. “Këto ambasadorë kanë përfituar nga fakti të imunitetit nga statusi të cilin ata kanë. Nëse këto ambasadorë nuk do të kishin imunitetin që kanë për shkak të statusit, ata sot do të ishin para përgjegjësisë. Në zyrën time ambasadorë të tillë kanë ardhur duke kërkuar të imponohen në mënyrë të tillë për arrestimin e zyrtarëve të lartë në vend”, deklaroi Llalla gjatë intervistës së tij. Pas këtyre deklaratave, Lu e Llalla nuk u takuan më kurrë mes tyre, pasi ambasadori ishte më shumë i zënë për të kaluar konfliktet politike pozitë-opozitë në prag të zgjedhjeve parlamentare. Në pikun e përplasjeve politike të mazhorancës dhe opozitës, më 7 dhjetor 2017, Lu ndërhyn përmes një reagimi të bërë zyrtarisht nga ambasada e SHBA në Tiranë në të cilin thuhej: “Kushtetuta dhe Ligji për Prokurorinë janë të qarta. Ambasada e SHBA mbështet opinionin ligjor që OPDAT dhe EURALIUS i kanë dhënë Parlamentit. Ne nxisim Parlamentin të zbatojë Ligjin”. Një qëndrim më se i qartë për të kuptuar se mandatit të Llallës i kishte ardhur fundi dhe ende pa kaluar dhimbjen e ikjes, ish-kryeprokurori futët në listën e zezë të personave të padëshiruar në SHBA.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Kështjella e Krujës, Kështjella e Trojës dhe shija e qershisë

(Lufta për çlirim e Kosovës dhe lufta e sotme e pashpallur e...
Read More