Kabineti i ri rikthen përplasjen Meta-Rama

Presidenti Ilir Meta dekretoi dje katër ministrat e propozuar nga kryeministri Edi Rama, ndërsa mban ende pezull kandidaturën e Genti Cakës në postin e ministrit të Jashtëm. Përse presidenti po refuzon Cakën dhe dilemat nëse do ta dekretojë deri të premten kur përfundon afati kushtetues. A po kthehet precedenti Lleshaj dhe përplasja Rama-Meta?

Presidenti i vendit Ilir Meta ka dekretuar pasditen e djeshme 4 ministrat e rinj të kabinetit Rama, por nuk ka shkarkuar ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati dhe në vendin e tij ende nuk dekreton të propozuarin nga Rama, Genti Caka. Ndonëse kreu i shtetit kishte afat deri të premten për të dekretuar ministrat e rinj, nuk ka pritur orët e fundit por hodhi firmën në dekretimin e 4 ministrave: Elva Margariti, ministre e Kulturës, Besa Shahini, ministre e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Anila Denaj, ministre e Financave dhe Ekonomisë dhe Belinda Balluku, ministre e Infrastrukturës Dhe Energjisë. I vetmi ministër i zgjedhur nga Rama që nuk ka marrë ende pëlqimin e Presidentit është Genti Caka dhe duket se kreu i shtetit ende nuk ka krijuar bindje për kandidaturën e tij. Për të plotësuar dyshimet mbi figurën e Cakajt, kreu i shtetit Ilir Meta ende nuk ka dekretuar as shkarkimin e Ditmir Bushatit nga posti i ministrit të Jashtëm. Paraditen e djeshme, pak orë para se të dekretonte katër ministrat e rinj, Meta u ndal specifikisht për Cakën, ndërsa u shpreh se do të flasë me dekret brenda afateve të përcaktuara në ligjin themeltar të shtetit, ndërkohë që ka sqaruar se, “është në pritje të përgjigjeve që do të vijnë nga institucionet të cilave Presidenca u është drejtuar për verifikim”. Për të mos i lënë asgjë “rastësisë” duket se kryeministri Edi Rama këtë herë është angazhuar vetë në takimet intensive me kreun e shtetit. Edhe ditën e djeshme mësohet se ka patur takim mes tyre ku sipas të dhënave konfidenciale mësohet se temë e diskutimit ka qenë pikërisht kabineti i ri dhe veçanërisht emri i propozuar për ministër të Jashtëm. Që më datë 28 dhjetor kur Rama në Asamblenë e Partisë Socialiste vendosi shkarkimin e shtatë ministrave dhe zëvendëskryeministres, kur përmendi emrin e Genti Cakës për postin e rëndësishëm të Ministrisë së Jashtme pati shumë diskutime. Disa nga dyshimet lidhen me moshën e tij që është 28 vjeç dhe faktin se është shtetas kosovar, ndërsa opozita, por edhe zëra të tjerë hedhin dyshime se Caka është person i cili ka si prioritet politikën e ndryshimit apo shkëmbimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë. Aludimet kapërcyen edhe në teori të tjera “konspirative” si i dërguar nga Beogradi…

Meta, “pengesa” që nuk kalohet lehtë

Më 5 Janar, Presidenti Ilir Meta dekretoi 3 ministra të rinj Blendi Çuçi, Elisa Spiropali dhe Eduard Slasin, ndërsa gjithashtu dekretoi në postin e zv.kryeministrit Erion Braçen, që ishin njëkohësisht edhe deputetë dhe e plotësonin kriterin për të qenë ministër, ashtu sikurse e ka të saktësuar Kushtetuta. Për pesë emrat e tjerë të propozuar, Meta kërkoi kohën e nevojshme dhe atë që përcaktohet në afatet kushtetuese, por me emërimin e katër ministrave të tjerë të rinj dhe refuzimin e vetëm njërit prej tyre situata politike mund të kalojë përsëri në përplasje institucionale dhe individuale. Duke emëruar në krye të Ministrisë së Arsimit Besa Shahinin, edhe ajo e lindur në Kosovë, kreu i shtetit ka rrëzuar dyshimin se Caka nuk dekretohej prej tij për shkak të shtetësisë. Argumentet e tjera që nuk kanë bindur Metën për kandidaturën e Genti Cakës ende nuk janë bërë publike. Megjithatë ka afat për ta dekretuar ose jo deri të premten pasdite. Lëvizjet politike dhe debatet pritet të vijojnë, ndërsa me interes janë edhe argumentet që do japë kreu i shtetit në rast të refuzimit të kandidaturës së ministrit të propozuar Genti Caka.

A po kthehet precedenti Lleshaj?

Kreu i shtetit Ilir Meta refuzoi të dekretojë ministrin e Brendshëm gjeneral Sandër Lleshaj dy muaj më parë, me argumentin se ishte ende pjesë e strukturave të Forcave të Armatosura. Vetëm pas dokumenteve të mbërritura nga Ministria e Mbrojtjes dhe institucionet e tjera të vendit presidenti Meta e dekretoi Lleshajn në postin e ministrit, duke djegur afatin e parë kushtetues një javor, por e riktheu çështjen vetëm pasi Rama i bëri një kërkesë tjetër për ridekretim. Në lidhje me kompetencat e presidentit, nëse ka ose jo atribute kushtetuese për të refuzuar kandidaturën e propozuar nga kryeministri për një anëtar kabineti, pati diskutime të shumta. Një pjesë e juristëve u shprehën se roli i kreut të shtetit ishte më shumë ceremonial sesa vendimtar, ndërsa ekspertë të tjerë konstitucionalistë, argumentuan se Presidenti i Republikës e ka të sanksionuar që mund të refuzojë një kandidaturë nëse nuk plotëson kriteret për t’u bërë ministër. Ky ngërç institucional mund të zgjidhej lehtësisht nëse do ishte në funksion Gjykata Kushtetuese e cila do të shprehej për kompetencat e kreut të shtetit në këtë pikë, por në mungesë të institucionit të rëndësishëm që ka mbetur vetëm me një anëtar i ka lënë terren të pastër politikës për ta interpretuar sipas interesit. Ka edhe një tjetër lexim i cili qëndron, ku çështjen e refuzimit të kandidaturave për ministër nuk e shohin si “problem kompetencash”, por një përplasje të kahershme mes dy personazheve politike Rama-Meta. Në rastin e Lleshajt mes dy liderëve politikë pati përplasje që nuk shkuan deri në kufijtë e konfliktualitetit të hapur, por dukshëm tregonin mendimet e ndryshme.

 

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Decentralizimi dhe autonomia vendore në Shqipëri

Nga Eduart Shakra* Është fakt tanimë, standardet e shërbimeve të ofruara nga...
Read More