Jeta ime mes dilemash pranë Mbretit Zog në mërgim

Nga Gjenco D. Naçi

Autori ishte ambasador i mbretërisë shqiptare në Turqi. Më poshtë gjeni pjesë nga libri i tij “Largimi i Mbretit Zog nga Shqipëria 1939–1945”, përgatitur për botim nga Bejtullah Destani

Mbreti arriti në Stamboll më 1 maj 1939, herët në mëngjes. Ishte i shoqëruar nga shumica e ministrave, disa oficerë dhe familja e tij. Z. Xhaxhuli u nis nga Ankaraja me avion që ta priste. Unë nuk vajta sepse duhej që dikush të rrinte në legatë.

Qëndrimi im kundrejt Mbretit

Në këtë kohë dhe në vazhdim pata rastin të bisedoja gjerë e gjatë me Dr. Seit Bilalin mbi gjendjen dhe mbi qëndrimin e mbajtur. Jam i mendimit se në çështje të tilla njeriu nuk duhet të vendosë tërësisht vetë, sepse janë vetëm çështje personale dhe vendimi i një personi mund të këtë pasoja edhe për të tjerë. Kështu që, me sa kam pasur mundësi, kam dashur të veproj në përputhje me mendimet e shumicës së shqiptarëve. Kjo mund të quhet si mungesë kuraje. Mendoj se shumë herë duhet më shumë kurajo të pajtosh idetë e tua me ato të të tjerëve për hir të interesit të përgjithshëm, se sa të vendosesh në opozitë të veçuar dhe të pafrytshme.

Natyrisht nuk flas këtu mbi pika parimi dhe morali mbi të cilat njeriu nuk duhet të bisedojë fare, sepse duhen pranuar nga të gjithë si aksiomë. Fjalën e kam më shumë rreth pikave që kanë të bëjnë me taktikën politike. Dr. Bilali qe i vetmi shqiptar me të cilin kisha një afrim idesh në Ankara, duke qenë se kishte qenë dikur kundërshtar i regjimit diktatorial dhe e pësoi për idetë e tij.

Biseda jonë mund të përmblidhet kështu- arsyeja e donte që Mbreti dhe qeveria të mbajnë qëndrimin e një “qeverie në mërgim” që përfaqëson popullin dhe shtetin e robëruar. Duheshin ndjekur praktikat që u zbatuan në Luftën e Parë Botërore, kur v.f. qeveria serbe mbajti një qëndrim të tillë, një qëndrim analog u mbajt nga Perandori etiopian që nga pushtimi i Etiopisë.

Për mua ishte një çështje ndërgjegjeje. Kisha qenë gjithnjë në heshtje kundra regjimit. Tani a duhej të bashkohesha me kryetarin e atij regjimi, me të cilin nuk me lidhte asgjë, po t’i mohoja patriotizmin, ose duhej me u ndarë dhe me luftuar kundër fashizmit të huaj dhe kundra regjimit me sa kisha fuqi. Mendimi i im i mëparshëm mbi ndjenjat kombëtare të Mbretit dhe të njerëzve të tij ishte tronditur thellësisht.

Në fund të fundit këta njerëz, po të donin, e kishin pasur në dorë për të ndenjur në Tiranë nën mbrojtjen e Italisë. Ky ishte qëndrimi që kishin kujtuar se do të mbanin. Përkundrazi, me gjithë rrethanat e veçanta personale (gjendja e Mbretëreshës dhe e Princit të porsalindur), Mbreti preferoi të mos nënshtrohej. Në atë kohe nuk munda ta shpjegoj ndryshe këtë qëndrim përveçse me ndjenja patriotike të Mbretit, të cilit, kur u mbush kupa e koncesioneve, e gatuan mbi çdo gjë tjetër. Pra, duhej pranuar se ky njeri qe një patriot i vërtetë. Këtë mendim shprehi atëherë edhe Dr. Bilali.

Po të pranohej ky themel, atëherë duhej që kundërshtimet politike të liheshin mënjanë sepse shqiptarët e mërgimit e kishin për detyrë që të bashkoheshin të gjithë dhe të shikonin se ç’mund të bëhej. Idetë e kundërta, do me thënë luftimi jashtë shtetit në dy fronte kundra fashizmit të huaj dhe kundra regjimit, mund të arsyetohet teorikisht. Një ide e tillë u propozua shumë herë gjatë viteve të mërgimit. Por kur të tregoj rreth kësaj pikë do të provoj se as përkrahësit e kësaj ideje qenë idealistë të vërtetë. Ideja nuk ishte pranuar nga shumica e mërgimtarëve.

Taktikisht, një politikë e tillë nuk mund të sillte ndonjë fryt për çështjen kombëtare dhe biles as për çështjen e demokracisë në Shqipëri. Nga ana tjetër, për kohen për të cilën po tregoj tani, një qëndrim ishte komplet jashtë realitetit, sepse do të ishte një qëndrim mohues, personal, pa fuqi dhe pa anëtarë të organizuar. Përfundimi i tij do të ishte që të shkaktonte, siç ndodhi me vonë, ndarjen e shqiptarëve në një kohe kur duhej bashkimi i të gjithëve. Një përgjegjësi e tillë nuk mund t’i takonte asnjë njeriu, i cili nuk do të ishte i sigurt se kishte influence të madhe dhe mjete të forta.

Në atë kohe mendonim se një luftë e përgjithshme ishte një gjë e sigurt dhe ishim të bindur se Italia do të dilte e humbur dhe se do detyrohej të lëshonte Shqipërinë. Ishte e domosdoshme që në atë luftë Shqipëria të jepte ndihmën e saj, sado të vogël, duke u përfaqësuar prej një organi kombëtar, në mënyrë që në Konferencën e Paqes të kishte të drejtë të mbronte interesat e saj. Këto qenë disa nga arsyet pse duhej vazhduar fiksioni ligjor i shtetit shqiptar.

Po të vazhdonte shteti, për mua nuk kishte asnjë arsye që të mos vazhdoja t’i shërbeja siç i kisha shërbyer gjatë 5 viteve kur jo vetëm pranova, por edhe kërkova nënpunësim me gjithë urrejtjen time përkundrejt “regjimit” politik në fuqi. Ky sigurisht qe edhe mendimi i disa prej kolegëve të mi, si dhe të arratisurve politikë, të cilët në Paris kishin deklaruar bashkimin e shenjtë me Mbretin në rast se rezistonte.

Megjithatë mendoja se do të ishte mirë, që me një mënyrë ose një tjetër, të shpjegoja botërisht arsyet për të cilat bashkimi më dukej i domosdoshëm, duke denoncuar, po në atë kohë, njerëzit që konstitucionalisht qenë përgjegjës për politikën tonë të deriatëhershme.

Dr. Bilali me urtësinë e tij të matur më tregoi se kishte kohë për një veprim të tillë dhe se tani për tani duhej pritur për të parë zhvillimin e gjendjes. Mundet që kjo këshillë e Dr. Bilalit të qe e diktuar prej faktit që unë nuk kisha rëndësi aq të madhe sa për të bërë deklarata politike. Atëherë e mbivlerësoja përgjegjësinë time, por me vitet që kaluan jam i detyruar të pranoj që Doktori qe shumë me realist. Përshtypja ime është se urrejtja i tij kundër regjimit nuk e qortonte Dr. Bilalin në mënyrë që ta drejtoja në veprimet e shpejta dhe të pamenduara mirë. Ideja tjetër ka qenë se gjithashtu Mbretëresha dhe Mbreti kishin një vleftë-propagande, e cila duhej përdorur deri në pikën e fundit.

Në këto kohë e sipër u kthye nga Stambolli z. A.Xhaxhulli dhe lajmeri se qeveria vazhdonte në punën e saj dhe se qe vendosur që të mos njihej gjendja e re.

Njëkohësisht u morën vesh disa kapitullime zyrtare. Disa prej Ministrave u kthyen në Shqipëri së bashku me një shumicë të madhe oficerësh. Qëndrimi i këtyre Ministrave, si z. Ekrem Libohova dhe Rrok Gjëra, shpjegohej me faktin se ose ishin filo-italianë të njohur ose njerëz pa kurajon e duhur për një rezistencë të vazhdueshme. Kështu që qëndrimi i tyre nuk më shqetësoi aq sa lajmi sipas të cilit përfaqësuesit në Greqi, Jugosllavi dhe Rumani ishin duke iu dorëzuar armikut me përjashtim të Kryekonsullit të Shkupit, z. Sermet Xhaxhulli dhe të Konsullit të Selanikut z. Vasfi Xhomo. Ky i fundit u vra pas disa ditëve dhe vdekja e tij na u duk atëherë si vdekja e një heroi. Më vonë mësuam ngjarjet e vërteta që ishin krejt ndryshe. Nga Parisi lajmërohej kapitullimi i të arratisurve, por lajmërohej gjithashtu i një Federatë Pan-Shqiptare, në gjirin e së cilës elementë të rinj, dhe sidomos komunistët kërkonin bashkimin e shenjtë për të vazhduar rezistencën. Mora vesh gjithashtu se z. Mehmed Konica, pasi kishte bërë një tentativë të çuditshme kthimi për në Shqipëri, u detyrua të vendoste të mbetej në emigrim dhe të vinte në Stamboll afër Mbretit. Ideja ime ishte që të takohesha dhe të këshillohesha me Mehmed Konicën sepse nga gjithë bejlerët e quaja më të zgjuarin dhe politikisht me të ndershmin. Me gjithë miqësinë që kishte me Mbretin, ai gjatë shumë viteve nuk pushoi se denoncuari regjimin hapurazi dhe nuk mori asnjëherë një përgjigje direkte për punët që bëheshin në Shqipëri.

Z.Xhaxhulli u kthye përsëri në Stamboll dhe pas disa ditësh më urdhëroi të nisem për atje. Sapo arrita në Stamboll më dha urdhër që të përktheja në frëngjisht një Memorandum për Lidhjen e Kombeve. Ky Memorandum, kopjen e të cilit e jap siç është shqip në fund të këtij libri, ishte përgatitur prej Këshillit të Ministrave. Më pas u dorëzua nga Kapiten Hysejn Doshishti, nipi i Mbretit, në Gjenevë dhe u botua në atë kohë në gazetën “Temps” të Parisit.

Në Stamboll mbeta vetëm 48 orë dhe u paraqita përpara Mbretit nga z. Hiqmet Delvina, nënkryetar i parlamentit. I lexova Mbretit Memorandumin në frëngjisht dhe ai më tha vetëm disa fjalë të mira. Duke qenë se z. Delvina, duke me paraqitur përdori disa lavdërime, i shpreha Mbretit habinë time, duke qenë se gjatë shumë viteve në Shqipëri zotëria e tij sa herë kishte gjetur rastin kishte treguar armiqësinë e tij kundër babait tim dhe kundra meje. Në Stamboll nuk ka dyshim se z. Delvina qe nga më aktivët midis zyrtarëve shqiptarë dhe përshtypja ime vinte ngaqë shikoja që njerëz të urryer si ai kishin akoma sy e faqe të dukeshin në mes të burrave.

Z.Abdurraman Dibra qe më modest dhe z. Musa Juka qe më i ëmbël se sa kishte qenë në Shqipëri. Me këtë të fundit pata një bashkëfjalim shumë të ashpër duke i theksuar se ata që ai kishte ndjekur si komunistë dhe kriminelë tani vazhdonin rezistencën kundra miqve të tij. Abdurraman Mati qe gjithnjë në Përa Palac dhe m’u duk po ai që kishte njohur disa muaj më parë në Paris. Me kolegun tim Shaqir Hajrullahu patëm mjaft bisedime dhe kuptova se edhe ai kishte ndjenjat e mia, por që edhe ai mendonte si unë rreth rrugës që duhej vazhduar.

U ktheva në Ankara dhe pas disa ditëve na vizitoi z. Sotir Martini për të bërë vizat e Pasaportave në Legatat e ndryshme. E shoqërova në Legatën e Francës dhe atje gjetëm një pritje të ftohtë dhe pothuajse fyese. Këshilltari i Legatës me autoritetin e ndonjë prokurori që flet me të dënuarin, na theksoi se vizat na jepeshin me kusht që të mos bënim asnjë veprimtari politike. Do të doja të dija nëse këshilltari në fjalë, pas vitit 1940, bashkëpunoi me gjermanët apo u bë edhe ai emigrant. Në të dyja rastet jam i sigurt se do të ketë eksperimentuar ndjenjën time kur u paraqita para tij në marrëdhëniet e tij me zyrtarët gjermanë ose edhe aleatët. Pas ca kohësh e mbyllëm Legatën në Ankara dhe së bashku me familjet tona Ministri dhe unë vajtëm në Stamboll ku u vendos Legata me lejen e qeverisë Turke.

Në këtë kohë mësova se Mbreti kishte kërkuar të vizitonte Presidentin e Republikës Turke në Ankara, por gjenerali Inonu e lajmëroi se do vinte vetë në Jalovë afër Stambollit dhe se do ta takonte atje. Kjo ishte një mënyrë fisnike për t’i dhënë vizitës një karakter tërësisht privat, që të mos zemërohej Duçja.

Kur ishim akoma në Ankara, z. A. Xhaxhulli më foli për herën e parë mbi vajtjen time me Mbretin si sekretar i tij i veçantë. Kjo m’u duk një zgjidhje e mirë për problemin tim personal, sepse kështu do të mundesha të arrija në France ku do të shikoja se çfarë mund të bëja. Por nga ana tjetër m’u duk si çudi që unë të bëhesha sekretar i kryetarit të regjimit që urreja. Kur arrita në Stamboll kuptova se propozimi i Ministrit kishte mbetur vetëm një propozim. Përkrahesha nga z. Mehmed Konica, Stavro Stavri, Sotir Martini dhe më duket Abdurrahman Mati. Por vetëm ditët e fundit kur do të nisej Mbreti, u mor vendimi që të beja dhe unë pjesë në suitën Mbretërore. Natyrisht emërimi u bë pa asnjë formalitet dhe shpejt mora vesh se sekretari i Mbretit Zog nuk ishte një pozitë siç e kisha menduar. Nuk kishte as detyrat dhe as të drejtat që zakonisht kanë sekretarët e Mbretërve. Isha një sekretar “Sui generis”. Mundet që edhe Oborri edhe Madhëria Shqiptare të ishin komplet “Sui generis”.

Gjatë kohës që ndenja në Stamboll, u takova me z. Mehmed Konica, i cili më shprehu çudinë e tij që isha afër Mbretit, por duke më përgëzuar për qëndrimin tim, më këshilloi që të vazhdoja sepse mërgimi qe e vetmja gjë mund të bënim në gjendjen e atëhershme. U takova gjithashtu edhe me Dr. Tare Libohoven, i cili edhe ai mendonte në atë mënyrë me gjithë kundërshtimin e tij ndaj Mbretit. Dr. Tare thoshte se bashkimi rreth depozitarit të sovranitetit shqiptar qe e vetmja rrugë atëherë.

Ndërkaq mësuam kapitullimin e Legatës Shqiptare në Londër, megjithëse nëpunësit e saj nuk u nisen për në Shqipëri. Ditën para nisjes se Mbretit arriti kryeministri z. K. Kota i cili gjithashtu me përgëzoi për qëndrimin që kisha mbajtur.

Më 1 korrik 1939 u nisa nga Stambolli për në Rumani dhe nëpërmjet Polonisë, shteteve baltike, skandinave dhe Belgjikës mbërrita në Francë. Ajo çka frymëzoi këtë rruge të gjatë, e cila u studiua imtësisht dhe solemnisht në hartat gjeografike, qe se italianët mund të kapnin Mbretin po të kalonte nga deti Mesdhe. Kjo arsye m’u duk atëherë qesharake.

Mbreti mori me vetë një pjesë të familjes së tij, kurse pjesën tjetër e dërgoi nëpërmjet Mesdheut z. Sotir Martini, i cili që atëherë mori titullin Ministër i Oborrit. Qazim E. Kastrati dhe unë ishim personeli civil, kurse nënoficerat shqiptarë ishin rojet e tij.

Lajmi i përhapur qe se Mbreti do të vizitonte Europën për të parë se ç’mund të bënte për çështjen kombëtare dhe se pastaj do të kthehej në Turqi ku duhej ta priste qeveria. Kujtoj se Ministrat ndanë me Mbretin duke pasur këtë bindje, pastaj kur z. Martini deklaroi në Rumani se Mbreti i la një herë e përgjithmonë, u zemërua pa mase. Në sytë e mi fakti që njerëz si z. Musa Juka dhe shokët nuk erdhën me Mbretin, qe një shenjë e mirë. Kisha mendimin se Mbreti duhej të ndahej prej “anturazhit” të tij dhe se gjithë përgjegjësia për të shkuarën duhej t’i ngarkohej Kabinetit, që zoti e kishte ligjërisht. Në këtë mënyrë Mbreti do dilte larë dhe i pastër, gati të bashkëpunonte me elementë të rinj të papërlyer nga gabime të së kaluarës. Një ndërtim i tillë, edhe sikur të qe një fiksion, mund t’i shërbente shumë çështjes kombëtare.

E vërteta qe se në rast se ministrat kishin shoqëruar Mbretin në udhëtimin e tij, kolonitë shqiptare të ndryshme do të deklarojnë kundra tij dhe do të ndaheshin përgjithnjë prej legalitetit. Fakti i mosardhjes se ministrave u shpjegua dhe Mbreti e inkurajoi sa mundi këtë shpjegim si mbarim i influencës së tyre të keqe. Personalisht isha atëherë shumë i kënaqur në këtë pikë. Natyrisht Mbreti kishte dhe arsye të tjera që nuk i mori me vete.

Por tani, pas ngjarjeve, jam i mendimit se në këtë drejtim u bë një gabim i madh. Zgjedhja më e mirë mund të ishte një ndryshim në personelin e qeverise dhe emërimi i disa njerëzve të pastër. Por nuk di nëse një akt i tillë mund të quhej një akt i ligjshëm dhe do të forconte pozitën legale të shtetit tonë. Sigurisht do të kënaqte kolonitë dhe mundësisht disa nga shqiptarët e Shqipërisë.

Por nga ana tjetër, do të shqetësonte miqtë e mbretit dhe do të quhej një akt në kundërshtim me parimet e kamaraderisë. Mbreti shumë herë tha se do të bënte “remanisment”, por s’e bëri kurrë. Nga ana tjetër qenia e disa ministrave dhe personaliteteve përfaqësuese të mbretit, s’ka dyshim se do të forconte pozitën ndërkombëtare të shtetit shqiptar. Siç do të shohim me vonë në këtë tregim, një nga pretekstet – nuk them arsye – për mos njohjen e pozitës legale të pakundërshtueshme të Shqipërisë qe mungesa afër Mbretit e disa njerëzve përgjegjës dhe zyrtare.

Sigurisht pozita e shtetit do qe shumë më e fortë në rast se Këshilli i Ministrave të gjendej afër Mbretit, refuzimi i të drejtave tona do qe shumë më i vështirë. Kështu që duke peshuar mirë çështjen kujtoj – tani – se lënia (e cila u kthye shpejt në harresë) e Ministrave qe një gabim nga pikëpamja e politikës që vazhdoi Mbreti gjatë luftës. Kjo provon se sa e vështirë është në politikë të zgjedhësh rrugën e drejtë dhe njëherësh kjo zgjedhje të kuptohet prej shumicës së qytetarëve. Megjithëse jam i mendimit se qeveritarët duhet t’i binden dëshirës se popullit – qoftë edhe e gabuar- nuk mund të mos shënoj se në disa raste, të paktën t’i shpjegohet popullit rreziku dhe pastaj politikanët të veprojnë sipas karakterit të tyre personal.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Militanti i Madh

TRIPTIK Nga Erion Kristo Shoqëria shqiptare sundohet egërsisht nga politika, madje në...
Read More