Ja si i falsifikua pronësia e 80 ha tokë në bregdet

vile-bashtove-1 (1)Ish-drejtori i Hipotekës dhe ish-kryekomunari i Gosës, akuzohen nga prokuroria se me dokumente të falsifikuara kanë shpërndarë në mënyrë fiktive 80 hektarë tokë në bregdet. Toka është ndarë për familjet bujqësore në bazë të ligjit 7501, pa dijeninë e këtyre familjeve dhe më pas është shitur nga ish-zyrtarët, të cilët janë prezantuar si përfaqësues të përfituesve të tokës.

Ish-drejtuesi i Hipotekës së Kavajës, ish-kryekomunari i Gosës dhe disa ish-zyrtarë janë marrë të pandehur nga Prokuroria e Kavajës për falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre.

Zyrtarët akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë falsifikuar dokumentet e pronësisë për një sipërfaqe toke prej 80 hektarësh në bregdet, të cilën më pas, në kundërshtim me ligjin, e kanë shpërndarë në bazë të ligjit 7501.

Prokuroria e Kavajës përfundoi hetimet dhe dërgoi për gjykim ish-drejtuesin e Hipotekës së këtij qyteti, Fatos Gjuzi, ish-kryetarin e Komunës, Gosë Sinan Shala, si edhe tre ish-zyrtarë të Komisionit të Ndarjes së Tokave, të akuzuar për veprat penale të “falsifikimit të dokumenteve” dhe “shpërdorimit të detyrës”.

Sipas prokurorisë, ish-zyrtarët e pandehur kanë tjetërsuar, regjistruar dhe shpërndarë, rreth 80 hektarë tokë bregdetare në zonën e Vilë-Bashtovës, në kundërshtim flagrant me ligjin.

Këtë sipërfaqe, e cila tashmë është nën sekuestro preventive, ish-zyrtarët ua kanë kaluar në pronësi disa familjeve bujqësore, të cilat nuk kanë asnjë dijeni se janë pronarë të hapësirave në bregdet.

Në vijim, këto toka të tjetërsuara dhe të shpërndara në mënyrë fiktive, ish-zyrtarët ua kanë shitur personave të tretë.

Prokuroria e Kavajës ka nisur hetimin në bazë të kallëzimeve të dorëzuar nga Prefektura e Tiranës, Njësia Antikorrupsion pranë Këshillit të Ministrave dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Sipas hetimeve të prokurorisë rezulton se ish-kryetari i komunës Gosë, Sinan Shala dhe ish-zyrtarët lokalë të ndarjes së tokave, Nezir Leçini, Myzafer Xhelilaj e Idriz Thaçi, kanë falsifikuar të gjithë dokumentacionin, në bazë të të cilave, rreth 80 hektarë tokë bregdetare, e cila nuk lejohej ligjërisht të ndahej në bazë të ligjit nr.7501/ “Për tokën”, është regjistruar si tokë bujqësore.

Ky falsifikimi është realizuar duke ngjitur në regjistrat përkatës disa letra të rreme, në bazë të të cilave Këshilli i Rrethit Kavajë kishte miratuar ndryshimin e destinacionit të tokës.

Por, nga hetimi ka rezultuar se falsifikimi ka qenë lehtësisht i dallueshëm, pasi dokumentet e shtuara në regjistrin përkatës mbajnë data, në të cilat Këshillat e Rretheve ishin shkrirë.

Në vijim, këta shtetas, pasi kanë ndryshuar destinancionin e tokës nga bregdetare, në tokë arë, e kanë shpërndarë atë në disa familje bujqësore të zonës.

Nga veprimet e Prokurorisë së Kavajës, rezulton se këto familje bujqësore janë pajisur më parë me tokë në bazë të ligjit nr. 7501 dhe nuk kishin më të drejtë të përfitonin.

Gjithsesi, në regjistrat hipotekarë rezulton se këto familje kanë të regjistruar disa herë më shumë tokë se sa i takon.

Prokuroria e Kavajës ka kryer verifikimet e nevojshme, nga të cilat ka rezultuar se familjet bujqësore me tokë shtesë nuk kanë pasur dijeni për këtë gjë.

Nga praktika në Hipotekë, rezulton se veprimet në emër të tyre janë kryer nga ish-zyrtarët e komunës dhe të komisionit të ndarjes së tokave, të cilët tashmë janë marrë të pandehur.

Gjithashtu, pasi janë regjistruar këto prona në emër të disa familjeve bujqësore, të pandehurit kanë realizuar fiktivisht rolin e përfaqësuesit të tyre për shitjen e këtyre pronave te persona të tretë.

Të gjitha veprimet e paligjshme të realizuara nga ana e ish-zyrtarëve të komunës Gosë, të marrë të pandehur tashmë, janë legjitimuar nga ish-drejtuesi i Hipotekës Kavajë, Fatos Gjuzi.

Të pandehur:

Sinan Shala, ish-kryetar i Komunës Gosë, Kavajë;

Fatos Gjuzi, ish-regjistrues i Hipotekës, Kavajë;

Nezir Leci, ish-zyrtar i Komisionit të Ndarjes së Tokave, Gosë, Kavajë;

Myzafer Xhelilaj, ish-zyrtar i Komisionit të Ndarjes së Tokave, Gosë, Kavajë;

Idriz Thaci, ish-zyrtar i Komisionit të Ndarjes së Tokave, Kavajë.

Shkruar Nga
More from revista mapo

‘Ndërkombëtarët’ e Aliçkajt: Libri i ndaluar, si u shpëtua nga Brukseli

Tirana times riboton romanin “Ndërkombëtarët” të Ylljet Aliçkajt, në tri gjuhë: shqip,...
Read More