Ja pse Partia Demokratike ka rëndësi jetike për Shqipërinë

PD feston 27-vjetorin e krijimit mes pyetjes se a do ia dalë që të rikthehet në pushtet. Megjithatë është nevoja për një parti të fortë konservatore, ajo që e mban në shina demokracinë e një vendi

Nga Enton Palushi

Thonë se britanikët kanë një sens të theksuar humori. Mund të duket si një stereotip, por ka nga ata që thonë se pikërisht ky sens humori bëri që ata të shmangin ardhjen e një ‘Hitleri britanik’ në pushtet. Bëhet fjalë për Sir Oswald Mosley, drejtues i Unionit të Fashistëve Britanikë. Mosley u bë subjekt humori nga britanikët finokë. Ai u burgos në vitin 1940 dhe partia e tij u shpall e paligjshme. U lirua në vitin 1943 dhe pas këtij diskreditimi politik, u vendos jashtë vendit, duke kaluar shumicën e jetës në Francë.
Kjo është një histori e thjeshtuar, por një tregues interesant i jetës politike në Britaninë e Madhe. Në të vërtetë, një libër shumë i rëndësishëm, i publikuar kohët e fundit nga një profesor i Universitetit të Harvardit, i quajtur Daniel Ziblatt, hedh dritë mbi faktin se përse demokracia në Britani nuk ka pasur probleme.
“Partitë konservatore dhe Lindja e Demokracisë”, një libër në kohën e duhur, tregon se cili është faktori kyç, i nevojshëm për një vend që demokracia të përparojë. Ziblatt nisi ta shkruante librin e tij tetë vjet më parë, kur në sfond nuk ishin shfaqur disa lëvizje të rëndësishme populiste në Europë dhe SHBA. Libri përmban prova të plota për rolin esencial që luajnë partitë konservatore jo vetëm në lindjen e demokracisë, por mbi të gjitha për të përcaktuar nëse demokracia do të mbijetojë apo do të shkatërrohet.
Duke rrëmuar gjithmonë e më shumë në historinë e disa prej vendeve kryesore europiane, libri na sjell një histori shumë të vyer, sidomos në kohën kur Partia Demokratike shqiptare është dobësuar ndjeshëm dhe gjendet në mesin e një debati nëse do të vazhdojë të jetë e bashkuar edhe për njëfarë kohe.
Kundërshtarët e Lulzim Bashës në Partinë Demokratike vazhdojnë të jenë aktivë edhe sot e kësaj dite. Nga ana tjetër, PD vazhdon aleancën e saj me LSI-në, me shpresën se të bashkuar do të vijnë në pushtet. Megjithatë, nëse i referohemi librit në fjalë, rëndësi jetike për demokracinë shqiptare ka Partia Demokratike.
Ziblatt na jep një përgjigje brilante se përse është jetike ekzistenca e një partie konservatore në terrenin shqiptar. Ajo vjen edhe si përgjigje në kohën kur gjithmonë e më shumë po flitet se kush do jetë opozita e vërtetë në politikën shqiptare. Nëse i beson Ziblatt dhe hulumtimit të tij prestigjioz, rëndësinë kyçe e kanë demokratët.

*

Përse demokracia mbërriti, u zgjerua dhe kurrë nuk u kërcënua në Britani, Suedi, Norvegji, Danimarkë, Holandë e Belgjikë, duke mos pësuar lëkundje kur në pushtet erdhën forca të majta që trumbetuan dhe zbatuan platformat e thella të shtetit social? Nga ana tjetër, përse hasi kaq shumë vështirësi në Gjermani, Itali, Spanjë, Portugali, Greqi etj.?
Duke studiuar me thellësi Europën e shekullit të 19-të dhe të 20-të, Ziblatt jep një përgjigje surprizuese, por edhe shqetësuese: “Variabli më i rëndësishëm që parashikon suksesin e një tranzicioni demokratik është vetëbesimi i elitave ekzistuese. Nëse ato ndihen të afta për të konkurruar në kushte demokratike, do ta pranojnë demokracinë. Nëse nuk ndihen, nuk do e bëjnë”.
Kështu ndodhi në Britani, por jo në Gjermani, e cila i ndjeu pasojat më vonë, kur në pushtet erdhën nazistët. Edhe në rastin e Republikës së Vajmarit, gjërat nuk funksionuan pasi mungonte elementi konservator.
David Frum i “The Atlantic” shkruan mbi librin e Ziblatt se pikërisht për shkak se i trembeshin garës demokratike, elitat u besuan të tjera elementeve:
-Ndërtimit të institucioneve të pakicës, që mbrojnë interesat e tyre.
-Manipulimeve elektorale dhe korrupsionit.
-Shtypjes së lirisë.
Kjo ndodhi në Gjermani. Për shkak se nuk kishin nevojë të fitonin zgjedhjet, nuk ndërtuan parti të forta. Nga ana tjetër, britanikët e dinin këtë dhe punuan për struktura sa më të forta partiake. Ja një pyetje që u shtrohej në testim atyre që do bëheshin ‘agjentë’ të partisë konservatore në vitin 1894: “Supozoni se po ndodhin trazira në një prej qendrave të votimit në mbyllje të ditës së votimit. Kutitë e votimit dhe përmbajtja janë djegur, çfarë efekti do kishte kjo në rezultatin e zgjedhjeve?”.
Ose një tjetër pyetje në testim: “Cila është metoda më e mirë e organizimit të një komisioni lokal në lagje, që do mbajë lart interesin dhe entuziazmin e punonjësve nga njëra palë zgjedhje te tjetra?”.
Por mos mendoni se ishte kaq e lehtë edhe për të pasurit e Britanisë, që të pranonin demokracinë. Ziblatt thotë se ka mbetur i shokuar kur ka parë se si Lord Salisbury ishte i terrorizuar nga ideja e votimeve. Më vonë ai u bë kryeministri më jetëgjatë në historinë e vendit, me 14 vite në pushtet.
Edhe konservatorët gjermanë ishin të tmerruar nga ideja se mund të qeveriseshin nga masa. Gjenerali Von Ludendorff shprehej: “Nuk e di si mund të jetojmë kështu, do ishte një terror pa fund. Më keq se të humbësh një luftë”.
Kurse një tjetër nga klasa e pasur shprehej: “Ky është një sulm kundër ligjeve themelore të natyrës”. Në këtë mënyrë konservatorët gjermanë nuk e pranuan garën dhe vendin e tyre e zunë grupet radikale, që e çuan botën drejt një ferri.
Për të bërë një parti konservatore sa më të fortë, duhen jo vetëm strukturat e mira, por të bëhet edhe kujdes me mesazhin, sidomos në periudhën e internetit kur të gjithë flasin për gjithçka. Ky është sugjerimi i Ziblatt.
Që demokracia shqiptare të mos jetë një dështim, të gjithë duhet të kuptojnë se sa e rëndësishme është një parti konservatore, që e pranon garën, punon për të krijuar struktura të forta e solide, por mbi të gjitha për të ecur përpara bazuar mbi parimet se tregu dhe konkurrenca janë zgjidhja.
Kjo analizë e Ziblatt vërtet nuk mund të vendoset plotësisht në kontekstin shqiptar, por aty mund të gjejmë shumë elemente që tregojnë qartë ecurinë e Partisë Demokratike, e cila ka marrë flamurin e konservatorizmit. Në mënyrë që kjo parti të rikthehet e fuqishme, ky libër mund të jetë një udhëzues shumë i mirë. Dështimi i demokratëve nuk i intereson askujt. Sidomos në ditët e sotme, kur tezat e Ziblatt janë rikthyer gjithmonë e më të fuqishme në skenën politike botërore.
“Konservatorizmi, argumentoj unë, nuk është çështje e mbrojtjes së kapitalizmit global me çdo kusht, ose sigurimi i privilegjeve të pakta kundër shumicës së njerëzve. Është çështje e mbrojtjes së shoqërisë civile, ruajtjes së institucioneve autonome dhe mbrojtjes së qytetarëve kundër abuzimit të pushtetit. Motivi i saj themelor nuk është lakmia apo epshi për pushtet, por thjesht lidhja me një mënyrë jetese”, sugjeron filozofi Roger Scruton, kur thotë se është e vështirë që të mendosh si konservator.
Sepse nga aty duhet nisur, nga të menduarit…
*Ky shkrim publikohet në kuadër të projektit “Udha e shkronjave”

Kriza e demokratëve shqiptarë

Për herë të parë në periudhën parazgjedhore as militantët e PD nuk kishin besim për fitore, por kurrë nuk mund ta imagjinonin rezultatin tronditës të 25 qershorit.
Përçarja nuk ndodhi në dy muaj. Nisi që para zgjedhjeve të 2013-ës, kur vetë demokratët (ministrat më shumë) nuk besonin e për rrjedhojë nuk punuan për fitoren e një mandati të tretë nga Sali Berisha.
Me zgjedhjen kryetar, Lulzim Basha nuk mundi ose nuk deshi të krijojë autoritetin përbashkues dhe shpesh në vendimmarrjet e tij u shfaq dora e Berishës lider.
Nuk krijoi sinergji as në strukturë, duke u shndërruar në problemin e tij të madh dhe tashmë në shpresën e fundit të kundërshtarëve të tij.
Por në finale fuqia është te numrat dhe ata i ka kryetari.
Kundërshtarët e tij duket se nuk kanë as njëri-tjetrin, të paktën nuk rezultoi tek emrat e shënuar si mbështetës të platformës.
A do rikthehet PD?
Edhe këtë e ka në dorë kryetari, sikundër numrat të cilët nuk të çojnë gjatë, pa akte politike sinqeriteti dhe besimi dhe veprimi.
Iku 2015-a, 2017-a, vjen 2019-a dhe 2021-shi.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Gazeta e njohur gjermane shkruan për Veliajn: Me vizion kurajoz, i ka dhënë qytetit fuqi krijuese

Një nga gazetat më të mëdha në Gjermani, “Sueddeutsche Zeitung”, i ka...
Read More