Italia, Esat Pashë Toptani, Shqipëria

Pjesë nga libri “ESAT PASHË TOPTANI: Njeriu, lufta, pushteti”

Nga Ilir Ikonomi

Arsyeja ishte se Italia nuk donte. Në fillim të shtatorit 1916, kur italianët mësuan se Esati dhe trupat e tij mund të dërgoheshin në Shqipëri, Sonninoja u alarmua. Sipas tij, në Shqipërinë e jugut po krijohej një prirje e fuqishme në favor të Italisë, pas shpërbërjes thuajse të plotë të ushtrisë greke. Ai shikonte mundësinë që Italia ta pushtonte krejtësisht jugun shqiptar, deri në kufirin e përcaktuar në vitin 1913 dhe, për realizimin e këtij synimi, Esat Pasha do të ishte një pengesë. Ministri udhëzoi që aksioni i Esatit të paralizohej me të gjitha mënyrat. Njëra nga mënyrat ishte të ndikohej te gjenerali Sarrail. Sonninoja përdori kanale të ndryshme për t’i komunikuar gjeneralit se përdorimi i Esatit në Shqipëri binte në kundërshtim të hapur me interesat italianë. Zyrtarët e lartë të Ministrisë së Jashtme franceze e siguruan Sonninon se Franca po e shfrytëzonte Esatin për qëllime thjesht ushtarake dhe nën varësinë e plotë të gjeneralit Sarrail. Oferta e Esatit, – shpjeguan ata, – ishte pranuar pa ndonjë shpërblim politik. Por italianët nuk bindeshin. Për të shuar tensionet, zyrtarët francezë përcaktuan kufijtë që do t’u viheshin lëvizjeve të mundshme ushtarake të Esatit në Shqipëri. Luftëtarët e tij duhet të provokonin rebelime dhe të shërbenin për rekrutime njerëzish, por nuk duhej të vepronin si ushtri. Ata nuk duhet të ndodheshin në një rajon ku mund të hasnin në ushtrinë italiane. Së fundi, Esati duhej të shkëputej nga ndikimi i serbëve, me gjithë dëshirën e Pashiçit për të forcuar bashkëpunimin ushtarak me të.

Në vjeshtën e vitit 1916, trupat italiane nisën të përparojnë në territoret e pushtuara nga grekët në jugun shqiptar. Ato morën Përmetin, zbarkuan në Sarandë dhe po marshonin drejt Gjirokastrës. Edhe francezët po përparonin në lindje. Më 22 tetor, një regjiment i tyre hyri në Korçë, i ndjekur nga ushtarët venizelistë që u vunë në qeverisje të qytetit. Esati protestoi pranë gjeneralit Sarrail për çështjen e grekëve. Pashai dërgoi telegram në Paris dhe ndërhyri me anë të Princit të Serbisë për të kërkuar që ta vendoste qeverinë e tij në Korçë. Gjenerali Sarrail nuk ishte dakord. Ai i shkroi kështu Ministrisë së Jashtme: “Këto janë trupa të çrregullta që mund të ngrenë në këmbë një rajon të caktuar, por jo të organizojnë apo administrojnë. Personalisht mendoj se Korça nuk duhet pushtuar as nga italianët, as nga Esati dhe as nga grekët, të cilët do të përpiqen të bëjnë gjithkush politikën e pasluftës, ndërkohë që neve na duhet të bëjmë luftë”. Ministria e Jashtme mendonte se prania e Esatit në Korçë mund të bëhej shkak për incidente si me italianët, ashtu edhe me grekët. Ajo këshillonte që pashai të priste deri sa të hapej rruga e Ohrit dhe ai të marshonte për në Dibër.

Më 21 nëntor, në Korçë arritën trupat e kolonelit Henri-Vincent Descoins (Anri Vënsa Dekuë) me urdhrin e qartë të gjeneralit Sarrail që atje të mos lejoheshin “as grekë të çfarëdo lloji, as italianë dhe as esatistë”. Ngjarjet kulmuan me shpalljen më 10 dhjetor të Krahinës Autonome të Korçës, e njohur edhe si Republika Autonome e Korçës, e cila u abrogua një vit më vonë. Për sa i përket Esatit, gjenerali Sarrail e paralizoi atë në Selanik.

Në atë kohë, Shqipëria ishte një territor i pushtuar nga ushtritë e dy blloqeve. Austro-Hungaria kishte zënë Shqipërinë e Veriut dhe të Mesme. Pjesën e jugut, nga Vjosa e poshtë e kishte pushtuar Italia, ndërsa Korça mbahej nga francezët. Fronti mes ushtrive luftuese ishte afërsisht vija Vlorë-Berat-Pogradec.

Në gjysmën e parë të vitit 1917, Sonninoja ndjeu nevojën për të deklaruar qartë qëndrimin e Italisë ndaj Shqipërisë, për të shuar çdo dyshim te shqiptarët, përpara se traktati i fshehtë i prillit 1915 të dilte në dritë të diellit. Më 3 qershor 1917, gjenerali Giacinto Ferrero, komandant i trupave pushtuese italiane në Shqipëri, shpalli me miratimin e Sonninos pavarësinë e tërë Shqipërisë nën mbrojtjen e Italisë. Shpallja u bë në kalanë e Gjirokastrës, përpara një grupi të madh personalitetesh dhe me të shtëna topi. Autoritar siç ishte në punët e politikës së jashtme, Sonninoja nuk ia kishte treguar vendimin e tij madje as kryeministrit Paolo Boselli, i cili e mësoi ngjarjen nga e bija, që e kishte lexuar në gazetë. Vendimi merrej pjesërisht si reagim ndaj pushtimit të Korçës nga francezët dhe ndaj përkrahjes që gëzonte Esati në komandën franceze.

Esati protestoi më 5 qershor. Në një letër që i dërgonte nga Selaniku ministrit të Jashtëm francez, Esati përmendte se pavarësia e popullit shqiptar ishte garantuar nga Konferenca e Londrës dhe i lutej zyrtarit të lartë “të mos lejonte që populli shqiptar të sakrifikohej e të bëhej i vetmi që humbiste pavarësinë pas luftës botërore”. Ata që e njohin Shqipërinë, – shkruante ai, – e dinë se populli shqiptar, ashtu siç ka vepruar kundër Austrisë, “nuk do t’i nënshtrohet protektoratit me të cilin e kërcënon qeveria italiane”.

Esati i dërgoi një letër të ngjashme edhe Sekretarit amerikan të Shtetit. Italia e deklaroi Esatin armikun e saj “të hapur dhe të vendosur”.  Sonninoja kishte propozuar që Esatit t’i hiqej viza italiane nga pasaporta, për të mos lejuar që ai të kalonte nga Italia gjatë udhëtimeve të shpeshta që bënte nga Selaniku për në Paris dhe Gjenevë. Francezët, të cilët mbanin marrëdhënie të mira me Esatin, kundërshtuan, duke i kujtuar Sonninos miqësinë e dikurshme që italianët kishin me pashain dhe kontributin që ai kishte dhënë për shpëtimin e ushtrisë serbe. Me shumë ngurrim ministri i Jashtëm pranoi, por me kusht që gjatë kalimit nëpër Itali, Esati të mos bënte asnjë ndalesë.

Proklamata e Ferreros në Gjirokastër binte ndesh me interesat e Greqisë. Nuk vonoi dhe ministri i Jashtëm grek Nikolaos Politis, u paraqit personalisht në Selanik tek Esati, të cilit i ofroi të lidhej me Greqinë. Pas kësaj, Greqia akreditoi pranë pashait një përfaqësues të vetin. Në fillim të gushtit 1917, njëri prej bashkëpunëtorëve më të afërt të Esatit, Shahin Dino, dha dorëheqjen dhe shkoi për t’u rrëfyer te konsulli italian në Selanik, Giovanni Dolfini. Dinoja i tha se, ditët e fundit, Esati ishte përpjekur t’i blinte mendjen, duke e pyetur se, a nuk do të ishte mirë t’i bëheshin lëshime Greqisë, aq më tepër që ajo kishte të drejta mbi një pjesë të Shqipërisë? Kur Shahin Beu kishte kundërshtuar, Esati i kishte thënë se ai i kishte folur në mënyrë thjesht akademike. Që nga ajo ditë, Shahin Dinoja ishte hequr nga drejtimi i punëve të jashtme dhe më pas kishte dhënë dorëheqjen. Shahin Beu i tha Dolfinit se ai nuk dëshironte të bashkëpunonte me një politikë që ishte kundër interesave shqiptare dhe që, sipas tij, iu shërbente vetëm përpjekjeve të Esatit për të krijuar një shtet në Shqipërinë e mesme, duke sakrifikuar në interes të serbëve dhe të grekëve pjesën tjetër të vendit. Ai tha se kishte ardhur të protestonte edhe në emër të disa krerëve të tjerë, si Jusuf Dohoshishti, Hamdi Rubjeka dhe Halit Lleshi.

Shkaqet e vërteta të prishjes së Shahin Dinos me Esatin mbeten të paqarta. Në bisedën me Dolfinin, ai u tregua i gatshëm të ndihmonte për dezertimin e krerëve të ushtrisë së Esatit, në rast se atyre u jepej një pagë e barabartë me atë që ata merrnin nga serbët dhe nga francezët. Shahin beu u arrestua nga autoritetet ushtarake franceze në Selanik dhe u internua në Mitilini të ishullit Lesbos.

Pesë muaj më vonë Shahin Beu u shfaq përsëri. Gjatë largimit nga Mitilini me anije për në Itali, një agjent francez e mori në pyetje dhe Shahini i bëri një rrëfim të gjatë për gjithçka dinte mbi ish-bashkëpunëtorin e tij të ngushtë, Esat Pashën. Shahini tha se Esati ishte “një gjarpër që ngrohej në gjirin e Antantës”. Ai e akuzoi pashain për “akte banditizmi” të kryera dikur bashkë me të vëllain, Ganiun, dhe foli për vrasje, grabitje dhe shantazhe të Esatit në kohën kur komandonte xhandarmërinë e Janinës. Dashuria për floririn, – tha Shahini, – i ka hequr atij çdo nder dhe respekt për fjalën e dhënë.

“Ky njeri, – tha ish-ministri i Brendshëm i Esatit, – më ka treguar se si e ngarkoi Osman Balin dhe dy persona të tjerë për të vrarë Hasan Rizain dhe për t’i marrë komandën. Ai ua dorëzoi Shkodrën malazezëve kundrejt një shumë të madhe, që iu dorëzua përmes Pllamenacit dhe sekretarit të vet, Tefik Mandiqit”.

Shahin Beu tregoi se, gjatë kohës që ishte në Durrës, Esati bisedonte njëkohësisht me italianët, austriakët dhe xhonturqit, duke negociuar në krahun tjetër me grekët, nga të cilët mori 150 mijë franga (rreth 700 mijë dollarë me vlerën e sotme) me ndërhyrjen e doktor Voylas dhe të mitropolitit të Durrësit. Sipas rrëfimit të Shahinit, para se Princ Vidi të hipte në fron, Esati e shihte me armiqësi, por kishte qenë këmbëngulja e Tefik Mandiqit që e kishte bindur të shkonte në Gjermani dhe ta priste me nderime princin në Durrës. Shahini tregoi gjithashtu se rebelimin kundër Vidit e kishte nxitur Esati. “Kur Vidi i kuptoi manovrat e pashait, – tha Shahini, – ai ngriti në këmbë popullatën kundër Esatit”.

“Esati iku në Napoli, unë mbeta në Durrës, – tregoi Shahini. – Ai më shkroi dy herë, duke më kërkuar të shkoja pranë tij, me ndërmjetësinë e konsullit italian në Durrës. Shkova në Napoli dhe ne ramë dakord që ai të përgatitej për t’u kthyer në Shqipëri dhe për të nxitur luftën kundër Vidit”.

Shahin Beu tregoi se si kishte shkuar më pas në Nish dhe ishte takuar me Kryeministrin serb Nikolla Pashiç. “Ramë dakord me kryeministrin serb dhe i telegrafova Esatit të vinte. Në këtë kohë, përcaktuam programin tonë të veprimit, mbi bazën e marrëveshjeve me italianët dhe serbët”.

Shahini tha se në kohën e tërheqjes serbe, Esati kishte përpunuar një plan kundër trupave të mbretit të Serbisë, por ai e kishte bindur të ndryshonte mendje. “Nëse ky plan nuk u zbatua, – tha Shahini, – merita për këtë u takon ministrave të Francës dhe Italisë, po aq sa edhe mua”. Në dukje, – tha Shahini, Esati shprehte miqësinë më të sinqertë ndaj serbëve, por me anë të agjentëve, përhapte thashetheme tendencioze dhe armiqësore kundër tyre.

“Kur erdhëm në Selanik, – tregoi Shahini, – Esati nuk i pushoi kurrë fyerjet kundër francezëve, serbëve dhe aleatëve. Një ditë, po rrinim me Tefik Mandiqin nën një pemë të bahçes në konakun e tij në Selanik. Esati më tha: ‘Punët e serbëve po shkojnë keq. Francezët po m’i ngrenë nervat, sidomos për punën e Korçës. Në fund të fundit unë mund të hyj në ujdi me austriakët’. Iu përgjigja: ‘Mos e bëj fjalë me njeri. Po ta them hapur se ke për të humbur’. Esati nuk e hapi më këtë bisedë.

Shahini tregoi edhe këtë episod: Një ditë erdhi zoti Fontenay, i cili tha se gjenerali Sarrail dëshironte të atashonte oficerë francezë pranë trupave shqiptare. Në fillim Esati pranoi. Por kur iku Fontenay, pashai shpërtheu në një zemërim të verbër. “Prandaj më paskan sjellë francezët këtu? Që të luajnë me mua si me të tjerët? Nuk do të pranoj kurrë” – bërtiste ai. Pashai thirri Fontenayn dhe ia tha të gjitha. Pas një diskutimi të gjatë, Esati pranoi që pranë batalionit të tij të atashohej një oficer i vetëm francez për t’u marrë me punët administrative.

Shahini tregoi plot hollësi të tjera. Esati, – tha ai, – nuk shkon në Zvicër për të kuruar sytë. Gruaja e tij është turke dhe ai e ka dërguar në Zvicër në mënyrë që pashai të mund të takohet me të kunatin, Fikret Aziz, i cili është emisar i qeverisë turke. Mbajeni nën vëzhgim një muaj gruan dhe kunatin e Esatit dhe do të zbuloni misterin.

Shahin beu foli edhe për Krajewskin, që, sipas tij, luante një rol mjaft të dyshimtë pranë pashait: “Esati e ushqen dhe i paguan qiranë prej 300 frangash në muaj, ndërsa Krajewski, i cili përfaqëson Francën, i sjell pashait gra dhe ky e shpërblen. Krajewski, – tha Shahini, – nuk kthen kurrë kusur dhe Esati, në rrethin e tij të ngushtë, nuk e ka për gjë të thotë se Krajewski e vjedh. Nuk flas këtu për shumat me të cilat Esati e shpërblen herë pas here”. Në rrëfimin e Shahinit mund të kishte të vërteta, por këto ishin fjalë që dilnin nga goja e një njeriu të pakënaqur, i cili kishte mbetur i braktisur dhe pa një dysh në xhep. Kur arriti në Itali, autoritetet i lidhën atij një pagë mujore për ta përdorur më vonë në interes të tyre.

Që Esati ishte mjeshtër i manovrimeve politike, këtë nuk ishte nevoja ta thoshte Shahin Beu. Në janar 1918, pas një udhëtimi në Paris, ai u ndal në Athinë ku u takua me Venizellosin. Sipas autorit George Leontaritis, Ministri i Jashtëm Politis i premtoi pashait përkrahjen greke për çështjen e tij, por jo njohje si kreun e një Shqipërie të pavarur. Esati, si shkëmbim, premtoi të mbështeste aneksimin e Shqipërisë së jugut nga Greqia, por u tha grekëve se ai nuk mund ta njihte publikisht këtë pretendim të Greqisë. Me t’u kthyer pashai në Selanik, qeveria greke i dorëzoi Kryqin e Madh të Shpëtimtarit dhe në shtyp u botuan disa artikuj që flisnin mirë për të. Mirëpo e gjitha kjo ishte, siç duket, një akrobaci në stilin e Esatit, i cili nën rrogoz po avanconte një tjetër propozim, krejt të ndryshëm nga premtimet që i kishte bërë Venizellosit. Sipas dokumenteve që citon i njëjti autor, Esati u propozonte qeverive të Antantës që të njihej pushtimi i Shqipërisë së jugut nga Italia dhe të lejohej krijimi i një shteti mysliman krejtësisht të pavarur në Shqipërinë e Mesme. Kufijtë e këtij shteti do të ishin Drini në veri dhe Vjosa në jug, pra pak a shumë siç përcaktohej në Traktatin e fshehtë të Londrës, por duke e përjashtuar plotësisht Greqinë nga jugu i Shqipërisë. Dokumentet, të cilave u referohet Leontaritis, nuk i kam parë dhe e kam të pamundur të jap një gjykim mbi pohimet e tij. Ndërkaq, Esati vazhdimisht përflitej për marrëveshje të fshehta me vendet fqinje dhe ai e dinte këtë. Në gusht të vitit 1918, pashai shkruante kështu në një letër drejtuar mikut të tij E. J. Dillon në Londër: “Disa shqiptarë, të frymëzuar nga ndjenjat austriake apo më mirë nga paratë austriake, po përhapin fjalë jashtë vendit sikur unë paskam rënë në ujdi me serbët dhe grekët, të cilëve u paskam dhënë territor shqiptar”.

Në atë kohë, kur lufta ende nuk kishte mbaruar, marrëveshjet e Esatit ishin thjesht projekte në letër. Pashai besonte se rreziku i madh që i kanosej Shqipërisë ishte Traktati i fshehtë i Londrës për copëtimin e Shqipërisë pas luftës. Ky pakt, për të cilin gazetat flisnin dhe diplomatët pëshpëritnin, tashmë ishte zbuluar në dritë të diellit. Në numrin e 28 nëntorit 1917 të gazetës Pravda, Komisari i Rusisë Bolshevike për Punët e Jashtme, Leon Trocki, i kishte bërë publike klauzolat e traktatit, palë e të cilit kishte qenë Rusia. Austriakët e përkthyen tekstin në shqip dhe e shpërndanë në të gjithë zonën e tyre të pushtimit.

Gjatë vitit 1918, kur fitorja e Antantës po dukej në horizont, Italia nuk e ndali propagandën agresive për ta izoluar Esatin dhe njerëzit e tij. Qëllimi kryesor i Sonninos ishte që Esati të përjashtohej nga çdo qeveri pro italiane që mund të krijohej në Shqipëri pas luftës. Vetë Esati kërkonte kompromis me italianët, që të mund të bëhej pjesë e qeverisjes në Shqipëri. Ai u takua në Selanik me princin regjent të Serbisë, Aleksandër, i cili i premtoi ta ndihmonte, me gjithë qëndrimin e pandryshueshëm të Sonninos. Aq të ngurtë tregoheshin italianët në këtë pikë, saqë tani pashait nuk i lejohej as kalimi me tren nëpër Itali. Sonninoja refuzoi, për shembull, kalimin e tij tranzit për të operuar një katarakt të syrit, që kërkonte trajtim urgjent në një klinikë franceze. Me gjithë ngurrimet e mjekëve ushtarakë francezë, operacioni u bë në Selanik, në fund të qershorit 1918.

Pas kësaj, me ndërhyrjen e francezëve pranë italianëve, Esati mundi të udhëtojë për në Paris nga mesi i korrikut. Një torpedinier francez e çoi pashain nga Selaniku në Patras. Esati u takua me Venizellosin për t’i kërkuar mbështetje, por ky i tha se mund ta njihte si kreun e një qeverie shqiptare vetëm nëse Italia do të ishte dakord, gjë që nuk kishte shumë gjasa. Anija franceze e çoi Esatin në Gallipoli dhe, prej aty, ai udhëtoi me tren për në kufirin francez, pa ndaluar në Romë.

Esati arriti në Paris më 22 korrik. Në kryeqytetin francez ai kishte lidhjet e tij dhe përpiqej të influenconte te njerëz që mund t’i shërbenin në të ardhmen, ose që të paktën të mos i prishnin punë. Kështu kishte vepruar me Ismail Qemalin, i cili jetonte në varfëri. Një ditë, kur e kishte takuar, i kishte bërë elozhe të mëdha. Më vonë, i kishte lidhur një pagë mujore, siç duket për ta mbajtur larg çështjeve të Shqipërisë.

Më 24 korrik Esati u takua me ministrin e Jashtëm Stéphen Pichon, të cilit i kërkoi ta ndihmonte të afrohej me Italinë. Ai nuhaste se, pa ndihmën e Italisë, e cila dukej se do të kishte fjalën përfundimtare për të ardhmen politike të Shqipërisë, përpjekjet e tij për të rihyrë në skenën e vendit pas lufte nuk mund të kishin sukses. Pichon i premtoi ndihmë, por i shkruante ambasadorit të tij në Romë, Camille Barrère, se “në qoftë se bashkëpunimi i Esat Pashës ka qenë i çmuar për ne nga pikëpamja ushtarake, qëndrimi i tij politik na ka shkaktuar vështirësi të shumta me kabinetin e Romës”. Ministri i referohej Esatit si “ish-kryetar i qeverisë së Durrësit”, ndryshe nga Presidenti Poincaré, që e quante dy vjet më parë “Kryetar i Shtetit të Shqipërisë”. Pichon i shkruante ambasadorit se, nëse Esati vendosej në Shqipërinë qendrore nën një protektorat italian, kjo do ta zgjidhte problemin shqiptar pa vështirësi. Nëse Italia do të ishte dakord, edhe Serbia dhe Greqia do të pranonin.

Pichon e kishte fjalën për skemën e copëtimit të Shqipërisë, sipas Traktatit të Fshehtë të Londrës. Nuk dihet nëse në bisedën me Esatin u bënë aludime të tilla, por, Italia po e braktiste politikën e copëtimit të Shqipërisë, sidomos me proklamatën e Ferreros në qershor 1917. Soninnoja shpresonte që kontrollin e Vlorës, një ndër objektivat kryesore të Italisë, ta siguronte me kosto të ulët përmes lidhjeve miqësore me shqiptarët.

Sidoqoftë, gjatë qëndrimit në Francë, pashai i shkroi një letër ambasadorit amerikan në Paris, William Graves Sharp, ku bënte një pasqyrë të ndihmës së tij për aleatët dhe në fund deklaronte se ishte i gatshëm që, nën mbrojtjen dhe mbikëqyrjen e Anglisë, Francës, SHBA-së dhe Serbisë, të rivendoste marrëdhënie të mira me Italinë, duke besuar pa rezerva te Presidenti Wilson.

Pikërisht në kohën kur Esati ndodhej në Francë, lufta në Shqipëri mori një kthesë të dukshme, me ofensiva dhe kundërofensiva nga ushtritë e të dy blloqeve. Më 29 shtator 1918, Bullgaria nënshkroi kapitullimin në Selanik. Më 1 tetor, italianët filluan ofensivën kundër divizioneve austro-hungareze, duke i shtyrë ato drejt veriut. Më 7 tetor, italianët hynë në Elbasan dhe më 14 morën Durrësin. Më 30 tetor, serbët u futën në Shkodër, por u tërhoqën disa ditë më vonë, kur aty arritën trupat franceze dhe italiane. Nga mesi i tetorit, me përfundimin e luftimeve, ushtarët e Esatit nisën të shpërndahen. Njëri prej tre batalioneve të tij me rreth 400 ushtarë, të gjithë nga Tirana dhe që përbënin dikur xhandarmërinë besnike të pashait, komandohej nga Osman Bali. Të pajisur me leje franceze, ata u kthyen në Shqipëri, duke marrë me vete uniformat dhe armët. Francezët u dhanë pagë për tre muaj. Dy batalionet e tjera që ishin reduktuar në rreth 500 vetë, për shkak se një pjesë ishin kthyer në shtëpitë e tyre në zonat e Korçës dhe të Selanikut, u dërguan në rajonin e Dibrës për të krijuar formacione esatiste.

Në fillim të tetorit 1918, Esati pushonte në plazhin Eaux Vives të Gjenevës dhe rrinte në hotelin Maison Royale, një ndër kryeveprat arkitekturore të qytetit, mu buzë liqenit. Në një rrëfim të mëvonshëm, ai tregon se, në kohën që ndodhej në Gjenevë, perandori Wilhelm i Dytë i Gjermanisë i kishte propozuar të shkëputej nga Antanta dhe të kalonte në anën fuqive të qendrës, duke i ofruar t’i jepte gjithçka që do të kërkonte. Esati tregon se e kishte refuzuar me indinjatë ofertën.

Në një letër për ministrin Pichon, Esati propozoi që të hynte në Tiranë ose në Durrës. Mirëpo, pikërisht ditën e kapitullimit të Bullgarisë, qeveria franceze i përcolli atij urdhrin kategorik që të mos shkonte në Shqipëri, madje as të mos i afrohej asaj, pa u vendosur statusi i ardhshëm i vendit. Arsyeja ishte që të mos zemërohej Italia, e cila përndryshe mund të hakmerrej dhe të mos i mbante angazhimet që kishte marrë. Esati e quajti këtë vendim “të çuditshëm”. Ai nuk po lejohej të kthehej në vendin e vet në një kohë kur edhe robërit e luftës kishin filluar të dërgoheshin në shtëpitë e tyre. Ndërkaq, Franca e ktheu në atdhe Krajewskin, të dërguarin e saj pranë Esatit.

Edouard Bauty, kryeredaktor i gazetës Journal de Genève, i cili shkoi ta intervistonte, e pyeti pashain nëse ende e konsideronte veten përfaqësues të Shqipërisë. Esati, ulur këmbë mbi këmbë, me rozetën e urdhrit Oficer i Legjionit të Nderit në jakën e xhaketës, u përgjigj: “Qeveria ime është e njohur nga Europa dhe unë jam zyrtarisht kryetar i Qeverisë së Shqipërisë. Pranë meje janë akredituar ministra fuqiplotë të Francës, Serbisë dhe Greqisë. Në rastin tim, nuk ka asnjë lloj mëdyshjeje”.

Një gazete tjetër Esati i tha se Italia po vepronte gabim që donte ta mbante Shqipërinë nën kontrollin e saj. “Italia, – i tha pashai të përditshmes Tribune de Geneve, – nuk do të fitonte asgjë po ta zemëronte Shqipërinë, duke i treguar asaj fuqinë. Italia ka kushte të mrekullueshme me tregtinë, kapitalet dhe industrinë e saj për të zënë në Shqipëri vendin e parë nga pikëpamja ekonomike. Ndërkaq, një shtet si i yni, pa fuqi detare, nuk mund ta shqetësojë Italinë në Adriatik. Shqipëria kërkon thjesht të ketë vendin e saj midis kombeve. Ajo dëshiron të jetojë e qetë, midis maleve të saj, të ruajë atë që i ka njohur Konferenca e Londrës”.

Për të matur pulsin e Romës dhe për të provuar besnikërinë e Francës, Esati i kërkoi ministrit francez të ndërhynte tek italianët për ta lejuar të kalonte tranzit nëpër Itali. Pichon porositi ambasadorin e tij në Romë, Barrère, që t’u bënte presion italianëve. Ai shkruante: “Ne nuk mund të ndjekim shembullin e Italisë e të braktisim aq lehtë një njeri, i cili në momentet e tërheqjes serbe na bëri shërbimet më të shquara dhe që nuk ka pushuar së dhëni ndihmën e tij ushtarake për aleatët.” Pichon shtonte ndërkaq se, ajo që mund të bënte Franca, ishte të mos e shndërronte Esatin në një instrument për të luftuar Italinë në Shqipërinë e mesme.

Më 6 nëntor Esati u kthye në Selanik, ku do të vazhdonte të mbante selinë dhe 60 roje. Gjatë ndalesës që bëri në Korfuz, ai e quajti të sigurt rikthimin në Durrës. Italianët nervozoheshin nga deklarata të tilla. Komanda e tyre në Shqipëri mori urdhër që të ndalohej me çdo kusht hyrja e Esatit në territorin e Shqipërisë.

Kapitullimi i Gjermanisë më 11 nëntor 1918, shënoi fundin e Luftës Botërore. Austro-Hungaria, Gjermania, Bullgaria dhe Turqia ishin mundur. Fuqitë e Antantës, në anën e të cilave ishte rreshtuar Esati, kishin dalë fitimtare. Data 11 nëntor ishte edhe ditëlindja e mbretit të Italisë, Viktor Emanuel dhe Esati i dërgoi atij një telegram urimi, në të cilin e paraqiste veten si Kryetar i Qeverisë Shqiptare. Urimet ai ia dërgonte “në emër të Shqipërisë, e cila që në ditën e parë të luftës e bashkoi fatin e saj me atë të fuqive të Antantës, që luftuan për fitoren e drejtësisë”. Soninoja i shkroi menjëherë shtëpisë mbretërore, së cilës i thoshte se telegramit të Esatit nuk i duhej kthyer përgjigje, pasi ai “nuk ka asnjë titull për të folur në emër të Shqipërisë”.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Mamaja pëson krizë në timon, djali 8-vjeçar i shpëton…

    Ky është momenti i pabesueshëm kur një djalosh vetëm 8...
Read More