Ismail Kadare/Përpara banjës dhe tregimet remiks të francezëve

Ismail-Kadare-shkrimtar

***Tregimi “Përpara banjës” i Ismail Kadaresë, jep një vizion të ferrit të Agamemnonit që u gjend përsëri jashtë vaskës dhe u nis drejt saj, ashtu si miliona herët e tjera…Mbi këtë tre shkrimtarë francezë kanë shkruar në gjuhën e tyre tri tekste narrative remix (remiks)- rikrijime, interpretime, rikombinime, përshtatje të këtij teksti të Kadaresë, një ushtrim,një pastish, variacion i së njëjtës temë, zhanri, subjekti…përfshirë në një ese të Viola Isufaj, “Kadare në letrat franceze”

Viola Isufaj

Tregimi “Përpara banjës” i Ismail Kadaresë, jep një vizion të ferrit të Agamemnonit që u gjend përsëri jashtë vaskës dhe u nis drejt saj, ashtu si miliona herët e tjera, për të përjetuar me ritme të ndryshme copëzën e fundit, gjithsej njëzet e dy sekonda, të jetës së tij. Ky është një tregim me gjetje nga më befasueset brenda vetëm dy faqeve të botuara për së pari në përmbledhjen e tij me tregime “Ëndrra mashtruese”.

Një tregim, që më kishte bërë përshtypje dhe që mendoja se duhej nxjerrë në pah, për shkak se nuk e kishte marrë vëmendjen e lexuesit; kjo  për një arsye të cilin kisha kohë që e sillja nëpër mend e që kishte të bënte me një lloj fenomeni: vepra monumentale të këtij autori marrin edhe vëmendjen që u takon krijimeve të tjera të të njëjtit autor (ku qarkullojnë motive të ngjashme dhe po ato personazhe), duke mos i lënë këto të fundit të bëjnë jetë të mëvetësishme. Kështu, diptiku “Vajza e Agamemnonit”, “Pasardhësi” mund të kenë ndikuar që jo të gjithë lexuesit shqiptarë të kenë parasysh tekstin “Përpara banjës”, por:

Tre shkrimtarë francezë kanë shkruar në gjuhën e tyre tri tekste narrative remix (remiks)- rikrijime, interpretime, rikombinime, përshtatje të këtij teksti të Kadaresë, një ushtrim,një pastish, variacion i së njëjtës temë, zhanri, subjekti.

Kjo është një mënyrë shpalimi e letërsisë, që kohët e fundit, po përdoret në letërsinë e përbotshme, por që në studimet tona nuk është e njohur. Pra, në bazë të një vepre të një shkrimtari, – të tjerë shkrimtarë bëjnë remiks. Në këtë rast, kemi për bazë tragimin e një shkrimtari shqiptar, atë të Kadaresë, kurse remikset janë të tre shkrimtarëve francezë.

E rilexova tregimin “Përpara banjos” së Kadaresë. Pastaj mora tregimet në gjuhën fringe që ishin remikse të atij teksti. Me t’i pasur në dorë, ishte e dukshme se kisha të bëja me thurje jo të thjeshta. Tekstet kërkonin që të qëndroje ca kohë me kryet mbi to. Nisa të shkruaj shënime pa i përkthyer  tri tekstet, vetëm duke hyrë gjithnjë e më tepër në logjikën e tyre, të brendshme. M’u duk se me të vërtetë isha zhytur në fund, në universin e këtyre vdekjeve të shumëllojshme. Dhe, duke e shkruar studimin përcjellës, erdhi njëkohësisht edhe përkthimi i tri tregimeve remiks të francezëve, të cilët ishin nisur nga teksti origjinal Përpara banjës.

Iu frikësova, megjithatë, rreziqeve të mundshme, gjatë përkthimit , u përpoqa ta ruaj stilin. Nuk e kisha idenë se si do t’i vinin një lexuesi shqiptar tekstet e përkthyera. Dëshirova që të ishin këta shkrimtarë francezë që flisnin në shqip. Doja t’i ruaja sa më shumë që të ishte e mundur, secilit fytyrën e vet, frymën e vet.

Ndodh përkatësisht kështu:

Ngjarja që tronditi jetën helene si dhe botën mbarë, do të rishfaqet pa bujë në të sotmen e njerëzimit, ku një burrë i ditëve tona është sërish i zhytur në gjumë- vdekjen e tij,  në ngadalsinë dhe falshkësinë e lindur, në gabimin dhe pësimin e tij: në brerjen e pandërprerë të ndërgjegjes për një mbrapshti që nuk e kapi dot në të gjallë të vet. Ky është tregimi i parë. Ndërsa në tregimin e dytë trajtimi ekstravagant që i bëhet Orestit, mund të shastisë lexuesin; ne do të ecim me Orestin drejt Homo Zone në një sauna gay-sh. Ky tregim i dytë dhe sidomos tregimi i tretë, e trajton këtë vdekje ta pafundme si mazokizëm. Tregimi i tretë, veçanërisht, sjell përpëlitjen e njeriut në një ferr të përditshmërisë.

 

 

Tregimi

 

Përpara Banjës

 

Ismail Kadare

Ai iu afrua vaskës me ujë të ngrohtë, lëbyri sytë nga kënaqësia (sa herë e kish ëndërruar këtë vaskë në tendën e ftohtë të fushimit) dhe në çastin kur po fuste njërën këmbë në ujë, ktheu kryet nga e shoqja, që po i vinte pas. Ajo kish ende në fytyrë atë buzëqeshjen pakëz të zhvendosur, po, më tepër se buzëqeshja , atij i tërhoqi vëmendjen ndriçimi metalik i diçkaje, që vetoi midis pëlhurës, që e shoqja e mbante në dorë. Meqenëse gjithë trupi i tij kish marrë ndërkaq kahjen e lëvizjes, ai u fut në vaskë, po kureshtja, megjithatë, e bëri të kthente përsëri kryet për të parë se ç’ish ajo gjë metalike. ( Ndoshta gjatë mungesës së tij këndej ishin shpikur vegla të reja edhe për larjen në banjë). Në atë çast ai pa të shoqen gati përsipër tij, me pëlhurën e hapur, që po ia hidhte sipër. (Ç’bën kjo e marrë, arriti të mendonte, ku është parë që njeriu u fshika në fillim e jo në mbarim të banjës). Dhe një grimë më pas, pa arritur ende të tmerrohej nga mendimi se ajo pëlhurë i ngjante me tepër një rrjete, ai ndjeu krahët t’i ngatërroheshin në të dhe, po në atë çast, pa sëpatën e shkurtër në duart e gruas.

Dhembja në anën e djathtë të qafës dhe shkulmi i parë i gjakut iu dukën se ndodhën në të njëjtën kohë, bashkë me klithmën “më vranë”, që atij iu duk se e degjoi nga tjetërkush. U gjend përsëri jashtë vaskës, si për të ndrequr gabimin dhe ashtu, si më parë, futi njërën këmbë në ujë, pastaj pa gruan që i vinte pas, dalloi ndriçimin e sëpatës midis pëlhurës, po s’arriti ta mblidhte mendjen, madje pa u tmerruar ende nga pëlhura, që iu kthye në rrjetë e i lidhi krahët, ndjeu goditjen e parë dhe pa gjakun që skuqi ujin.

U gjend përsëri jashtë vaskës, si për të ndrequr diçka, po këtë herë ngadalshëm, si ai që përpiqet ta shkoqitë gjakftohtësisht keqkuptimin. Iu afrua vaskës, avulli i ngrohtë i së cilës e bënte më të largët çdo gjë dhe lëbyri sytë nga kënaqësia ( Sa herë e kish ëndërruar këtë vaskë në tendën e ftohtë ushtarake , kur i palarë e gjithë ngut bënte dashuri me robinat) dhe, në çastin kur po fuste njërën këmbë në ujë, ktheu kryet nga e shoqja, si të sigurohej që lumturia ish fare pranë. Ajo kish ende në fytyrë të njëjtën buzëqeshje, pakëz të zhvendosur, si maska kur zhvendoset nga një lëvizje e tepërt, po, më tepër se buzëqeshja, atij i tërhoqi vëmendjen ndriçimi metalik i diçkaje, që vetoi ftohtë midis pëlhurës, që e shoqja e mbante në dorë. Megjithatë, kaq shumë mendja i punonte te dashuria që do të bënte së shpejti me të, saqë edhe ai metal iu duk ose i pëlqeu t’i dukej, si diçka që kish lidhje me një surprizë të saj, nga ato befasitë e këndshme, që ajo i bënte zakonisht kur kthehej pas ndarjeve të gjata…Në atë çast ai pa të shoqen sipër tij dhe pëlhura që u bë rrjetë, dhe ngecja e krahëve, dhe sëpata, dhe goditja, dhe shkulmi i gjakut, dhe britma “më vranë!” ndoqën njëra –tjetrën kaq shpejt, saqë u ngjitën e u bënë njësh, gjersa u gjend përsëri jashtë vaskës dhe po ecte drejt saj, dhe e shoqja i vinte pas me pëlhurë në dorë, dhe këtë herë ish kujtimi i tendës së fushimit, maska e buzëqeshjes së të shoqes, vezullimi i sëpatës në kohën kur futej në ujë, që u ngjitën rrufeshëm me njëra-tjetrën, për t’ia lënë, me sa dukej, ngadalësinë asaj që ndodhi më pas. Para se të shihte të shoqen, ai pa hijen e saj sipër ujit, pastaj kur e pa me pëlhurë të hapur, qe bërë gati t’i thoshte: “e dashur, ç’është kjo  mahi e re?”, por ish pikërisht ai çast kur pëlhura iu duk tjetërlloj, me ca si nyje midis, ca si deje, si krahët e lakuriqëve të natës, dhe ajo po binte ngadalë sipër kokës së tij, dhe sa më shumë që afrohej, aq më tepër i ngjante një rrjete, madje atij iu duk se krahët iu mpinë para se t’ia prekte ajo, madje përpara se sëpata t’i binte në qafë ai tha me vete “mbaroi”, dhe nga ky mendim deri te skuqja e gjakut sipër ujit u duk se kaloi një kohë tepër e gjatë. Ai u gjend përsëri jashtë vaskës dhe u nis drejt saj, ashtu si miliona herët e tjera për të përjetuar me ritme të ndryshme copëzën e fundit, gjithsej njëzet e dy sekonda të jetës së tij. Ky ish ferri i Agamemnonit Atridit, vrarë nga e shoqja, ditën e parë të kthimit të tij nga fushata e Trojës, në orën njëmbëdhjetë e njëzet minuta të datës tridhjetë e një mars, viti 1199 para erës sonë.

Tiranë, 23 shkurt 1990

 

Përpara Banjës

Remiks 1

Nga Mathieu Riboulet

Çdo natë vdes, po jo krejt papritur. U dashka të më përsëritet gjithçka, gjithënjë. Në takimin tonë të parë, pesë herë Maria më kërkoi ta përqafoja, përpara se ta ndaja më në fund mendjen për ta puthur. E kisha gjithmonë një si trallisje nga ajo, një ethe, një zjarrmi. Kur na lëshuan atje poshtë, sado që motive këndohej për bukuri në të gjitha tonet, unë nuk kuptoja, dhe sot, katër vjet më pas, vazhdoj të mos kuptoj. Paksa i dalldisur nga liria e rigjetur, sytë më ishin veshur, po jo deri në atë pikë sa të mos e pyesja veten orë e çast pse djallin u desh të shkonim ne atje, pse dreqin s’na u ndenj.

Është ngathtësia ime e lindur, e dalë në pah për dreq kështu, që na bën t’i japin një flakërimë të mirë natyrës së burrave. Jam një hajvan kokë e këmbë, tashmë një shtazë që qenkësh e thënë të katandisem për nja një muaj në një pirg mishi të squllët mbi kanapenë e dhomës së ndenjjes, të thith erën e pëlhurës së madhe të kuqe të nënës sime mbi mua, të thith në heshtje, kundërmimin e Marisë, që prêt që unë të kthej kokën, të më kthehen forcat, dëshira. Më ka pritur ajo siç e kam pritur?

Hyra, e tashmë sikur po ngurroja të shembesha në shtrat, diçka nuk shkonte, pëlhura s’ish më aty. U ktheva në atëbotë duke parë Marinë tek më ndiqte me mbulesën e kuqe duke u përvjedhur mu përpara mendimeve të mia. Për pak do të isha veç një masë inerte mbushur me aromat e heshtura të grave. Për pak. Por kam nevojë për kohë të kuptoj, një dhumbje m’i përshkon brinjët tejetej, bie mbi kanape, gjendem në një duhmë gjaku, por gjak njeriu. Imi? Diçka, padyshim, nuk shkon.

S’mërzitem. E kam atë zakon që nuk kuptoj që në fillim. Po rrekem njëherë të përqëndrohem, t’i kthehem ngjarjes nga e para, siç i kthehemi një bisede për të gjetur fillin e humbur.

Hyj në dhomë, këtë herë pak më ngadalë, me një farë përqëndrimi jo fort të nevojshëm për një veprim të tillë. Hyj, kanapeja është e zbuluar, këtë e mora vesh. Kthehem si për të verifikuar para së gjithash se ajo çka Maria mbannë dorë është pikërisht mbulesa e kuqe e nënës sime. Pa kurrfarë dyshimi, unë do ta kisha njohur atë mes mijëra mbulesash. Dhe ja, dhe njëherë unë, mësymur nga ndezullia për kundërmime nuhas, mos qoftë e thënë, asgjë tjetër pos poshtërsi, lagështi, vlagë, që, i flashkët, siç isha, kisha uruar të mos ishin. Bëj përpara dhe një herë tjetër dhe ja tek shfaqem mbi kanape për shkak të asaj dhimbjeje midis brinjësh, therëse dhe të ftohtë, hojëzat e hundës të mbytura në gjak, me gjasë imi, ndjej paaftësi për t’u kthyer për të vënë dorën mbi plagën e përgjakur, mbi fërgëllimat që më rrëqethin fundshpinën. Ku është Maria? Përpara meje mjaft larg, padyshim, teksa besoja se është prapa, tepër larg përpara, pra, ndofta tanimë ka arrritur në fundin e historisë sonë. Para së gjithash, ajo kish filluar në kohën që unë s’isha ende aty, ngadalësi e mallkuar.

Por kuptoj gjithmonë e më mirë është pak a shumë e vetmja gjë që ia vlen nga krusma e moshës. Edhe një përpjekje apo dy, ia dal më në fund në krye. Ia beh pra, kështu, dhe i përvishem skenës duke  e rindërtuar dhe njëherë, në qetësi e me durim, ashtu sikurse në qetësi e durim Maria dhe pëlhura i pranojnë përpjekjet e mia për të hetuar me kujdes e përpikëri çdo detaj. U jam mirënjohës, më paskan pritur pra, do të kuptoj më në fund.

Hyj, mbulesë s’ka kurrkund, kthej kokën, rishfaqet mbulesa. Këtë herë përqendrohem më shumë, marr frymë me gojë, duke dashur të shmang trillet që mund të më lozë ndonjë aromë, cilado qoftë ajo. I bie në të ç’duhet të bëj, përfitoj për të verifikuar që ajo mban mbulesën është pikërisht Maria, ajo që duket se më ka pritur, për të cilën ëndërroj prej më shumë se katër vjetësh, për të cilën më ish mpiksur një dëshirë e fortë, e tendosur sa s’mbante më, ajo qenka, jo ndonjë guardian, që m’i lakmon shpëlqinjtë nga ndonjë perversitet që s’ke ç’i bën, ajo, që do të kish dashur të m’i shpartallonte flegrat duke më përndjellë drejt shtëpisë, për të më çuar në fakt, më lehtë, drejt kasaphanës. Është pikërisht ajo. S’e kam kohën të shkoj më larg (ngadalësa, jua thashë), ja, ku gjendem, njësh me kanapenë, rikthehet dhimbja dhe bllokimi që paraprihen nga një ndriçim metalik i mprehtë, i cili besoj, do të bëjë lidhjet midis kësaj tërësie gjërash tashme ekstravagante. Nga brinjët e mia shpërthejnë shkulma gjaku që coha e kuqe i përthith pa ndryshuar ngjyrë. Vdekja është me shumë gjasë atje, ku s’e prisja. Mundet që, Maria, e kapitur, e ligështuar fare është lëshuar në krahë burrash të ngeshëm, të asi bjerrakohësish, a thua ka mbetur ajo e varur pezull në atë përqafim të mosarsyes?….(fragment)

Shkruar Nga
More from revista mapo

90-vjetori: Akademia e Shkencave “pret” Trebeshinën

Shkrimtari Kasem Trebeshina që ndan jetën mes Turqisë dhe Shqipërisë mbush 90...
Read More