Irlandezët pa dokumenta të Bostonit

Megjithëse numri i deportimeve në total ishte ulur në vitin 2017, numri u rrit për shumicën e vendeve, përfshirë Irlandën. Numri total i deportimeve – 34 – është më i vogël se sa ai i vendeve të tjera, por paraqet një rritje prej 31 për qind nga viti 2016, mjaftueshëm për të shkaktuar panik në një komunitet që në vitet e fundit nuk është mësuar me kontrolle të tilla.

“Ai nuk mund të dëbojë njerëz jashtë vendit. Ne e kemi ndërtuar këtë vend!”

Por presidenti Trump po deporton irlandezët pa dokumenta dhe kjo është ndjerë fort në Boston, ku trashëgimia irlandeze ndihet shumë. Ata në rrezik nuk e dinë se kujt mund t’i besojnë dhe nganjëherë bien pre e depresionit, shpjegon Kieran O’Sullivan, një këshilltar i emigracionit në Qendrën Baritore Irlandeze në Boston.

“Ka njerëz që kanë frikë të ngajnë makinën, edhe pse u duhet të shkojnë në punë me makinë. Disa njerëz kanë frikë të kenë kujdes shëndetësor. Kohët e fundit te ne erdhi një grua e cila ishte viktimë e dhunës në familje. Dhe kështu, ndodh që viktimat kanë frikë të shkojnë në polici, sepse i merret vesh statusi i imigracionit”.

Thomas Callahan, një zdrukthëtar pa dokumente, shqetësohet për mundësinë e arrestimit të tij, dhe burgosjes me javë ose muaj. Por ai thotë se nuk e kanë dyshuar për 16 vjetët që ka qenë në Shtetet e Bashkuara.

“Shumica e amerikanëve, kur je duke punuar, nuk të shohin si një imigrant i paligjshëm. Ata nuk e dinë statusin e imigracionit, dhe supozojnë se je këtu ligjërisht vetëm se flet anglisht mirë dhe je i bardhë…nuk dinë gjë për çështjen e dokumentave” thotë ai.

… një avantazh, të cilin Callahan pranon se shpesh nuk e kanë grupet e tjerë të imigrantëve.

“Edhe njerëzit me status ligjor, fakti që ata janë nga Lindja e Mesme ose ndoshta një vend afrikan, ata e ndjejnë se përjetojnë diskriminim më hapur” thotë Veronica Keys, e Qendrës Baritore Irlandeze.

Zonja Keys thotë se ka një ndarje mes brezash në mënyrën se si irlandezët e shohin imigracionin e paligjshëm. Shpesh, emigrantët më të hershëm, të cilët kanë ardhur në vend sipas ligjeve dhe rrethanave të mëparshme, kanë më pak tolerancë, thotë ajo.

Por historia e gjatë e imigracionit ka bërë që shumë irlandezë të ndjejnë se e kanë të drejtën të jetojnë në Shtetet e Bashkuara.

Të tjerë besojnë se emigrantët e rinj nga vendet e tjera meritojnë gjithashtu një jetë në Amerikë.

“Unë e di se shumë prej tyre po i arratisen situatave të vështira nga vendet e tyre, dhe ku tjetër mund të shkojnë kur ndodhin gjëra të tilla?”

Vlerësohet se numri i irlandezëve të pa dokumentuar që aktualisht jetojnë në Shtetet e Bashkuara varion në mënyrë drastike, nga 10,000 në 50,000.

Shkruar Nga
More from Revista User

OECD: Të rinjtë shqiptarë performojnë dobët në shkenca, vajzat më mirë se djemtë

Sipas raportit më të fundit të OECD për edukimin e të rinjve...
Read More