Iris Kruja: Aftësitë dhe vlerat e fituara në UET kanë formuar karrierën time

Ekspertja e financës pranë Institutit të Politikave Publike dhe Private rrëfen përvojën si ish-studente e Universitetit Europian të Tiranës dhe sesi njohuritë e fituara në nivelin Master e ndihmuan të hidhte hapa të sigurt në karrierën profesionale

Të menduarit kritik dhe hulumtimi shkencor ishin elemente të forta gjatë dy viteve të studimit në nivelin Master të Shkencave në profilin Financë-Bankë, në Universitetin Europian të Tiranës. Elemente që i duhen fort edhe sot, ndërsa është diplomuar dhe prej tri vitesh punon si eksperte e financës në një institut me fokus kërkimin.

“Prej tri vitesh punoj si eksperte finance pranë Institutit të Politikave Publike dhe Private. IP3 është një institucion i pavarur studimor, kërkimor dhe këshillues, me qëllim jofitimprurës, si dhe me qëllim zhvillimin dhe promovimin e politikave publike dhe private në përputhje me traditën dhe vlerat europiane për lirinë e individit dhe mirëqeverisjes, lirisë së tregut dhe të drejtave të pronës private”, rrëfen Iris Kruja, ndërsa kujton se gjatë viteve të studimit ka patur gjithnjë mbështetjen e pedagogëve të saj, ekspertë të fushës, për të marrë pjesë në konferenca kombëtare e ndërkombëtare si dhe në botimin e artikujve në revista shkencore brenda dhe jashtë vendit.

Stafi akademik ishte pikërisht një nga arsyet që e bënë të zgjidhte UET-in, për studimet e saj Master. “Ishte gjithashtu edhe vizioni i këtij universiteti dhe një larmi mundësish të ofruara për studentët”, kujton ajo, ndërsa shton se vitet në UET veç njohjes me profesorë, studentë, kolegë dhe me miq të mirë, kanë qenë kohë shkëmbimi idesh dhe eksperiencash shumë të vlefshme.

“Aftësitë dhe vlerat e fituara në UET kanë formuar karrierën time profesionale”, vijon Irisi, ndërsa zbulon se periudha tre vjeçare e punës në IP3 e ka pasuruar me njohuri të reja në fusha si planet e zhvillimit vendor dhe rajonal, hartimi i paketës fiskale, i buxhetit vjetor e programit buxhetor afatmesëm, Partneriteti Publik-Privat, Dialogu Publik-Privat, decentralizimi, financat publike, etj. “Njohuritë e marra gjatë programit të studimit që kam përfunduar janë përkthyer drejtpërdrejt në punën që unë bëj”.

Institucioni ku punon, zbulon Irisi, është jofitimprurës dhe ka për qëllim zhvillimin dhe promovimin e politikave publike dhe private, në përputhje me traditën dhe vlerat europiane për lirinë e individit dhe mirëqeverisjes, lirisë së tregut dhe të drejtave të pronës private.

Pas përvojës së mirë në Universitetin Europian të Tiranës, të cilit ia atribuon një pjesë të mirë të suksesit të saj të tregun e punës, pohon se do e zgjidhte sërish pa u mëdyshur për një tjetër program studimi. Madje ajo i këshillon të rinjtë që së shpejti do të përfundojnë maturën e do gjenden përpara vendimit për studimet e larta ta kenë UET një zgjedhje të parë. “Do i siguroja që pritshmëritë e tyre do të përmbushen, nëpërmjet një mësimdhënie cilësore, vlerësimi cilësor, vëmendjes ndaj nevojave të tyre, këshillimit akademik, këshillimit të karrierës, etj.”. Ndërsa studentëve që kanë zgjedhur këtë universitet ajo u thotë: “Të përfitojnë dhe ta shfrytëzojnë periudhën e universitetit sa më shumë, si orët e mësimit ashtu edhe organizimet e tjera të UET, sepse do u vijnë shimë në ndihmë në karrierën e tyre të mëtejshme”.

Një nga përfitimet e drejtpërdrejta që ajo si studente e Masterit ka provuar është bashkëpunimi i ngushtë që Universiteti Europian i Tiranës ka me botën e biznesit, cilësi që ajo ngulmon që universiteti ta ruajë dhe ta forcojë. “Prania në auditorë e drejtuesve të biznesit dhe profesionistëve në 20% të orëve të leksioneve është një ndër pikat e forta dhe frytdhënëse për studentët. Ndërthurja e mirë e teorisë dhe praktikës bën që të reduktohen vështirësitë kur përballemi me tregun e punës”, tregon Irisi, që duket se e ka pasur më të lehtë kalimin në botën e botës, shpesh për të rinjtë një hap i madh dhe jo fort i lehtë. Kjo për shkak se botën e biznesit dhe tregun e punës e ka njohur qysh në auditorë, në takimet me përfaqësues të biznesit, internshipe apo edhe panairet e punës që zhvillohet rregullisht në UET e që tashmë prej vitesh janë shndërruar në traditë, një ngjarje që u mundëson studentëve të njihen me operatorët në treg dhe shpesh të punësohen ndërsa janë në fund të studimeve.

E pyetur se cila është zgjedhja më e mirë për të e gjendur përballë tri alternativave si studime në universitet shtetëror, privat apo jashtë vendit, Irisi është e mendimit se universitetet private një mundësi shumë e mirë për çdo student që dëshiron të studiojë. “Ambientet në universitet private përmbushin çdo nevojë për ta bërë sa më atraktive dhe interaktive periudhën e studimeve”, thotë ajo ndërsa stafi akademik është gjithnjë mbështetje e pranishme për çdo nevojë apo këshillë.

Në tre vitet e saj të parë të karrierës, të cilët i ka nisur me hapa të vendosur për shkak të kualifikimit me nivel të thelluar studimesh siç është Masteri i Shkencave, Iris Kruja veçon si arritje domethënëse bashkëpunimin me donatorë kombëtarë dhe ndërkombëtarë në projekte të ndryshme dhe të fushave të ndryshme të ekspertizës si USAID, DLDP, GIZ, AMSHC etj., ku ka patur mundësi t’i vërë menjëherë në jetë të gjitha dijet që ka marrë, pa i lënë thjesht si dije teorike, të cilat me kalimin e kohës mund të zbehen, por duke i forcuar në praktikë –si në kërkim, në konferencat ku ka marrë pjesë, botimin e artikujve shkencorë, ashtu edhe në profesion.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Politika shqiptare mbetet tripolare, pozitë, opozitë dhe ndërkombëtarët

Nga Ervis Iljazaj Pas protestave të opozitës, të cilat shfaqën edhe një...
Read More