fbpx

Kryesore

Investigimi i Zërit të Amerikës, Lala: Ka nisur hetim ndaj meje, nuk e tregoj burimin…





               Publikuar në : 21:11 - 04/02/19 |
mapo.al

Gazetarja e njohur e kronikës, Klodiana Lala, e ftuar në emisionin “A Show” në News 24, foli mbi ngjarjen që trazoi ditët e fundit ujërat e politikës shqiptare. Lala foli për shkrimin që bëri bujë në “Zërin e Amerikës”, që tregoi për lidhjen dhe ndikimin e krimit të organizuar në procesin zgjedhor në Shqipëri. Lala deklaroi për herë të parë se Prokuroria kishte nisur hetim penal për të. Por ajo shtoi se pavarësisht kësaj, nuk do ta nxirrte kurrë burimin e saj.


Adi Krasta: Pse u shkaktua gjithë kjo zhurmë?



Klodiana Lala: E prisja këtë zhurmë, kjo ndodhi kur unë dhe BIRN u përpoqëm t’i shpjegonim opinionit publik se grupe të caktuara kriminale kishin manipuluar rezultatin e zgjedhjeve, se si i kanë shtrirë thellë tentakulat në shoqërinë shqiptare dhe se krimi ka lidhje me zyrtar jo vetëm të nivelit lokal, por edhe qendror.


Adi Krasta: Në 2017 u fol se në dy rrethe, Durrës dhe Peshkopi pati shitblerje të votës, pati ndërhyrje nga figura kriminale dhe në atë kohë qeverisja u tall me reporterët me shqetësimet. Ishte e mjaftueshme kjo për t’i mbyllur hetimet?

Klodiana Lala: Janë dy hetime paralele në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, njëri që ka të bëjë me një grup kriminal që vepron në zonën e Durrësit, i kapur gafil në shitblerjen e votës, dhe nga ana tjetër një hetim penal për zgjedhjet vendore në vitin 2017 në Dibër ku fitues doli kryebashkiaku socialist Muharrem Rama. Shitblerja e votës ësht një fenomen shqetësues që nga viti 2005, unë kam konstatuar problematika. Për ta vërtetuar, më duhet të kisha dokumente të Prokurorisë.

Adi Krasta: Klodi, vazhdon prokuroria t’ju hetojë?

Klodiana Lala: Prokuroria ka nisur një hetim penal, por nuk më shqetëson fare kjo gjë. Hyj në atë kategori gazetarësh që kanë luftuar fort për të gjetur një dokument zyrtar, jam e qartë në atë që kam shkruar. Prokuroria ka punën e saj, por para se të hetojë gazetarët për burime, që e them me bindje të plotë nuk i nxjerr asnjëherë, do të duhet të hetojnë ato dhjetëra mijëra dosje që flenë në Prokurori. Si mundet një prokuror të më kërkojë mua si gazetar llogari për një burim apo shumë burime që s’kam për t’i treguar asnjëherë?

Adi Krasta: Nëse prokurorët do të marrin ndonjë urdhër, ose thjesht ju ka ardhur inat që ua ke nxjerrë ato dokumentet, sidomos në Zërin e Amerikës që i shqetëson shumë, nëse e vazhdojnë përballjen me ty, të të thërresin ose të të ballafaqojnë me një dënim në fund…

Klodiana Lala: Një dënim do ta pranoja me kënaqësi, nëse me të vërtetë kolegët dhe opinioni do të vlerësonin se shkrimi im ia ka vlejtur dhe ka treguar me fakte dhe prova të pakundërshtueshme që krimi i organizuar dhe zyrtarë të lartë të një force të caktuar politike, nuk ka rëndësi cila është, ka bashkëpunuar me krimin për të blerë vota. Ajo që deklaroj me siguri të plotë është se asnjëherë nuk i tregoj burimet e mia, pasi do të minohej integriteti im si gazetare. Prokurorët, nëse merren me mua, unë kam dëshmuar dhe do vazhdoj të dëshmoj që jam një gazetare që punoj fort për të gjetur dokumente, për t’i verifikuar ata dhe për t’i thënë opinionit të vërteta.

Adi Krasta: Janë shqetësuar burimet e tua?

Klodiana Lala: Në fakt burimet janë një punë titanike dhe e lodhshme për gazetarët, nuk më shqetëson shqetësimi i tyre, por fakti nëse shkrimi im do të etiketohej për pasaktësi. Ajo që nuk pranoj është që në asnjë rrethanë dhe formë nuk do e ekspozoja burimin, qoftë edhe përmes ndonjë vendimi gjyqësor. Jam e vendosur që të gjej lajme që i shërbejnë opinionit publik.


Etiketa: , , ,

Pas