INTERVISTA/ Mark Marku: Jemi superiorë ndaj qeverisë për shkak të dijes

Intervistë për gazetën MAPO, e pedagogut dhe publicistit Mark Marku, i cili u sulmua publikisht dy ditë më parë nga Kryeministri Rama. Marku thotë se kërkesat e pedagogëve zgjidhen për 1 orë po të ketë vullnet

Z.Marku, ju jeni sulmuar nga kryeministri dy ditë më parë, publikisht, besohet për shkak të angazhimit tuaj në krye të lëvizjes së pedagogëve që i kanë paraqitur disa kërkesa qeverisë, dhe kanë lajmëruar grevë të përgjithshme për mosplotësimin e tyre. Fillimisht, a mund të na thuash ndjesinë që provove, kur more vesh që shefi i qeverisë të denoncoi, madje kishte dhe pak përtallje aty, loja që Rama bën shpesh me fjalët, duke përdorur emrin tënd për t’i quajtur pedagogët Mark Markër?

Nuk pata ndonjë ndjesi të veçantë, pasi prej gjashtë vjetësh jemi mësuar ta shikojmë kryeministrin shëtitës anembanë Shqipërisë duke folur gjëra pa kuptim dhe duke iu mbushur mendjen njerëzve se sa të këqij janë ata që nuk i kuptojnë apo pranojnë sukseset e qeverisë së tij. Sikur t’i kishte kaluar pak nga ato ditë në zyrë, ndoshta vërtet do të kishte bërë diçka nga ato që thotë se i ka bërë. Sa i përket përgojimit tim, nuk kisha ndonjë ndjesi. Mënyra si e kam ndërtuar jetën time ma jep këtë qetësi. Ndihem në harmoni me veten dhe kaq më mjafton. Për të tjerat as që e çaj kokën: as për sharje, as për shpifje, as për kërcënime.

Lidhur me kërkesat tuaja. A mund të mendojë dikush se është pak naive që të plotësohen për një javë. Siç është anulimi i Ligjit për Arsimin e lartë, dhe, a mund të thotë dikush se kur ky Ligj u miratua, a rezistuat ju sa duhet, a ishit të ndërgjegjshëm sa duhet se autonomisë universitare po i vinte fundi, dhe çfarë bëtë atëherë për ta ndaluar?

Nuk e di ku qëndron naiviteti këtu pasi ne nuk e kemi kërkuar një gjë të tillë. Mjaft t’u hedhësh një sy kërkesave tona dhe e kupton se ne kemi kërkuar që të shprehet vullneti për ndryshimin e ligjit për arsimin e lartë dhe ngrirjen e VKM-ve dhe këtë e kemi bërë në mënyrë eksplicite. Ajo që kemi kërkuar bëhet edhe me një orë. Mjafton vullneti. Sepse ai ligj ka rënë, madje siç e kemi theksuar mijëra herë e ka rrëzuar edhe vetë qeveria, fillimisht me mosnxjerrjen për tre vjet të VKM-ve që do ta bënin atë të zbatueshëm, e më pas me VKM-të e nxjerra nga dhjetori e këtej, të gjitha në kundërshtim me ligjin. Sa i përket rezistencës, mendoj se Ligji për Arsimin e Lartë është ligji më i debatuar dhe i kundërshtuar nga trupa akademike. Dhe kjo rezistencë është bërë në universitet, kryesisht në Universitetin e Tiranës. Departamentet, këshillat e fakulteteve, dekanatet, senati, forumet e ndryshme që operojnë në universitet, të gjithë e kanë kundërshtuar atë për 4 vjet. Tani ligji sapo ka filluar të japë rezultatet dhe ja ku jemi, në një sistem universitar totalisht në krizë.

Në publik duket mjaft interesante kur një kryeministër debaton me pedagogët. Kjo nuk duhej t’i sillte asnjë të keqe vendit, përkundrazi. Po a është ky rasti, dhe a është kjo një përballje e barabartë. Cilat janë mundësitë, instrumentet, forca e një trupe pedagogësh përballë makinerisë së madhe të ekzekutivit?

Trupa akademike është e vogël përballë mizërisë së njerëzve, dhe mjeteve që mobilizon pushteti, por jemi në fushën e debatit dhe këtu ndryshon puna: këtu është trupa akademike superiore. Sepse këtu fuqinë nuk ta jep forca, as paraja, as dhuna, as policia, por dija. Këtu jemi ne superiorë dhe kush nuk e kupton këtë është për t’u mëshiruar.

A mendoni se Edi Rama me stilin e tij populist po tenton të luajë me ndjenjat dhe emocionet e studentëve kur u tregon atyre se armiqtë i kanë në universitet, dhe i frymëzon të dalin kundër pedagogëve, drejtuesve dhe rektorëve. A është e vërtetë se shumë drejtues universitetesh nuk gëzojnë simpatinë e studentëve, madje janë kthyer shpesh aq antipatikë sa Rama e di mirë këtë dhe po tenton ta devijoje krizën në atë drejtim, për ta hequr nga vetja?

Po, po mundohet, dhe shumë madje, vetëm keni parasysh se ka dy muaj që kërkon të bisedojë me studentët dhe nuk po mundet, sepse ata thjesht e shpërfillin. Kjo do të thotë që nuk i besojnë më në asgjë, përfshi këtu edhe në ato gjëra që thotë për pedagogët. Në universitetet publike ka shumë gjëra që nuk shkojnë, por kryeministri është i vetmi që nuk mund të fajësojë askënd. Mendoni, ai që artikulon afera korruptive apo plagjiatura të pedagogëve, akuzohet për kanabizimin e vendit, mbushjen e parlamentit me delinkuentë, për orë, për ditë, gjithë kohën. Sa mund ta besojmë kryeministrin se është i shqetësuar për fenomenin e shëmtuar të shitjes së librave nga disa pedagogë, kur qeveria e tij i jep një kompanie fantazmë 40 milionë euro për 2 km rrugë, apo kur me një ligj të posaçëm shemb teatrin kombëtar për t’ia dhënë truallin e tij, një biznesi për të ndërtuar kulla. Në këto kushte “mobilizimi” i tij antikorrupsion duket thjesht tallje.

Çfarë do të ndodhë në vijim. Si zgjidhet kjo krizë. Dhe pse, kërcënimi i pedagogëve për grevë të përgjithshme nuk duket se e trondit opinionin publik, siç në fakt do të ndodhte në çdo vend normal?

Ne nuk kemi si qëllim të tronditim opinionin publik, thjesht duam të lëvizim gjërat në drejtimin pozitiv. Këtë po bëjmë dhe do ta bëjmë pa ndërprerë.

A mendoni se kriza e universitetit është njëra nga krizat e vendit. Si mund të dilet nga ky udhëkryq. A ka një zgjidhje politike? A ka një alternativë që Shqipëria të bëhet një vend normal, të lërë pas tranzicionin e gjatë, të ketë qetësi, zhvillim, e mirëqenie për njerëzit…

Patjetër. Kriza në universitet është pjesë e dështimit të madh të qeverisë shqiptare. Është krizë e qeverisjes. I vetmi ndryshim është se në universitet ka reagim ndaj kësaj krize, ndryshe nga ç’ndodh në segmente të caktuara të shoqërisë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Preludi i opozitës së re

Protesta e sotme do të jetë testi i parë i opozitës PD-LSI....
Read More