INTERVISTA/ Irena Beqiraj: Socialistët duhet të zgjohen

 

-Një intervistë për të mos u humbur me një socialiste me kurajë dhe mendim.

Pas Ditmir Bushatit, një tjetër ish-zyrtare e qeverisë “Rama” flet për nevojën për debat brenda partisë. Ish-zëvendësministrja Irena Beqiraj, në një intervistë për Gazetën MAPO, rreshton të gjitha rreziqet që po i kanosen PS-së nga mungesa e kritikës, dhe krijimi i kultit të individit e recitimet me fitore. Irena Beqiraj është e bindur se “Sa më shumë kohë kalon, grupet parlamentare dhe forumet më të larta partiake po kthehen në organizma amorfë pa debat e pa ide, pa zgjedhje e pa zgjidhje”. Ndërsa lidhur me fjalimin e Bushatit në Parlament, ajo e sheh si “reflektim” dhe pranim të kësaj situate. Beqiraj që ka mbajtur poste të rëndësishme në qeverisjen e Ramës, si zv.ministre, drejtoreshë e doganave dhe këshilltare e kryeministrit. Beqiraj nuk është dakord me qasjen e kryeministrit Rama ndaj pushtetit duke marrë shembull përzgjedhjen e qeverisë, pa pyetur forumet. “Partisë Socialiste nuk u hyjnë në punë skllevërit megjithëse duken më të lehtë për t’u menaxhuar”, thotë ajo.

Intervistoi: Blerina Gjoka

-Znj. Beqiraj, pas një karriere premtuese në qeverisje si këshilltare e kryeministrit, zv.ministre dhe drejtoreshë e Doganave tani jeni jashtë sistemit, çfarë ndodhi?

-Rrugëtimi im në administratë filloi në Dhjetor të vitit 2014, kur nga Kryeministri Rama mora propozimin për t’iu bashkuar skuadrës së tij në postin e zëvendësministres së Financave, rrugëtim të cilin e ndërpreva me dorëheqje në Gusht 2017. Nuk ka ndodhur asgjë e veçantë. Shumë nga bashkëpunëtorët e miqtë e mi në qeveri janë gjendur të surprizuar dhe të çuditur nga ky vendim i menjëhershëm, të cilin nuk e diskutova as me familjen as me miqtë e ngushtë. Megjithëse gjithmonë e kam konsideruar një eksperiencë të vlefshme punën në qeveri, besoj që nuk arrita dot të përvetësoj sjelljen në qarqet politike. Besoj se ishin karakteristikat e mia karakteriale të cilat nuk më lejuan që të akomodohesha.

-Si kanë qenë marrëdhëniet e tua me Z. Rama?

-Mendoj që nuk na ka munguar respekti reciprok. Kuptohet marrëdhënia nuk ka qenë gjithmonë fushë me lule pasi në punë ka probleme dhe çështje për të cilat mendimet, opinionet, qasjet ndryshojnë edhe ngandonjëherë kanë qenë edhe tërësisht të kundërta. Por gjithsesi unë ia kam lejuar vetes të përcjell mendimet, kritikat apo edhe perceptimet e mia pa u menduar dy herë dhe pa u shqetësuar se si do ndikonin ato në qëndrimin e tij apo edhe të tjerëve përreth, karshi meje. Shpesh bashkëpunëtorët më këshillonin të mos isha kaq e drejtpërdrejtë dhe me shaka iu kujtoja Gëten dhe vargun e tij “mbi fjalën që del e dëlirë, shpërblim tjetër s’lakmoj”.

-Cila është lidhja juaj me Partinë Socialiste si aktiviste dhe anëtare forumesh?

-Deri në 2014 nuk kam qenë anëtare e asnjë partie. Në mendjen time gjithmonë pozicionet që kam mbajtur i kam konsideruar teknike, por kurrsesi kjo nuk më ka penguar të ndiej detyrimin karshi Partisë Socialiste si përfaqësuese e qeverisë së saj. Në 2016 pa kërkesën e askujt vendosa të aderoj në Partinë Socialiste. Jam anëtare e thjeshtë, pa ofiqe e pa poste në parti. Ndërkohë edhe formimi që kam më shtyn drejt të majtës. Përgjithësisht ekonomistët janë të majtë.

-Pra, ju jeni një “rilindase”?

-Unë jam socialiste e thjeshtë, e zakonshme, që ende mendoj si Rilindasit se “vetëm drita e diturisë përpara do të na shpjerë”.

-Dy ditë më parë në një deklaratë të fortë nga Parlamenti, deputeti socialist Ditmir Bushati, i kërkoi kësaj partie që të reflektojë dhe “të gjejë udhën e arsyes pasi vendi ndodhet në udhëkryq të madh”. Konkretisht ai u bënte thirrje me emër disa prej figurave të vjetra të kësaj partie, po asnjëri prej tyre nuk reagoi. Ishit ju e vetmja që e mbështetët publikisht. Pse?

-Fjalimi i Ditmirit ishte brilant edhe frymëzues. Ndryshe nga retorikat boshe e të lodhshme deri në degradim të gladiatorëve tanë politikë, të cilat janë të mbushura me akuza, sharje dhe batuta, ai fjalim “thërriste” për reflektim dhe kurajo për të marrë përgjegjësitë që u takojnë palëve, padyshim edhe mazhorancës. Fjalimi i Ditmirit ishte ndër të paktat raste ku ajo foltore jo vetëm nuk u keqpërdor për të na argëtuar dhe nxitur ndjesi të të gjitha llojeve, por u bë një burim shprese se në katrahurën e protestave dhe antimitingjeve ka njerëz që mendojnë që arsyeja dhe vetëm arsyeja duhet të udhëheqë veprimet dhe qëndrimet tona. Nuk duhet kurrsesi që papërgjegjshmërisë, dëshpërimit dhe humbjes së drejtimit të opozitës, socialistët t’i përgjigjen me të njëjtën monedhë.

-Sipas jush pse mbeti pa përgjigje thirrja e tij?

-Nuk ishte një thirrje për përgjigje, por për reflektim, e në këto kushte heshtja është përgjigja më e mirë.

-Çfarë shikoni ju si rrezik kur u kërkoni socialistëve të zgjohen?

-Krizat politike që godasin kaq shpesh demokracinë tonë, janë tregues i qartë i rënies së besimit dhe ndikimit që partitë politike të të dy kaheve kanë në popull. Kjo është arsyeja që i detyron të gjitha partitë të flasin pa pushim për mbështetjen masive popullore. A keni vënë re sesi në kërkim të besimit të humbur kërkojnë të afirmohen me madhësinë e protestave apo edhe antimitingjeve që organizojnë pavarësisht mesazhit që japin? A e keni venë re se si kulti i individit ka dobësuar dhe ulur besimin te partitë në shoqëri? Kryetarët edhe një grusht i vogël njerëzish rreth tyre janë kthyer në solistët që “këndojnë“ të vetëm. Sa më shumë kohë kalon, grupet parlamentare dhe forumet më të larta partiake po kthehen në organizma amorfë pa debat e pa ide, pa zgjedhje e pa zgjidhje. Tregues kokëfortë e i dhimbshëm i kësaj të fundit është argumenti që trajneri zgjedh skuadrën. Trajneri (Kryeministri) e zgjedh skuadrën kjo është e vërtetë, por jo pa rënë më parë dakord me Klubin (pra me Kryesinë.) Pritja me ankth para kamerave e gjithë atyre burrave dhe grave, edhe anëtarë kryesie, për vendimmarrjen se kush do të jetë pjesë e skuadrës, nuk i ngjan aspak një përzgjedhjeje të diskutuar, të debatuar në Kryesinë e Partisë, me gjithë të drejtën që ka përsëri KM për të marrë vendimin e fundit. Këto qasje në mendimin tim i shqetësojnë socialistët. Trashëgimia që lë në shoqëri dhe demokraci një formacion politik është me më vlerë se pushteti, i cili sado i gjatë të jetë e ka një datë skadence.

-A është Bushati dhe ju në këtë rast, vetëm zëra të veçuar që mendojnë ndryshe apo është kristalizuar një pakënaqësi në rritje në strukturat e partisë për mënyrën si po qeveriset dhe si po drejtohet partia?

-Të jemi të qartë, për mua, por me sa kuptoj nga narrativa e Ditmirit, besoj edhe për të, kjo nuk është pakënaqësi për mënyrën se si po qeveriset vendi. Ajo që unë edhe Ditmir Bushati, në mënyrë krejtësisht të pavarur kemi artikuluar, është një këndvështrim tjetër për qasjen se si duhet menaxhuar kriza e tanishme politike, por edhe një kërkesë për reflektim se a mund të përdorim të njëjtat mënyra që kemi përdorur për menaxhimin e tyre 30 vite me radhë? Unë besoj se brenda grupit parlamentar edhe Partisë Socialiste ka mendje të mençura, të cilat po të fitojnë vetëbesimin se minimalisht dëgjohen, nuk anatemohen si kundërshtarë, apo etiketohen si të pakënaqur, do të mund të artikulonin zgjidhje dhe mesazhe shumë më shpresëdhënëse, sesa klishe të tipit: Ne dialogojmë, por nuk negociojmë?

-Jemi në një moment kur opozita ka lënë Kuvendin dhe është në rrugë duke marrë shkas nga skandali i përgjimeve për vjedhje votash në disa qarqe të rëndësishme të vendit. Si duhet të reagojë PS në këtë moment?

-Sinqerisht nuk mendoj që qeveria socialiste “Rama 1” i bëri të gjitha mirë në mandatin e parë dhe 75 vende në parlament nuk i mendoja. Sikurse, nuk pranoj se ky rezultat i thellë ka ardhur nga fenomeni i blerjes së votës. Por, pa as më të voglin dyshim them që Partia Socialiste e drejtuar nga z. Rama në 2017, ka patur më shumë fat sesa takat. Edhe fati ishte pikërisht kundërshtari, Partia Demokratike e drejtuar nga Lulzim Basha, i cili është vetëvrarë politikisht disa herë. Populli sot është më i qartë se kurrë se Basha, premtimet, protestat, akuzat, alibitë, revolucionet, represionet, republikat e reja dhe të vjetra, të gjitha i proklamon, i prezanton, i mbron, vetëm në emër të pushtetit të tij. Detyra e PS është që me durim dhe guxim t’ia provojë sërish këtë Partisë Demokratike dhe Bashës duke marrë premtimin nga Partia Demokratike që me humbjen e radhës do ta kthejë Lulzim Bashën në gjirin e familjes biologjike me qëllimin e mirë dhe të vetëm që Partia Demokratike të kthehet në një parti normale politike.

-Ka një perceptim në publik që pas ardhjes së Ramës në krye të PS-së dhe përdorimit të termit Rilindje se në fakt Partia Socialiste është në konflikt me Rilindjen, në ide, njerëz e qasje. A mund të themi se tashmë Rilindja ka triumfuar dhe PS-ja siç e kemi njohur nuk “ekziston” më? 

-Perceptim tërësisht i gabuar. Termi “Rilindje” ka qenë vetëm slogan i përdorur nga Partia Socialiste për programin qeverisës në mandatin e parë. Partitë kanë nevojë për njerëz të rinj, ide dhe qasje të reja, ndryshe vjetrohen. Ky është një proces social shoqëror i pashmangshëm edhe në PS. Debati jo domosdoshmërisht është konflikt, mendimi ndryshe është promotor i zhvillimit. Mos të harrojmë që Partia Socialiste për shkak edhe të shumë personaliteteve të forta që ka patur ndër vite në forumet e saj, historikisht e ka patur një kulturë debati më të shëndetshme se partitë e tjera politike. Vërehet një zbehje e shpirtit të debatit brenda partisë pas 2008-ës për shkak se kodi zgjedhor e zbehu konkurrencën brenda partisë, por besoj dhe pse disi i tulatur, ai shpirt nuk është vrarë dhe riaktivizohet shpejt.

-Çfarë mesazhi ke për dikë që mund të mendojë se Rama u dha mundësinë shumë vetëve, siç ndodhi edhe me ju. Pra, sa parimor dhe jopersonal është qëndrimi juaj, ose dhe i të tjerëve qe janë kritike brenda PS?

-Z. Rama më besoi detyra për të cilat punova me përkushtim. Mirënjohja ime nuk do të mungojë kurrë për këtë. Por në të njëjtën kohë kjo mirënjohje nuk më ka penguar dhe as mund të më pengojë të artikuloj mendime dhe qëndrime të cilat më duken të drejta. E kam bërë dhe do ta bëj pa ekuivok e pa agjendë, dhe pa humbur kurrë respektin për palën tjetër. Nëse dikush mendon se për shkak të mirënjohjes duhet hequr dorë nga liria e të menduarit ndryshe, është vetëm një skllav. Unë nuk kam për të qenë kurrë e tillë. Besoj që Partisë Socialiste nuk u hyjnë në punë skllevërit megjithëse duken më të lehtë për t’u menaxhuar. Lexuesi mund ta mendojë si të dojë pasi edhe kjo është pjesë e lirisë.

-A mendoni se një zhvillim i ri në PS, një debat ose qëndrime kritike, mund ta rrezikojnë pushtetin e kësaj partie, apo përkundrazi mund ta bëjnë më të shëndetshme atë?

-Mendoj që recitimet me fitore, arritje, premtime, sharje apo akuza i rrezikojnë partitë, pasi promovojnë servilizmin, mediokritetin, paaftësinë dhe jo elitat. Aty ku debati, idetë, qëndrimi kritik respektohen, aty ka vizion dhe përparimi është i sigurt.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Klaudia Pepa rikthehet në Tiranë, shihni ç’bën në rrugët e qytetit

  Balerina profesioniste Klauda Pepa, e cila tashmë ka ngritur karrierën e...
Read More