INTERVISTA/ Eglein Laknori, mes muzikës dhe aktrimit

 

Intervistoi: Mirgen Çela

Një aktor humori shumë i dashur për publikun e të gjithë brezave. Është pjesë e një prej programeve më të ndjekura në Shqipëri, spektakli i humorit “Duplex”. I spikatur për pozitivitetin, humorin dhe spontanitetin që shumë pak e kanë, Eglein Laknori nuk i ndahet humorit për asnjë çast, si në jetën profesionale por dhe në atë të përditshme. Ndër të tjera siç shprehet me besimin e madh që ka në Zot: “Unë mund të bëj gjithçka me anë të Krishtit që më forcon”.

Gëzon një karrierë të gjatë artistike, “mban mbi supe” eksperienca të ndryshme jo vetëm në fushën e aktrimit, por dhe në atë të muzikës si trombist i talentuar dhe i kualifikuar. Studimet e larta i ka përfunduar në “Akademinë e Arteve” në Tiranë për Trombë. Prej disa vitesh punoi si mësimdhënës në “Liceun Artistik” të Tiranës, por u shkëput më pas prej saj, jo duke hequr dorë përfundimisht. Në një intervistë ekskluzive për Gazetën Mapo, Eglein Laknori tregoi historinë se si e nisi nga muzika, e tashmë aktor humori, ku nuk la pa përmendur edhe filmin “2 gisht mjaltë” ku ai ka një rol shumë të veçantë dhe duket se filmi ka kaluar çdo pritshmëri.

Si e nisët karrierën artistike?

Karrierën time si artist për sa i përket muzikës, pasi unë kam dy profile në jetë, muzikën dhe aktrimin. Muzikën e kam nisur në vitet ‘95-96 dhe kam studiuar për muzikë deri në vitin 2004 ndërsa për sa i përket karrierës aktoreske e kam filluar në vitin 2007. Gati 12 vite që merrem e humor.

Si u inspirua Eglein Laknori të merrej me muzikë?

Kur isha i vogël, diku në klasën e pestë apo të gjashtë, na provonin për veshin muzikor, këtu ishte prekja ime e parë që munda të vazhdoja për muzikë pasi kisha një vesh të mirë ku studiova pak për fizarmonikë në “Liceun Artistik” të Tiranës.

A jeni dorëhequr nga mësimdhënia për t’iu përkushtuar aktrimit?

Për sa i përket mësimdhënies nuk është se jam tërhequr po i jam përkushtuar pak më shumë aktrimit për momentin sepse mendoj se jam më mirë këtu. Nuk e di në një të ardhme do heq dorë nga mësimdhënia apo jo, por jam shumë mirë me aktrimin.

Më parë në Apartamentin 2XL, tashmë në Duplex? Ku ishte më mirë?

Fillimet e “Apartamentit 2XL” ishin në Vizion Plus, ku unë kam punuar për 8 vite, tashmë jemi pjesë e Televizionit Klan, patjetër që Klan është televizion i madh dhe “Duplex” është akoma më i madh ndërsa në përmbajtje është e njëjta, po e njëjta trupë, thjesht skena më e madhe. Mendoj se kam qenë mirë te të dyja, këtu jam patjetër shumë mirë.

Si është marrëdhënia me kolegët, a ka “përplasje” mes jush? A ka konkurrencë?

Marrëdhëniet i kemi shumë të mira pasi kemi 10 vite që punojmë bashkë dhe merremi vesh me sy, përplasje, le të themi ka debate për provat e improvizimit, por jo përplasje negative. Kemi marrëdhënie korrekte. Ndërsa konkurrenca është normale, në baza njerëzore dhe s’kemi bërryla për t’ia zhytur njëri tjetrit.

Si është të marrësh urdhra nga Turjan Hysko?

Të marrësh urdhra nga Turi është gjë shumë e mirë sepse është një djalë shumë i mirë dhe në jetën e përditshme. Ka urdhra shumë simpatikë dhe ia vlen të marrësh urdhra prej tij.

Ç’thuhet “lart e poshtë” për Eliona Pitarkën, gjithmonë për të ndizet skena e jo vetëm, si i keni marrëdhëniet bashkë?

Për Elionën gjithmonë komentohet, se zakonisht këto “pemët me kokrra goditen” thonë populli. Skena ndizet nga të gjithë ne, ajo ka pjesën dhe audiencën e saj. Marrëdhënia jonë është profesionale dhe miqësore, kemi marrëdhënie të shkëlqyer. Ndodh që të ulemi dhe për kafe bashkë, jo për gjë tjetër, as për ujë dhe as për çaj, por vetëm për kafe, – shprehet Egi me të qeshura.

Me cilin prej kolegëve ke marrëdhënie më të ngushtë?

Marrëdhënien e kam të shkëlqyer më të gjithë por për sa i përket njohjes kam më shumë me Julian Dedën, kam marrëdhënie më të ngushtë që në shkollë pasi kemi që në “Akademinë e Arteve” bashkë. Unë për trombë në vitin 2000-2004 ndërsa Juliani për aktrim në të njëjtat vite.

Sa e vështirë është të jesh pjesë e tregut artistik në Shqipëri?

Unë mendoj gjithmonë se të talentuarit dhe të zotët nuk kanë probleme vështirësie.

Sa vlerësohet muzika në Shqipëri? Po aktrimi?

Besoj se audiencat janë të ndara. Audiencat e muzikës dhe aktrimit. Njerëzit që duan humor ndjekin “Duplexin”, ndërsa ata që duan muzikën, ndjekin atë të mirën sipas tyre. Unë e gjej veten te muzikat live, Rock, Bluz, HardRock, mendoj se kjo është muzikë e mirë.

Çfarë do të ndryshoje nga e kaluara?

Absolutisht asgjë s’do ndryshoja nga e kaluara. Jam shumë i lumtur dhe bekuar. Zoti më ka bekuar me një familje shumë të mirë. S’do ndryshoja asgjë.

Spikat shumë me rolet në skenë, po në jetën e përditshme çfarë bën ndryshe?

Për sa i përket skenës bëj këto rolet e spikatura ose rolet e karakterit siç quhen. I bëj me shumë sinqeritet dhe për të qenë i sinqertë dhe modest më vijnë natyrshëm dhe nuk sforcohem shumë. Për sa i përket përditshmërisë, mundohem të bëj një jetë të balancuar.

Kush ju mbështet më shumë në punën që bëni?

Patjetër që Zoti dhe familja, jam plotësisht i bindur për këtë.

A do të hiqje dorë nga aktrimi?

S’besoj, është një gjë që e bëj me shumë natyrshmëri dhe besoj se natyrshmëria sjell qëndrueshmëri, ndërsa qëndrueshmëria sjell përvojë dhe në fund pastaj ta vlerësojë publiku.

A ke ndonjë pasion të fshehur, që s’e ke treguar më parë?

Për sa i përket muzikës unë kam studiuar “Liceun Artistik” dhe “Akademinë e Arteve” për Trombë, pra jam i diplomuar te pjesa e muzikës, ndërsa pasioni im që po e ushtroj tani, që kam dhe kohë dhe dëshirë. Është një pasion që në fëmijëri le të themi është për baterinë. Kam filluar një shkollë baterie dhe luaj çdo të diel te kisha që unë shkoj

Situata politike aktuale në vend si ju duket? Çfarë duhet të ndryshojë?

La situazione politica, non e buona.

Një këshillë për rininë shqiptare, e cila shpesh i ka dyert e mbyllura?

Këshilla ime për rininë shqiptare, sigurisht dhe për veten time pasi jam akoma i ri dhe ka gjëra të reja për të eksploruar është që ata të besojnë të jenë vetvetja dhe të ëndërroni gjëra të mëdha.

Kush mendon se është motoja e jetës?

Unë mund të bëj gjithçka me anë të Krishtit që më forcon.

Transmetimi i “2 gisht mjaltë”, si janë pritshmëritë, çfarë roli keni në film?

Sapo ka dalë në transmetim dhe unë kam një rol shumë simpatik. Do të doja të inkurajoja njerëzit të shkonin ta shikonin, është një film shumë i bukur, prodhim shqiptar dhe ia vlen ta shohësh pasi ka shumë të qeshura.

Kush ishte gjëja më e veçantë në këtë film?

Profesionalizmi që u bë filmi, është produkt shqiptar dhe sigurisht Ermal Mamaqi shkëlqen te kjo pjesa.

Sa janë shpenzimet e filmit?

Mund të merrni Ermalin në telefon, nëse e do numrin ta jap dhe verifikoje, shtoi me të qeshura Egi.

A u arritën pritshmëritë nga audienca për “2 gisht mjaltë”?

E vërteta është se mund të verifikohet lehtësisht. Ka kaluar çdo pritshmëri që ka ndodhur ndonjëherë në kinematë shqiptare.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Vëllai i Sadik Premtes: Tre atentatet që Sigurimi i Shtetit i bëri armikut të parë politik të Enverit në Paris

Sigurimi i Shtetit i ka bërë tre atentate Sadik Prermtes gjatë qendrimit...
Read More