Ia the, po kujt ia the?

Nga Erion Kristo

Triptiku i paragjykimeve (2) 

Paragjykimi tjetër që duam të shpështjellojmë është edhe më i zakonshëm. Ka të bëjë me një përgjigje humoristike, parulleske, që ne e shpërfaqim kaq shpesh, sa na pengon madje dhe të shprehemi, sepse këtë përgjigje e kemi në majë të gjuhës. Sapo dikush thotë diçka të mprehtë, ose diçka të vërtetë e të sinqertë, apo të drejtpërdrejtë (troç), menjëherë përgjigjja me më shumë gjasa ndaj vramendjes do të jetë shprehja që vjen nga një komedi e mirënjohur: Ia the, po kujt ia the!?

Kaq shumë përdoret kjo shprehje në jetën e përditshme dhe në rrjetet sociale, sa njerëzit ndoshta e kanë harruar fare prejardhjen e saj nga komedia, dhe e përdorin si një refren shoqërues për çdo argument që ngrihet në ligjërimin publik. Domethënia e kësaj shprehjeje është fare vrastare. Nëse vijohet më tej ky muhabet, përfundimi është që më mirë të mos flasësh fare. Aq sa të kujton historinë e atyre dembelëve që i kishin mbledhur në një haur dhe u kishin vënë zjarrin. Dihet që dembelët nuk i duhen askujt. Njëri syresh thotë: “Ore, po këta po na djegin vërtet”. Dhe shoku i përgjigjet: “Si nuk përton që flet”. Kësisoj ligjërohet çdo lloj dëmi që na bëhet dhe pikërisht nga ky lloj diskutimi kaq i thjeshtë dhe i padëmshëm në dukje. Pra, bëhet fjalë vetëm për një fjalë goje, për një batutë, por kjo batutë, ky llaf goje është më helmues se sa kukuta e Sokratit, më vrastar se sa helmi i kobrës, më lotues se sa gazi serb i hedhur në mes të qytetit. Sepse ky refren është paralizues, sepse ky model komunikimi është përjashtues, sepse kjo forma mentis është demoralizuese.

Pra, kot sa flasim, askush nuk na dëgjon. E bukura është se dhe personi që e lëshon këtë raketë mendore, ka të njëjtin mendim. Edhe ai vetë nuk dëgjon, duke menduar se të tjerët nuk dëgjojnë. Ata, shqiptarët, të tjerët, ata që nuk marrin vesh, ata që s’kanë mend, ata që duan vetëm mendjen e tyre. Ndërkohë, bota duhej të fillonte të lexohej nga uni i secilit. Personi që të kthen përgjigje në rrjetet sociale, duhet të reflektojë mbi atë çka thuhet, jo t’ia hedhë diskutimit duke bërë fajtor të tjerët. Këtu, ka njerëz që duan të të dekurajojnë, ka njerëz që duan të të zbehin, ka prej tyre që duan të të devijojnë dhe të të kanalizojnë pikërisht në padobishmëri. Do mjaftonte vetëm që të të mbështesnin, të të duartrokisnin, të të përforconin. Jo se këto sjellje nuk shfaqen. Ka të tilla, por ajo çka mbizotëron është pikërisht batuta buzëplasëse: Ia the, po kujt ia the!?

Por dhe kësaj batute mund t’i gjendet kundërbatuta. Përgjigjja më e thjeshtë do të ishte: Ty ta thashë! Vetes ia thashë!

Çdo gjë nis nga vetja. A ka vetja jonë nevojë të dëgjojë? Pa mëdyshje. Mjaft të kujtojmë një mençuri të vjetër të popullit tonë: Delja që ndahet nga tufa e ha ujku. Pra, mos u ndaj nga tufa o njeri, duke e përjashtuar veten. Natyrisht, në modernitet, mendja e ka stërholluar mendimin duke thënë se delja që ndahet nga tufa rritet në përgjegjësi. Por ne do të donim që çdo dele të merrte përsipër përgjegjësi. Nuk është e nevojshme që të gjitha mendjet të bluajnë miell të hollë. E rëndësishme është që çdo mendje të përdorë miell të mirë, bio, fshati. Dhe jo miell të skaduar apo të zhvleftësuar. Ata që i japin “mollësheqeri” publikut kanë vetë nevojë të dëgjojnë, por më shumë ka nevojë të dëgjojë publiku. A e keni vënë re se sa shpesh ndodh që njëri i bie gozhdës e tjetri patkoit; njëri thotë mollë e tjetri thotë portokalle?

A ka nevojë për pak inkurajim njeriu që merr përsipër të komunikojë në sferën publike? Apo duhet dekurajuar që të mos e hapë më gojën? Në këtë pikëpamje, edhe një llaf i thjeshtë i nxjerrë nga goja ka fuqinë shpërthyese të shumë bombolave të gazit. Pra, e the bukur, po kot sa e the, se nuk të dëgjon njeri. Dhe meqë nuk të dëgjon njeri, kot sa fole. Ti mirë e ke, po ç’t’u bësh shqiptarëve?

Duket sikur përçapja jonë është veç një llomotitje, një shkarrashkrim rreth gjërave të pavlera, rreth muhabeteve kot në rrjetet sociale. Por nuk është kështu. Ka të bëjë me qendrën e rëndesës. Guri i rëndë do bjerë në vend të vet, apo do bjerë anash, duke devijuar? Njeriu, a duhet të mbarset nga idetë më të mira apo duhet thjesht të mos marrë asnjë barrë përsipër? Pse ne duhet të bëjmë gjithmonë më të thjeshtën: përbuzjen? Më i vështirë do të ishte pranimi i idesë së tjetrit, përçimi apo thellimi i saj, sepse kështu duhet të funksionojë një shoqëri: ka disa vatra mendimi dhe shumë fije tejçimi. Por jo. Denigrimi është bërë tipar mbizotërues edhe i mendjeve të mëdha, edhe i mendjeve të vogla. Është virusal. Të tjerët nuk mbushin. Ne po. Ne kuptojmë, por ç’t’u bëjmë atyre që nuk na vënë veshin.

Këtu shfaqet shpëtimtare formula ungjillore: Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë. Ta përdorim këtë aftësi dhe të mos ia hedhim as vetes, as të tjerëve. Të jemi më dëgjues, të përdorim arsyetime të kryera nga të tjerët, pa u dashur ta tjerrim vetë çfarëdolloj mendimi. Vetëm kështu mendimi mund të bëhet kala, sepse me gurë ciklopikë është më e kollajtë. Ndërsa është shumë e vështirë të kemi një ngrehinë të mendimit, kur gjithkush ofron guriçkën e vet. Duhet të mësojmë të kënaqemi edhe me inteligjencën e të tjerëve, dhe jo të bëjmë të gjitha rrugëtimet e mundshme me mendjen tonë. Mendja është krijuar për të qenë përplotësuese e mendjes së të tjerëve. Nëse njeriu është një kafshë sociale, kjo do të thotë se njeriu ka nevojë për mendjen e tjetrit. Ndaj duhet të shijojmë edhe mendjet e mprehta të të tjerëve, jo vetëm veten.

Për ta mbyllur këtë mesele, ritheksojmë se përdorimi i pavend i fjalëve apo shprehjeve (nuk po përmendim këtu sharjet e zakonshme me të cilat është mbushur cit jeta jonë), nuk është pa pasoja. Diçka duhet të fillojmë të heqim nga fjalori ynë, diçka tjetër duhet ta shtojmë. Përndryshe asnjë përparim nuk do kemi në asnjë fushë. Se përparimi më parë është një betejë në mendje. Kur davariten mjegullnajat tona mendore, shpërfaqen përvijimet e mendimit të mirëfilltë, të atij mendimi që na duhet, që na ndriçon, që na qartëson.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Kim Mehmeti…prej thellësinave pus, të së shkuarës

Një rrëfim të tillë përpiqet të ngrejë prej frymës së “Pusit” shkrimtari...
Read More