Humbja e Lëvizjes ‘Pesë Yje’ në Itali, lajm i keq për populistët shqiptarë

Nga Ervis Iljazaj

Humbja e thellë që pësoi Lëvizja Pesë Yje në Itali në zgjedhjet lokale të Dielën e shkuar, shkaktoi një “shok” në opinion publik atje, por jo vetëm. Disa muaj më parë Lëvizja e drejtuar nga komiku italian, Beppe Grillo, konsiderohej si partia e cila me shumë mundësi do të qeveriste vendin pas largimit të Matteo Renzit nga posti i Kryeministrit.

Një rezultat i papritur, që tregoi atë që historikisht është vërtetuar, se lëvizje të tilla të bazuara në thirrjet populiste duke luajtur me emocionet dhe frikën e njerëzve, janë thjesht simptoma të krizës politike që ishte duke kaluar sistemi politik kudo në Europë, por jo zgjidhja e saj.

Të gjitha këto lëvizje që në vende të rëndësishme europiane po vinin në rrezik ekzistencën e Bashkimit Europian, kudo që garuan pësuan një humbje të thellë, duke filluar me Le Pen në Francë dhe duke mbaruar me humbjen e fundit të Pesë Yjeve, që konsiderohej nga shumë simotra të tjera si modeli i suksesit të populizmit.

Lëvizja Pesë Yje në të gjitha Bashkitë që drejtonte në vendin fqinj ka patur një dështim në qeverisje të plotë, me në krye Bashkinë e Romës. Ky është një fakt që tregon se lëvizje të tilla mbeten lëvizje proteste dhe denoncuese dhe të paafta për të qeverisur sa herë që i është dhënë mundësia për ta bërë një gjë të tillë, pasi bazohen vetëm te moralizmi popullor dhe nuk arrijnë dot të krijojnë një klasë politike e cila të shërbejë për të drejtuar sektorë të ndryshëm të pushtetit. E vetmja forcë e tyre është morali i pastër i popullit që kërkojnë t’ia kundërvënë elitës politike, duke krijuar kështu një autokraci që bazohet vetëm të figura karizmatike që drejton ato. Historia ka treguar që këto lëvizje, historikisht, sa herë që kanë ardhur në pushtet duke shfrytëzuar emocionet popullore kanë përfunduar në diktatura. Një rrezik, që për fat të mirë, me zgjedhjet e fundit që janë zhvilluar në shumë vende, Europa e ka evituar.

Padyshim, Lëvizja Pesë Yje ka dhe tifozët e saj në Shqipëri. Zëra publikë apo parti politike të cilët e marrin si shembull suksesi sa herë që kërkojnë të bëjnë rolin e moralisti publik për të kritikuar klasën politikë shqiptare, e konsiderojnë atë si modeli i një partie që ka ardhur nga njerëzit për të zgjidhur problemet e shumta që ka shoqëria jonë. Mjafton të përmendim këtu LIBRA-n e Ben Blushit. Një parti e cila deri më tani iu ka paraqitur qytetarëve vetëm një projekt moral dhe asnjë projekt politik apo ekonomik konkret. Po të shohim listat për deputetë të LIBRA-s do të gjejmë aty njerëz të papunë, pa arsim dhe çfarëdo kategorie tjetër të shoqërisë shqiptare. Këtë aspekt drejtuesi e saj e thotë me krenari sa herë që i jepet rasti. Mirëpo, ky është përkufizimi perfekt i populizmit: populli në politikë. Nuk ka rëndësi se kush je apo se çfarë profesioni ke, e rëndësishme në këtë rast është mesazhi që duhet të jepet për të joshur elektoratin. Kushdo mund të merret me politikë, edhe një shtëpiake në çfarëdo province të Shqipërisë. Ky është rreziku më i madh që vjen nga populizmi. Sepse nuk ka asnjë kategori morale, juridike apo kulturore, duke eliminuar kështu, të gjitha mekanizmat dhe instrumentet e demokracisë. Ekziston vetëm morali i pastër popullor që drejtues të partive të tilla e gjejnë aty për të ngritur pushtetin e tyre politik.

Këto elemente të populizmit ekzistojnë edhe në shumë parti të tjera shqiptare apo në mendime publike që shfaqen kudo në media si zgjidhja e krizës politike dhe të demokracisë. Por, e vërteta është se politika është një profesion. Për të zhvilluar vendin nuk mjafton të kërkosh në mënyrë të dëshpëruar moralin popullor, por duhet një politikë e moderuar e cila të bazohet në zgjidhje afatgjata dhe reforma konkrete. Të gjithë jemi dakord, që sistemi politik shqiptar është plot defekte, por antisistemi dhe populizmi sa herë që është vënë në provë ka rezultuar edhe më i rrezikshëm.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Ja pasuria e familjes Xhelili

Shukri Xhelili, i cili ishte protagonist i një skandali seksual, ku i...
Read More