Hakmarrja për vrasjen në Holandë shkaktoi tre viktima në Tiranë, ja si ndodhi ngjarja

makina-gjak

Vrasjet në bulevard

Prokuroria e Krimeve të Rënda zbardh vrasjen e Mentor Lufit (Doçi), Gerti Goxhaj dhe Besnik Sulkut më 27 maj të vitit të shkuar në Bulevardin “Zogu i Parë”. Të pandehur, nipat e viktimës Lufi dhe italiani Salvatore Letizia, i cili bashkë me mikun e tij Besnik Sulku do hakmerrej për vrasjen e vëllait të Sulkut në Holandë. Për këtë krim prokuroria akuzon Markeljan dhe Klejvi Doçin.

Prokuroria për Krime të Rënda ka përfunduar hetimet dhe dërgon për gjykim tre persona, dy shqiptarë dhe një italian, të akuzuar si të përfshirë në vrasjen e trefishtë ndodhur në bulevardin “Zogu i Parë”, në Tiranë, në dt. 27.05.2015. Vëllezërit Markeljan dhe Klevi Doçi, si edhe italiani Salvatore Letizia akuzohen nga Prokuroria për Krime të Rënda se kanë kryer veprime aktive në konfliktin e armatosur, ku mbetën të vdekur shtetasi Mentor Lufi (Doçi), Gerti Goxhaj dhe Besnik Sulku. Nga hetimet e Prokurorisë për Krime të Rënda është arritur në përfundimin se ngjarja e ndodhur në muajin Maj 2015 në Tiranë është vijim i një konflikti të nisur më parë po në kryeqytet, në Dhjetor 2014 dhe që ka vazhduar në Holandë, në Prill 2015 e, më tej, është shoqëruar me ngjarjen për të cilën akuzohen tre të pandehurit. Në bazë të veprimeve hetimore, Prokuroria për Krime të Rënda i paraqet Gjykatës dinamikën e ngjarjes, e cila është rindërtuar në bashkëpunim edhe me autoritetet holandeze. Në Dhjetor 2014, shtetasi Mentor Lufi (Doçi) plagoset me armë zjarri në zonën e ish-Stadiumit “Dinamo”, në Tiranë dhe autorët largohen. Shënjestra e atentatit, Lufi, ka dyshuar se sulmi ndaj tij është organizuar nga vëllezërit Durim dhe Besnik Sulku. Ndërmjet Mentor Lufit dhe vëllezërve Sulku kishte nisur një konflikt në Holandë, ku ata udhëtonin dhe qëndronin shpesh. Pas atentatit me pasojë plagosjen, Lufi organizon nipat e tij, Markeljan dhe Klevi Doçi, për t’u hakmarrë. Në Prill 2015, dy vëllezërit Doçi i bëjnë atentat me armë Durim Sulkut në qytetin Ridderkerk të Holandës. Nga veprimet hetimore të autoriteteve holandeze, rezulton se Durim Sulku gjendej në një automjet tip Smart, kur është qëlluar për vdekje disa herë me pistoletë nga Markeljan Doçi, i cili ishte i shoqëruar nga vëllai i tij, Klevi Doçi, gjithashtu i armatosur. Pas atentatit në Holandë, vëllezërit Doçi rikthehen në Shqipëri, duke iu shmangur autoriteteve holandeze. Pas thuajse dy muajsh nga vrasja në Holandë, konkretisht pasditen e  datës 27 Maj 2015, Mentor Lufi, dy nipat e tij Markeljan e Klevi Doçi, si edhe miku i tyre, Gerti Goxhaj, gjendeshin në një lokal pranë Fakultetit të Shkencave, në bulevardin “Zogu i Parë” në Tiranë. Pasi janë ngritur nga lokali, ata kanë hipur në dy mjete dhe konkretisht: Mentor Lufi ishte pasagjer në mjetin e drejtuar nga Gerti Goxhaj; ndërsa vëllezërit Markeljan dhe Klevi Doçi gjendeshin në një automjet pas të parit, ku në timon ishte Markeljani. Sapo kanë hipur në automjete, në dy pjesët anësore të makinës së parë, janë afruar dy persona të armatosur, të cilët kanë qëlluar personat që gjendeshin në bordin e saj, konkretisht Mentor Lufin (Doçi) dhe Gert Goxhaj. Nga goditjet me armë ka vdekur në vend Goxhaj dhe është plagosur rëndë Lufi, i cili vdiq pak çaste më vonë. Në momentin e goditjes me armë, Markeljan Doçi afron me shpejtësi makinën drejt atentatorëve, duke përplasur fillimisht njërin prej tyre. Ky i fundit, i cili më pas rezultoi se ishte Besnik Sulku, ka qëlluar me pistoletë në drejtim të mjetit të dytë, por pa  shkaktuar dëme te vëllezërit Markeljan dhe Klevi Doçi. Të gjendur nën goditjen e armës tip pistoletë nga ana e Besnik Sulkut, Markeljani, gjithashtu i armatosur me pistoletë, ka reaguar duke qëlluar me armë. Markeljani dhe Sulku kanë vijuar të qëllojnë njëri-tjetrin, derisa Besnik Sulku ka mbetur i vdekur, pak metra larg nga automjetet. Menjëherë pas ngjarjes, forcat e Policisë organizuan operacionin për arrestimin e personave të përfshirë. Fillimisht, në vendngjarje u arrestuan vëllezërit Markeljan dhe Klevi Doçi. Më vonë, pranë një hoteli në atë zonë, u arrestua edhe shtetasi italian, Salvatore Letizia, i cili rezulton se është personi që, së bashku me Besnik Sulkun, ishte pjesë e vrasjes së shtetasve Mentor Lufi dhe Gerti Goxhaj. Në përfundim të hetimeve, bazuar në këqyrjen e vendit të ngjarjes, provave shkencore dhe bashkëpunimit me autoritetet holandeze, Prokuroria për Krime të Rënda, ka ngritur akuza ndaj tre të pandehurve, vëllezërve Markeljan dhe Klejvi Doçi dhe shtetasit italian Salvatore Letizia.

Të pandehur:

Markeljan Doçi, lindur më 1981, në Bulqizë, akuzohet për kryerjen e veprave  penale të: “Vrasjes me paramendim”,  kryer në bashkëpunim, në dëm të viktimës Durim Sulku (për ngjarjen në Holandë); “Vrasje e kryer me kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme”, në dëm të viktimës Besnik Sulku; “Mbajtje pa leje të Armëve Luftarake”, dy herë.

Klejvi Doçi, lindur më 1993, në Bulqizë, akuzohet për kryerjen e veprave  penale të,  “Vrasjes me paramendim”, kryer në bashkëpunim, në dëm të viktimës Durim Sulku (për ngjarjen në Holandë); dhe “Mbajtje pa leje të armëve luftarake”.

Salvatore Letizia, lindur më 1981, lindur Cazerta (Itali), akuzohet për kryerjen e veprave  penale të , “ Vrasjes me Paramendim” ,  kryer në bashkëpunim, në dëm të viktimës Gerti Goxhaj; “Vrasje për Gjakmarrje”, kryer  në bashkëpunim, në dëm të viktimës Mentor Lufi (Doçi); dhe “Mbajtje pa leje të Armëve Luftarake”.

Arrestohen 11 tepelenas dhe fierakë me parcela kanabisi në Skrapar

Asgjësohen 14600 rrënjë bimë narkotike kanabis sativa në Skrapar, ndërsa në pranga kanë përfunduar 11 persona. Bimët u gjetën të kultivuara në një zonë të pyllëzuar në fshatin Dobrenjë. Arrestimi i tyre u bë pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin u kapën duke kultivuar bimë narkotike të llojit kanabis sativa në parcela të ndryshme. Burime nga Policia e Beratit bënë me dije se gjatë kontrollit të ushtruar në kasollet e ngritura në këto parcela u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 140 kg marijuanë, si dhe dy armë zjarri të llojit automatik, AK-47. Të njëjtat burime bënë me dije se bimët narkotike ishin mbjellë në tokë shtetërore. Sipas tyre, zona ishte në vëzhgim prej dy javësh, ndërsa kanë qenë banorët ata që kanë sinjalizuar se 3 kasolle ishin ndërtuar në pyll. Nga ana tjetër, raportohet se banorët kishin vënë re makina që ngjiteshin në zonën pyjore. Kanë qenë banorët e zonës ata që kanë denoncuar personat e paidentifikuar, të cilët kishin ndërtuar disa kasolle në zonë dhe kryenin lëvizje të shpeshta me automjetet e tyre. Të dyshuarit janë mbajtur në vëzhgim nga policia, e cila ka mundur t’i identifikojë dhe arrestojë ata në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Asnjë prej personave të arrestuar nuk ishte banor i zonës së Skraparit, pasi sipas policisë të gjitha ata ishin banues në Fier ose Tepelenë. Mbetet ende e pa qartë arsyeja përse 11 persona nga Tepelena dhe Fieri zgjodhën Skraparin për kultivimin e 14 mijë e 600 bimëve kanabis. Materialet për të arrestuarit i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotikëve”, “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.

Të arrestuar:

  1. Leandro Myrteli, 26 vjeç, banues në Fier
  2. Donald Velo, 20 vjeç, banues në Fier,
  3. Alket Kurti, 34 vjeç, banues në Tiranë,
  4. Sefedin Marku, 24 vjeç, banues në Sarandë,
  5. Lorenc Alikaj, 27 vjeç, Banues në Tepelenë,
  6. Virion Tushallari, 33 vjeç, banues në Levan,
  7. Redion Hamzaj, 28 vjeç, banues në Fier,
  8. Ilir Omeri, 22 vjeç, banues në Fier,
  9. Fadil Tushallari, 57 vjeç, banues në Levan,
  10. Barjam Cjapi, 23 vjeç, banues në Tepelenë,
  11. Andrea Arixhiu,41 vjeç, banues në Gramsh.

 

Banda shqiptare

Kapen 38 kg heroinë dhe 8 kg kokainë, 7 në pranga

Një operacion i përbashkët mes policisë spanjolle dhe asaj shqiptare ka vënë në pranga 7 persona ku 3 janë shqiptarë për veprimtari kriminale në fushën e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike të forta. Të arrestuarit janë A.Q, 47 vjeç, A.D, 41 vjeç, dhe E.Sh, 27 vjeç, të tre shtetas shqiptar si dhe P.D, 41 vjeç, shtetas bullgar. Këtyre personave iu është sekuestruar 38 kilogramë heroinë e pastër, 8 kg kokainë e pastër dhe 50 kg përzierës. Policia ka sekuestrua gjithashtu një armë zjarri me silenciator dhe një pajisje presimi. Operacioni për kapjen e tyre ka filluar që në muajin dhjetor të vitit 2015 dhe është finalizuar me 10 Gusht të 2016. Grupi udhëhiqej nga një shtetas shqiptar me një histori të gjatë kriminale, ndaj dhe u vu nën mbikëqyrje. Autoritetet shtojnë se, shtetasit shqiptarë e trafikonin drogën, ndërsa operacionet e shpërndarjes i merrte përsipër pjesa bullgare e rrjetit. Deri tani autoritetet spanjolle nuk kanë publikuar identitetin e shqiptarëve të arrestuar, ndërsa në Shqipëri u tha se pjesë e operacionit ishte dhe policia shqiptare.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Fushata e re e UET: Gjëra të mëdha na presin!

Në reklamën e re për vitin akademik 2017-2018 Universiteti Europian i Tiranës...
Read More