Gurakuqi: Të ndalet qeveria, s’duhet shkrirë QSA-ja

STACK-OF-BOOKS-facebookNisur nga një vendim i qeverisë, të premten, historiani Romeo Gurakuqi ka reaguar, duke bërë dje thirrje për të ndalur shkrirjen e QSA-së. Përballë situatës historike kur është rithemeluar kjo qendër e albanologjisë, Gurakuqi vendos situatën e kërkimit shkencor në Shqipëri, ku është gabuar në organizimin dhe menaxhimin e kërkimit shkencor; pse u rrëzua ideja e Akademisë së Mirëfilltë të Albanologjisë

Rikthehet çështja e shkrirjes së Qendrës së Studimeve Albanologjike nga një reagim i djeshëm i historianit Romeo Gurakuqi. Për gazetën MAPO, historiani vendos para institucioneve përgjegjëse arsyet pse QSA duhet të mbahet në linjën e kërkimit shkencor, për të mos ja hequr ligjërisht këtë të drejtë. Duke kujtuar se kjo qendër është rithemeluar në vitin 2008, ku një grup personalitetesh, si përsëritje e historisë, kanë bindur qeverinë e asaj kohe për të pasur institutet kërkimore në një kurorë të albanologjisë.

Gurakuqi shtjellon këtë situatë, kur thotë se: Qendra e Studimeve Albanologjike përbëhet nga pesë institute kërkimore me fillesë nga të njëjtat institute të Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë. Ishte pjesa që u arrit të shpëtohet nga reforma e atëhershme e kërkimit shkencor dhe institucioneve të kërkimit shkencor, që preku pa mëshirë të gjitha institutet kërkimore të ASH. Nga ai moment dhe mbrapa, QSA u shndërrua në një qendër kërkimore por që ofronte njëkohësisht edhe Studime të Thelluara Doktorale dhe studime të avancuara shkencore. Ajo është një prej institucioneve të Arsimit të Lartë dhe Shkencës në Republikën e Shqipërisë. Kërkesa për ruajtjen e QSA nuk ka të bëjë me ruajtjen e situatës aktuale në atë Akademi Shkencore, përkundrazi ajo duhet reformuar dhe rregulluar, duke filluar nga pikëpamja organizative, statutore dhe sistemi zgjedhor që është i stisur, dhe duke vazhduar dhe përfunduar me menaxhimin, ndryshimin standardeve akademike etj. Në vitin 2007 kur u bë mbrojtja e pesë institucioneve kërkimore të inkuadruara në QSA, së bashku me anëtarët e tjerë të komisionit vlerësues, i kemi kërkuar qeverisë së atëhershme, financimin e një Akademie të Mirëfilltë të Albanologjisë, për të mos e lënë zhvendosjen qendrës së studimeve për historinë, gjuhën, kulturën, arkeologjinë e Shqipërisë, nga Tirana në Beograd. Atëherë u mirëkuptuam dhe u pranua ruajtja e këtyre institucioneve, u ofrua edhe një impiant ekzistues për zyrat e profesoratit dhe kërkuesve shkencore. Nuk u pranua projekti dhe propozimi për ndërtimin e një Kampusi të Albanologjisë, një ndërtesë të madhe në zemër të kryeqytetit për Albanologjinë”.

Pas kësaj situate se si është menaxhuar dhe pothuaj janë injoruar gjithnjë idetë dhe mendimet që vijnë nga fusha e albanologjisë, si në rastin konkret të Gurakuqit, një ditë më parë është reaguar pikërisht mbi dhënien e lajmit për shkencën shqiptare, shkrirja e QSA-së. Një fakt, kjo tashmë është e ligjuar prej më shumë se një viti, dhe duket një përpjekje e ideale politike për të “rrëzuar” çdo ide që realizohet nga krahë të ndryshëm të politikës. Edhe në këtë rast, pavarësisht se pas saj janë njerëz të shkencës dhe historisë, QSA si duket është parë nga e majta si vullnet i qeverisë së djathtë, që me të ardhur në pushtet, është deklaruar mbi shkrirjen e saj. Për këtë, Gurakuqi thotë se shkrirja e QSA është një mënxyrë që duhet të ndalet.

“Dikush që është afër qeverisë duhet t’ia shpjegojë zotit Kryeministër, që QSA duhet të ruhet dhe të mbahet brenda sistemit universitar dhe kërkimor shqiptar, e nuk duhet të dalë jashtë Ministrisë së Arsimit: Të ndryshohet skema drejtuese dhe rregullorja e zgjedhjeve dhe të rikthehen të gjitha pronat e këtij institucioni, të zhvendosura në këtë periudhë. Caktimi i një ekipi reformativ dhe risistemues, përbën një emergjencë, sidomos mbas kumtit të hidhur të djeshëm, ardhur nën frymëzimin e këshilltarëve të dështuar të reformimit të shkencës, që prej 26 muajsh punojnë në ilegalitet, për të prodhuar këtë këshillë destruktive”. Gurakuqi tërheq vëmendjen edhe të politikës, konkretisht deputetëve të Parlamentit të Shqipërisë, për ta bërë një shpjegim pranë qeverisë, për të reaguar e ndikuar për QSA-në. Ky lajmërim vjen pas një lajmi që pritet të martën, promovimi në kryeministri, i librit të historianit britanik Noel Malcolm, “Agjencitë Perandorake”, duke u konsideruar sjellje të kundërta të kryeministrit, në ironi: Një për shkatërrimin e Shkencës, dhe një për njohjen e saj. Gurakuqi: “Fillim të ri edhe në Albanologji?! Sërish shkatërrim dhe fillim nga e para në këtë vend?!”

Shkruar Nga
More from revista mapo

Profil i paautorizuar: Basha, jokomunisti i parë

Revista Mapo e shpalli kryetarin e PD, Lulzim Basha si Njeriun e...
Read More