Gjuha amtare në COD, Edmond Tupja: Kur dëgjojmë politikanët të flasin, ka diçka që s’shkon

Studiues të gjuhës dhe kërkues shkencorë nga të gjitha katedrat e gjuhës së universiteteve shqiptare, në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni, përkthyes të mirënjohur dhe institucione përgjegjëse janë mbledhur dje në një tryezë të përbashkët për gjuhën amtare, gjendjen e saj sot. Në mjediset e kryeministrisë, tashmë të mësuar me emrin COD, tryeza trajtoi problematika që kanë të bëjnë me shqipen e sotme, sfidat e saj në realitetin globalizues, teknologjik, virtual në administratë…

Dita ndërkombëtare e gjuhës amtare dje është “festuar” zyrtarisht edhe në Shqipëri, por në mjediset e kryeministrisë. Studiues të gjuhës dhe kërkues shkencorë nga të gjitha katedrat e gjuhës së universiteteve shqiptare, në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni, përkthyes të mirënjohur dhe institucione përgjegjëse janë mbledhur dje në një tryezë të përbashkët për gjuhën amtare, gjendjen e saj sot. Tryeza trajtoi në mënyrë të zgjeruar problematika që kanë të bëjnë me shqipen e sotme dhe sfidat e saj në realitetin globalizues, teknologjik, virtual, në sferën administrative, politike, mediatike, edukative e kulturore.

Takimi është moderuar nga gjuhëtari Gjovalin Shkurtaj, njohur për kontributin disavjeçar në sociolinguistikë, ku u sollën edhe përvoja të studiuesve të gjuhës nga Tirana, Shkodra, Durrësi, Elbasani, Korça, Vlora dhe Gjirokastra, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë dhe Shoqata e Gjuhësisë Shqiptare, sjellin përvojën e tyre të drejtpërdrejtë në punën me studentët apo kërkimin shkencor, profesorë të Universiteteve të Prishtinës e Prizrenit, Institutit Albanologjik dhe Universiteteve të Shkupit e Tetovës. Duke iu drejtuar mediave në kritikën e tij, gjuhëtari Gjovalin Shkurtaj tha se ato kanë rëndësi edhe më të madhe se sa shkollat në krijimin e modeleve të të folurit. Krahas studiuesve të gjuhës, brenda e jashtë kufijve, pjesëtarë të tryezës me sugjerimet dhe vërejtjet e tyre janë përkthyesit dhe shkrimtarët e mirënjohur, Edmond Tupja e Mira Meksi, shqipërues, si dhe redaktorë të ndryshëm të shtëpive botuese në vend.

Në këtë takim prof. Edmond Tupe tha: “Nëse njerëzit dëgjojnë nga figurat publike të politikës, si kryeministri, i tanishëm ose jo, fjalën “memorie” në vend të fjalës “kujtesë”, këtu ka diçka që s’shkon. Kjo sepse do ta imitojnë njerëzit që e dëgjojnë këtë fjalë prej tij, qoftë edhe pa vetëdije. E njëjta gjë vlen për Berishën e mbi të gjitha Fatos Nanon”. Kritika u bënë edhe për shkresat që dërgohen në administrata, mungesa e shkrimit të germës ë, ç, edukimi i drejtë që në kopshte, shkolla etj. Problem i madh mbetet mungesa e lakimit të emrave të përveçëm, sidomos kur janë emra të huaj, e këto të fundit duhen shkruar si në origjinal apo siç shqiptohen në shqip? Por edhe i foluri dialektor u pa i pranueshëm dhe u kërkua një fjalor i plotë i shqipes duke futur edhe dialektet. Gjatë bisedimit u kërkua dhe u diskutua për raportin e shqipes dhe globalizimit; realitetin virtual, teknologjinë dhe ndikimin e medias në gjuhë; gjuhën në administratën shtetërore dhe në botimet e institucioneve publike e jopublike me karakter zyrtar; gjuhën dhe shkollën; rolin e mediave audiovizive në politikat kombëtare për gjuhën; shtrirjen e standardizimit të gjuhës jashtë Shqipërisë (përtej kufijve) dhe shqipen e sotme si gjuhë të përkthimeve dhe letërsisë artistike.

Dialogu publik për gjuhën iu është lënë ekspertëve, në një tryezë teknike dhe akademike, që vë në dukje aspekte për t’u përmirësuar e propozon zgjidhje konkrete, edhe institucionale, me zërin e atyre që punojnë përditë me gjuhën. Sot, shqipja brenda dhe jashtë kufijve përballet me sfida të qenësishme, ndaj, ruajtja, pastrimi dhe pasurimi i saj janë kërkesa të kohës.

Materiali përfundimtar me të gjitha punimet e zgjeruara të tryezës do t’u kalohet institucioneve përgjegjëse, me sugjerimet konkrete dhe qëndrimin ndaj çështjeve të caktuara të gjuhëtarëve, përkthyesve e studiuesve të gjuhës shqipe në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Tre muaj pas zgjedhjeve, Edi Rama nuk ka filluar të qeverisë ende

Nga Ervis Iljazaj Edi Rama ka zhvilluar një takim me qytetarët për...
Read More