Gjiknuri në ditë të vështira, a po e lëshon Rama?

Gazeta MAPO ka mësuar nga burime të sigurta se ish-ministri Gjiknuri, po kalon ditë të vështira, pasi besohet se hetimet për dosjen 184 të zgjedhjeve në Dibër, dhe ato për tenderin e Unazës së Re, kanë avancuar.

Avancimi i këtyre hetimeve i vështirëson pozitat e Gjiknurit, pasi në të dyja rastet ai ka rol kryesor. Si drejtues politik i fushatës në zgjedhjet e pjesshme lokale në Dibër, ai është akuzuar nga opozita se ka mbajtur lidhjet me krimin dhe ka ndikuar në manipulimin e votave. Kjo është raportuar edhe nga BIRN dhe VOA.

Po ashtu, ecja e hetimeve për dhënien e 40 milionë eurove një kompanie fantazmë për njërin lot të zgjerimit të Unazës së Re dhe një ndërhyrje në OST, e vënë sërish në moment të pafavorshëm Gjiknurin, duke qenë se të dyja këto fusha ishin të mbuluara prej tij kur ishte ministër.

Kur Rama e largoi nga ministër dhe i ofroi postin e Sekretarit Zgjedhor, u krijua ideja se nga njëra anë kryeministri shfryu pak tensionin e krijuar, dhe nga ana tjetër i dha Gjiknurit mburojë politike duke e bërë funksionar të lartë të Partisë.

Mirëpo, burime të besueshme, tregojnë për MAPO se me thellimin e krizës, Rama nuk ka të njëjtën gatishmëri për të ofruar imunitet për ish-ministrin. Çka ka krijuar atë dyshimin e përjetshëm në politikë, se shefi i madh të lëshon kur vjen puna për të shpëtuar pushtetin e tij. Është kjo arsyeja, pse Gjiknuri, siç tregojnë burime serioze, po shpeshton kontaktet me faktorë të rëndësishëm ndërkombëtarë në Tiranë, pasi me sa duket po ndjen se ngjashëm me Tahirin, Rama mund të mos ketë për shumë gjatë energjinë dhe dëshirën për t’i dhënë garancitë e duhura.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Vendimi i BE dhe detyrat e shqiptarëve

Nga Eugjen Merlika Sesioni i fundit i kryetarëve të Shteteve e Qeverive...
Read More