Gabimet strategjike të opozitës me praktikën e braktisjes

Nga Ervis Iljazaj

Ashtu sikurse pritej, opozita ka braktisur Komisionin e Ligjeve i cili ka zhvilluar seancën dëgjimore me kandidatët për Kryeprokurorin e Përkohshëm të Përgjithshëm. Mungesa e opozitës, ishte një mungesë e paralajmëruar, pasi e konsideron këtë proces jo të ligjshëm dhe jo kushtetues.

Pa hyrë edhe njëherë në debatin nëse është kushtetues apo jo ky proces, opozita shqiptare është duke bërë një gabim të madh strategjik duke e braktisur atë, edhe pse mund të ketë të drejtë për të gjitha pretendimet e saj. Në këtë mënyrë, duke braktisur çdo proces të rëndësishëm, është duke i dhënë terren politik gjithmonë e më shumë mazhorancës.

Kjo nuk është hera e parë, që Partia Demokratike, gjatë viteve të fundit të opozitës së saj, ka praktikuar braktisjen si opsion, sa herë që nuk ka qenë dakord me mazhorancën, apo sa herë që ka patur pretendime ligjore, morale dhe politike për një veprim të saj.

Të gjithë e mbajmë mend largimin e opozitës nga procesi i Reformës Administrative Territoriale. Me gjithë pretendimet e saj, të cilat mund të ishin plotësisht të drejta, Reforma u aprovua, ndoshta, në mënyrë të tillë që favorizoi mazhorancën politikisht. Këtë gjë e vërtetoi më pas rezultati i zgjedhjeve lokale.

E njëjta situatë ndodhi gjatë momentit të aprovimit të ligjeve organike të Reformës në Drejtësi, ligje të cilat u aprovuan vetëm me votat e mazhorancës të asaj kohe. Janë po këto ligje organike, dhe specifikisht ligji organik për prokurorinë, ku mazhoranca po mbështet zgjedhjen e Kryeprokurorit të përkohshëm. Mungesa e Partisë Demokratike në tryezën e përgatitjes së ligjeve organike, është duke iu kthyer në bumerang.

Edhe në këtë moment, opozita po braktis procesin e zgjedhjes së Kryeprokurorit, duke aplikuar përplasjen frontale me mazhorancën, por pa përdorur asnjë nga mjetet që njeh politika.

Nëse një opozitë do të fitojë kauzat e saj, dhe të kufizojë pushtetin e mazhorancës, gjë të cilën e ka për detyrë, politika njeh vetëm tre mënyra.

E para, ajo juridike, duke vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese, për të bllokuar çdo vendim të mazhorancës që e konsideron jokushtetues. Një veprim të tillë ende nuk e kemi parë nga ana e Partisë Demokratike për çështjen e kryeprokurorit.

E dyta, është mjeti nëpërmjet negociatave dhe marrëveshjeve politike. Në këtë mënyrë opozita, ndoshta nuk mund të kufizojë pushtetin e kartonave të mazhorancës, por më së paku e limiton atë.

E treta, është nëpërmjet protestave, nëse dy të parat nuk funksionojnë dhe ka përballë një mazhorancë politike arrogante dhe të gjithëpushtetshme, duke kërkuar ta largojë atë. Mirëpo, një gjë e tillë kërkon që të frymëzosh qytetarët, të krijosh besimin tek ata se kauzat janë të drejta dhe të ndershme.

Le të marrim të mirëqenë që pretendimet e opozitës janë të gjitha të drejta, edhe në rastin e zgjedhjes së kryeprokurorit të përkohshëm.

A është e aftë ajo të nxjerrë qytetarët shqiptarë në protesta për të rrëzuar këtë mazhorancë që shkel Kushtetutën dhe ligjet e vendit sipas saj?

Deri më tani, as këtë aksion politik nuk e ka konsumuar. Prandaj, përplasja frontale që opozita është duke krijuar me mazhorancën, është një përplasje që s’do të ketë asnjë përfundim pozitiv për të, pasi numrat e kartonave fitojnë gjithmonë, aq më tepër kur këtë betejë nuk e zhvillon me mjetet që ka në dispozicion një demokraci kushtetuese, por vetëm me retorikë politike që nuk të çon asgjëkund. Duke vepruar kështu, opozita shqiptare nuk është duke bërë gjë tjetër, përveçse është duke i dhënë kredite politike dhe pushtet mazhorancës dhe, duke e bërë atë, gjithmonë e më shumë aleat të faktorit ndërkombëtar.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Virgjil Muçi: Në këtë moment do dëshiroja të isha zezak, e të dija shqip

A arrin shqipja të përmbushë çështjet e gjuhës “politikisht korrekte”?! Për ta...
Read More