Franca ashpërson rregullat për azilantët, gjoba të majme dhe më shumë “burgim”

 

Qeveria franceze e drejtuar nga Presidenti Emmanuel Macron ka paraqitur të mërkurën një projektligj për të zbatuar rregulla të ashpra të emigracionit, të cilin organizatat e të drejtave të njeriut e konsiderojnë si regresiv ndaj azilkërkuesve.

Qeveria thotë se projektligji synon përshpejtimin e dëbimit të njerëzve që nuk kualifikohen për azil. Ajo gjithashtu dëshiron të ofrojë kushte më të mira për ata që lejohen të qëndrojnë në vend, të tilla si ofrimi i më shumë mundësive për mësimin e gjuhës frënge si dhe trajnimin për punë.

Ministri i Brendshëm Gerard Collomb tha se plani është “i balancuar” dhe “përputhet me procedurat evropiane”.

Plani do të reduktojë periudhën e shqyrtimit për një kërkesë azili deri në një periudhë maksimumi prej gjashtë muajsh, përfshirë edhe apelin, nga rreth një vit që ishte deri më tani.

Aktivistët e të drejtave të njeriut thonë se procesi më i shpejtë do ta bëjë më të vështirë për azil-kërkuesit të mbrojnë të drejtat e tyre.

Plani gjithashtu do t’u lejojë autoriteteve të mbajnë emigrantë të cilët qëndrojnë ilegalisht në vend në qendra të mbyllura deri në 90 ditë nga 45 që ishte deri më tani, me qëllim që të organizojnë dëbimin e tyre.

Sipas projekt-ligjit, njerëzit që kalojnë ilegalisht kufijtë e zonës së lirë të udhëtimit në BE do të gjobiten me 3.750 euro (4.600 dollarë)

Disa organizata që ndihmojnë migrantët, duke përfshirë edhe Ligën Franceze për të Drejtat e Njeriut, kanë bërë thirrje për protesta në rrugët e Parisit të mërkurën për të denoncuar “politikat qeveritare që cenojnë liritë e emigrantëve”.

Ndërkohë, disa agjentë publikë përgjegjëse për procedurat e azilit ishin në grevë të mërkurën.

Cyrielle Taezin, një punonjëse në gjykatën kombëtare të azilit, tha se emigrantët nuk do të kenë kohë të mjaftueshme për të përgatitur kërkesën e tyre. “Ata kanë përjetuar trauma, kanë nevojë për kontrolle psikologjike, kanë nevojë për kohë për të shprehur atë që kanë kaluar”.

Shifrat zyrtare tregojnë se më shumë se 100,000 njerëz kanë aplikuar për azil në Francë në 2017, duke u rritur 17 për qind nga një vit më herët.

Numri më i madh i kërkesave për azil vijnë nga njerëz nga Shqipëria, Afganistani, Haiti dhe Sudani, shkruan “Associated Press”.

Rreth 36 për qind e aplikantëve u është dhënë statusi i refugjatit.

Projektligji do të debatohet në parlament në muajin prill.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Ançeloti flet hapur për Hysajn, do të transferohet tek …

    Karlo Ançeloti ka dalë publikisht në konferencë për shtyp si...
Read More