Flet mjeku: Pesha e vogël fetale, shkaqet dhe komplikacionet

Obstetri-gjinekolog: Rritja e kufizuar në peshë e bebit gjatë shtatzënisë quhet ndryshe edhe hipotrofi fetale.

Megjithatë, ky term nuk përdoret më dhe në vend të tij përdoret shkurtimi IUGR, që vjen nga inicialet e togfjalëshit anglisht “intrauterine growth restriction”. Pra, me IUGR kuptojmë rritjen e pamjaftueshme në peshë të bebit para lindjes. Shkaqet e IUGR mund të përfshijnë problemet me placentën, sëmundjet kronike të nënës, kequshqyerjen dhe abuzimin me substanca të ndryshme (alkoolin, duhanin etj). Mjeku obstetër-gjinekolog Elton Peçi shpjegon se diagnoza mund të jetë e vështirë, por falë monitorizimit ekografik të shtatzënisë është bërë e mundur që në shumicën e rasteve IUGR të diagnostikohet shpejt, duke rritur shanset për të parandaluar efektet negative te fetusi.

Çfarë është IUGR?

IUGR është një term që përdoret për të grupuar bebet që përjetojnë një rritje më të ngadaltë se norma gjatë jetës në mitrën e nënës dhe që lindin me një peshë që është nën percentilen e 10-të. Kjo do të thotë se 90% e bebeve të së njëjtës moshë gestacionale do të peshojnë më shumë se këta beba me IUGR. Një tjetër mënyrë për të identifikuar IUGR është edhe matja e perimetrit abdominal fetal. Një perimetër në percentilen 2.5 ose më pak mund të përdoret shumë mirë për të diagnostikuar rastet me IUGR. Pesha dhe gjatësia e fetusit përcaktohet nga shumë faktorë, në të cilët përfshihet edhe ata gjenetikë. Disa beba janë normalisht më të vegjël (pra, të programuar gjenetikisht si të tillë). Kjo është më se e vërtetë te fetuset e nënave me shtat të shkurtët apo të imëta si staturë fizike. Këta fetuse nuk konsiderohen si fetuse me IUGR. Fetuset që përjetojnë IUGR dallohen qartë pasi në lindje kanë simptoma të tjera të IUGR që i dallojnë fare mirë nga bebet e tjera të programuara gjenetikisht me peshë më të vogël (pra, në mënyrë natyrale më të vogla).

Sa e shpeshtë është IUGR?

IUGR prek 5-7% të shtatzënive.

Cilat janë shkaqet e IUGR?

IUGR mund të shkaktohet nga shumë faktorë. Këtu përfshihen faktorët gjenetikë, ambientalë dhe infektivë. Shumica e rasteve nuk mund të parandalohen.

Megjithatë, disa faktorë mund të parandalohen (duhani, alkooli). Shkaku më i shpeshtë i IUGR është i lidhur me placentën.

Problemet me placentën mund të shkaktojnë IUGR për shkak se fetusi nuk merr sasinë e duhur të oksigjenit dhe lëndëve ushqyese nga placenta. Kjo situatë quhet insuficiencë placentare. Shkaqe të tjera të mundshme janë: Anomali kongjenitale, sëmundjet kardiake, diabeti, jetesa në lartësi të mëdha, hemoglobinopatitë, hipertensioni, infeksionet – Rubella, Citomega-lovirus (CMV), Toksoplazma dhe sifilizi, anomalitë e mitrës, kequshqyerja, trombofilia, shtatzënia multiple, anomalitë placentare, pre-eklampsia / eklampsia, anomalitë e kordonit ombilikal, çrregullimet e koagulimit, sëmundjet e veshkave, duhani, alkooli, kokaina.

Llojet e IUGR

IUGR klasifikohet në dy tipe: simetrike dhe asimetrike.

IUGR asimetrike: Në rastet me IUGR asimetrike fetusi nuk merr sasinë e duhur të oksigjenit dhe lëndëve ushqimore nga placenta.

Fetusi përshtatet duke rritur fluksin e gjakut në tru dhe zemër (organet më të rëndësishme) dhe duke pakësuar fluksin e gjakut në mëlçi, muskuj dhe lindin dhjamor.

Këta fetuse në lindje kanë një kokë me dimensione mesatare por perimetrin abdominal e kanë më të vogël. Gjymtyrët po ashtu mund të jenë më të vogla, lëkura më e hollë dhe bebi mund të duket më i dobët për shkak të mungesës së indit dhjamor nën lëkurë. Ky tip IUGR ndodh në tremujorin III.

IUGR simetrike: Ky tip IUGR quhet kështu për shkak se fetusi është në mënyrë proporcionale më i vogël, pra çdo strukturë është më e vogël. Kur IUGR asimetrike vazhdon për një kohë të gjatë, fetusi mund të duket në mënyrë proporcionale më i vogël, pra të duket sikur të ketë IUGR simetrike. Kjo ndodh për shkak se edhe rritja e kokës ngadalësohet.

IUGR simetrike mund të shfaqet që në tremujorët I dhe II.

Si diagnostikohet IUGR?

Nuk ekziston ende një test që të diagnostikojë në mënyrë të saktë IUGR. Metodat më të përdorura për të diagnostikuar IUGR janë listuar më poshtë:

Ekografia. Nuk mund të bëhet fjalë për monitorizim të zhvillimit fetal pa ekografi. Përmes ekografisë vlerësojmë rritjen fetale dhe velocimetrinë (fluksimetrinë) Doppler.

Megjithatë edhe ekografia nuk është një tregues shumë i saktë i rritjes fetale. Shenjat ekografike të IUGR janë pesha më e vogël e bebit dhe pakësimi i likidit amniotik.

Ekzaminimet ekografike në seri janë më të vlefshme në përcaktimin e trendit të rritjes së peshës së bebit se sa një ekografi e vetme.

Ekzaminimi

Doppler vlerëson fluksin e gjakut në arteriet uterine, arterien ombilikale dhe arterien cerebrimedia. Në disa raste ekzaminimi Doppler mund të evidentojë ndryshime shumë më përpara se sa të shfaqet rritja e vonuar në peshë e bebit (IUGR).

Lartësia e mitrës. Në rastet me IUGR kemi një rritje të ngadaltë të fundit të mitrës. Megjithatë kjo metodë është eklipsuar tashmë për shkak të përdorimit masiv të ekografisë.

Pesha e nënës. Pesha e nënës duhet të matet në çdo vizitë prenatale. Megjithëse është një parametër jo specifik, në një shtatzënë që nuk fiton në peshë aq sa pritet normalisht mund të dyshohet se fetusi mund të bëjë IUGR.

Cilat janë komplikacionet e IUGR?

IUGR mund të japë komplikacione për bebin para dhe pas lindjes. Fetuset me IUGR janë në rrezik për: vuajtje fetale gjatë lindjes, imunitet të kompromentuar, hipotermi, aspirim të mekoniumit, eritroblastozë (rritje të përqendrimit të rruazave të kuqe të gjakut), hipoglicemi, hipoksemi.

Si trajtohet IUGR?

Menaxhimi specifik varet nga shkaku qëndron në bazë të IUGR. Sa më herët të diagnostikohet IUGR as më e mundur është të parandalohen apo të minimizohen komplikacionet e saj. Duhet të kemi parasysh se rritja e ngadaltë e fetusit nuk mund të jete reversibile (nuk mund të zhbëhet). Pra, një fetus që rritet ngadalë në peshë do të vazhdojë të rritet ngadalë dhe jo me shpejtësinë e duhur. Megjithatë, është e mundur që efektet e IUGR të reduktohen deri sa të vijë momenti i lindjes.

Monitorizimi ekografik pas vendosjes së diagnozës për IUGR duhet të jetë më i shpeshtë se sa në shtatzënitë me rritje fetale normale. Mund të këshillohet përmirësimi i dietës, hospitalizimi, regjim shtrati ose edhe lindja (para kohe) kur konstatohet që rritja fetale është frenuar. Në disa raste, kur mjeku e gjykon të arsyeshme mund të ndryshojë edhe planet e lindjes nga lindje vaginale në lindje me operacion cezarian (në interes fetal).

A mund të parandalohet?

Shumica e rasteve me IUGR nuk mund të parandalohen.

Megjithatë marrja e disa masave të veçanta bën që rreziku për IUGR të reduktohet. Ndër këto masa mund të përmendim: Kujdesi prenatal, Dietë e shëndetshme, Ndalimi i konsumit të duhanit, alkoolit, drogave si dhe trajtimi korrekt i sëmundjeve kronike të nënës (diabet, hipertension etj).

Vëmendje te bebi: Kur fillon të shfaqet IUGR, fetusi redukton lëvizjet në mënyrë që të kursejë energjinë. Një reduktim i lëvizjeve të bebit duhet të raportohet te mjeku.

Monitorimi: Analizat e duhura gjatë shtatzënisë

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Junior Achievement of Albania dhe UET, trajnojnë mësuesit e ekonomisë në 350 gjimnaze të të gjithë vendit

Një cikël trajnimesh për mësuesit e lëndës së ekonomisë së të gjitha...
Read More