Fjalimi që pushtoi botën: Edukimi është arma më e fortë për të ndryshuar botën

Donovan LivingstonFjalimi që pushtoi botën, mbajtur nga Donovan Livingston, një student i sapodiplomuar në Harvard

Edukimi është arma më e fortë për të ndryshuar botën. Përmasa që i jep edukimi botëkuptimit të njeriut, është e jashtëzakonshme dhe e papërshkrueshme me fjalë të tjera përveç se me ato më sublimet. Thellësia e të menduarit, perceptimit, bashkëpunimit, iniciativës dhe guximit, fuqizohen aq shumë saqë përcaktojnë rrugën që njeriu do të ketë në jetë.

Në fund të majit, Universiteti i Harvardit u bë sërish qendra e vëmendjes së botës. Kësaj here, jo për rezultatet e ndonjë kërkimi shkencor.

Fjalimi që Donovan Livingston mbajti në podiumin e ceremonisë së diplomimit të Harvard Graduate School of Education, preku thellë të gjithë ata që e dëgjuan. Në harkun e pak orëve, emri i Donovan Livingston, zuri faqet e para të mediave ndërkombëtare. Fjalimi i tij ka marrë miliona shikime në rrjetet sociale dhe atë e shpërndanë personazhe të famshme të politikës ndërkombëtare, ndër të tjera dhe kandidatja për presidente të SHBA-ve, Hillary Clinton.

Donovan Livingston, i sapodiplomuar në shkencat e edukimit, ka zgjedhur të shprehë të gjithë vokacionin e tij rinor dhe akademik në një poezi – më saktë prozë poetike – përpara miqve, kolegëve, profesorëve dhe prindërve. Djali, pjesë e komunitetit afro-amerikan, në vargjet e fjalimit shpreh revoltën e paraardhësve, të privuar nga mundësia për të hapur librat dhe për t’u ulur në bankat e shkollës.

I sapodiplomuari do të shprehë qartë se fuqinë që ta jep edukimi nuk ta jep asgjë tjetër në jetë. I ndërgjegjshëm për profesionin në të ardhmen e tij, në fjalët e Donovan, ndihet dëshira e zjarrtë për më tepër përkushtim dhe vërtetësi në edukimin e brezit të ri të fëmijëve. Të nesërmen e këtyre fjalëve, çdokush është i bindur se  dëshira e zjarrtë e Donovan do të kthehet në përpjekje të pareshtur për të edukuar fëmijët. Ashtu si Donovan thotë – “ata kanë potencial qiellor”.

Fjalimi nisi me citimin e vitit 1848 të edukuesit reformues Horace Mann, kur “unë nuk mund të lexoja, nuk mund të shkruaja dhe çdo përpjekje për ta bërë ishte e dënueshme me vdekje” dhe vijoi me referime për afro-amerikanë influentë, si poeti Langston Hughes dhe abolicionisti Harriet Tubman. Vargjet flasin për pabarazitë racore në sistemin shkollor, se çfarë do të thotë të jesh student me ngjyrë në Harvard dhe e ftojnë klasën e 2016-s që të përdorë rolin e saj si edukues për të ndihmuar të tjerët në realizimin e potencialin të tyre të plotë – për të “nisur fluturimin”, duke shkuar përtej limiteve të tyre, kurrikulumit të tyre dhe standardeve të tyre.

“Ju përshëndes të gjithëve. Miq, familje, kolegë, staf, alumni si dhe klasa ime e vitit 2016, e sapo diplomuar. Unë jam Donovan Livingston dhe do t’ju drejtohem në mënyrën më të mirë që di. Kur fola me mësuesen time të anglishtes të gjimnazit, përpara disa vitesh, më vendosi përpara mikrofonit në një emision, pasi zbuloi se kisha aftësi që vërejtjet e mia t’i shprehja në formë poezish. Ndihem shumë mirënjohës që kam mundësinë të shpreh këtë pjesë të vetes sime me zë, këtë pasdite. Kjo poezi që do të ndaj me ju këmbëngul te pjesëmarrja e gjithëkujt në edukim.  Shijojeni atë, sidomos klasa ime e vitit 2016!

Të nisim fluturimin!

‘Shkollimi, nga të gjitha mjetet që janë bërë prej dorës së njeriut, është barazues i madh i kushteve njerëzor’ –Horace Mann, 1848.

 

Në kohën e këtyre shënimeve nuk mund të lexoja – nuk mund të shkruaja.

Çdo përpjekje për ta bërë, e dënueshme me vdekje.

Për breza, ne dinim fuqinë e pamatë të dijes.

Por kurrë nuk vumë në dyshim mbajtësit e çelësave – rojtarët e saj.

 

Fatkeqësisht, unë kam parë ndarje dhe uzurpim më tepër

Në këtë radhë punësh – e urryera llogaritje e gabuar e realitetit.

Për disa, koha është i vetmi dallim mes klasës dhe plantacionit.

Sa herë duhet të ndihemi thjesht shifra – si argumente në frazat e shpikura?

‘Larmi. Përfshirje’

Ka ditë kur ndihem fill, vetëm ndihem – lule e vetmuar çel në ngastrën e premtimeve të thyera.

Ferrë kam qenë gjithmonë për të padrejtën.

 

Përçarës. Fjalëshumë. Çmenduri

Me pasionin që tejkalon kufijtë e ndërgjegjes sime – përtej kurrikulës tënde, përtej standardeve të tua.

Unë qëndroj këtu, manifest i dhimbjes dhe dashurisë,

Revolucioni më rrjedh në vena.

Jam fruti i huaj, tepër i pjekur për plepin.

Jam akti i dramës, mishëruar jam ëndrra e shtyrë.

Jam lëvizje – një amalgamë kujtimesh që Amerika do t’i harrojë

E shkuara ime, të vetëm nuk do të më lejojë ende të ulem.

Trupi im, ashtu si mendja

Nuk mund të ndalet.

 

Si edukues, në vend të mbytni me zërin tuaj

tringëllimën e zinxhirëve tanë

Hiqini ata. Na ç’prangosni.

Të çliruar nga pesha e vdekur

E varfërisë dhe privilegjit,

Politikës dhe padijes.

 

Në të shtatën klasë isha kur znj. Parker më tha,

‘Donovan, energjinë tënde të tepërt, ne mund ta përdorim me dobi!’

Dhe më prezantoi me tingullin e zërit tim.

Më dha një skenë. Një platformë.

Ajo më tha se historitë tona janë shkallët

Që më të lehtë bëjnë për ne të prekim yjet.

Ngjitu dhe rrëmbeji ata.

Vazhdo të ngjitesh. Rrëmbeji ata.

 Te Arusha e Madhe lëri të lira të bien ndjenjat e tua dhe derdh shpirtin tënd.

Botën ndiz me sharmin tënd të shndritshëm.

 

Durim i Galileit nevojitet për të edukuar.

Sot, studentët e mi kur shoh në sy, gjithçka shoh janë yjësi

Po t’i jepni kohë bashkimit të pikave,

Do të zbuloni formën e vërtetë të gjenisë së tyre – vezullimin në orën e tyre më të errët.

 

Në sy, shoh çdokënd prej studentëve të mi,

Dhe shoh të njëjtën dritë që lidh Brezin e Orionit

Dhe piramidat e Gizës.

Shoh të njëjtën farfuritje

Që kah liria drejtoi Harrietën.

I shoh ata. Poshtë maskave dhe ligësisë,

Një zhgënjim të mirëfilltë kanë;

Skllavërimin e vlerësimeve tuaja.

 

Në thelb, askush nga ne nuk ishte e thënë të qe i rëndomtë.

Ne u lindëm të ishim kometa.

Të vrullshëm në kohë dhe hapësirë –

Shenjën tonë të lënë teksa përplasemi në gjithçka.

Krateri është kujtim i një ngjarjeje të mrekullueshme  –

Një përplasje e pashlyeshme që botën trondit.

Vallë a nuk jemi astronomë  që kërkojmë për të radhës yll të shndritshëm?

Unë ju mësoj që përbërësit t’i shndërroni në anije kozmike dhe vështirësitë në teleskopë,

Në mënyrë që fëmija të shohë fuqinë e vet, që larg prej nga ulur qëndron.

Padrejtësia po u thotë atyre që janë yje

Pa i ndërgjegjësuar për natën që i rrethon.

Padrejtësia po u thotë atyre që edukimi është çelësi

Ndërkohë që vazhdimisht drynin ndërron.

 

Edukimi ka barazinë –  është gjumi që paraprin Ëndrrën Amerikane.

Zgjohu – zgjohu! Ngrije zërin

Deri kur të kesh arnuar çdo vrimë në qiellin e thyer të fëmijës.

Zgjo çdo fëmijë, në mënyrë që të dijë se çfarë fuqie qiellore ka.

Për shumë kohë, kam qenë vrima e zezë në klasë;

Thithja gjithçka, pa lejuar dritën të dilte prej meje.

Por ato ditë kanë marrë fund. Yjeve u përkas.

Po kështu dhe ti. Po kështu dhe ata.

Bashkë mund të frymëzojmë galaktika madhështie

Për brezat që vijnë.

Jo, qielli nuk është fundi. Është vetëm fillimi.

Fluturimin nisni! ”

Shkruar Nga
More from revista mapo

Shqipëria “refuzon” Rusinë

Nga Blendi Lami*  Rusia është shndërruar në një vend mjaft agresiv sa...
Read More