Fitim Zekthi: “Jemi në gjendje alarmante, opozita është e detyruar të shkojë drejt protestës”

Pedagogu Fitim Zekthi e konsideron protestën e banorëve të Unazës së Re si një të drejtë legjitime që duhet përkrahur nga çdokush.

Protesta e së enjtes përballë Parlamentit nga banorët e Unazës së Re që preken nga ndërtimi i rrugës degradoi në akte dhune me policë e qytetarë të plagosur. Kjo situatë u shfrytëzua nga aktorët politik, ndryshonin në kahet ku qëndronin, por jo në formën si shfrytëzohen fenomene të tilla sociale. Pse politika jonë ka mbetur në këtë stad, ku në mos nxitje të drejtpërdrejtë, indirekt kërkon të ndërtojë kauza në këtë formë?

Mendoj se është detyrë e gjithkujt që të përkrahë një protestë të drejtë, sidomos një protestë ku njerëzit e pambrojtur, të dobëtit, nëpërkëmben dhe poshtërohen nga pushteti. Në këtë kuptim, nuk besoj se përkrahja që i dha opozita protestës tregon ndonjë stad të ulët të politikës sonë. Është e vërtetë që politika jonë zhvillohet në një rrafsh qesharak dhe të përshirë. Ky rrafsh i pështirë ka të bëjë shmangien nga përgjegjësitë ndaj njerëzve, me përbaltjen e atyre që dalin në protesta, me përdorimin politik të gjithçkaje, edhe të protestave. Arsyet pse politika jonë është në këtë gjendje janë të shumta dhe lidhen kryesisht me institucionet e dobëta, me mosekzistencën e ndarjes së pushteteve dhe me shndërrimin në zgjatim të pushtetit të pjesës kryesore të medias dhe të botës universitare.

Politizimi i protestave i ndihmon apo dëmton qytetarët që dalin të protestojnë para institucioneve për çështjet të cilat preken? Duke u ndalur në faktorin politik a po kalon opozita aktuale nga lufta institucionale në atë të “rrugës” duke qëmtuar çdo pakënaqësi popullore, qoftë edhe me çështje që prekin grupe të caktuara njerëzish?

Sigurisht që politizimi i protestave nuk i ndihmon qytetarët kur ata protestojnë për çështje të tilla si prishja e shtëpive, dëmshpërblimi, pagat e ulëta, kushtet e punës, mungesa e transportit publik, pensionet, largimi nga puna etj. Çështja është se në mjaft raste si pasojë e apatisë qytetare çështje të tilla të drejta dhe që prekin në themel jetën e njerëzve vdesin ngaqë marrin pjesë vetëm ata që preken direkt. Qeveria ka kujdes që të ndërmarrë veprime në të cilat gjithnjë preken një numër i kufizuar njerëzish dhe në këtë mënyrë ajo i neutralizon ata. Kështu që mbështetja nga politika dhe sidomos nga opozita bëhet detyrë dhe përgjegjësi e saj. Nga ana tjetër, vendi është në një gjendje të rëndë të legjitimitetit të pushtetit i cili jo vetëm që është fituar me blerje masive votash (siç është provuar tashmë jo vetëm nga raportet ndërkombëtare por edhe nga dëshmitë e të arrestuarve), por sot është nën ndikimin e grupeve kriminale dhe tërësisht i pakontrolluar nga gjyqësori që është i shkatërruar. Në këtë situate, mundësia për të detyruar qeverinë të reflektojë, të ndahet nga krimi apo të dëgjojë njerëzit, është vetëm protesta. Opozita në një farë mënyre është e detyruar të shkojë drejt kësaj rruge.

Duke u ndalur në protestën e banorëve të Unazës së Re që kërkojnë dëmshpërblim 100 % të vlerës së tregut për objektet që i kanë ndërtuar pa leje në dekadat e fundit, a duhet të trajtohen sipas kërkesave të tyre? Si kundërpeshë është edhe perceptimi se përse duhet që nga taksat e qytetarëve që janë “strikt me ligjin” të paguhet kjo kategori personash që kanë zënë prona dhe ndërtuar në kundërshtim me ligjet?

Shiko këtu kemi të bëjmë me një perversitet të përhapur nga qeveria e cila thotë që taksat e njerëzve nuk ka pse shkojnë për të dëmshpërblyer shtëpi të palegalizuara të zaptuesve por duhet të shkojnë për paga, për spitale apo për mjekët dhe infermierët.  Detyra e një qeveria është që ajo të jetë e drejtë dhe e vërtetë. Që ajo ta bëjë këtë, duhet që njerëzit të trajtohen të gjithë njëlloj. Edhe ligji si rregullatori supreme ka për karakteristikë bazë të qenit i barabartë për gjithkënd. Në këtë kuptim, është e turpshme të quash zaptues 400 njerëz në një kohë që 700 mijë të tjerë që kanë ndërtuar pa leje ua legalizon ndërtimet. Nuk ka të drejtë qeveria të veprojë në këtë mënyrë. Nëse ligji aktual ia jep këtë mundësi qeverisë, atëherë është e thjeshtë fare. Ligji duhet ndryshuar. Ligji i padrejtë nuk është ligj thoshte Shën Agustini. Pra, nëse në Shqipëri deri në momentin kur hyn në fuqi ligji i legalizimit janë ndërtuar 1 milion ndërtime pa leje, atëherë askush nuk mund të prishë disa dhe të legalizojë disa. O të gjitha o asnjërën. Pastaj kemi edhe anën njerëzore ose detyrimin ndaj njerëzve. Qeveria vetëm i fyen, i poshtëroi etj.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Shqipëria dhe Kosova me komitet të përbashkët parlamentar

Shqipëria dhe Kosova nuk do të kenë vetëm mbledhje qeverie të përbashkëta,...
Read More