Finlanda, Peter Stenlund: Mbështesim integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian

 

Sekretari i Shtetit i Ministrisë Finlandeze të Punëve të jashtme, Z. Peter Stenlund do të jetë të hënën në Tiranë për një vizitë zyrtare.

Përpara kësaj vizite, ai dha një intervistë ekskluzive për gazeta MAPO duke theksuar se qëllimi i vizitës së tij është t’i japë një shtyrje marrëdhënieve dypalëshe si dhe të ofrojë gatishmërinë e vendit të tij për të ndihmuar Shqipërinë në rrugën e saj drejt BE-së.

Nga Rudina Hoxha

Çfarë mendoni lidhur me rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të 2018-s në Finlandë?

Zgjedhjet në fund të Janarit të 2018 nxorën në pah fitoren e një mandati të dytë nga ana e Presidentit aktual, Sauli Niinistö i cili kandidoi kësaj here si i pavarur, pra i palidhur me ndonjë parti.

Rezultatet e zgjedhjeve treguan se çështjet globale dhe ato të sigurimit janë aktualisht në mendjet e finlandezëve. Detyra bazë e Presidentit është të udhëheqë politikën e jashtme të Finlandës në bashkëpunim me Qeverinë.

Rezultatet e zgjedhjeve treguan një dëshirë për vazhdimësi ndërsa shumë finlandezë janë të kënaqur në të vërtetë me mënyrën se si Presidenti Sauli Niinistö ka arritur të mbajë një dialog me udhëheqësit e tjerë perëndimorë si dhe me Lindjen.

Në fjalimin e tij inaugurues në Parlament, Presidenti ofroi një platformë dhe lehtësim për një dialog ndërpartiak rreth çështjeve më të debatueshme shoqërore të momentit e cila u vlerësua mjaft nga kombi i orientuar drejt konsensusit.

Si i shikoni marrëdhëniet ndërkombëtare të Helsinkit më së shumti nga perspektiva europiane?

Europa, si shtetet anëtare të BE-së si edhe ato jo anëtare, mbetet një partner shumë i rëndësishëm për Finlandën në marrëdhëniet tona ndërkombëtare. Finlanda ka qenë vazhdimisht një nga mbështetëset e fuqishme të një politike aktive të jashtme, të sigurimit dhe të mbrojtjes së BE-së.

Ne mendojmë se është e rëndësishme për BE-në që të jetë një aktor i fuqishëm globalisht. Së bashku, ne qëndrojmë më të fortë. Gjithashtu Europa vazhdon të jetë një partner tregtar domethënës për ne.

Emërimi i Ambasadorit të ri të Finlandës në Athinë dhe Shqipëri, Z. Juha Pyykko iu ka dhënë një shtysë marrëdhënieve dypalëshe midis Finlandës dhe Shqipërisë. Nga perspektiva juaj, si po ecin këto marrëdhënie? Çfarë mund të përfitojë më shumë rajoni i Ballkanit nga diplomacia finlandeze?

Marrëdhëniet finlandezo-shqiptare janë të shkëlqyera me shumë hapësirë për zhvillim të mëtejshëm. Ne shpresojmë të sjellim përmbajtje më konkrete në këto marrëdhënie të mira në vitet në vazhdim. Të dy vendet, duke qenë të vegjël, kanë shtruar themelet për marrëdhëniet tona miqësore.

Ekzistenca e Shoqatës së Miqve të Finlandës në Shqipëri dhe e Miqve të Shqipërisë në Finlandë e vërtetojnë këtë pikë! Laureati Finlandez i Çmimit Nobel për Paqe, Z. Martti Ahtisaari ka qenë imazhi më i njohur i diplomacisë finlandeze në Shqipëri në saje të punës së tij në Kosovë.

Sot, përveç mbështetjes së çështjes së Shqipërisë në rrugën e saj drejt BE-së, Shqipëria mund të përfitojë nga diplomacia finlandeze në mënyra të ndryshme. Për shembull, biznesi dhe tregtia midis Finlandës dhe Shqipërisë nuk ka lulëzuar ende tamam, por diplomatët në të dy vendet po punojnë fort për të lehtësuar shfrytëzimin e mundësive dhe hapjen e dyerve për kompanitë finlandeze dhe shqiptare në aspektin e rritjes së biznesit të dyanshëm.

Ne e dimë se Shqipëria mund të ofrojë mundësi të ndryshme për kompanitë finlandeze në fushën e turizmit, energjisë dhe bujqësisë si dhe të tjera.

Shoqata Nordike për Zhvillimin e Tregtisë dhe Biznesit hapi së fundmi në Tiranë një platformë të rëndësishme për ne në këtë aspekt.

Një fushë e frytshme e bashkëpunimit midis dy vendeve tona ka qenë krijimi i kapaciteteve që ekspertët finlandezë u kanë ofruar autoriteteve shqiptare në formën e projekteve konkrete dhe transferimit të njohurive që kanë të bëjnë për shembull me reformën e sektorit të drejtësisë shqiptare.

Ne jemi të lumtur të ofrojmë njohuritë tona edhe në të ardhmen për shembull në aspektin e masave kundra korrupsionit, udhëheqjes së mirë, statistikave apo arsimit (në renditjet ndërkombëtare, ne radhitemi të parët në këto aspekte!)

Kur vjen puna te sistemi i arsimit, do të ishte e domosdoshme të shikonim potencialin e organizimit të më shumë shkëmbimeve midis studentëve dhe në fushën e kërkimit midis Finlandës dhe Shqipërisë.

Festimi i 100-vjetorit të pavarësisë së Republikës së Finlandës vitin e shkuar ishte një ngjarje e rëndësishme dhe jam i lumtur që pashë që Ambasadorin tonë në Shqipëri, Z. Juha Pyykko, ta festonte këtë ngjarje në Tiranë më 12 dhjetor 2017 me pjesëmarrjen edhe të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Z. Ilir Meta. Shpresoj se me këtë rritje të shikueshmërisë së Finlandës në Shqipëri dhe nëpërmjet vizitës sime, ne mund të lehtësojmë bashkëveprimin në rritje midis dy vendeve tona.

Finlanda e ka shprehur gatishmërinë për të mbështetur integrimin e Shqipërisë në BE. Në çfarë mënyre, po e tregon këtë gjë vendi juaj?

Ne jemi mbështetës të integrimit të Shqipërisë në BE dhe besojmë se vendi për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor është brenda familjes europiane. Ne e tregojmë mbështetjen tonë nëpërmjet mjeteve politike dhe praktike.

Qëllimi kryesor i kësaj vizite në Tiranë për shembull është të diskutojë integrimin e Shqipërisë në BE dhe të inkurajojmë Shqipërinë të vazhdojë punën e mirë me reformat shoqërore.

Gjithashtu, ne jemi këtu për të identifikuar ku dhe si ne mund të bëjmë më të mirën për ta ndihmuar Shqipërinë sa u takon aspiratave të saj europiane.

Në një nivel më praktik, autoritetet finlandeze kanë (si përgatitje për integrimin europian të Shqipërisë) ndihmuar homologët e tyre shqiptarë në ripërtëritjen e institucioneve shqiptare dhe ofrimin e trajnimit për administratën publike.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Çfarë pret Shqipëria dhe Kosova nga darka e Merkel dhe Macron

  Dy njerëzit më të fuqishëm në Europë, kancelarja gjermane Angela Merkel...
Read More