Fenomeni: Arti mes hapësirës joshëse dhe kujtesës

Shënime mbi marrëdhënien e veprës së artit me hapësirën/ A duhet t’u flasin veprat e sotme edhe brezave pasardhës, siç na flasin ne sot veprat e artistëve të së shkuarës? Apo ato kanë një mesazh të lidhur ngushtë me këtë kohë dhe nuk është e nevojshme të komunikojnë me pasardhësit tanë? Edhe nëse kjo e fundit është e vërtetë, përsëri përballemi me nevojën e ruajtjes, qoftë edhe si gjurmë apo relikt i së shkuarës, të paktën si memorie historike (jo si kujtesë ontologjike).

Nga Edison Çeraj

Çdo ditë e më shumë hapësira po kthehet në mediumin më të rëndësishëm për veprën e artit. Diskutimi se sa bashkëkohor apo i vjetruar është ky apo ai medium, kjo apo ajo formë komunikimi, me sa duket e ka humbur peshën. Shumë artistë sot e konceptojnë veprën e tyre të lidhur ngushtë me një hapësirë të caktuar, gjë që do të thotë se nëse vepra zhvendoset diku tjetër, cenohet drejtpërdrejtë në thelbin e saj ose nuk është më ajo që ishte në krye të herës.

Nëse këtij fenomeni tipik të ditëve tona do t’i qaseshim nga pikëpamja shoqërore, do vëmë re se kjo prirje shënon një arritje pozitive në drejtim të ndërveprimit dhe shkëmbimit mes njerëzve me identitete dhe prejardhje të ndryshme; më së pari mes vetë “komunitetit” kulturor dhe më pas edhe mes publikut. Pra, ky fenomen ka bërë që kufijtë të jenë më të brishtë, qoftë kufijtë fizikë, qoftë kufijtë në mendje apo në mënyrën e të menduarit.

Në fakt, duhet të kujtojmë këtu se një vepër arti, sido që të jetë, ka prirjen t’i drejtohet qenies, pavarësisht identiteteve të ndryshme që merr njeriu në kushtet e një kohe apo hapësire të caktuar. Kështu që, është në natyrën e artit që të sjellë një klimë përbashkuese mes njerëzve, sepse na bën të harrojmë atë çfarë na dallon nga njëri-tjetri dhe të kujtojmë atë çfarë kemi të përbashkët: fatin si qenie në botë.

Nga ana tjetër, nëse këtë qasje e kthejmë nga vetë vepra e artit, mund të themi se kemi të bëjmë me një rrezik për sa i takon jetëgjatësisë apo vazhdimësisë së saj, si nga ana formale (si pasojë) ashtu edhe nga ajo semantike. Natyrisht që forma dhe përmbajtja janë të lidhura pazgjidhshmërisht me njëra-tjetrën kur bëhet fjalë për një vepër arti. Në këtë rast, fillimisht vihet në pikëpyetje vepra si materie, përmasa fizike e saj, sepse në kushtet e një mjedisi dhe hapësire publike që përballet herë pas herë me ndryshime të caktuara pavarësisht nesh, pa dyshim që as vetë hapësira ku është ekspozuar vepra nuk bën përjashtim.

E thënë ndryshe, këtu hasemi me çështjen e ruajtjes së veprës, me statusin e saj të ndryshëm nga sendet/objektet e tjera, të cilat shfaqen e zhduken in perpetuum.

Prandaj, kjo varësi e artistëve bashkëkohorë nga hapësira, duhet parë edhe si një rrezik që iu kanoset veprave të tyre në lidhje me ruajtjen dhe vazhdimësinë.

A duhet t’u flasin veprat e sotme edhe brezave pasardhës, siç na flasin ne sot veprat e artistëve të së shkuarës? Apo ato kanë një mesazh të lidhur ngushtë me këtë kohë dhe nuk është e nevojshme të komunikojnë me pasardhësit tanë? Edhe nëse kjo e fundit është e vërtetë, përsëri përballemi me nevojën e ruajtjes, qoftë edhe si gjurmë apo relikt i së shkuarës, të paktën si memorie historike (jo si kujtesë ontologjike). Tregu, që ka në qendër të tij konsumin, nga ku rrjedh edhe i ashtuquajturi konsumerizëm (prodhim sa më i shpejtë, konsum sa më i shpejtë), ka kohë që kërkon ta bëjë pjesë të tij edhe veprën e artit, duke e renditur në kategoritë e veta vetëm si mall ndër mallra.

Por, vepra e artit është një mall që të mbush me mall e prandaj nuk mund të kategorizohet dot ndër mallra pa mall, pa jetë. Hapësira të caktuara janë joshëse për shumë autorë, por mendoj se më joshëse duhet të jetë kujtesa.

 

Shkruar Nga
More from revista mapo

LSI, parti monomake?

Nga Arjan Çurri Nga deklaratat dhe lëvizjet politike të eksponentëve të lartë...
Read More