Faleminderit Mentor Petrela

Nga Edison Ypi

Dua të më bësh një sharrë elektrike për të prerë kafkat e të vdekurve për qëllime studimore, më tha një ditë andej nga fillimi i viteve ‘80 një mik mjek që punonte në morg.

Kur për çdo send prej druri apo metali që lypsej thuhej “kam te puna”, bërja e një sharre s’ishte problem. Me një motor të vogël elektrik, dorezë, një marifet që disku të mos hynte në kafkë më thellë se trashësia e kockës, ia bëra sharrën që deshte mikut mjek të morgut që deri atëherë kafkat i sharronte me sharrë dore. Provat i bëmë me sukses të plotë mbi një kokë lope që e morëm në thertore. Ndoshta mjekut të morgut sharra nuk i duhej për eksperimente me kafkat e të vdekurve por për të torturuar të gjallët, se atëherë gjithçka bënte vaki, megjithatë e besova.

Një herë tjetër, një mjek dentist qefli muzike dhe motoçikletash, më pat thënë se heqja e masës trunore nën ballin e njeriut, nuk shkakton asnjë zarar. Sipas qefliut, neurokirurgët, për të lehtësuar ndërhyrjet në thellësi të kafkës, masën trunore në brendësi të ballit e heqin me lugë, dhe e flakin në kosh. Përfytyrimi tmerrues i një asistenti që ngul lugën në ballin e një pacienti, e mbush me tru, dhe trurin e hedh në kosh, shoqëruar me tjetrin përfytyrim makabër “plumb në lule të ballit” që s’paskish qenë kushedi se çë përderisa i gjithnjohuri plumb në ballë e në fjalë ngulet në një masë që edhe pse duket jetike është krejt e pavlerë, e ndërlikonte tej mase tablonë ndërkohë që dihej se mjeku autor i këtij pohimi vërtet shquhej për disa gjëra por jo për tru të tepërt.

Pata lexuar për Tiroidën që bën hatanë, për Hypofisën dhe Hypotalamusin prej nga vijnë të gjithë urdhrat, për themeluesin e Endokrinologjisë që nuk ishte një mjek i madh por një shkrimtar i madh, Balzaku që supozoi “ekzistencën në gjak të disa lëngjeve”.

Mik, mjek, morg, sharrë, kafkë, kockë, tru, lugë, kosh, tiroidë, hypofizë, hypotalamus, endokrinologji, shkrimtar, të gjitha të lidhura me bërjen ose mosbërjen dëm, më erdhën ndërmend teksa do nisja të lexoj librin “Mos bëj dëm” shkruar fantastikisht nga Henry Marsh dhe shqipëruar mrekullisht nga Mentor Petrela. Prita pak sa më “erdhi” truri si “vjen” brumi i bukës pasi i ke hedhur majanë, dhe ju futa leximit si zhyten nën ujë nëndetëset e Sevastopolit.

Lexoje atë libër të mrekullueshëm.

Ty që me gjasa konservativët ta shpifin, progresistët i urren, seriozitetin nuk e sheh kurrkund, banaliteti ta ka nxirë jetën, superficialiteti të ka afruar me varrin, e di dhe e ndjen se të merresh vetëm me veten shndërrohesh në delirant, të merresh vetëm me të tjerët, bëhesh budalla edhe nëse s’je, për të rivendosur një ekuilibër të humbur në xhunglën moderne të informacionit, duhet patjetër ta lexosh atë libër.

Ti që i hedh sytë pamjes tmerruese që të rrethon dhe sheh se të gjithë gënjejnë, të gjithë paraqiten të bukur, të gjithë hiqen të ndershëm, të gjithë dalin në foto me të ngrëna përpara, të gjithë janë katandisur ku thërret qameti, duke zënë kokën me duar bën pyetjen; Ku ndodhet një mes shplodhës? Ku është një oaz qetësues? Ku ta gjej një pyll ku fryn flladi?

Mesin shplodhës, oazin qetësues, pyllin flladitës, i ke të gjitha tek ai libër.

Lexoje. Pasi ta kesh lexuar, brenda teje do ndodhin disa ndryshime lidhur me ca shqetësime që i ndieje por nuk guxoje t’i bëje.

Pas leximit të këtij libri do qortosh veten si nuk je kujtuar të marrësh një varre’ ta godasësh televizorin, ta bësh copa-copa, ta hedhësh në kazanin e plehrave.

Me të lexuar atë libër nuk do ia falësh vetes që masakratorin e kreativitetit, kompjuterin, me gjithë kablla e me gjithë priter, do ta fusësh në një thes do ta lësh në një trotuar.

Kur atë mrekulli ta kesh mbaruar së lexuari, do habitesh se si Zoti nuk ta ka lëshuar një rrufe nga lart si dënim për mëkatin që penën, bojën, zarfin, tutkallin, pështymën, i ke lënë aq pas dore.

Do tmerrohesh se si ke qëndruar aq gjatë në rrjetet sociale. Do t’i mbyllësh të gjitha accountat. Do nisësh të mendosh ndonjë mënyrë për t’u mbledhur për të pirë diku kafe a çaj jo me “friends” virtualë por me miq prej mishi e kocke.

Do të lindi dëshira t’u ulurasësh komunistave në surrat; Ishit dhe jeni një çetë rrugaçësh. Ajo që e quani lufta nacional çlirimtare është një gënjeshtër e pështirë. Nuk keni asgjë ta dokumentoni. Keni provokuar italianë dhe gjermanë nga maja malesh, pastaj ju ia keni mbathur, ata kanë djegur fshatin.

Zotërinj konservatorë, ndizni nga një qiri për Doktorin që të 10, falë të cilit për ca kohë u muar vesh se ekzistonit. Kështu si bëni ju që vetëm mburreni, vetëm qurreni, vetëm shpifni për njëri-tjetrin, nuk do ta merrni kurrën e kurrës pushtetin. Mentor Petrela mund t’ua drejtojë disi kolonat e shtrembëruara nga vuajtjet dhe përkuljet. Mund t’ua heqi dhe ndonjë tumor. Por as Mentor Petrela dhe as Henry Marsh, nuk u bëjnë dot derman deformimeve tuaja cerebrale që ua shkapërdheu kurvi.

Do falenderosh Marsh dhe Petrela, të cilët, për të mos u bërë dëm të tjerëve, i bënë dëm vetes duke hyrë ku nuk hyhet, në punët e Zotit.

Do mësosh se në këtë botë s’ka gjenialitet tjetër veç atij të gjithkujt që dëshmon prej “këndej” sadopak nga “fshehtësia” që ndodhet e tëra “andej”.

Lexoje derdhjen bujare të njerzillëkut, ndjeshmërisë, profesionalizmit, erudicionit, përkushtimit, durimit.

Proporcionet danteske, çartallosjet shekspiriane, fluturimet lasgushiane, dalldisjet kadareane, gjithçka e këtejme dhe e përtejme, gjithçka njerëzore dhe qiellore, guximi, frika, dështimi, dashuria, urrejtja, lavdia, fantazia, shenjtëria, ndodhen të gjitha në atë libër të sofistikuar si tumor, në atë përkthim të bukur si tru.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Gjuha amtare në COD, Edmond Tupja: Kur dëgjojmë politikanët të flasin, ka diçka që s’shkon

Studiues të gjuhës dhe kërkues shkencorë nga të gjitha katedrat e gjuhës...
Read More